Jahjaga-Syle-Hoxha

e-zani

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga na ka befasuar kur i kërkoi Prokurorit të Shtetit Sylë Hoxha që të luftojë esktremizmin dhe radikalizmin. Madje jo vetëm kaq, por Presidentja e ka konsideruar këtë si «detyrë parësore e të gjitha institucioneve të vendit» duke e parë angazhimin e plotë të prokurorisë në këtë drejtim si diçka të domosdoshme. Jahjaga i tha këto gjatë takimit me z. Hoxha të zgjedhur së fundmi nga Parlamenti, ku u diskutua edhe për nevojat e këtij institucioni.

Sipas saj gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë shteti është të luftojë ekstremizmin dhe radikalizmin, çka tregon shumë për kulturën dhe nivelin e formimit të saj, jo vetëm mbi shtetin, por në përgjithësi mbi të drejtat e individit dhe kufinjtë e dhe kufizimet e institucioneve shtetërore. Në po të njëjtën mënyrë znj. Presidente duket e paaftë të përdorë në mënyër të drejtë terma të tillë si ekstremizëm e radikalizëm, duke i konsideruar këto vepra penale e duke i parë si objekt të organeve hetimore.

Lufta kundër ekstremizmit dhe radikalizmit jo vetëm që nuk është prioritet, por nuk është aspak fokus i prokurorisë. Misioni i Prokurorisë së Shtetit, siç paraqitet edhe në faqen zyrtare të këtij institucioni, është luftimi i suksesshëm i krimit në Republikën e Kosovës dhe kontributi në sigurimin e sundimit të ligjit”.

Ndërsa prioritetet e tij janë:

“ndjekja e suksesshme e krimeve të luftës, krimit të organizuar, dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit. Luftimi i këtyre llojeve të krimit duhet të jetë sfidë jo vetëm e Prokurorit të Shtetit, por edhe e të gjitha organeve shtetërore dhe e shoqërisë kosovare. Për këtë qëllim do të bashkëpunohet me të gjitha organet për zbatimin e ligjit e sidomos me Policinë e Kosovës, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Agjencionin Kosovar Kundër Korrupsionit“.

Jo vetëm kaq, por prokuroria ka për detyrë të funksionojë në pavarësi të plotë, duke mos bërë asnjë dallim midis qytetarëve, të motivuar nga bindjet individuale (ekstremiste ose jo) të subjektit që heton:

“Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur dhe funksionet e veta i ushtron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Gjatë ushtrimit të funksioneve siguron trajtimin e barabartë dhe objektiv të të gjithë personave pa diskriminim në baza kombëtare, gjinore, racore, bindjeve politike, besimit fetar dhe pozitës shoqërore”.

Pra për Presidenten e Kosovës priritet nuk është as ndjekja e krimeve, lufta ndaj krimit të organizuar, veprave penale që rrënojnë ekonominë e vendit, por problem parësor janë qytetarët me bindje radikale, vetëm e vetëm sepse kështu Presidentja bën lajm sa herë që del përpara kamerave. Ky është lajm i keq mbi gjendjen politike në këtë vend.

Natyrisht, nuk mund të presësh më shumë nga një presidente që zgjidhet me sms nga diplomatët e huaj. Si gjithmonë ajo na mrekullon e na bën me qeshë me naivitetin e shfaqur në interpretimin e statusit të saj dhe të funksionimit të shtetit, duke na bërë gjithashtu të ndjejmë keqardhje të thellë mbi nivelin ku ka rënë politika në Kosovë. Në fakt, lapsuset e ripërsëritura në mënyrë të vazhdueshme prej saj, në një qasje elementare psikanalitike, flasin se çfarë qendron në pavetëdije apo në vetëdijen e fshehur të Presidentes. Pa harruar këtu as diferencimin e thellë kontrastual që ajo ka shfaqur vazhdimisht midis grupeve të ndryshme sociale, mund të kuptosh se punët të Kosovë kanë rënë në “duar të sigurata”.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *