pic_giant_071414_SM_Abu-Bakr-al-Baghdadi
e.zani

 

Në këtë zheg vere Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ndërpreu pushimet për të lëshuar këtë deklaratë:

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë masakrën me baza fetare të rreth 80 burrave të besimit yazidi dhe rrëmbimin e grave dhe vajzave të të njëjtit besim në fshatin Kochos, në veri të Irakut nga luftëtaret e organizatës së Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIS).

Qeveria shqiptare shpreh vlerësimin për përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në stabilizimin e Irakut dhe vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e tij dhe konfirmon angazhimin e saj për unitetin dhe integritetin territorial të Irakut.

Ajo që po ndodh në veri të Irakut është vërtet e tmerrshme, por kjo deklaratë zgjon detyrimisht habi me këtë humanizëm selektiv të selisë diplomatike shqiptare.

Nuk ka kaluar dhe aq kohë sa të varroset në ‘të rejat e fundit’ fushata genocidiale izraelite në Gaza, por fëmijët e Gazës duket mos kenë zgjuar ndërgjegjen humaniste të diplomacisë tonë. Aq dhe më i habitshëm është selektimi i përmendjes së jezidëve (jo yazidi – siç e shkruhet në deklaratë) kur është se viktimat e Shtetit Diabolik (jo-islamik) përfshijnë njerëz të të gjitha besimeve.

Ka pasur një vëmendje më të madhe nga thirrjet e bashkësive të krishtera mbi rrezikun që u kanoset të krishterëve, por kohë përpara edhe rrezikut të krishterëve, viktimat e Shtetit Diabolik kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë muslimanët.

Në një profil të kreut të Shtetit Diabolik, Abu Bekr el Bagdadi në The Economist, thuhet se dalja e parë publike e tij ishte në xhaminë e Nuredin Zangi, që bart emrin e emirit i cili nisi betejën për çlirimin e Lindjes së Mesme nga ushtritë e kryqëzatave. Por një ndryshim midis emirit Nuredin Zangit 750 vjet më parë dhe Ebu Bekr Bagdadit, shkruan The Economist, është se “xhihadi i tij gjer më sot është ngritur jo dhe aq kundra të pabesëve, se sa kundra vetë muslimanëve”. Ndër viktimat më të fundit të Bagdadit, vazhdon The Economist, ishte vetë imami i xhamisë ku Bagdadi mbajti fjalimin si “një duzinë klerikësh të tjerë suni në Mosul […]”.

E megjithatë, Vatikani deklaron se kërkon që liderët fetarë muslimanë të distancohen nga ky grup dhe se sulmet ndaj të krishterëve dhe minoriteteve të tjera mund të sjellin krizën më të madhe në marrëdhëniet mes muslimanëve dhe të krishterëve!

Ndërkaq është raportuar gjerë e gjatë se jo vetëm figurat më të njohura fetare në botën islame kanë dënuar këtë bandë kriminelësh, por edhe ideologë të Al Kaidas, si Abu Muhamed el Makdisi, e kanë dënuar këtë grup e i kanë bërë thirrje të ulin armët e të pendohen. A i kanë mbërritur këto lajme Vatikanit?

Masakra më e fundit e Shtetit Diabolik, për të cilën njoftojnë mediat sot, ishte pikërisht kundra 700 sunive në Siri. Al Jazeera raporton se:

Vrasjet ndodhën mbas dështimit të negociatave ndërmjet dy palëve dhe pasi krerët e fiseve në Sheitat haptazi refuzuan të betohen për besnikëri ndaj Shtetit Islamik.

Të dielën e kaluar, një prej liderëve në Sheitat u bëri thirrje luftëtarëve të ShI të pendohen para Zotit dhe të largohen nga ai grup. Ai u bëri thirrje luftëtarëve të ShI të pasojnë “fenë e mëshirës” dhe të largohen nga ajo që ai përshkroi si “kopeja e të devijuarve.”

Kësisoj, muslimanët tashmë janë dhe viktima dhe të akuzuar se po prishin marrëdhëniet ndërfetare. Por le të vendosim ngjarjet në perspektivë historike, pasi edhe The New York Times tashmë shkruan se “veprimet e ShBA-së në Irak nxitën lindjen e rebelëve”.

Veprimet e ShBA-së, le të kujtojmë ata që kanë harruar, ishin nën udhëheqjen e një të krishteri, George Bush, që besonte se ishte thirrur në mision nga Jezu Krishti. Për fat të mirë, në atë kohë pati liderë të krishterë që dënuan këtë xhihadist të krishterë.

Dhe këtu kthehemi tek deklarata e Ministrisë tonë të Jashtme. Në një kohë kur ShBA kuptoi se nuk do merrte mbështetjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të autorizuar pushtimin e Irakut, iu desh të krijonte një fasadë legjitimiteti për pushtimin ilegjitim të Irakut, pushtim që ka krijuar këto tmerre që shohim sot. Edhe Barack Obama e ka quajtur pushtimin si një luftë ‘të panevojshme’, me aq sa ia lejon pozicioni zyrtar që ka, por Shqipëria u bë pjesë e palaçollëkut diplomatik nga buroi vdekja e mbi 100,000 irakenëve gjatë pushtimit dhe shkatërrimit të një shteti, e kësaj drame të sotme ku viktimat e para – mes të krishterëve e jezidëve – janë së pari muslimanët e Lindjes së Mesme që do vuajnë për gjenerata pasojat e xhihadistit të krishterë George Bush dhe binjakëve të tij islamistë nga Osama bin Laden tek Ebu Bekr Bagdadi.

 

Comments

  • Mua per vete me habisin hoxhallaret e imamllaret ne Shqiperi e Kosove qe nuk kane ngritur ndonje fryme publike kunder ketij palo “kalifi” gjysmagjel. Megjithate, urime e-zanit, se jeni te vetmit nder mediumet muslimane kendej rrotull (perfshi dhe facebook twitter) qe keni nje fryme te qarte ne kete pike dhe Zoti jua shperblefte.

  • Une planifikoj ta protestoj qendrimin e qeverise Rama ndaj Gazes kur ata te jene ne Nju Jork prane OKB ne shtator.
    Kush te doje ti bashkangjitet aktivitetit se shpejti ne fb

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *