Displaced families from the minority Yazidi sect, fleeing the violence in the Iraqi town of Sinjar west of Mosul, arrive at Dohuk province

 Sohaib N. Sultan*

Lajmet që vijnë nga Iraku janë me të vërtetë rrënuese. Grupi i dhunshëm ekstremist i njohur si ISIS (Islamic State of Iraq and Syria) vazhdon të marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut, duke vrarë e shtypur brutalisht këdo që i del para. Mëria e tyre më e ashpër është lëshuar mbi muslimanët shiitë, të krishterët, dhe jezidët, me qindra mijëra të vrarë ose të dëbuar.

Lideri i ISIS, Ebu Bekër el-Bagdadi, është sa i rrezikshëm aq edhe i dëshpërues. Në një predikim që mbajti disa javë më parë, lideri i ISIS e deklaroi veten e tij “Kalifin” e ri të muslimanëve kudo në botë. Gjatë predikimit ai u mundua të pasqyronte personalitetin e kalifit të parë musliman (pas profetit Muhamed), Ebu Bekër es-Sadik, duke u kërkuar të pranishmëve ta ndihmojnë kur ai është në të drejtë e ta qortojnë kur ai gabon, dhe t’i binden vetëm për sa kohë ai i bindet Zotit dhe Profetit. Por Kurani i paralajmëron lexuesit që të mos tundohen prej figurave karizmatike të cilët, në të vërtetë, vetëm sa përhapin të keqen në botë:

Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (meqë në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet All-llahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E posa të kthehet ai në tokë, vepron të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin). Dhe kur i thuhet atij: “Ki frikë All-llahun”!, atë e kap eufori drejt mëkatit. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (xhehennemi).“ (2:204-206)

Kështu edhe unë i bashkohem korit të muslimanëve në mbarë botën, suni dhe shia, të cilët e kundërshtojnë el-Bagdadin dhe ISIS-in në tërësi. Vrasja dhe shtypja e njerëzve të pafajshëm, si dhe shkatërrimi i tokës dhe pronës, janë totalisht në kundërshtim me mësimet formative të Islamit. Është kaq e thjeshtë dhe e qartë.

Ironikisht, kur Kurani lejon (dhe, në disa raste, inkurajon) muslimanët të angazhohen në luftë dhe rezistencë të drejtë, kjo ndodh për të frenuar ata që bëjnë luftë të padrejtë dhe të cilët ndërmarrin persekutime fetare – krimet ekzakte në të cilat është angazhuar ISIS sot në Irak:

“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi, e Zoti ka fuqi për t’u ndihmuar atyre. (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë!” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur Zoti të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, tempujt e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Zotit. E Zoti patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se Zoti është shumë i Fuqishëm dhe gjithnjë Triumfues. “ (22:39-40)

Jezidët janë një komunitet i lashtë që kanë qenë në Irak për shekujsh. Historikisht jezidët ndjekin Zoroastrianizmin dhe fe të tjera të lashta mesopotamike. Përgjatë historisë moderne jezidët janë persekutuar dhe feja e tyre keqkuptuar si adhurim i Shejtanit (gjë e pavërtetë). Dhuna dhe vuajtjet që ISIS ka imponuar mbi jezidët është rrënqethëse. Ka argumenta se ekziston të paktën një referencë ndaj fesë së lashtë të jezidëve (të adresuar si zjarrputistë) në Kuran ku thjeshtë thuhet: “Është e sigurt se Zoti do të bëjë dallimin (do të gjykojë) në ditën e kijametit midis atyre që ishin besimtarë (muslimanë) dhe atyre që ishin jehudi, sabejë, të krishterë, zjarrputistë, idhujtarë. Zoti di dhe vështron çdo gjë“ (22:17). ISIS do bëntë mirë që me të vërtetë të linte Zotin të vendoste në vend që të sillet si gjykatës e padron tiran mbi jezidët dhe të tjerët.

ISIS raportohet se gjithashtu po mundohet të përzërë të krishterët prej vendbanimeve të tyre në Irak ku të krishterët kanë jetuar që prej fillimit të historisë së tyre. Të krishterët e Irakut konsiderohen si një nga komunitetet e krishtera të vazhdueshme më të vjetra në botë. Të krishterët e Irakut kanë mbijetuar, dhe madje lulëzuar, përkrah muslimanëve përgjatë 1400 viteve të fundit. Insistimi i ISIS që të krishterët “të konvertohen, të ikin, ose të vdesin” shkel urdhërin Kuranor: “Nuk ka dhunë në fe” (2:256).

ISIS u ka dhënë të krishterëve një opsion tjetër nëse duan të rrinë në Irak: të paguajnë xhizjen. Xhizja është taksë që perandoritë muslimane imponuan mbi qytetarët jo-muslimanë si këmbim për përjashtim nga shërbimi ushtarak, mbrojtje nga persekutimi, dhe liri fetare të konsiderueshme. Shumica e shteteve muslimane sot nuk e imponojnë më xhizjen mbi jo-muslimanët. Ndryshimi i sistemit politik, ngritja e shteteve kombe, dhe premisat e nënshtetësisë sot i bëjnë disa sisteme mesjetare të papërputhshme me realitetet dhe ndjeshmëritë moderne. Kurani i referohet sistemit të xhizjes (9:29), por aplikimi i tij është i paqartë dhe mund të argumentohet se ky imponim kishte qëllim vetëm të menaxhonte minoritetet fetare problematike dhe të pabesa. Kjo e gjitha është për të thënë se ISIS nuk ka kurrfarë baze për të detyruar të krishterët në Irak të paguajnë taksën e xhizjes, pa folur për faktin se ata as nuk mund të konsiderohen si një qeveri legjitime në asnjë aspekt, dhe, si rrjedhojë, nuk mund të vendosin taksa me të drejtë mbi askënd.

Argumenti më i fortë kundër persekutimit të të krishterëve nga ISIS është fakti se veprime të tilla janë në shkelje direkte të traktateve të Profetit Muhamed me të krishterët ku ai garanton mbrojtjen e lirive fetare e më shumë:

“Ky është mesazh nga Muhamedi, biri i Abdullahut, si një besëlidhje me ata që përqafojnë Krishtërimin, afër apo larg qofshin, ne jemi me ta. Me të vërtetë, unë, shërbëtorët, ndihmësit dhe ndjekësit e mi i mbrojmë ata, sepse të krishterët janë shtetasit e mi. Betohem në Zotin! Unë i dal përpara çdo gjëje që i fyen ata.

Asnjë shtrëngim nuk mund t’u vihet. As nuk mund të hiqen gjykatësit e tyre nga detyra që mbajnë, as nuk mund të largohen murgjit e tyre nga manastiret.

Askush nuk mund të shkatërrojë shtepitë e besimit të tyre, t’i dëmtojë ato, apo të çojë në shtëpitë e myslimanëve diçka prej tyre. Në prektë njeri diçka prej tyre, ai ka përdhosur besëlidhjen e Zotit dhe i është mosbindur Profetit të Tij. Njëmend, ata janë nën kujdesin tim dhe kanë privilegjin e sigurisë time nga çdokush që i urren.

Askush nuk mund t’i detyrojë ata të udhëtojnë, apo t’i shtrëngojë të luftojnë. Myslimanët duhet të luftojnë për ta. Nëse një e krishterë martohet me një mysliman, kjo s’duhet të ndodhë pa pëlqimin e saj. Ajo nuk mund të pengohet të vizitojë kishën e saj për t’u lutur.
Kishat e tyre duhet t’ë respektohen. Askush nuk mund t’i pengojë t’i rindërtojnë ato, as s’mund t’i pengojë nga shenjtëria e besëlidhjeve të tyre. Askush nga Bashkësia ime (Umeti) nuk mund t’i mosbindet kësaj besëlidhjeje deri në Ditën e Mbrame (Ditën e Gjykimit).”

[Letra origjinale ruhet në Muzeun Topkapi, Stamboll]

Kjo dhe besëlidhje të tjera të ngjashme mes Profetit Muhamed dhe komuniteteve të krishtera janë të mirë-dokumentuara dhe të përkthyera nga Dr. Xhon Endrju Morrou në librin e tij “Besëlidhjet e Profetit Muhamed me të Krishterët e Botës” (Angelico Press, 2013). Këto besëlidhje janë një provë vendimtare, mes provave të tjera, se ajo që po bën ISIS në Irak tani është komplet e palejueshme (haram) dhe shkel mësimet e Islamit në çdo mënyrë të mundshme.

ISIS-it dhe çdokujt që mund t’i simpatizojë ata, u them: dijeni se Islami beson në një Zot të mëshirës, një libër të mëshirës, dhe një Profet i zbritur si mëshirë për të gjithë botërat. Është koha për ta braktisur persekutimin dhe dhunën, vrasjen dhe kaosit. Armiku që kërkoni të luftoni është brenda jush. Kerkimi i pushtetit është problemi. Kerkimi i paqes dhe drejtësisë sociale është ajo tek e cila Zoti na thërret. Ulni armët tuaja. Dhe ngrini duart drejt qiellit e kërkoni faljen e Zotit për mëkatet e paimagjinueshme.

 

*kapelani musliman pranë Universitetit Princeton, i cili drejton programin e Jetës Muslimane pranë Zyrës së Aktivitetit Fetar të universitetit. Ai është autori i The Koran for Dummies (Wiley, 2004) dhe The Qur’an and Sayings of the Prophet Muhammad: Selections Annotated and Explained (Skylight Paths, 2007).

 

Përktheu A.T.

 

Comments

  • Eshte gjithashtu e mirenjohur qe Omar bin Khatab, kalifi i dyte, njohu te njejtat te drejta per Zoroastrianet si per popujt e librit, pra per te krishteret dhe hebrenjte.

  • Shkrim i mire, por vetem se çerdhja ku eshte botuar i lufton çdo dite, ne menyre sistematike, parimet ne te cilat beson Myftiu. Mjafton te verehen shkrimet e MAPO-s diten e Bajramit per ta kuptuar fare lehte.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *