Ritakim me veten dhe me jetën





Kuran

Edison Çeraj

Përpara se të na rrëfejë Darwin-i dhe darvinistët për lidhjen e ngushtë të njeriut me kafshën, këtë na e ka rrëfyer religjioni mijëra vite më parë; pikërisht faktin e provuar në mijëra mënyra se brenda njeriut struket një kafshë, për të mos thënë një përbindësh.
Ruajtja e gjendjes njerëzore, sido që ta kuptojmë ne këtë gjendje, është e lidhur ngushtë me raportin që ne kemi me përbindëshin që struket brenda secilit nga ne. Si mbytja, ashtu edhe lënia në liri (pa kontroll) e këtij përbindëshi, nuk është e mundur.
Me sa duket, pjesa dërrmuese e njerëzve kanë ndjekur njërën prej këtyre zgjidhjeve: disa kanë dashur ta asgjësojnë për fare përbindëshin, siç kanë gjakuar e gjakojnë akoma murgj e asketë të rendeve të ndryshme; ndërsa të tjerët e kanë lënë të lirë, pothuaj pa kurrfarë kontrolli, dhe kjo e fundit është zgjedhja e shumicës, sidomos sot.

Sa për të kujtuar një urtësi, që në këtë rast na vjen nga indianët, shekuj para rrëfenjës zulmëmadhe të Darwin-it, ku një i moçëm i tregon nipit të tij se brenda njeriut fshihen dy ujqër, të cilët janë në betejë të vazhdueshme me njëri-tjetrin: njëri i matur, i qëndrueshëm e fisnik, dhe tjetri i egër, i ngutshëm e plot epshe. Në këtë pikë nipi pyet se cili do e fitojë betejën. Përgjigjja e gjyshit është: varet se cilin do ushqesh më shumë! Domethënë, e kemi të pamundur të mos i ushqejmë këta ujqër, nuk ka asnjë gjasë tjetër. Tekembramja, mënyra se si ne jetojmë e dëshmon për bukuri këtë, sepse është një pamundësi e kulluar të ushqesh vetëm njërin. Pra, jeta është bipolare.
Kafsha brenda nesh do vetëm të ushqehet dhe të përmbushë me çdo kusht epshet, e nëse ia plotësojmë kërkesat sa herë që ajo kërkon diçka prej nesh, atëherë nga kafshë, të cilën mund ta vëmë nën fre, shndërrohet në përbindësh, i cili jo vetëm që do na dalë nga frerët, por fare kollaj edhe mund të na përpijë.

Njeriu e ka të vështirë që të ruaj një vetëdije të tillë në jetën e jetuar, ku gjërat nuk janë kaq të ndara e të qëruara si në botën e mendimit a nëpër libra, prandaj dhe, si rrjedhojë, nevojitet diç më shumë sesa thjesht të jemi të qartë teorikisht; domethënë, duhet edhe një modus operandi, nga e cila mund dhe duhet t’i prekim disa fryte konkretisht. Ja, kjo është një ndër arsyet kryesore se përse agjërojnë muslimanët , një ritual i cili, më shumë sesa thjesht një modus operandi, përvijohet si praktikë e pazakontë në rendin e zakontë të gjërave , por njëherësh është edhe një gjendje e kulluar mistike, që të shtyn të thellohesh e t’i jepesh një gurre shpirtërore që vetëm buron e nuk ka të shterur. Duhet të shkëputesh nga e ulëta që të mbërrish të epërmen, është edhe logjike.

Nëse namazi është në kuadër të vetjakes tek individi dhe zekati në kuadër të shoqërizimit te shoqëria, agjërimi i ngërthen që të dyja këto njëherësh: ai përmirëson si individin, ashtu edhe shoqërinë. Individin e ruan nga vetvetja, shoqërinë nga shpërbërja e vlerave që përbëjnë ekuilibrin (si gjendje e mesme) dhe solidaritetin. Do të thotë vërtet shumë që, së bashku, për një muaj të tërë çdo vit të durosh privimin nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime, dhe nga ana tjetër, po së bashku, të gëzosh e të kënaqesh me rastin e iftareve dhe sidomos Bajramit! Është një solidaritet i atillë, saqë çdo përshkrim është krejtësisht i mangët për të transmetuar qoftë edhe një pjesëz të tij, sepse është një nga ato përvoja që vetëm për-jetohet.
Agjërimi ripërtërin jetën brenda nesh, e më pas edhe botën për-jashtë.
Gjithashtu, agjërimi, deshe apo nuk deshe, të shtyn jo vetëm të mendosh për të varfrin, që mund të hajë një herë në ditë, ose në dytë, por, mbi të gjitha ta provosh atë që heq e kalon i varfri, sepse as që bëhet ndryshe nëse duam ta kuptojmë vërtet atë që ndodhet në skamje. Natyrisht, kjo është një premisë e pashmangshme që më pas edhe ta ndihmojmë me sa mundemi. Pra, agjërim do të thotë edhe të mendosh e të jesh me tjetrin jo vetëm filozofikisht.

Sado që të shkruhet për agjërimin, gjithnjë do thuhen thjesht disa aspekte të tij. Vetëm ai që e mban atë e di se çfarë është, edhe nëse është analfabet. Në fakt, ka me mijëra agjërues analfabetë, që shkëmbejnë buzëqeshje të ëmbla me jetën, dhe as që duan t’ia dinë për ekuacione teologjike a filozofike. Nëse ekziston ajo që quhet gjendje lumturie në këtë botë, atëherë fytyrat e këtyre njerëzve të pashkolluar janë dëshmitaret e saj. Edhe gjyshja ime në fshat është një nga ato. Buzëqeshja e saj më sfidon e më mbush me një hare të brendshme sa herë që më qëndron përballë.

Agjërimi në Islam përfaqëson unitetin e asketizmit dhe të kënaqësisë. Nga pikëpamja historike dhe antropologjike, agjërimi është masa më e natyrshme dhe më radikale (me synim edukativ) që është aplikuar ndonjëherë në botë. Agjërimin do mund ta gjesh në oborrin mbretëror dhe në kasollen e fshatarit, në shtëpinë e filozofit dhe të hamallit.
Epërsia e tij më e madhe është se është i mundur të praktikohet.
Agjërimi është jetë.

 

Comments

  • Agjerimi ka edhe kete mrekulli:per nje muaj rresht, nga lindja e diellit deri ne perendim , tek cdo agjerues gjaku shkon me shumice ne tru (arsye) dhe me pakice ne stomak(instikt).

  • gjeja me e mire qe ka agjerimi per mu eshte qe eshte adhurim ne te cilin nuk hyn hipokrizia. dhe duke kuptu me kete, ndan edhe cfare eshte hipokrizi dhe cfare eshte vesves.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *