Nasho





 Kadare_sokaku

H. Omari

Pickimi i Ismail Kadaresë nga kolegu i tij, shkrimtari Nasho Jorgaqi, sjell për të pafundmen herë në vëmendjen e mediave shqiptare debatin klasik të përkatësive identitare. Edhe kësaj here u shfrytëzua reagimi i radhës për ta devijuar thelbin e problemit në disa llogore të konsoliduara. Jorgaqi bëri një analizë teorikisht letrare, megjithëse si argumentim solli disa raporte të hershme personale me Kadarenë, dhe njëkohësisht, çka përbën elementin bazik, kritikoi tendencën e shkrimtarit për t’i atribuuar vetes një disidentizëm që në periudhën paleokomuniste. Në parim Jorgaqi nënvizonte metodën pragmatiste të lustruar me ngjyra idealiste që ka karakterizuar kalërimin e dallgëve nga Kadare: edhe kjo është aftësi e jashtëzakonshme, që mbase vetëm për këtë arsye meriton Nobelin. Duket se “inati” i Jorgaqit qëndron pikërisht tek lustra. Gati-gati sa nuk i thotë: po kur na paske qenë ti aq antikomunist o Ismail?

Të menjëhershme erdhën akuzat sipas parimit ‘afër mbretit afër detit’. Kush është Jorgaqi përpara Kadaresë? Kush ka në dorë më shumë çelësa? Prandaj Jorgaqi mori një tufë anatemash ku më interesantet dhe njëkohësisht më paradoksalet ishin ato të Nashos ‘shok’ e ‘komunist’, sipas Edison Ypit, si dhe, më simpatikja, Nashoja sovjetik, lexo ‘bizantinist’, siç nënvizon Alfred Lela – supozoj sovjetik, se nuk më duket Jorgaqi pjesë e llogores “otomaniste” (lexo: ‘dumbabiste’).

Tërheq vëmendjen se zyra e avokatisë së Kadaresë gjeti hapësirën e menjëhershme dhe më voluminoze tek Mapo. E ndërsa Ypi, argëtues si përherë (kjo duhet nënvizuar), të lë përshtypjen se motivohet nga nje një frymëzim i kondensuar pak nga idealizmi naiv e pak nga vapa e këtyre ditëve, Lela shfaqet i motivuar në ekzaltimin e llogorizmit, e vetmja arsye që mund të pranojë kjo kategori kalemxhinjsh, për të aktivizuar mendimin “kritik”. Ypi e bazon kritikën (nëse mund të quhet e tillë) tek karta e dalë boje e komunistizimit të kundërshtarit, nisur nga vegjetimi i kaluar i këtij të fundit në kënetën e sistemit enverist, kur në të njëjtën kohë idhulli i tij ka bërë karrierë letrare, jo vetëm duke qenë gjithashtu po aq komunist, por edhe duke u bërë rapsod i regjimit. Lela shkon më tutje, sigurisht, sepse sipas tij Kadare nuk përfaqëson thjesht një individ, por se ai është një «Katedrale».

Po të vërehet me vëmendje, që të dy “stilet”, mjaft të largët në shumë aspekte, nuk ofrojnë thuajse asgjë në planin argumentues, pasi reduktohen ose tek stigmatizimi ose tek doktrina e pagabueshmërisë, me një intermexo nga përplasja e qytetërimeve, importuar në Shqipëri nëpërmjet përkthimesh bajraktariste. E këtu fillon ngrehina e paradokseve. Madje idhulli Kadare ndodhet i shkrirë në të dy kahet: tek komunistët, sepse mes dhe pjesërisht falë tyre ka shkëlqyer; si dhe tek bizantinizmi politik, që nuk është veçse një metodë e rafinuar mbijetese, e ndërtuar me aleanca sipërfaqësore dhe armiqësi të tërthorta, të cilat karakterizojnë, sa Kadarenë, po aq (e mbase më shumë) edhe kritikun e tij.

Sipas Lelës, «tëhuajëzimi (in)koshient i anti-kadareanëve me Shkrimtarin» Kadare motivohet nga filozofia «e hapur Oksidentale, antishenjë e parapëlqyer e së cilës janë sovjetizmi (lexo bizantinizmi politik e shoqëror) dhe otomanizmi (lexo orientalizmi despotik e kulturor)». Më parë gazetari ka cituar ‘doktrinën e pagabueshmërisë’: «vazhda është numri jo i vogël i ‘denoncimeve’ ndaj mjeshtrit të letrave shqipe, i pranuar botërisht si një prej të mëdhenjve të letërsisë universale» apo si shkrimtari që bart «mantelin e demiurgut».

Pra duke qenë “njëri nga më të mëdhenjtë” dhe “demiurg”, Kadare është i pakritikueshëm. Një Zot e di se ç’është “orientalizmi despotik”, por ironike është se të paktën ndalimi i të drejtës së kritikës përbën despotizëm të kulluar. Le pastaj kur flamuri i moskritikueshmërisë së Kadaresë valëvitet nga Spartak Ngjela, i cili si karakteristikë të klimës despotike evidenton pikërisht mungesën e mendimit ndryshe. «Nuk preken shenjtorët» ishte parimi i tij më i fundit në këtë avokaturë. Po kush përveç mëkatarëve i ka dhënë vetes të drejtën për të shpallur dhe imponuar shenjtorë? E ajo çka del nga mëkatari nuk mund t’i refuzohet gjykimit në asnjë shoqëri përveç atyre despotike.

Moskritikueshmëria është vetëm fillimi. Lela, ashtu si Ngjela, e pasuron kakofoninë duke i përcaktuar prapavijat e kritikëve të mundshëm në dy grupe: «shumë syresh ndihen sovjetikë (filorusë), e shumë të tjerë otomanistë (dumbabistë)». Duke mos pranuar mundësinë e ekzistencës së një kategorie të ndërmjetme, duke e parë çdo gjë bardhë e zi (në këtë rast kuq e gjelbërt), duhet supozuar se syreshët në fjalë ndajnë në kuota të parëndësishme 100% e atyre që gazetari quan «anatemues». Se ku ndodhet anatemimi tek shkrimi Jorgaqit, kjo pastaj është enigmë më vete dhe evidenton njëherësh një nga problemet e etikës gazetareske në Shqipëri. Dua të theksoj se, pasi është shfuqizuar e drejta e çdo kritike (sepse përballë është Ai, demiurgu), për këdo që merr guximin të thyejë “ligjin e shenjë”, “tabunë”, duhet të jetë ose ‘filorus’ ose ‘dumbabist’. Akuza është gati paraprakisht: agjitacion e propagandë. Dhe interesante është se në vend që ta ndeshim këtë tek Jorgaqi, e shohim të shpaloset me patos nga ata që janë kritikë të anatemave: ja edhe një tjetër paradoks.

Lind pyetja se çfarë është ‘oksidentalizmi shqiptar’? Përgjigjen duhet ta zbulojmë sa herë kritikohet Kadareja, «njëri krah i Trinisë», së bashku me «Nënë Terezën e Gjergj Kastriotin». Gjergji, jo më Skënder-beu, simbolizon anti-orientin; Nënë Tereza, dihet, njësimin me katolicizmin, përndryshe do të identifikohej me emrin shqiptar Gonxhe; ndërsa Kadare është promovuesi dhe projektuesi i këtyre dy kollonave në identitetin e ri të shqiptarëve.

Kësisoj shqiptari duhet të jetë përherë në konflikt me Orientin e (normalisht) me çdo derivat të tij, si dhe duhet ta ndjejë përkatësinë perëndimore përmes Kishës së Romës. Metaforat ‘Trini’, ‘Dhiatë’, ‘Katedrale’ përforcojnë kontekstin. Rezultati është se ky model shqiptari kornizohet fetarisht. Kjo shpjegon më së miri përse mjaft nga mbrojtësit e Kadaresë sillen si një çetë fetare, siç u shfaq edhe në prononcimin e menjëhershëm Gjekmarkaj në faqet e Gazetës Shqiptare. Duket se detyra e tij është sulmi denigrues ndaj çdo opinioni të kundërt, duke e stigmatizuar në mënyrën më arrogante të mundshme. Laiciteti, toleranca dhe vlera “perëndimore” e ‘respektit të mendimit të lirë’ neutralizohen automatikisht. E gjithë kjo brenda normalitetit, nga gazetarë të ofenduar prej sulmeve despotike, ekstremiste, llogoriste etj., në faqet e një gazete po aq të gatshme për t’u ndierë e cenuar kur i evidentohet promovimi i shenjave fetare në ballë të simboleve kombëtare.

 

Comments

  • Antropologu Talal Asad ka shkruar per dyzimin islamik dhe sovjetik ne retorikat identitare. Vere, ne kete debat, qe edhe Gjekmarkaj, ja kish shkruar emrin Ardian Vehbiut si Ardian ‘Vehabi’. Nejse, asgje e re.

  • Nga Fritz RADOVANI:

    NDOTJE NGA “SEMANI”…
    1946…
    ■A E DINI SE EDHE “SEMANI” KA DOSJE ?!
    KERKONI N’ ARKIV TË MINISTRISË SË MBRENDSHME NË TIRANË…

    ■DOSJEN E “SEMANIT”…

    Emni i këtij lumi të pistë njihet nga viti 1946 – 47 , kur permbyti qytetin e Shkodres!

    Ujët i tij i flliqtë ka permbytë pak kohë perpara Beratin, e mandej, mori mbarë tokat e brigjet e Adriatikut, derisa u perplas per shkambin e Rozafës… Ai nuk njeh asgja perveç damtimit, vdekjeve dhe zhdukjes së kufomave pa ju dijtë as emni…

    Nga gjamët e tij 70 vjeçare, kudo ku ka kalue ka shkretnue e vorfnue shka i doli para!

    Pa lè njerzit rrezikzezë që mori në qafë, po deri edhe bagëti e shpend që i mbyti me atë ujë të turbulltë, që të shtin tmerrin kur e sheh tue u perplasë per brigje…

    Dallga e tij e ndytë vetem mjerim ka sjellë ku ka kalue…

    ■Semani asht edhe vrasës e gropues i shumë objekteve që ka zhdukë si mos t’ ishin…

    E shihni foton naltë ? Kushedi sa viktima asht e zhdukun nen atë ranë e zallishta!..

    Shikojeni mirë dhe mendoni shka ban Semani kur del nga shtrati i tij… Mjer ata njerëz e mjer ajo Rini Shkodrane, që pat rrezik me u zhytë pa shpresë nen llomin e atij ujë!

    I mori e i plandosi nder ato qeli prej kah nuk e pane ma me sy driten e Diellit…

    T’ uritun, të çveshun, t’ etun per ujë dhe të masakruem e të gjakosun, të torturuem dhe tue ecë rrëshanë bashkë me ujin e Semanit… Ma në fund, mërrijten me na kujtue pak fletë të lavdishme të Historisë sonë të permbytun, po të shkrueme me Gjak Herojsh!

    ***

    ■Ishte bash ajo Rini Shkodrane që pa dallim Feje këndonte Hymnin e Shqipnisë së 1913:

    Porsi fleta e Ejllit të Zotit

    Po rreh Flamuri i Shqipnisë

    E thrret t’bijtë e Kastriotit

    Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë.

    Bini Toskë, ju bini Gegë,

    Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!

    A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë,

    Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!….

    ■E, në shenjë vllaznimi mes muslimanëve dhe katolikëve, Autori do të lidhte me një kordon dritash Kishen e Fretenve me minaren e Xhamisëe së Fushës së Çelës… ■Ishte po, Frati i Zadrimës, bash i asaj shtëpije që sot po shembet, që i shkruen Mikut të vet At Palë Dodës, me 16 Shtator 1922 sa vijon: “Ndërkaq vizita eme në Washington pati për rezultat njohjen e Shqipnisë nga ana e Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të qeverisë sonë dhe të “Vatrës” mbetën pa ndonji përfundim të mirë. Unë pata sukses. Kjo u ba me nji ndërhymje të Senatorve katolikë, të cilëve ua parashtrova çështjen, sidomos nga aspekti fetar, që qeveria amerikane u shty me e njoftë zyrtarisht Shqipninë.” (Telegram i derguem nga Parisi, në Kuvendin Françeskan 1922).

    ***

    1946… SHKODRA E 26 BURGJEVE…

    ■“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë).

    Me këto fjalë i drejtohet Ministrit të Mbrendshëm kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti.

    ■E, pikrisht, me këta 100 bisha t’egra erdhi në Shkoder dhe agjenti i vjeter “SEMANI”.

    “SEMANI” asht pseudonomi i kriminelit të Sigurimit të Shtetit NASHO JORGAQI.

    U mbaruen të gjallët.., e SEMANI, po rikthehet me “Rilindjen” prap nga të vdekunit…

    ***

    ■Do ta mbylli këte shkrim me thanjen e Prof. Nderuem z. Aurel Plasari:

    “Mos t’i japim Fishtës vendin që i takon, por t’i kthejmë historisë së letersisë atë çka i mungon, do të thoja që tek Panteoni i patriotëve dhe intelektualëve tanë më të shquar, të cilin e përfytyroj me trajtën e një kurore të ngjizur nga dy krahë hiperbolash konvergjente asemtotike, ku gurët e vyer janë vendosur dy e nga dy deri sa arrijnë e bashkohen atje ku vetëm një vend kulmor është bosh, atje i takon të vendosët Margaritari Patër Fishtë !”

    Melbourne, Tetor 2016.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *