Shteti Islamik dhe busulla morale





Nun

e-zani

Ditën e djeshme Dom Gjergj Meta botoi një shkrim ku bën thirrje për solidaritet me të krishterët në Irak, të cilët kanë qenë në shenjestrën e sulmeve të një prej organizatave më brutale në historinë e organizatave terroriste, ISIS apo njohur dhe si ‘Shteti Islamik’. Në këto momente, duke lexuar raportet që vinë nga territoret nën kontroll në ISIS, na mbetet vetëm të lutemi e të shpresojmë për fundin sa më shpejt të kësaj bande krminelësh.

Këto ditë, një nga dijetarët më të rëndësishëm të botës islame, El Habib Ali el Xhifri, tha se të paraqesësh atë që po ndodh në veri të Irakut si sulm kundra të krishterëve nuk është e paraqitje e saktë, pasi në shenjestrën e sulmeve makabre të ISIS janë të krishterët, meqënëse janë të krishterë, janë shiat, meqënëse janë shia, janë sunitë, meqënëse nuk janë suni si i do ISIS dhe duket sikur grupi më i rrezikuar janë minoriteti jezid.

Por na duhet të ndalemi e të kujtojmë se sulmet ndaj të krishterëve në Lindjen e Mesme nuk kanë nisur sot. Ato vazhdojnë prej dekadash në Egjipt, Irak e gjetkë. Shumë syresh përmendin bashkëpunimin e të krishterëve, fjala vjen me regjimin e Asadit në Siri, për të shpjeguar këto sulme, apo mbështetjen e tyre ndaj rregjimit ushtarak në Egjipt më së fundmi. Por ç’pritet prej një minoriteti që sheh veten vazhdimisht të rrezikuar përveçse të bëj koalicione që i sigurojnë një lloj mbrojtjeje? Pyetja duhet të jetë se pse ndihen këto bashkësi të rrezikuara?

Dikush mund të shtojë dhe masakrat e ekstremistëve të krishterë në Liban kundra palestinezëve në kampet e rrefugjatëve, të tëra këto faqe të përgjakura të një rajoni të përgjakur. Por në traditën tonë fetare ne nuk mesojmë tek dënimet kolektive, sepse, siç na mëson Kurani, çdo njeri është peng i veprave të veta.

Në gjenezën e historisë së Islamit është mbrojtja që ju dha muslimanëve nga të krishterët e Etiopisë dhe shpirti i vërtetë i këtyre dy besimeve të mëdha është ajo që tregohet nga xhamitë që kanë hapur dyert për të krishterët në Irak apo të krishterët që hapën kishat për muslimanët e Gazës.

Teksa muslimanët krenohen me të drejtë me një histori të largët tolerance ndaj besimeve të tjera, ku një vizion pluri-fetar i botës është i sanksionuar në Kuran, kjo periudhë që po jetojmë do jetë një faqe turpi. Ateherë kërkohet të reflektohet mbi busullën morale të muslimanëve në Lindjen e Mesme.

Ndërhyrja e deklaruar amerikane kundra ISIS ka nxitur debat më të gjerë. Në fakt ShBA, si pushtuese i Irakut dhe krijues i kaosit që ka pasura qysh në 2003, është tërësisht përgjegjëse për sa po ndodh. Bombardimet në veri të Irakut nuk adresojnë burmin e dhunës. Sipas Joshua Landis, një nga ekspertët më të njohur të Sirisë, ISIS nuk ka më shumë se 10,000 gjer në 15,000 ushtarë. Forca e tyre aktuale rezulton nga fakti se fiset suni në veri të Irakut në mos i kanë mbështetur, nuk i kanë luftuar. Kujtojmë se ishte bashkëpunimi i këtyre fiseve me ushtrinë amerikane kundra al Kaidës që bëri të mundur shkatërrimin e al Kaidës në Irak dhe vrasjen e Ebu Musab el Zarkauit.

Të gjithë analistët na tregojnë se fiset suni nuk janë simpatizantë të ISIS. Atëherë, pse ata po mbajnë këtë qëndrim? Përgjigja është tek politikat diskriminuese të qeverisë qendrore në Irak, e motivuar nga politika sektare kundra sunive, e cila ka kryer krime makabre prej vitesh mbi sunitë e Irakut. Ja pse bombardimet në veri të Irakut nga ShBA nuk do shpëtojë popullin iraken nga dhuna, vetëm se mund të ndërrojë viktimat.

Ndërhyrje të tilla nuk janë asnjëherë ideale, por sot askush nuk di të ofrojë ndonjë alternativë kundra dhunës genocidiale të ISIS. Atëherë na duhet të adresojmë një tjetër debat që dëgjohet nga disa muslimanë në rjetet sociale. Nëse Amerika, arsyetojnë disa, do ishte vërtet e interesuar të ndalonte dhunimet e të drejtave të njeriut, atëherë do ndërhynte dhe për të mbrojtur çeçenët në Rusi, rohingjat në Burma, apo ujgurët në Kinë. Kërkohet të tregohet që ShBA dhe Perëndimi jo vetëm nuk janë konsistentë, por shpesh kanë një axhendë nga pas pretendimeve për ndërhyrje humanitare.

Ky argument injoron disa fakte të mirënjohura ndërkombëtare: nuk ka rëndësi sa do donte Perëndimi të sulmonte Rusinë për agresionin në Ukrainë, nuk do jetë e mundur të bëhet një sulm si ai që u ndërmor ndaj Serbisë. E njëjta gjë është e vërtetë për Kinën.

Profili i ShBA-së në politikën botërore ka plot faqe turpi, dhe financimi i vrasjes së fëmijëve të Gazës nuk është as i pari e as i fundit. Njëkohësisht ShBA është nga të vetmet vende që ka fuqinë për të përdorur forcën kur Kombet e Bashkuara janë shpesh impotente e shpesh të bllokuara nga vetot e fuqive të tjera.

Por le të kujtojmë se me gjithë mëkatet e ShBA-së, makina ushtarake serbe do kish përfunduar misionin e vet të pastrimit etnik në Kosovë po mos ishte për ndërhyrjen e ShBA-së dhe sot, megjithë axhendat e tyre, ata janë e vetmja shpresë për jezidët, të krishterët, shiat dhe sunitë që gjenden nën terrorrin e një bande që quan veten shteti islamik.

Së fundmi, një nga shpjegimet që ofrohen mbi sa po ndodh, është se kreu i ISIS, Abu Bekr el Bagdadi, është një agjent i Mosadit izraelit. Lajmi i atribuohet Snowden-it, por gjer më sot nuk e kemi parë të botuar në ndonjë botim të besuar. Problemi me këtë shpjegim konspiracional është se nuk lejon reflektim. Vërtet ISIS është deklaruar ekstrem edhe nga vetë standarti i ekstremit, al Kaida, po është produkt i një akumulimi ideologjik, i cili ka lexuar dhe interpretuar historinë tragjike të Lindjes së Mesme qysh nga epoka e kolonializmit gjer më sot duke e veshur me petkun e fesë por pa shpirtin e fesë. Kjo optikë pa transhendencë ka krijuar demonët që kërkojmë t’i shpjegojmë si agjentë të Mosadit. Perëndimi, Izraeli etj, janë përgjegjës për shumë sa ndodh në Lindjen e Mesme, por po kështu janë dhe vetë popullsitë muslimane, shumë prej liderëve të tyre politikë, intelektualë e fetarë.

 

Comments

  • Ju falenderoj per kete koment shume te nevojshem.
    A mund ta sqaronit pak kete pjesen e fundit: “Vërtet ISIS është deklaruar ekstrem edhe nga vetë standarti i ekstremit, al Kaida, po është produkt i një akumulimi ideologjik, i cili ka lexuar dhe interpretuar historinë tragjike të Lindjes së Mesme qysh nga epoka e kolonializmit gjer më sot duke e veshur me petkun e fesë por pa shpirtin e fesë. Kjo optike pa transhendencë ka krijuar demonët që kërkojmë ti shpjegojmë si agjentë të Mosadit. ”

    Jam shume dakort qe ka nevoje per reflektim brenda bashkesise boterore islame, dhe te pakten per veten time po mundohem ta kuptoj sa me mire situaten dhe arsyet e saj.

    Flm

    • Levizje si Al Kaida apo dhe bastardi i vet, ISIS, jane levizje politike qe kane lindur si reagime ndaj historise moderne te Lindjes se Mesme si perpjekje per te kuptuar fetarisht eksperiencen traumatike politike te muslimaneve te LIndjes se Mesme. Duke qene ne thelb nje qasje literaliste, ka kerkuar perhere te vendose ngjarjet aktuale perballe tekstesh te perzgjedhura fetare duke injoruar faktin se tekstet ligjore pa patur frymen qe ka tejcuar traditen islame kthehet ne toksik. Dy kane qene cilesi te verejtura te kesaj tendence moderne ne boten islame, te nderlidhura me njera tjetren dhe te verejtura edhe nga studiues te njohur te ketij fenomeni, si Olivier Roy. E para kane rrefuzuar te shohin prezencen hyjnore ne histori e per rjedhim nuk e kane pare historine si shfaqje te aktit te Zotit, por e kane pare ne menyre reaguese, e cila ne thelb eshte jo-fetare. Olivier Roy kur flet per gjenealogjite e tyre politike, veren se shpesh ata jane me prane Marksit sesa Kuranit, Ky lloj revolucionarizmi, ky obsesion politik ka demonstruar te kete qene toksik per muslimanet.

  • Eshte e kollajt te fajsojme te tjeret per cfare mostrash fshihen ne mesin tone ne emer te Islamit. Ne fakt dicka te tille e kemi bere dhe me pare me shpjegimet e fitnes se madhe ku faji i eshte vene nje fare abdullah ibn saba, si “mastermind” organizator i fitnes, nje cifut i jemenit, gje qe normal nuk ka asnje baze te vertete pervec disa athareve te dobeta. Por eshte mit qe perseritet sepse na ben te ndihemi mire me fantazite tona dhe keq perceptimeve tona fetare dhe historike. Po ashtu e njejta gje ndodh dhe me shpjegimin qe i behet fitnes tjeter ne kohen moderne ate te ibn abdul wahabit dhe bandes se tij harixhite, faji i eshte vene agjentures angleze, jo se agjentura angleze ishte e pafajsheme se normal perfituan me shume se cdokush dhe deri diku i strehuan dhe i ndihmuan me arme e para, e i sterviten, por se zanafillen keto grupe qe rrine rrine e nxjerin koken e kane tjeter kund. Sote po ndodh e njejta gje me isis me al kaiden etj dhe perseri po i shpjegojme keto fenomene ne te njejten menyre te gabuar.

    Pavarsisht lidhjeve te ketyre grupeve me agjenturat e ndryshme sekrete neper bote, argumentimin dhe propaganden qe bejne e kane fetare, jo shume ndryshe me argumentimin e grupeve po aq barbare si nasibite e harixhite e hershem. Biles argumentimi i ketyre grupeve moderne bazohet ne ate te hershem nen pretekstin se po ndjekin “Salaf Al Salih” shprehje normal e pa kuptimte, e boshe, sepse cdo grup fetar ne Islam pretendon te ndjeke Salaf al Salih te tyre komplet ndryshe nga salaf al salih te grupit tjeter. Si rrjedhoj dhe kunder argumentimin tone duhet ta bazojme ne kornizen fetare, por problemi qendron se pervec distancimit nuk jemi te afte te ndertojme argumentim bindes fetar dhe human per masat myslymane nen presjon nga cdo ane, sepse vete ne jemi te turbullt ne te dya.

    Nevojitet nje rishikim i vetes sone dhe botekuptimeve tona Islame dhe historike, dhe sidomos rikthim kuptimplote ne Kuran, ku eshte dhe Drita dhe Udhezimi ne keto kohe te erreta.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *