Palestine-IsraelBritain Eakin

Vrasja e fundit e katër fëmijëve palestinezë nga një predhë izraelite ndërsa ata luanin futboll në një plazh në Gaza do duhej të vinte në dyshim pretendimin e Izraelit se po bën një luftë vetë-mbrojtëse. Gazetarët perëndimorë të cilët e panë sulmin dëshmuan nga afër një realitet të shëmtuar të jetës në Gaza – civilët palestinezë shumë shpesh zihen peng nën shënjestrën e armëve në këtë rrip bregdetar të vogël, të populluar dendësisht, e të izoluar.

Të djelën në mëngjes, një inkursion izraelit në lagjen Shuxhajea në Gaza vrau të paktën 60 palestinezë të tjerë. Shumica e të plagosurve që po kurohen në spitalin Al-Shifa në Gaza janë civilë me plagë nga fragmente predhash dhe amputacione gjymtyrësh. Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë deri tani dhe totali i të vrarëve palestinezë sapo kaloi 400 plus mbi 3000 të plagosur.

OKB-ja thotë se mbi 70% e të vrarëve palestinezë janë civilë, një rritje e dallueshme në krahasim me sulmet e mëparshme izraelite.

Pasojat mbi civilët kanë ngritur shqetësimin e OKB-së rreth përdorimit të forcës joproporcionale izraelite në Gaza në shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar. Por përdorimi i forcës joproporcionale dhe shënjestrimi i infrastrukturës civile nuk është një taktikë e re për Izraelin. Në fakt, është një strategji primare sipas Gabi Sibonit, drejtor i programit për Çështje Ushtarake dhe Strategjike pranë Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Izrael. Kjo strategji ka një histori të dokumentuar mirë në Gaza.

Me fillimin e veprimeve armiqësore, “IDF (Forcat Mbrojtëse Izraelite) duhet të veprojë menjeherë, me vendosmëri dhe me një forcë e cila është joproporcionale ndaj veprimeve të armikut dhe rrezikut që ai paraqet,” shkruan Siboni. Përgjigja ushtarake duhet të ketë qëllim “të shkaktojë mjaft dëm dhe ndëshkim sa të nevojiten përpjekje të gjata e të mëdha rindërtimi.”

Kjo strategji po zhvillohet tani në Gaza, ashtu siç ndodhi 6 vjet më parë gjatë një sulmi tjetër izraelit në Gaza, Operacioni Plumbi i Shkrirë (Cast Lead). Tani si atëherë, Izraeli insistoi se nuk po shënjestronte civilët, por po ndërmerrte një operacion preçiz vetëmbrojtjeje. Por pas faktit të kryer, shumë grupe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut arritën në përfundime të tjera.

Një hetim i OKB-së i 2009-ës përcaktoi se Operacioni Plumbi i Shkrirë nuk ishte vetëmbrojtës, siç pretendonte Izraeli, por ishte “i drejtuar ndaj popullit të Gazës në tërësi, në vazhdimësi të një politike të gjerë dhe të vazhdueshme me qëllim ndëshkimin e popullsisë së Gazës.”

Hetimi nxorri si përfundim se forcat izraelite kryen shkatërrime të papërmbajtura të pronës dhe të infrastrukturës së ushqimit dhe sanitimit. Kjo përfshinte shkatërrimin e mëse 3000 shtëpive, një prej lagunave të impjantit të përpunimit të ujrave të Gazës, tubacione sanitare dhe puse uji, rezervuarë uji, një kompleks të OKB-së, mullirin e vetëm të miellit të Gazës, tokës bujqësore, fermave të pulave si dhe një fabrike çimentoje.

Hetimi arriti përfundimin final se shkatërrimi i kësaj infrastrukture nuk shërbente qëllime ushtarake por dukej se kishte qëllim të rriste nivelin e vuajtjes mes popullsisë civile të Gazës.

Kjo gjë njihet si ndëshkim kolektiv dhe është e paligjshme nën ligjin humanitar ndërkombëtar.
Tani, si atëherë, Izraeli po godet infrastrukturën civile të Gazës. Forcat izraelite së fundmi bombarduan Spitalin e Rehabilitimit El-Wafa, i vetmi spital i këtij lloji në Gaza, duke detyruar stafin të evakuojë të gjithë pacientët. 16 qendra shëndetësore janë dëmtuar, shtëpitë e 1900 familjeve janë shkatërruar ose janë bërë të pabanueshme dhe gati 50.000 veta janë strehuar në kampet e OKB-së.Femije-palestinez

Ndërkohë, gjysma e sistemit të trajtimit të ujrave të zeza të Gazës nuk funksionon më dhe qindra mijëra njerëz janë pa ujë – Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq së fundmi paralajmëroi për një krizë të paeviteushme dhe të rëndë uji.

Shumë nga ky shkatërrim i gjerë mund ti atribuohet politikës izraelite të trajtimit të krejt infrastrukturës së Hamasit në Gaza, përfshi komponentët civilë, si objektivë legjitimë ushtarakë. Gjatë operacionit Plumbi i Shkrirë, IDF shenjoi akademinë e policisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe ndërtesat legjislative palestineze. Kësaj here Izraeli po shenjon shtëpitë e atyre të cilët beson se u përkasin grupeve të armatosur, por pa ofruar prova për përdorimin e tyre për qëllime ushtarake.

Izraeli është munduar ta zvogëlojë kontroversitetin rreth sulmeve të tij mbi shtëpitë palestineze duke thënë se po përdor fletushka, “trokitje mbi çati” me predha pa mbushje, dhe telefonata si paralajmërime ndaj banorëve rreth një sulmi të ardhshëm. Izraeli thotë se kjo kufizon humbjet e civilëve duke u dhënë palestinezëve një shans për tu larguar para se ushtria e tij të lançojë sulmin ajror.

Izraeli përdori metoda të ngjashme gjatë Operacionit Plumbi i Shkrirë, por këto metoda janë kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe një hetim i mëparshëm i OKB-së gjeti se këto paralajmërime janë problematikë për shkak të mungesës së qartësisë, ose sepse ato shpesh i drejtonin civilët palestinezë drejt zonave të pasigurta.

Atëherë, si tani, palestinezët në Gaza nuk kanë ku shkojnë – të gjithë kufijtë janë të mbyllur nga Izraeli dhe Egjipti. Ku mund të shkojë dikush me të vërtetë? Gaza ka 1.8 miljon njerëz, të gjithë të paketuar në një rrip toke sa dyfishi i Uashington DC. Gati 70% e tyre janë refugjatë, ose pasardhës të refugjatëve të cilët u përzunë nga shtëpitë e tyre brenda Izraelit kur ai shpalli shtetësinë më 1948.

Për më tepër, shkatërrimi i tanishëm vjen pas një proçesi paqeje që vazhdimisht ka dështuar, tre operacione madhore ushtarake izraelite brenda 6 viteve të fundit, dhe 8 vite të një bllokade shkatërruese të imponuar nga Izraeli, e vendosur si ndëshkim pasi Hamasi fitoi zgjedhjet demokratike palestineze. Të gjitha këto veprime kanë patur pasojat e tyre. Ekonomia është në rrënim, papunësia është në qiell, dhe cilësia e jetës është degraduar fuqimisht dhe vazhdimisht.

Sulmi i tanishëm izraelit dhe lançimi i pushtimit nga toka do e përshkallëzojë jashtëzakonisht vuajtjen palestineze. Dhe ky është në fakt qëllimi i strategjisë izraelite të forcës joproporcionale – të ndëshkojë civilët në Gaza në atë shkallë sa të mundësojë që Izraeli të vendosë armëpushim sipas kushteve të tij, që me shumë të ngjarë do përfshijnë një përpjekje për të dobësuar mundësinë e Hamasit për të qeverisur, nëse nuk vendosin për ta hequr për fare organizatën nga fuqia.

Izraeli ka dhe opsione të tjera përveç ndëshkimit të Gazës. Hamasi ka deklaruar se është gati të hyjë në një armëpushim afatgjatë me Izraelin, dhe do i pranojë kufijtë e 1967-ës. Por kjo kërkon që Izraeli të negociojë me Hamasin dhe të pranojë qeverinë e re të bashkimit palestinez të sapo formuar.

Për më tej, përjashtimi i Hamasit nga një marrëveshje e fundit për armëpushim e gatuar nga Izraeli dhe e mbështetur nga ShBA dhe Egjipti, e shtyu Hamasin ta mohojë legjitimitetin e marrëveshjes. Por Hamasi vuri kushtet e veta për një armëpushim. Kërkesa e tij kryesore është heqja e bllokadës së Gazës dhe masa të tjera që do të rrisnin vetë-mjaftueshmërinë e Gazës dhe do përmirësonin ekonominë, si zhvillimi i një aeroporti dhe porti detar ndërkombëtar. Kushtet e Hamasit gjithashtu adresojnë shqetësimet izraelite të sigurisë duke lejuar mbikqyrjen e OKB-së ndaj këtyre strukturave si dhe kalimin kufitar të Rafas.

Në kundërshtim me atë çka thotë, Izraeli në fakt është duke kryer një luftë të forcës joproporcionale, dhe jo të vetëmbrojtjes. Nëse Izraeli vërtet do tu vërë fre rraketave palestineze, duhet të ndalë ndëshkimin e Gazës dhe të fillojë të merret me shkaqet e vërteta të rezistencës së dhunshme ndaj politikave të tij: dekadat e shpronësimit dhe pushtimit ushtarak, si dhe mohimi i të drejtës së palestinezëve për të jetuar një jetë me dinjitet e siguri, duke qenë në kontroll të fatit të tyre.

Marrë nga Al-Jazeera

 

Përktheu A. T.

Comments

  • Leave a Reply to A Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *