Kryqet mbi male, laiciteti në greminë





Kryqi

H. Omari

Bota e kafshëve ofron shembuj të jashtëzakonshëm në kufizimin e territorit, përgjithësisht të arritshëm përmes potencialit fiziologjik (zëri, jashtëqitja, forca etj). Ndërsa njeriu i ka transformuar mjetet kufizuese gradualisht nga elementet fizikë (rrethimi) në ata simbolikë (ligji etj). Shtetet kanë qenë strukturat më të etura për kufij, sidomos shtetet e kohës moderne. Sot mjaft shtete europiane kanë zëvendësuar kufirin fizik me simbolin e flamurit i cili komunikon dhe përcakton përkatësi.

Ndryshe nga Europa, Ballkani perëndimor, pas rënies së murit të Berlinit, i ka shtuar mjeteve kufizuese edhe simbologjinë fetare, e cila tenton të komunikoje njësimin e identitetit të zonës me fenë e simbolit. Nëse në Europë simbolet fetare, kryesisht kryqi, kanë shërbyer për të komunikuar mesazhin fetar, në Ballkan komunikojnë përcaktimin e kufijve, territorialë dhe identitarë. Kujtoj këtu inflacionin e kryqeve në Kroaci, veçanërisht në Dalmacinë e ndarë me Bosnjën, pasi në brendësi, duke iu afruar aksit Zagreb-Rjeka, fetarizimi i peizazhit pëson dukshëm rënie. Serbët nga ana e tyre nuk kanë qëndruar indiferentë. Aty ku kryqi krijon analogji me simbolin e njësuar nga kroatët, janë vendosur shenjtorë nëpër maja malesh e kodrash, përveçse edhe manastire pa asnjë funksion publik. Në vende si Maqedonia, ku dy grupet etnike kanë edhe fe të kundërta, mjafton ngritja e kryqeve, siç po vijon me forcë në metamorfozën dualiste të kësaj republike qesharake.

Nganjëherë fenomeni nuk ka kursyer as cinizmin. Kujtoj këtu kryqin bardhë të vendosur në afërsi të Mostarit, tek vendi nga ku kroatët bombardonin myslimanët dhe nga ku mendohet se u nisën predhat që shkatërruan urën e famshme të Mostarit. Nuk thuhet asgjë përse ai kryq është vendosur atje, mbase me pretekstin e paqes, mbase të shpëtimit, mbase të faljes. Justifikimet mund të jenë të shumta, por është pothuajse njëlloj sikur Auschwitz-i të rrafshohej e mbi të ngrihej një kryq i bardhë, bie fjala, për paqen! S’do mend që shpërthimi i fenomenit nuk vjen nga zelli i besimit, por nga nevoja për të kufizuar territore dhe për t’i dhënë identitetit fizicitet, për të ekzaltuar diferencat dhe për të përjashtuar Tjetrin, edhe aty ku kufiri politik nuk e mundëson (rasti sllavë/shqiptarë në Maqedoni). Malet në veçanti janë skenografia më e përshtatshme për simbologjinë damkuese.

*****

As Shqipëria nuk ka mbetur prapa në këtë garë ballkanike ndër-etnike. Mirëpo tek ne situata komplikohet nga fakti se në mënyrë të padiskutueshme dominon një etni e vetme, prandaj damkosja e territorit i komunikohet ekskluzivisht komuniteteve fetare. Fillimisht bumi i fetarizimit të territorit u vërejt në jug, ndërsa në veri “çaloi” ose mbeti i kufizuar në zona të mbyllura që i lidhi me botën vetëm e ashtuquajtura ‘rrugë e kombit’. Shpjegimi më i gatshëm ishte ai i financimit nga Greqia, që vijon t’i imponohet Shqipërisë në mënyra të ndryshme, por vijimi i këtij peizazhi për kaq vite me rradhë tregon se nuk është vetëm ‘punë grekësh’.

Arsyetime të tilla, që synojnë ta projektojnë problemin diku tjetër, janë pak të thuash patetike. Jo se nuk ka pasur ndërhyrje të Serbisë në ndasitë fetare në veriun e Shqipërisë – Republika katolike e Mirditës është shenja historike e këtyre ndërhyrjejve – por kryqifikimi i territorit është produkt kryesisht shqiptar. Të qartësohemi. Nuk besoj se disa fshatarë të një zone të humbur, për të fituar botën e amshuar, mblidhen, sponsorizojnë, punojnë dhe ngrenë kryqe, e madje edhe megasimbole, ashtu vetvetiu. As nuk më duket ndonjë tentativë për t’i rënë në sy strukturave profane, siç ndodhte rëndomtë në këto zona malore me parrullat gjatë regjimit.

Kryqifikimi i territorit bëhet me nxitjen e edukatorëve shpirtërorë ose të paktën në dijeninë e tyre të plotë: në dijeninë e atyre që katapultohen në Shqipëri nga vendet perëndimore, dhe, të ndodhur në një qoshk të humbur, pa ligje, pa shtet real dhe pa ndjeshmëri sociale e publike, e jetojnë lirinë në kuptimin më primitiv të mundshëm; ose në dijeninë e autoriteteve made in Albania, të përkundur në bankat e shkollimit me mllef, viktimizim e dije sektare, me mësues si Dom Nikë Ukgjini, që romanin Të jetosh në ishull e konsideron vepër historike dhe, mes të tjerash, thotë se “duke përdorur fjalë paksa të ashpra për myslimanizmin dhe botën islame, në romanin e tij Blushi nuk bën gjë tjetër veçse shpreh realitetin e botës shpirtërore brenda shqiptarit”, që Zogun e shpall armik sepse e barazoi Kishën Katolike me institucionet e tjera, të cilat sipas tij kontribuuan shumë më pak për nacionalizmin. Një edukator shpirtëror i dalë nga kjo mendësi duhet të ketë imunitet të fortë, në të kundërt i nënshtrohet ndjenjës së revanshit që kryqifikimi i territorit e shpreh më së miri. Sa keq që mesazhet e ardhura nga matanë Adriatikut për harmoni përthyhen nëpër shkrepat tona, në rivalitetet provinciale.

*****kryqi4

Kryqi i fundit i këtyre përmasave i vendosur në Shqipëri është ai i ngritur në Malësinë e Madhe, rrugës për në Vermosh, gjatë kësaj pranvere. Mund të shikohet nga dhjetëra kilometra larg. Ndodhet i shtrirë në mal, në një territor publik, pasuri kombëtare e administruar nga shteti ynë laik, dhe shpejt do t’i vënë katër gurë për ta privatizuar, mbase me letra, si kompensim (për kohën venedikase?!). Zaptimi i territorit është tjetër aspekt tragjik. Madje ironia bëhet therëse kur mendon një mesazh fetar në një territor të zaptuar! Përmasat gjigande, amfiteatri natyror, imponimi i simbolikës ndaj banorëve, nëpërkëmbja e realitetit multifetar dhe laicitetit të hapësirës publike, flasin në favor të simbolit kufizues.

Po çfarë kërkon të kufizojë? Ashtu si kudo në kontekstet analoge ballkanike, nëpërmjet mjeteve të tilla kufizohet territori dhe theksohet identiteti. Pra ka një mbivendosje të qartë të identitetit kolektiv fetar ndaj atij kombëtar e civil. Them mbivendosje sepse, ndërsa në rajonet e ish-Jugosllavisë fetarizimi i peizazhit implikon njësimin e fesë me kombin/etninë, në rastin e Malësisë së Madhe (Shqipërisë në tërësi) nuk kemi dallime etnike (të nivelit ish-jugosllav), ndaj dhe simbolet fetare nuk shenjojnë diferenca të përkatësive kombëtare. Gjithçka tregon një tendencë të lexueshme për t’i dhënë territorit një identitet të qartë fetar.

Kjo përpjekje për të fetarizuar hapësirën publike shkon në kundërshtim të plotë parimet mbi të cilat ndërtohet struktura identitare shqiptare. Kemi të bëjmë me shenja identitare të një pakice (10-12% të popullsisë) e cila i imponohet shoqërisë në tërësi. Por edhe po të ishte shumicë, territori, hapësira publike i përket qytetarëve dhe të vetmet përkatësi me të cilat shoqëria mund të identifikohet si e tillë janë ato të përbashkëta, si kombi dhe qytetaria. Kombësia dhe qytetaria jonë nuk përcaktohen nga asnjë fe.

Fatmirësisht nuk shohim prirje për kundërpërgjigje me të njëjtën monedhë nga ana myslimane. Deri tani nuk kemi parë ndonjë iniciativë për të vendosur simbole fetare nëpër maja malesh: të shkruhet Allah, të ngrihen minare simbolike jofunksionale, jashtë hapësirës së objekteve të kultit, apo të vendosen gjysmëhëna vezulluese në kreshta kodrash. Ka minare që zgjaten në shpërpjestim me xhamitë, siç ka dhe kambanore që garojnë me kullat e larta të një qyteti të shpërfytyruar. Megjithëse këto nuk janë shenja të mira, fundja janë brenda objekteve të kultit. Kryqifikimi i territorit nuk lidhet me kultizimin e tij. Sigurisht që edhe objekti i kultit identifikon dhe kufizon, por është vend i domosdoshëm i shprehjes publike të fesë dhe i realizimit të nevojave e lirive fetare, ndërsa kryqi në amfiteatrot gjeografike të vendeve multifetare komunikon kufij dhe mjaft.

Tani, kujtoni për një çast se çfarë histerie mediatike ndoqi shpalosjen e disa parrudhave fetare nga disa persona në Shkup gjatë protestave për çështjen “Mostra”. Ishin fragmente kuranore, që dikush i projektoi në Arabi. Nuk u mor parasysh se ata ‘disa’ bombardohen çdo ditë nga fetarizimi i territorit prej sllavëve të Maqedonisë; se ata ‘disa’ shfaqen një përkatësi, nga të shumtat që ka individi; se fundja kufizuan vetveten, atë hapësirë që asnjeri nga ne nuk ia kontrollon e as nuk ka të drejta (deri sa nuk shkelin mbi ne ose mbi ligjin). Kurse tek ne territori, të cilin teorikisht e zotërojmë bashkërisht, gardhohet fetarisht e asnjëra nga këto media të shqetësuara për fetarizimin e identitetit kombëtar nuk shpenzon një paragraf. T’i vësh kryqin ‘Alpeve shqiptare’, ta damkosësh fetarisht territorin, çfarë mund të jetë tjetër në mos sheshim i identitetit kombëtar? Gjithashtu, fenomeni është nxitës potencial i reagimit të atyre prej të cilëve damkuesit duan të diferencohen me aq arrogancë.

Që ndërtesa të mos na zërë të gjithëve brenda është e këshillueshme të respektohen disa parime të shenjta të formimit të kombit shqiptar e të funksionimit të shtetit laik dhe të së drejtës. Të paktën të na kursehen turinjtë e zgjatur kur flitet për tolerancë myslimanësh, sepse muslimanëve po u vidhet historia (pjesëmarrja në komb-formim, shtet-formim dhe në kulturën e përbashkët), po u vidhet heroi kombëtar e kontributi për këtë vend, po u vidhet territori, po quhen mbetje lindore, persekutorë të diktaturës komuniste, ndërsa po iu refuzohet ndërtimi i një xhamije e nuk po kompensohen dot, fjala bie, me ndonjë copë Shqipëri, fundja me një Kep tjetër nga ai i Rodonit. Ose t’i ndryshohet përkufizimi fjalës tolerancë.

Në këtë klimë ku të gjithë evidentojnë mesazhet e harmonisë që dëshiron të përcjellë Papa Françesku në vizitën e ardhshme në Shqipëri, mendoj se nevojitet më tepër kthjellim mbi këta mesazhe fillimisht nga komuniteti të cilit papa i përket.

Comments

  • Kemi kryqe ngado per te treguar qe jemi Evrope sepse per gjerat e tjera nuk ia themi sepse jane te veshtira per tu kryer.
    Nga ana tjeter islami i vertet (paqesor dhe ai i ashtequajtur tradicional shqiptar) bllokohet per ti lene rruge atij ekstremist, te ashper dhe i frikshem per njerezit (me arsye qe mos ti afrohet njeri)…
    Ndoshta dikush mund ta dije…Pas pezullimit te ndertimit te xhamise dhe sefundmi pezullimit te universitetit beder cfare do te beje kmsh per pritjen e papes? Apo asgje te vecante sepse keto jane pjese e pergatitjes se mireseardhjes…

    • Per pritjen e Papa Franceskut, Kmsh eshte duke pergatit nje bakllava me fistik, te madhe gati 20 metra katrore me peta unike, 120 cope te tilla. Po qe se rrekeja e sherbetit te bakllavase arrin te defreje kryeministrin dhe enturazhin e tij, mbase do te ngrihet trau i doganes per universidhdhdhdh. Mjaf ma me fara kungulli.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *