Viktimizimi i shtypësit të kokave





mushkolaj

E-zani

I frymëzuar nga reagimet pas shkrimit “Shtypni kokat!”, Mushkolaj shfaqet në rolin e viktimës dhe teologut të demokracisë në një mish-mash akuzash, ndonëse pa shenjestër të identifikuar, por që nuk është e palexueshme:

“Së fundi janë aktivizuar sërish ata që provojnë të na disiplinojnë në aspektin fetar dhe të na imponojnë ideologji të tyre. Nëpërmjet portaleve e blogjeve të ndryshme, ata hedhin “fatwa” dhe kërkojnë kokën time […]. Ata me qëllim i keqinterpretojnë dhe keqlexojnë ato që flet e shkruan. Me qëllim iu japin tjetër konotacion. Të vënë në log të sulmit e të godasin nga të gjitha anët. Bëjnë me gisht kah ti, kërkojnë burgosjen tënde, kërkojnë kokën tënde. Të bëjnë mish për top. Pastaj thonë se besojnë në kulturën e dialogut e të mirëkuptimit. Pastaj flasin për demokraci. Nuk ke si të bësh dialog me ta, sepse ata nuk e dinë çfarë është dialogu. Provon të kesh mirëkuptim në raport me ta, por s’e dinë çfarë është mirëkuptimi. As demokracia. Ata provojnë të të frikësojnë e kërcënojnë, sepse kërcënimin e kanë të vetmen kauzë”.

Në artikullin paraardhës, opinion-bërësi kosovar nuk priste fare vendimin e gjykatës mbi të arrestuarit, siç ndodh në një demokraci normale, por zgjatej më tej në akuza të rënda, të paspecifikuara dhe pa adresë konkrete. I bindur për fajësinë e disa imamëve, ai propozon ‘shtypjen e kokës’ si aksion kundër një grupi shoqëror e një kategorie njerëzish të papërcaktuar, gjë që në cilindo variant të lexohet është e papranueshme dhe pa asnjë lidhje me kulturën e dialogut që bën sikur dëshiron i vetëviktimizuari. Ironia është se, teksa sjell në vëmendje kulturën e dialogut, evidenton se “shkelësit të demokracisë kërkojnë kokën time” – ndërkohë që, edhe në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, ata thjesht po kërkojnë që autori të japë llogari përpara ligjit për gjuhën e urrejtjes që përçon.

Pikërisht këtu ka një diferencë të qartë mes demokracisë dhe fashizmit, si dhe një paradoks në viktimizimin e gazetarit: ajo që në demokraci konsiderohet si përgjegjësi para ligjit në fashizëm interpretohet si ‘shtypje koke’. Zotëria nga ana e tij nuk ftoi për hetime, as për arrestime. Jo. Ishte i qartë: të shtypen fajtorët.

Po kush i përcaktoi fajtorët? Cila gjykatë? Cili ishte vendimi? T’ia bësh tjetrit gjyqin në gazetë dhe të bësh thirrje për “shtypjen e tij” na qenka demokraci? Të shprehesh në këtë mënyrë na qenka liri e fjalës, ndërsa kur tjetri kërkon të mbrohet ligjërisht nga mllefi yt, na qenka shkelës i parimeve të demokracisë! Nëqoftëse kërkesa për arrestim është kërcënim, nuk dimë vërtetë ku ta rreshtojmë kërkesën për shtypje kokësh, që bije si gijotinë mbi publikun shqiptar!

Por Mushkolaj kështu do të sillet. Ai ekziston falë kësaj klime dhe është në habitatin e vet me këtë gjuhë. Prodhimi i ekstremizmit i jep hapësirë publike, ndërsa provokimi krijon potencialin e sulmeve ad personam që legjitimojnë, si në rastin e skortës së Alma Lamës, zhurmën e propaganduar. Kjo kategori e kërkon reagimin si ujin në shkretëtirë. Lutet për të. Dhe është e çuditshme se si në një vend ku paska kaq shumë imamë terroristë, njerëz të gatshëm për luftë, në Siri e kudo, shtëpi pushimi me sallë faljeje, kurse edukimi me rregulla veshjeje, largqoftë edhe flamuj të Palestinës, e gjëra të tilla “të frikshme”, ndërkohë fjala e lirë trimëron kaq shpengueshëm, e madje edhe kaq kërcënueshëm sa nuk heziton të kërkojë edhe shtypje kokash. Aq në krizë është Mushkolaj sa akuzën për shkelje penale dhe kërkesën për përgjegjësi para ligjit e regjistron në CV-në e tij si kërcënim.

Akoma më komike është të lexosh një gazetar që, teksa qahet se ia kanë “keqlexuar ato që ka shkruar”, kur në të vërtetë shkrimi i tij shpreh në mënyrë eksplicite pangopësinë me arrestime duke kërkuar zgjerimin e rrezes së të arrestuarve deri në foltore kultesh, nuk ngurron të keqlexojë të tjerët. Gjithçka që ne kemi shprehur e kërkuar nuk ka të bëjë me arrestime njerëzish, qoftë edhe të një kalemxhiu mediokër si Mushkolaj. Nuk kemi kurrfarë kënaqësie të shohim njerëz prapa hekurave, edhe kur ata shfaqin urrejtje. Shkrimi ynë qartazi kërkon të tregojë degradimin e arsyes së autorit. Arsyetimi që ne kërkojmë i shkon pas logjikës së shkrimit të tij, duke treguar se kjo logjikë është pikë së pari kundra vetë autorit. Ai kërkon tekstualisht në shkrimin e tij të shtojë numrin e të arrestuarve, duke përfshirë çdo hoxhë që ai e percepton si lëvrues të gjuhës së urrejtjes, ndërkohë autori është vetë promovues par exellece i urrejtjes fetare në Kosovë. Dhe këtë ai nuk e ka bërë sot për herë të parë, por e ka kultivuar së bashku me të gjithë lukuninë e kalemxhinjve të shantazhit publik ndaj fesë, në mënyrë të vazhdueshme përgjatë një kohë të gjatë në shtypin e Kosovës. E megjithatë, ne nuk kërkuam shtypjen, qoftë edhe  metaforike, të kokave të tyre, siç bën i vetëviktimizuari në shkrimin e tij, por përgjegjësinë intelektuale nëpërmjet përgjegjësisë ligjore.

Këta janë gazetarë nga ai soji që i bëri gropën Shefqet Krasniqit, pasi ky i fundit i dha Nënë Terezës një vizë për në ferr, pa i konsideruar aspak justifikimet e hoxhës për keqlexim e shkëputje nga konteksti. Sipas tyre keqleximin e bën gjithmonë tjetri. Në fakt ai ishte i qartë: “e ka vendin në ferr” është njëlloj e qartë si thirrja për “shtypje kokësh”, megjithëse kjo e dyta është shumë më e rëndë, pasi u referohet të gjallëve dhe realitetit. Tek e fundit, Krasniqi ia le Zotit në dorë këtë punë, ndërsa Mushkolaj fton publikisht për linçim.

Sa për gjuhën e dialogut, autori ka treguar në mënyrë permanente se nuk e njeh dhe nuk e dëshiron në asnjë mënyrë. Retorika e tij është ajo e fyerjes, linçimit, akuzës e shantazhit publik, dhe kjo nuk mund të jetë kurrë gjuhë dialogu. Vetë reagimi i tij, duke e konsideruar kërcënues shkrimin tonë, tregon se nuk ka asnjë predispozitë për dialog. Atij nuk i intereson të argumentojë e të hedhë poshtë arsyetimet tona mbi problemet e retorikës së tij, por kërkon ta hedhë lumin duke i mëshuar më fort stereotipeve formale ekzistuese, duke e interpretuar përgjigjen tonë si kërcënim publik, si “fatwa” që kërkon kokëe tij. Duke i shtuar përdorimit banal të stereotipeve vetëviktimizimin, kërkon t’a mbyllë gjithçka me një falcifikim të debatit, duke u rrekur ta paraqesë dialogun si diçka të pamundur. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjë në të tilla raste ai që është i interesuar me ngulm të mos debatojë.

Në mënyrë konseguente gjatë të gjithë veprimtarisë sonë ne jemi përpjekur të promovojmë mirëkuptimin shoqëror, gjë që mushkolajt e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë minuar sistematikisht, duke preferuar gjuhën e urrejtjes, linçimit dhe demaskimit, duke preferuar tymnajën dhe spekulimin si mjete për krijimin e stereotipeve dhe panikut publik ndaj muslimanëve. Reagimet tona nuk kanë qenë kurrë pse mushkolajt nga të dyja anët e Morinit nuk e pëlqejnë Islamin dhe shumë veprime të myslimanëve shqiptarë. Përkundrazi, ne e vlerësojm kritikën dhe aq më shumë lirinë e fjalës dhe debatin. Madje ne kemi qenë vetë kritikë të fortë ndaj bashkësisë sonë dhe nuk kemi asnjë drojë ndaj “dekonstruksioneve” vulgare të ardhura nga njerëz të painformuar e të paformuar si autori në fjalë. Ne kemi qenë kritikë ndaj shumë hoxhallarëve që mushkolajt i përdorin si tabelë qitje për të vrarë bashkësinë, jo vetë të shenjestruarit. Por ka një dallim shumë të madh midis debatit që ka për qëllim të rregullojë apo luftojë fenomene negative, nga ai që ka për qëllim apo edhe për pasojë të pavullnetshme, përhapjen e urrejtjes. Ne kemi reaguar ndaj kësaj gjuhe antifetare, pikërisht sepse konsiderojmë se ajo helmon klimën e mirëkuptimit shoqëror, dhe përhap virusin e përçarjes dhe këtë po e evidentojmë si pasojë në realitet, duke parë se shoqëria po polarizohet duke u prirur të bëhet gjithmonë e më shumë konfliktuale. Ne po shohim rritje të urrejtjes si kundër muslimanëve, ashtu edhe nga vetë muslimanët drejtuar kundër pjesës tjetër të shoqërisë dhe këtë e shohim si fenomen që ndikohet ndjeshëm nga klima e debatit publik.

E kemi dënuar këtë retorikë sepse ajo pjell diskriminim mbi njerëz konkretë, i cili më tej agravohet duke shkuar drejt konfliktualitetit. Dhe natyrisht, çdo qytetar i përgjegjshëm nuk mund të heshtë dhe ta tolerojë këtë. Vetë kritikat dhe denoncimi ndaj diskursit që përfaqëson autori buron nga kjo përgjegjësi qytetare. Antagonizmi ynë nuk adresohet drejt diversitetit, por drejt urrejtjes, dhe kjo do të thotë se e duam dhe e mbrojmë dialogun, që ne e duam me sinqeritet këtë vend, dhe jo ata që ndezin e ndërsejnë qytetarët kundër njëri-tjetrit.

 

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *