Sheshi Nene Tereza
E- Zani

Qeveria ka nisur një projekt për transformimin e sheshit Nënë Tereza, i cili do të marrë një pamje tjetër me rastin e vizitës së Papa Françeskut, që pritet të bëhet gjatë muajit shtator. Ajo pretendon se do të ketë një ndryshim rrënjësor, i cili do t’i japë sheshit një pamje krejt tjetër, duke e shndërruar në një suvenir arkitekturor në shërbim të qytetarëve. Për këtë buxheti i shtetit ka derdhur një shumë të majme parash, që shkon në mbi një milion euro, të cilat do të bëjnë të mundur ta presim mikun në një ambient plot shkëlqim. Shatërvani është hequr tashmë, dhe në vend të tij pritet të shtrohet një parket xhami nën të cilin do të rrjedhë ujë, teksa të gjitha fasadat përreth janë në punim e sipër. Sheshi është i tëri në ndërtim dhe po punohet me ritme të shpejta për të përfunduar gjithçka brenda datës 20.

Pa vënë në diskutim nevojën që një njeri i rëndësisëm siç është Papa Françesku të pritet në mënyrë dinjitoze, shpenzime të tilla duken të paarsyeshme. Sado e rëndësishme të jetë kjo vizitë, gjithë këto shpenzime për një ditë të vetme janë shumë. Për më tepër, investime të tilla tingëllojë tepër të sforcuara në një qytet si ky, të masakruar nga të katër anët. Gjithçka të ngjan me ato amvisat e këqija që, teksa e kanë lënë shtëpinë ta zërë krimbi, angazhohen ta bëjnë vezulluese vetëm kur iu vjen ndonjë mysafir. Sigurisht, zbukurimi i sheshit do të shërbejë edhe për më tej, pas ikjes së Papës, por iniciativa për shpenzime luksi thjesht për shkak të vizitës së një njeriu – aq më tepër kur bëhet fjalë për një njeri që vlerëson varfërinë dhe përvujtninë, i cili vetë nuk ka pranuar të jetojë në pallatin papal duke preferuar kushte modeste jetese – janë krejtësisht të pajustifikueshme.

Kjo tregon edhe njëherë se ne po e presim Papën si materialistë të mjerë, të zhgërryer në llumin e lakmisë për të mira materiale, pa mundur dot të njohim e kuptojmë vlerë tjetër përveç pasurisë dhe pushtetit. Prej këtej ne nuk arrijmë të kuptojmë se mund të jemi shumë dinjitozë edhe pa luksin e shpërdorimin barbar e kompleksiv, të bërë për zbukurimin e sheshit të një qyteti ku shumica e njerëzve mezi shtyjnë muajin nga shpenzimet, ndërsa shumë të tjerë kollandrisen në mënyra cfilitëse në kufinjtë e mbijetesës.

Ironia është therëse. Vetë Papa po vjen në Shqipëri pasi preferon që vizitat në Europë t’i nisë nga një vend i varfër. Nga ana e tij, ky vendi i varfër prej ekzaltimit për vizitën e një njeriu kaq të rëndësishëm, shpenzon 1 milion euro vetëm për dekorin e sheshit ku do mbahet ceremonia. I varfëri, në këtë rast, kërkon ta presë me luks njeriun që e urren luksin dhe përulet ndaj të përvuajturve. Në fakt, elitat shqiptare edhe Papën e vlerësojnë për aspektin e tij tokësor, për pushtetin që mbart si prijës i Vatikanit, e jo për shkak të ndonjë respekti për vlerat fetare e shpirtërore që ai përfaqëson.

Përtej kësaj, nuk mund të mos vemë re se gjatë punimeve për shkëlqimin e rremë të sheshit të kryeqytetit më të varfër në Europë qeveria bëri kurban edhe disa pemë. U prenë të gjitha pemët në fasadën lindore të Akademisë së Arteve, si dhe pemët e krahut tjetër tek ndërtesa që përmbledh Muzeun Arkeologjik dhe Rektoratin. Natyrisht që nuk presim ndonjë ndjeshmëri mjedisore nga qeveria dhe nuk shohim asgjë për t’u habitur këtu, por ajo që të bën përshtypje është mungesa e vëmendjes për këtë “krim” ambiental nga ana e ambientalistëve tanë të paepur, që në rate të tilla, kur bëhet fjalë për ndërtim xhamishë, e ndezin zjarr shtypin dhe opinionin publik.

Një vit më parë, një kor i madh intelektualësh reagoi me forcë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në lulishten e namazgjasë për shkak të pemëve që do të sakrifikoheshin nga ky projekt. Madje ka pasur edhe një proces gjyqësor kundër ndërtimit të xhamisë, pikërisht për shkak të impaktit mjedisor që ka prerja e pemëve. Sado që prerja e tyre ishte e pashmangshme, qendrimi i tyre ishte kategorik: Të anullohet projekti dhe pemët të mos preken.

Sot, kur pemët priten thjesht dhe vetëm për arsye dekori (që ndërtesat në shesh të dalin më shumë në pah), nuk pamë asnjë prej tyre të reagojë të paktën sa për sy e faqe. Nuk pamë as Artan Shkrelin, as Lavdosh Ferrunin, as Kastriot Frashërin, as Koloreto Cukalin, as Artan Lamen, as Sazan Gurin të thonë të paktën një fjalë apo të shprehin keqardhje për këtë. Jo vetëm kaq, por dy prej tyre kanë qenë vetë në krye të projektit që preu pemët, siç tregohet edhe në foton më sipër ku ata i tregojnë Ramës mbarëvajtjen e punimeve.

Sigurisht, e kuptojme se ka dallim midis rastit të Namazgjasë me rastin e tanishëm. Por sidoqoftë, pandjeshmëria e treguar, në një kohë kur prerja e pemëve – ndryshe nga ajo e Namazgjasë – ishte krejtesisht e shmangshme, tregon se në këtë vend nuk mund të kemi ambientalizëm kur aktivizmi për mbrojtjen e mjedisit ka ndotur fillimisht shpirtin e vet, duke e shitur tek politika.

Mesa duket edhe pemët në Shqipëri janë ndarë në të nënës dhe të njerkës dhe vlera e tyre varet nga ai që i mbjell ose i pret.

Comments

  • Eshte dhene urdher te transferohet busti i nene terezes nga aeroporti i rinasit ne balle te sheshit nene tereza, ca me thone me teper… keta te lene pa fjale. Skenari i tille me kujton shume koco devolen dhe parodine gjuetia e fundit 🙂

  • Nuk e ka marre vesh Kastriot Frasheri qe jane prere pemet se ai do ia thynte brinjet qeverise. Nuk vendos asgje mbi idealet ai djale trim, i mencur, i ditur, sycelet.

  • Shifra e shpenzimeve per Papen shkon mbi 2.5 milion dollare. Mes shpenzimeve shteti do te dekoroje qytetin me portretet e 40 martireve te katolicizmit ne Shqiperi si dhe per byzylyke qe i ftojne njerezit per besimin e vertete. Praktikisht, shteti eshte shnderruar ne nje shtet fetar, te pakten per kete muaj.

    https://www.youtube.com/watch?v=eTA5uQ1Z58M

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *