stalin6

Edison Çeraj

 

Përpara se të jetë teori shkencore, marksizmi është fe, një sistem qëllimesh përfundimtare që i japin kuptim jetës dhe etalone absolute referimi për të vlerësuar ngjarjet dhe veprimet. Ai u ofron besimtarëve një udhërrëfyes,  një plan shpëtimi dhe tregon të keqen prej së cilës duhet shpëtuar njerëzimi, sepse komunizmi ndërthur shpresat e mesianizmit hebraik me teologjinë e mesianizmit të krishterë. Ai e ngre proletariatin në rangun e një mesie të botës moderne, në përmbushës të vullnetit të historisë që do ta çlirojë njeriun, duke i mundësuar arritjen e Tokës së re të premtuar, të shoqërisë pa klasa, njëlloj si Krishti që e çliron njeriun nga e llumi i mëkatit për ta ndihmuar të hyjë në mbretërinë e Zotit.[1]

 

Hyrje e shkurtër mbi termin

Totalitarizmi është një fenomen historik me tipare të papërcaktuara[2], prandaj përkufizimi dhe studimi shkencor i tij ndeshet me vështirësi të shumta.

Asnjë nga përshkrimet që i janë bërë dyzet vjetëve në të dy anët e Atlantikut, nuk e kënaqin plotësisht mendjen. Këtu bën ndoshta përjashtim i ndjeri Raymond Aron, filozof dhe politolog, i cili ka shkruar për të që në vitin 1965. (Poliakov, Totalitarizmat e shekullit XX)

Ndërsa në fjalorin sociologjik të Gordon Marshall-it (i përthyer mjeshtërisht nga Bashkim Shehu), lexojmë këtë shpjegim: “totalitar-e, totalitarizmi [totalitarin, totalitarianism] Termi e ka zanafillën tek fashizmi italian i Musolinit dhe tek filozofi Giovanni Gentile. Me kuptimin “gjithëpërfshirës, gjithëpërbërës, gjithëpërshkues, shtet total”, kjo etiketë është aplikuar ndaj një larmie perandorish dhe rendesh sundimi, përgjithësisht ndaj regjimesh djathtiste; kësisoj deri në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur fitoi një përdorim të ri. (…) Studiuesit e shkencave politike Carl Friedrich dhe Zbigniew Brzezinski kanë qenë autorët e parë të zhvendosjes kuptimore nga regjimet fashiste në drejtim të riformulimit të tij si paradigmë për Bashkimin Sovjetik të Stalinit.”

Megjithatë, le t’i kthehemi edhe një herë Poliakov-it, i cili citon një interpretim të thukët të Aron-it. “Në se konsiston dukuria totalitare? Më duket se pesë janë elementet kryesore të totalitarizmit:

  1. Fenomeni totalitar shfaqet në atë regjim që i jep një partie të vetme monopolin e veprimtarisë politike;
  2. Partia monopoliste është e frymëzuar dhe e armatosur me një ideologji së cilës i atribuon një autoritet absolut, dhe që, për rrjedhojë, arrin të bëhet e vërteta zyrtare e shtetit;
  3. Për përhapjen e kësaj të vërtete zyrtare, shteti merr përsipër nga ana e tij një monopol të dyfishtë: monopolin e mjeteve të forcës, si dhe atë të lavazhit të trurit. Tërësia e mjeteve të masmedias: radioja, televizori dhe shtypi drejtohen dhe komandohen nga shteti dhe nga ata që e përfaqësojnë;
  4. Shumica e veprimtarive ekonomike dhe profesionale i nënshtrohen shtetit, dhe këto, në një farë mënyre, janë pjesë përbërëse e tij. Ashtu si shteti është i pandarë nga ideologjia e vet, po ashtu edhe veprimtaritë kryesore ekonomike e profesionale marrin ngjyrën e së vërtetës zyrtare;
  5. Që nga çasti që çdo veprimtari është shtetërore dhe i nënshtrohet ideologjisë, një gabim i kryer në një aktivitet ekonomik a profesional është njëkohësisht edhe një gabim ideologjik. Si përfundim, kjo shpie në politizimin e shoqërisë, në marrjen e ngjyrës ideologjike të të gjitha gabimeve të mundshme të individëve dhe, në shkallë të fundit, në një terror policor e në të njëjtën kohë edhe ideologjik.”[3]

Formulime dhe përcaktime si: “frymëzim ideologjik”, “autoritet absolut”, “e vërtetë e padiskutueshme”, “nënshtrim i plotë”, “partia mbi të gjitha” “partia nuk gabon kurrë” e të tjera të kësaj natyre, duken sheshazi që janë huazuar nga fjalori religjioz (me apo pa vetëdije, megjithëse duket e pabesueshme pavetëdija në këtë rast, pasi bëhet fjalë për një sistem “perfekt”, të menduar e të organizuar deri në detajet më të imëta – në mos pastaj, tekembramja, çdo pavetëdije është një vetëdije e llojit të vet), sepse, ndoshta është mënyra e vetme për të ndërhyrë dhe për të tërhequr thelbin e njeriut, qenien e tij, pra ontologjinë.

Njeriu mbetet një qenie religjioze edhe atëherë kur e mohon Zotin, edhe kur e “vret” Atë, ngaqë çdo e vërtetë arrihet dhe nis vetëm përmes (vet)mohimit, dhe pastaj për të shkuar me bindje drejt (vet)pohimit.

Ja pse në sistemet totalitare kemi një hierarki tipike religjioze, së bashku me pjesën teleologjike, pra parajsën e premtuar si synim përfundimtar.

Le ta shohim më konkretisht këtë aspekt.

 

TotalitarizemTrashëgimia religjioze e totalitarizmit

Karakteri teologjik i marksizmit lidhet edhe me traditën mijëravjeçare që zë fill me komunizmin elitar të Platonit, me Republikën e tij të shekullit V-IV para Krishtit, Aktet e Apostujve (kap. 2, vargjet 42-47 dhe kap. 4, vargjet 32-35), ku midis të tjerash thuhet: “Të gjithë ata që ishin besimtarë u bashkuan dhe e bënë gjithçka bashkë. Ata shisnin pronat për t’i ndarë me të tjerët sipas nevojave të secilit…” Këto vargje të kujtojnë formulimin e Etienne Cabet-it, i cili, ne shekullin e nëntëmbëdhjetë e përcaktonte kështu bashkësinë e utopistëve: “Secili sipas aftësive, secilit sipas nevojës”, fjalë të përsëritura më vonë edhe nga Stalini.

Po ashtu, jeta e manastirit, institucionet fetare, kongregacionet, misionarët, të gjithë ata që mbuluan territoret e krishtera kishin në themel të veprimtarisë së tyre përpjekjet, ndonjëherë të suksesshme, për të realizuar mbi tokë një bashkësi utopike, megjithëse në përmasa të vogla. Gjithashtu do vazhdonim me Qytetin e Zotit të Shën Agustinit, ku U-toposi utopik është Jerusalemi, urdhëresat fetare françeskane dhe dominikane të shekujve XII dhe XIII. Më pas vinë utopistët laikë si Vëllazëria e Jetës së Përbashkët e fundshekullit XIV, mësues të Erazmit të Roterdamit; Republika komuniste e krishterë e Guaranis-it, një utopi e veçantë e paklasifikueshme, një “xhevahir i historisë njerëzore”, siç e quan Max Delespesse, që mbijetoi në Guaranis të Paraguait në Amerikën Latine në periudhën 1610-1768, në një territor 650 km x 600 km, që u shkatërrua nga forcat spanjolle dhe portugeze. Po ashtu, të njëjtës trashëgimi utopike i përkasin edhe komunitet e udhëhequra nga Joachim de Flore, Segarelli apo At Dolcino, të cilët një historian i ka emërtuar si komunistët e parë të Perëndimit; pastaj Bashkësitë e Cathares-it të Vaudois-it të shekullit të dymbëdhjetë, dhe historia e gjatë e përndjekjeve që pësuan për shkak të besimit të tyre; Jan Husi dhe projekti i tij për një shoqëri me të barabartë, i cili vdiq në turrën e druve në vitin 1415. Pasuesit e tij themeluan më pas një republikë në Bohemi, në malin Tabor, që e quajtën Jerusalemi i Ri, me të njëjtat karakteristika: pronë e përbashkët, heqje e skllavërisë, kthimi i tokës për fshatarët punëtorë. Një stacion në rrugëtimin e utopisë është edhe murgu dominikan kalabrez Campanella dhe libri Qyteti i Diellit, të cilin e shkroi i dënuar me burgim të përjetshëm në Napoli, pasi dështoi projekti i tij për të ndërtuar të ashtuquajturin Novus Dux në Kalabri. Në të njëjtën linjë janë edhe Thomas Müntzer-i (mik i Luterit) dhe lëvizja anabaptiste.

Nuk duhet harruar në këtë traditë edhe Izraeli, prej Esenienëve të Qumranit deri te kibutsimi, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në utopinë e krishterë. Më pas zë fill një linjë e fuqishme humaniste dhe laike e utopisë, Revolucioni francez, socializmi utopik i shekullit XIX, Henri de Saint-Simon, Charles Fourier, Robert Owen, Etienne Cabet, Pierre-Joseph Prudhon, për të ardhur deri te Manifesti Komunist i Marksit dhe Engelsit.

Ndonëse u përpoqën t’i jepnin pashmangësisë së mbërritjes të një parajse tokësore një karakter shkencor dhe racional, ata nuk mundën kurrsesi t’i hiqnin ngarkesën fetare dhe teleologjike të traditës pararendëse të komunizmit, e cila në kushtet e diktaturave që u ndërtuan mbi variantin ortodoks të marksizëm-leninizmit u kthye në bazën kryesore legjitimuese të pushtetit komunist në këto vende.

Duhet thënë se edhe totalitarizmi komunist dhe ai nazist përqendrohen si të gjitha metarrëfimet kryesisht në rizbulimin ose rikthimin te një e vërtetë zanafillore, dhe cilado qoftë baza e ligjësimit të tyre, racionale ose metafizike, emancipuese ose spekulative, ato janë dije teleologjike. Pra ato mbështeten në rendin që synon një qëllim përfundimtar, i cili duke pasur kërkesa ideale, i bën këto rrëfime të duken sikur vinë nga një realitet i cili duke u shpërfaqur hipotetik dhe virtual, merr të gjitha atributet e një Përtejrealiteti.

Po ti shkojmë fillit të metaforës së Nietzsche-s për “vrasjen e Zotit”, vendi që la bosh Zoti u bë sfida më e papërballueshme për njeriun; ndoshta pikëpyetja më e madhe me të cilën i duhej të matej. Vetë Nietzsche synon të japë një përgjigje për këtë, por duke e shtruar në formë pyetjeje me një tis cinizmi organik: “A nuk është madhështia e kësaj ndodhie tepër e madhe për ne? A nuk duhet që ne të shndërrohemi në zota, thjesht për t’u dukur të justifikuar për emërtimin?” Po. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Madje që në çastin që ne “vramë Zotin” u kthyem në zota, secili në kërkim të një froni për të vënë në lëvizje individualizmin prej Zoti dhe për ta bërë atë një modus vivendi. Kështu, ata që ishin/janë më të fortë përgjatë të jetuarit me legjendën e seleksionimit natyror, ngrihen mbi të tjerët e dobët duke i shtypur ata dhe duke u diktuar rrugën që duhet të ndjekin.

“Lirohuni nga ndërgjegjja, nga mëshira, përdëllimi – nga këta tiranë të brendshëm njerëzorë. Shtyni të pafuqishmit, mbi trupat e tyre ngjituni më lart…” thotë Nietzsche, sepse në një farë mënyre ai mbetet vazhdim filozofik i darvinizmit.

Tanimë që jemi zota mund të bëjmë ç’të duam; kemi në dorë gjithçka. Meqë “e vramë” Zotin le ta bëjmë tonën mbretërinë e Tij; le të harbojmë anekënd saj sepse çdo gjë është e jona. Tani kemi çdo gjë, pavarësisht se nuk duam asgjë.

Ja pra një nga premisat e totalitarizmit, meqë disa shtynë të pafuqishmit dhe racat inferiore dhe mbi trupat e tyre u ngjitën më lart. Ajo që ndodhi gjatë shekullit të njëzetë me ideologji si komunizmi dhe nazizmi është një dëshmi e llojit të vet.

Të fuqishëm si Lenini, Stalini, Mao ce Duni, Ho Shi Mini, Kim Ir Seni, Pol Poti, Çaushesku, Enver Hoxha etj., u ngjitën mbi trupat e gati 100 milionë njerëzve të ekzekutuar me forma nga më të ndryshmet (sipas të dhënëve nga libri i Stefan Kurtua dhe Nikola Vert – Libri i zi i komunizmit) dhe miliona e miliona të tjerëve të cilët vuajnë akoma trauma e komplekse nga të fuqishmit në luftën darviniste për ekzistencë.

“Regjimet totalitare, sa kohë ato janë në fuqi dhe udhëheqësit totalitarë, sa kohë që ata janë gjallë, «komandojnë dhe mbështeten në ndihmën e masës deri në fund».” (Arendt, Origjina e totalitarizmit)

Duke qenë se pushteti është “marrëdhënie ndërmjet individësh” (Foucault), janë pikërisht masat ato që e prodhojnë atë. Si të papërshtatshme dhe të prapambetura në luftën për ekzistencë ato duhet të nënshtrohen, duhet të prodhojnë pothuaj çdo gjë që nënkupton fjala prodhim. Kjo prapambetje e disave (që shndërrohen menjëherë në masë), prodhon atë energji që shtyn përpara disa të tjerë (të fuqishëm, pra të përshtatshëm) drejt pushtetit udhëheqës.

Do ishte gati sipërfaqësore që këtë fuqi dhe popullaritet që arrijnë disa t’i atribuohet fitores së propagandës mjeshtërore dhe mashtruese mbi injorancën dhe budallallëkun. (Arendt, po aty)

Masat prodhuese, dhe së këndejmi të tjetërsuara në kuptimin marksist, mbeten justifikim i vazhdueshëm për pushtetin e individëve të ashtuquajtur udhëheqës, pikërisht sepse ato prodhojnë, dhe domosdoshmërish ky prodhim duhet drejtuar dhe sistemuar.

Por, vlen të shtohet këtu se nga këto masa që deri dje përgjithësisht ishin indiferente, u rekrutuan shumë anëtarë të lëvizjeve naziste dhe komuniste në Evropë pas vitit 1930, njerëz të cilët të gjitha lëvizjet dhe partitë e tjera i kishin braktisur si tepër apatikë apo shumë të trashë për t’u përgjigjur vëmendjes së tyre. Përfundimi ishte se shumica e tyre përbëhej nga njerëz që nuk ishin shfaqur kurrë në skenën politike. Duke qenë të tillë, të zhgënjyer nga refuzimi i partive të asaj kohe, ata kishin njëfarë mllefi të natyrshëm, gjendje të cilën diti ta përdorë me mjaft mjeshtëri lëvizja e re. Kjo kategori ishte edhe më e devotshme ndaj kauzës se vetë lideri dhe grupi nismëtar, saqë ishte pikërisht kjo kategori militantësh të zellshëm e cila arriti të bindë pjesën dërrmuese të njerëzve se shumicat parlamentare ishin të rreme dhe nuk i përgjigjeshin nevojave dhe realiteteve të vendit, duke minuar kështu respektin dhe besimin te qeveritë.

Për të prekur tani dukurinë e nevojës së njeriut, ose më saktë të masave (pasi për njeriun nuk thuhet asgjë në sistemet totalitare, në kuptimin e filozofisë së qenies: komunizmi trajtoi pothuaj çdo gjë që kishte të bënte me shoqërinë, por për njeriun nuk tha asnjë fjalë të vetme) për t’u mbështetur diku, për të kërkuar strehë/mbrojtje, për të përkitur diku, natyrisht që kjo është shfaqje e një nevoje ontologjike, që me sa duket ideologët e lëvizjeve totalitare e kishin studiuar fort imët.

Kështu, në rendin e ri të gjërave, në realitetin pa Zot (sepse terreni kishte nisur të përgatitej që me “vrasjen” e Tij të pa zbardhur akoma – thuhet njeriu, por kur themi njeriu s’kemi thënë “asgjë”, sepse akoma nuk i është vënë gishti dikujt), Zoti duhej zëvendësuar, duhej që dikush të emërtohej me emrin e tij, siç thotë Nietzsche, pra duhej një shpëtimtar (ose një baba në kuptimin frojdian) për t’i drejtuar delet e humbura drejt parajsës së premtuar tokësore, një ide që buron nga judaizmi, sepse sipas (mos)besimit të tyre Parajsa do jetë në tokë.

Së këndejmi edhe përvijimi sistematik i kultit të udhëheqësit nga makineria totalitare si babai i kombit, si shpëtimtari i vetëm që ka në dorë fatet e të tjerëve. Jo vetëm kaq, por duhej zëvendësuar dhe ajo që e përfaqëson Zotin, pra feja, me një platformë ideologjie teleologjike specifike, që është quajtur edhe si religjion i kthyer së prapthi. Elemente si konvertimi i pasuesve, ndjekja e idealit, mohimi i vetes në emër të një bashkësie, militantizmi, pjesëmarrja dhe shugurimi mbeten të përbashkëta, si për religjionin, ashtu dhe për totalitarizmin.

Ja një deklaratë e Hitlerit në këtë kontekst: “Gjithçka jeni ju, jeni përmes meje; gjithçka unë jam, jam përmes jush.” (Arendt, po aty)

 

big-brotherShpërbërja e njerëzores – individualizmi

Por, që kjo nevojë të ishte sa më e thellë, për t’u dorëzuar plotësisht, sisteme totalitare si komunizmi, “përmes zhvillimit të këtij kurthi në ekstremet më të largëta dhe më fantastike, sundimtarët bolshevikë arritën të krijojnë një shoqëri të shpërbërë dhe të individualizuar, të ngjashmen e së cilës nuk e kemi ndeshur kurrë më parë, ngjarjet dhe katastrofat e së cilës vështirë se do të ishin shkaktuar pa atë”. “Lëvizjet totalitare janë organizma masive të individëve të ndarë, të izoluar.” (Arendt, po aty)

Merret me mend se ky izolim i individit bëhet për të ndërtuar socializmin, pra parajsën e premtuar. Që individi të jetë sa më i devotshëm për këtë kauzë, ai duhet të shkëputet nga besimi, kultura, tradita, farefisi, dialekti, madje dhe nga familja po ta kërkojë partia, pra duhet të individualizohet për t’u reduktuar vetëm në një zgjatim (oktapodi) të partisë.

Një besnikëri e tillë mund të shpresohet vetëm prej qenies njerëzore tërësisht të izoluar, që, pa ndonjë lidhje tjetër shoqërore me familjen, miqtë, shokët, apo madje, pa njohje të thjeshta, e gjen kuptimin e vet për pasjen e një vendi në botë, vetëm nga përkatësia e tij në një lëvizje, nga anëtarësia në një parti. Besnikëria totale është e mundur vetëm kur besimi zbrazet prej të gjithë përmbajtjes konkrete, nga e cila ndryshimi i mendjes mund të ngrihet në formë natyrore. (Arendt, po aty)

Siç u theksua më lart, një tipar tjetër thelbësor, ndoshta tipari më i rëndësishëm i lëvizjeve totalitare, është dhe ideologjia teleologjike specifike, siç e përcakton edhe Gordon Marshall në fjalorin e tij të sociologjisë. Duke u angazhuar për të ardhmen dhe duke i bërë asaj një përvetësim të llojit të vet, totalitarizmi arrin kështu të kontrollojë edhe shpresat e njerëzve.[4] “Lëvizjet totalitare, secila në mënyrën e vet, kanë bërë çmos për të hequr qafe programet partiake që specifikonin një përmbajtje konkrete, të cilën e trashëguan nga stadet më të hershme jototalitare të zhvillimit. S’ka rëndësi se sa rrënjësisht ishin perifrazuar programet, çdo qëllim i caktuar politik, që nuk pohon apo përshkruan thjesht pretendimin për sundim botëror, çdo program politik që ka të bëjë me çështjet më specifike se «problemet ideologjike me rëndësi për shekuj», është një shkatërrim për totalitarizmin.”

“As nacional-socializmi dhe as bolshevizmi nuk ka deklaruar ndonjëherë një formë të re qeverisjeje, as ka pohuar se qëllimet e tij u arritën me marrjen e pushtetit dhe kontrollin e makinerisë se shtetit. Ideja e tyre për dominim ishte diçka që as shteti dhe as aparati i thjeshtë i dhunës nuk mund ta arrijnë, por vetëm një lëvizje që mbahet vazhdimisht në veprim; domethënë, dominimi i përhershëm i secilit individ të veçuar në çdo sferë të jetës. Marrja e pushtetit me mjetet e dhunës nuk është kurrë një fund në vetvete, por vetëm mjeti drejt një fundi. Dhe marrja e pushtetit në një vend të dhënë është vetëm një fazë e mirëseardhur kalimtare, por kurrë fundi i lëvizjes. Synimi praktik i lëvizjes është të organizojë aq njerëz sa mundet, brenda kuadrit të saj, t’i vendosë dhe t’i mbajë ata në veprim; një qëllim politik që do të përbënte fundin e lëvizjes, thjesht nuk ekziston.” (Arendt, po aty)

Mund të themi se, ashtu si religjioni që nuk mund të ketë dinamikë dhe kuptim pa premtimin e Parajsës për besimtarët, ashtu edhe totalitarizmi me psikozën mesianike nuk ka dinamikë dhe as kuptim pa premtimin e tij për të ardhmen e lumtur të të gjithë njerëzimit në parajsën tokësore. Por, ndryshimi në këtë rast qëndron se parajsa që premtuan ideologjitë totalitariste rezultoi utopi, ndërsa ajo e religjionit mbetet për t’u provuar.

 

________________________________________

[1]Schumpeter, J. (1974) Capitalisme, socialisme et démocratie, Paris: Payot; cituar nga Gëzim Qëndro, në esenë “Thanatologjia e shpresës”.

[2] Fjalët e kthyera në italic në këtë hyrje për termin janë bërë për të theksuar se janë pikërisht ato ku do përqendrohet kjo trajtesë.

[3] Aron, R. (1965) Democratie et totalitarisme. Paris: Gallimard.

[4] “Totalitarizmi nuk kënaqet kurrë me sundimin me mjete të jashtme, domethënë, përmes shtetit dhe makinerisë së dhunës; falë ideologjisë së tij të veçantë dhe rolit të caktuar të tij në këtë aparat detyrimi, totalitarizmi ka shpikur një mënyrë dominimi dhe terrorizimi të qenieve njerëzore nga brenda.” (Arendt, Origjina e totalitarizmit)

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *