Aleksandër Çipa zbret në Bedër





unnamedV. Popaj

Si pasojë e reformës në arsimin e lartë, u morën disa masa për universitetet që nuk përmbushin kriteret e përcaktuara nga autoritetet. Ndër institucionet akademike të pezulluara u rendit edhe Universiteti “Hëna e Plotë – Bedër”, institucion në vartësi të Komunitetit Mysliman. Deri tani nga KMSh nuk ka asnjë reagim publik në lidhje me këtë penalizim, i cili vjen gati një vit pas shuplakës tjetër të qeverisë, anullimin e lejes së ndërtimit të Xhamisë në Namazgja. Por kësaj radhe heshtja e KMSh është eklipsuar nga reagimi i disa aktorëve publikë, lidhja e të cilëve me komunitetin e besimtarëve në rastin më të mirë është periferike.

Aleksandër Çipa, drejtues i njërës prej organizatave të gazetarëve në vend dhe kryeredaktor deri para pak kohe i të përditëshmes Shqip, është thirrur të kontribuojë për të lehtësuar ndopak “rrethimin” qeveritar ndaj Universitetit “Bedër”. Pa i hyrë thellë argumentit të z. Çipa, pyetja që lind vetvetiu është përse një gazetar pa interesa në lidhje me jetën fetare në vend bëhet pjesë e një mini fushate për të kritikuar vendimin e ministrisë në lidhje me Universitetin?! Është kjo simptoma vendore e delirit intelektual për të sqaruar gjithçka, apo kemi të bëjmë me një përfshirje të mirëmenduar për të mbërritur në cakun e duhur?

Pak ditë më parë një tjetër personazh publik, kësaj radhe shkrimtar, bëri në shtyp avokatinë e “Bedër” duke hedhur një akuzë të rëndë në drejtim të autoriteteve shtetërore. Pasi rrëzoi “sebepet” zyrtare të pezullimit, Agron Tufa sheh si një nga dy arsyet e mundëshme të këtij vendimi pikërisht motive fundamentaliste fetare. Shprehimisht ai thotë: “mundësia e dytë, ka gjasa të lidhet me nervozizmin e ndonjë fundamentalisti të tejshqetësuar nga ecuria e mbarë dhe perspektiva specifike identitare e universitetit “Hena e Plotë”. E vërtetë ose jo, kjo akuzë, ashtu e pambështetur në fakte, i shkon përshtat natyrës së informacioneve partizane që gëlltisim çdo ditë: mjafton që të na intrigojë disi për të na qartësuar periodikisht pozicionimet politike nisur nga ndjeshmëritë fetare të gjithësecilit.

Dihet mjaft mirë se dy personazhet publikë të sipërcituar vijnë nga qëndrime politike të kundërta dhe kjo vihet re lehtësisht edhe në qasjen që kanë përzgjedhur për të sensibilizuar opinionin publik për ngjarjen në fjalë. Edhe metaforat e përzgjedhura që në titull tregojnë anshmëritë politike të autorëve, pamvarësisht merakut të përbashkët. Ndërsa njëri flet për “shpërfillje”, tjetri evidenton “eklipsin”, ndërsa i pari i thërret qarqeve të pushtetit të shohin përfitimin në arsimin teologjik, tjetri drejton gishtin e akuzës ndaj remenishencave të diktaturës në vendimarrje, përzier kjo me afera klienteliste apo mllefe islamofobie. Dikush ka zgjedhur qe ta godasë me pambuk pushtetin me të cilin identifikohet, aq sa për të kryer qokën e radhës karshi “miqve” në nevojë, tjetri, përtej logjikës së ftohtë e të mirëargumentuar, përzien inatet e vjetra politiko-kulturore ndaj pushtetit të ri politik me të cilin është në opozitë.

Ndërsa përfshirja e Tufës mirëkuptohet deri në një farë mase për shkak të angazhimit të tij publik pranë qarqeve drejtuese të Universitetit “Bedër”, apo edhe si një intelektual me ndjeshmëri të lartë ndaj të kaluarës së afërt të shqiparëve, ku përfshihet dhe shkatërrimi i trashëgimisë së tyre shpirtërore, Çipa është krejtësisht i panjohur qoftë edhe në këtë dimension intelektual. Përfshirja e tij në këtë polemikë të butë me pushtetin, me të cilin ai ndan të njëjtat bindje dhe ide, mund të kuptohet si një orvatje lobimi publik për interesa jotransparente. E vetmja lidhje që Çipa ka me “Bedër” është e njëjtë si ajo e personazheve të tjerë publikë të afruar aty, të njohur për qëndrime indiferente ndaj Islamit apo edhe e atyre që njihen për shpërthime islamofobie: nevoja e drejtuesve të “Bedër” për të mbajtur pranë njerëz me një farë ndikimi pranë pushteteve, një lloj klientele e cila me njohjet e sajë lehtëson sfidat e ndryshme të institucionit sipas llogjikës se lidhja e shkurtër, është më efikase se ndjekja e mërzitshme e procedurave dhe rregullave. Kjo prani klientele ka edhe një funksion tjetër, pasi demonstron bindshëm atje ku duhet se institucioni është në duar të “sigurta”, larg ndikimit të pakontrolluar të myslimanëve që lehtësisht mund të etiketohen si ekstremistë.

Pikërisht këtë ka bërë dhe Çipa në shkrimin e tij duke kërkuar të “shantazhojë” autoritetet se nëse nuk ngrejnë traun për “Bedër”, portat e ferrit do të hapen. Thënë ndryshe, nëse nuk prodhojmë teologë me forcat tona do të na vërshojnë ekstremistet e formuar në Lindjen e Mesme:

Shteti ynë sekularist meritueshëm duhet ta mbështesë këtë investim të ri të besimeve tona, pasi është pista e parë parandaluese për ekstremizmat dhe indulgjencat kërcënuese të terrorizmit dhe radikalizmit të egër e të shumëforcuar fetar në botë e përreth nesh. Në këtë logjikë është më e vyer për ne të kemi disa universitete fetare të shqipes e në qytetet tona, se sa rekrutë të indoktrinuar e militantë që vijnë nga gjetkë dhe që lehtësisht armatosen me të zezë e urrejtje, për viset me shkretëtira.”

Dozat poetike të orientalizmit sharlatan janë ashiqare në këtë pasazh emblematik të shkrimit aq sa dhe vulgariteti i argumentit për nevojën e arsimit fetar shqip si domosdoshmëri për të shmangur pasojat e ekstremizmit. Edhe Tufa e përmend këtë argument nga fundi i shkrimit të tij: “Studenti shqiptar s’ka të nevojshme të kërkojë këtë dije ndër kulturat arabe, potencialisht në vende me ndikime e tradita të huaja, shpeshherë, ndikime të rrymave ekstremiste”. Në të dyja qasjet kjo llogjikë është filli i vetëm përbashkues i Çipës dhe Tufës dhe duket si përsëritje e një retorike të vjetër “të mirët” kundër të “këqinjve”, retorikë e cila sipas të gjitha gjasave instrumentalizohet sa herë duhet nga lidershipi i KMSh për interesat e ngushta të saj.

Angazhimi publik i Aleksandër Çipës apo edhe i Agron Tufës në favor të një kauze që sëpari prek ngushtësisht bashkësinë e besimtarëve, dhe njëkohësisht heshtja e turpshme e KMSh-së ndaj sfidave të saj, tregon hendekun që ekziston mes spiritualitetit dhe aktivizmit publik të institucionit që menaxhon punët e Islamit në Shqipëri. Ndërsa jeta fetare me gjithë larminë e saj zhvillohet eskluzivisht brenda mureve të xhamisë, përballjen me sfidat shoqërore që shqetësojnë bashkësinë e ndërmarrin aktorë të huazuar gjetkë, pothuajse të shkëputur nga dimensioni i parë: ai spiritual. Mes këtij hendeku të dukshëm qëndron institucioni i KMSh-së, i cili vigjëlon për të ruajtur ketë hendek që ai të mos mbushet asnjëherë.

“Bedri” duhet të pushojë së akuzuari autoritetet për vendimarrje nën ndikimin e fundamentalistëve fetarë të infiltruar në istitucione shtetërore, ose në të kundërtën t’i bëjë publike faktet që ka pasi kjo qasje është në nderin e simbolikës së emrit që mbart si institucion. Nga ana tjetër duhet të pushojë një herë e mirë këtë propagandën në tym se nga Lindja e Mesme na vijnë vetëm teologë ekstemistë. Pjesa dërrmuese e imamëve të xhamive në vendin tonë janë formuar fetarisht pikërisht në këtë rajon dhe kjo propagandë është në rastin më të mirë qesharake dhe në rastin më të keq kriminale.

Duke përfshirë në borderonë e “Bedër” njerëz kuturu me kriterin e vetem se në momente krizash na shërbejnë si vegla ndihmëse, “Bedër” është shndërruar në “Uhud”. Njerëz të tillë, të cilët vendosen për të na ruajtur krahët, në momente të veçanta po hedhin baltë të konsiderueshme duke reduktuar në këtë rast domosdoshmërinë e arsimit religjoz në një nevojë jetike sigurie dhe duke eklipsuar faktin se, pikë së pari, formimi teologjik duhet për nevojat e gjera të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Do të ishte e falshme nëse pas një rasti të parë do të shihnim reflektim dhe përmirsim në angazhimin e intelektualve të përgjegjshëm në gjirin e “Bedër”, por prania e gjerë e njerëzve të cilët në rastin më të mirë nuk ngrohin aspak pritshmëritë e bashkësisë, aq më tëpër prania aty e islamofobëve, është një turp ndaj të cilës KMSh nuk ka asnjë justifikim.

Comments

  • Sander Cipa apo Gon Tufa e kane parasysh se cfare grupi i perkasin keta qe qendrojne pas universitetit Beder dhe cfare synimesh kane ne shqiperi dhe se si po i arrijne ata synimet e veta. Pra a u dhimbsen ketyre dyve populli i tyre se ne duart e kujt po merr fene. Do vije kohe qe do te dalin ca arsimtare fetare shqiptare te mirefillte qe do ti debojne keta xhon turq nga shqiperia dhe te predikojne fene e paster sic i ka patur gjithmone hije shqipetareve pa influenca interesash per fitime territori.
    Ajo periudhe ka qene e arte per besimin Islam ne shqiperi dhe ajo eshte me te cilen mburren pushtetaret tane tani pra me harmonine nderfetare.

  • Kam vetem nje pyetje per te gjithe ju qe ngriheni si gjeli mbaja plehut….ÇKENİ ME BEDRİN? Çeshte gjithe ky mllef,inat,smire,xhelozi ndaj tyre qe nga dita e pare qe eshte hapur. Ore ju ne cilin “SAF” jeni? Vetem VRER VRER VRER VRER. Zoti ua ndriçofte mendjet dhe ua zbuste zemrat. Tregojeni nje her e mire se kush jeni dhe çfare doni….jeni bere me keq se sa ata qe jane hapur kundra çdo iniciative te paster islame. Me vjen keq tua them por ne konstatimin tim sa here qe dilni e flisni si muslimane kundra KMSH apo Bedrit, perdorin argumenta te cilat nuk kane lidhje as me Ajetet Kuranore as me Hadithet profotike….mjaft tani se u bete qesharake. boll me.

    • Dhe Aleksandri i Vogel na qenka muezin i safit te drejte?! Do te pushojme vetem kur KMSH te mos jete me administruese e ceshtjeve islame ne kete vend. Pra kur te mos jete e tille edhe De juro. Ne te kundert, derisa ka vendosur te na perfaqesoje, atehere do t’i nenshtrohet vemendjes tone.

    • Ku e sheh vrerin ti more bir?! Vrer ka vjell Sandri kur genjen se po nuk ka “Beder” do na gloje ekstremizmi. Me thuaj, edhe ti kete mendim ndan? Nese po, jep ndonje fakt shkak pasoje te ketij pohimi pervers.

    • Po car inciative te paster islame flet or ti! Me Inis Luarasin, dhe Mark Markun po i coni projektet e pastra islame perpara?? Vazhdoni se ju kapim rruges.

  • Oo po tek kjo fotografia qenka edhe Land Zili! Ermiri me kupton ku e kam fjalen. Apo do e kene futur sa per garniture thua?

    • Po po, Zmiri ta di ku e ke hallin. Ky sandri juaj jua shpalli Fethulla Hoxhen tresident te xhumhurietit para kohe, ja dogji etapat.
      “Turqia është kohët e fundit kryefjalë në lajmet që përcillen prej medias ndërkombëtare. Është një situatë që lidhet me një kapitull të ri, i cili nuk dihet ende se si do të vijojë në raportet e brendshme politike të partisë së Kryeministrit Erdogan. Përballja është mes dy protagonistëve dhe kryesuesve zyrtarë të politikës aktuale në Ankara. Presidenti Fethullah Gulen po kryeson jo organizativisht, por thjesht përmes mendimit dhe frymës, lëvizjen e re në shërbim të ruajtjes dhe frymëzimit të demokracisë islame.”
      http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/02/05/midis-turqise-berishes-dhe-ukraines/

  • E kemi nje ajet ne Kur’an qe u jep pergjigje paleve te perçara. Sidomos Bacit e Nacit ia jep direkt pergjigjen. Ishalla do Zoti ta kuptoje…
    SELAM te gjitheve

  • Se pari, eshte shume trishtues fakti qe te gjithe komentuesit shkruajne nen pseudonim. Nuk ka mbetur asnje mysliman me ndergjegje te paster dhe shpirt te lire qe te mbaje pergjegjesi per fjalen apo mendimin e tij? Ndersa mungojne shume zera qe nuk pertojne te shkruajne me prenotim, por jo te shqetesohen per ceshtje te bashkesise tone.

    Se dyti, a nuk ju ben pershtypje kjo versulja kaq e eger e gylenisteve ndaj cdo myslimani qe nuk mendon si ata? A jane keta te njejtet qe propogandojne paqen, dashurine, dhembshurine, tolerancen, harmonine? Per ke e kane gjithe kete perunjesi? Per bashkefetaret e tyre jo, sepse ketu u nxjerrin dhembet xixa duke share dhe etiketuar myslimanet. Atehere, ata jane thyeresit me flagrante te tipizimit qe Zoti u ben besimtareve ne Kuran, si njerez te bute e te meshirshem me njeri-tjetrin.

    • Vehap, ty te duket se ka ndonje gje te sinqerte ne gjithe kete? Vete autori shkruan me pseudonim, faqa ben autokomente etj etj. Gjithe ky skuthllek dhe dashakeqesi normal qe krijon reaksion.

      • Nuk e dinim se ju hyzmeqaret zoteroni dedektore sinqeriteti 3d. Tashme qe e u zbulua, te gjithe “skutherit” qe po plasin nga suksesi juaj do ta masin 5 here kritiken ndaj jush se,… apapapapa.

    • Per pseudonime, mos e ke fjalen per ata qe vetequhen Abu Dhuhejf al Peqini apo per Abu Sekser al Dragostunji al Shishani? Nuk je ti dhe askush te gjykoje njerezit per ndergjegje te piset dhe me shpirt te skllaveruar sepse zgjedhin te perdorin pseudonim. Nese artikulli qendron, hallall, nese jo bujrum, gjuje, te tjerat jane fënde me rigon.
      Merru mer vlla i dasht me rreshtat e shkrimit e jo me tellallin. Edhe “Bedri” nuk del vete me ze dhe figure me telendis qeverine, nxjerr Aleksandrin e Vogel. Sa per tolerance dhe vllazeri, nurxhinjte e kane deshmuar qe per hiçgje te nisin letrat te antiterrori, e te rrishe dy tre vjet per me mbyll letrat atje.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *