Ilir Meta

e.zani

Para pak ditësh, kur disa deputetë të maxhorancës kundërshtuan projektligjin ‘Për policinë e shtetit’ dhe ‘Reformën Territoriale’, u përfol për një grup të mundshëm brenda koalicionit, i quajtur si grup rebel. Në fakt kur lexon emrat e kupton se rebelizmi është pasojë e interesave të mirëfilltë, deri tani misterioze. Pengesa e interesave duket se është bërë Sajmir Tahiri, drejtues i asaj ministrie e cila është aq shumë familjare për “rebelët”. Që të gjithë kanë diçka të përbashkët me këtë ministri: po, por si persona të dënuar, si pjesë e krimit të organizuar, si shpërdorues detyre, si njerëz të dhunës, të pasuruar në Zoti e di se çfarë rrugësh.

Lidhjet e Doshit me krimin i ka cituar një burim sigurisht i sigurt si ambasada amerikane, ku deputeti konsiderohej si trafikant. Zhdëpja në dru e gazetarit Besar Likmeta në 2008, pasi ky i kishte zbuluar diplomën false, është vetëm një aperitiv. Kohët e fundit u bë publik dënimi i Arben Ndokës për trafik prostitucioni në Itali. Mark Frroku, vëlla i Arbenit në gjykim për vrasje të një kryekomisari, u citua për trafik të ngjashëm në Belgjikë dhe për shfajësim kërcënoi Jozefina Topallin. Akuzave nuk i ka shpëtuar as Armando Prenga. Nuk është më pak “i kualifikuar” Pjerin Ndreu: ai ka koleksionuar një mori akuzash, nga vrasja tek korrupsioni.

Po edhe në mos qofshin të vërteta, të paktën ngelet modeli i filmave me cow boys që këta tragjikisht mishërojnë. Janë të mirënjohura për publikun mënyra sesi veprojnë në Parlament, oratoria në komisionet e ndryshme parlamentare dhe nëpër mitingje. U pëlqen të sillen e të njihen si “të fortët”. Dhe reagimi i parë ndaj kësaj kategorie në Shqipëri është ‘frika’. Nuk mjafton të kemi frikë nga “të fortët” që në anonimat vrasin bankierë e biznesmenë, tani duhet t’i veshim me pushtet politik.

Më shumë se një grup rebelësh duket një bandë biznesmenësh e bajraktarësh që ka investuar për t’u pastruar me politikë, e tani, si në çdo investim, normalisht duhet të korrë përfitimet. Dhe investimi është rrezikuar pikërisht nga mungesa e kontrollit të Ministrisë së rendit: ja përse akuzat për “tepelenizim” të Policisë së shtetit, sepse bandës i mungojnë hallkat kyçe, “njerëzit e vet”. Kur këta të mësipërmit janë drejtuesit, mund të imagjinohen vartësit e tyre, rivalët e “tepelenasve”.

Se sa janë të shqetësuar për votuesit dhe publiken e dëshmon justifikimi i përsëritur i mungesës në Parlament ditën e votimit të Reformës. Doshi, “lideri” i grupit, ritheksoi se ka qenë i zënë me festimet e ditëlindjes së Mark Frrokut, i cili këtë ditë duhet ta përkujtojë me 6 tetor. Sikur të mos mjaftonte, Doshi shtoi se “javës tjetër mund ta ketë ditëlindjen Armando Prenga […], dhe mund të mos jem”. Pra vlen pushteti dhe jo detyrimi i deputetit. Si të thuash, “do të bëj deputetin kur të më plotësohen kërkesat”. Njerëz të tillë e konsiderojnë Parlamentin thjesht si ankand.

Megjithatë, pati ndonjë media digjitale që nuk hezitoi ta transformonte shantazhin në kryengritje të një veriu katolik ndaj jugut (multifetar!). Parrulla e kryengritjes ishte: “[…] Te bashkohemi ne nji federat e ti japim besen e malsorit, apo mirditorit njeri tjetrit siq e bane te paret tane per te miren e kombit shqiptare”. Menjëherë të vjen në mendje ‘besa’, që motmoti ka zëvendësuar kontratën, në veri e në jug, në Shqipëri e gjetkë. Duke qenë se kryengritësit aspirantë ia kanë dhënë besën, me fjalë e me firmë, Partisë Socialiste, asaj që, sipas revistës, është produkt i Partisë së Punës dhe kjo e fundit (kuptohet) e jugut, është minimumi shpërdorim i mitit citimi i tij vend e pa vend. Një njeri i besës nuk e shkel atë për asnjë ditëlindje; një verior zamani, nga ata që zhvarros revista digjitale, do të turpërohej, po ashtu si çdo besimtar katolik, sepse njerëz të tillë nuk mund të përfaqësojnë e as të identifikohen realisht në vlerat e një feje hyjnore apo tradita ku vlen virtyti dhe komuniteti karshi zhvatjes dhe vetes.

E teksa shumica e mediave u morën me fenomenin Himarë, sikur po na humbet Shqipëria, në këmbim të festave të ditëlindjeve Kryeministri ka shitur patjetër diçka. Çfarëdo të ketë qenë, ajo është diçka publike. Atëherë, për cilën Shqipëri të shqetësohemi? Vetëm për atë që na rrezikon Dule me prapavijën e tij greke? Po kjo Shqipëri, një herë e shpëtuar nga “kthetrat greke” të Duleve, t’i mbetet bandave parlamentare? Do të jetë më shqiptar ky vend thjesht sepse krimi flet shqip?

Mbase ishte koincidencë, por ndërkohë dëshmitari kyç për pjesëmarrjen e Frrokut në vrasje i humbi gjurmët menjëherë pas “rebelimit”. Kjo është Shqipëria e ardhshme, këtu do të rriten Zahot.

 

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *