0kosovo_muslims2Besnik Sinani

Si kurrë më parë, ngjarjet e nxehta në Lindjen e Mesme kanë mbërthyer vëmendjen mediatike shqiptare jo si lajme nga bota, por si ngjarje që shënojnë rrezikun më imediat të interesit kombëtar. Në Shqipëri u arrestuan gjashtë vetë të akuzuar si rekrutues të luftëtarëve për në Siri e më së fundmi me akuza të ngjashme u arrestuan 40 individë në Kosovë, më shumë edhe se në Angli apo Gjermani, vendet evropiane që besohet t’i kenë kontribuar më shumë luftëtarë konfliktit në Siri. Politikanë, opinionistë e intelektualë publikë në Kosovë prej kohësh deklarojnë se rreziku më i madh që i kanoset Kosovës është Islami radikal. Të tjerë e kanë quajtur Islami vehabi dhe nga Enver Robelli gjer tek Baton Haxhiu kanë identifikuar imamin e xhamisë kryesore të Kosovës, Shefqet Krasniqin, si mbartësin e përfaqsuein e mirëfilltë të vehabizmit. Në një intervistë të kohëve të fundit Halil Matoshi bënte thirrje se arrestimet duhet të fillonin nga Shefqet Krasniqi, i quajtur nga Matoshi si predikues i Islamit politik.

Islami ‘radikal’, ‘vehabi’, ‘politik’ duket të përfaqsojnë në retorikën e emergjencës kombëtare të njëjtën gjë, të njëjtët njerëz, të njëtin fenomen. Pak rëndësi ka që kushdo që ka kaluar sado pak kohë në studimin e vehabizmit dhe islamit politik do të thoshte se vehabizmi është një nga format më opozitare ndaj islamit politik dhe se në mënyrë predominante është apolitik. ‘Vehabitë’ në Egjipt mbështetën ushtarakun sekular Sisi kundra forcës mëmë të islamit politik, Vëllazërisë Muslimane. Kohët e fundit ISIS deklaroi se kur të pushtojnë Egjiptin, të parin që do vrasin do jetë Mursi, presidenti i rrëzuar i Vëllazërisë Muslimane. Por përsëri, për ata që marin përsipër të informojnë sot publikun kosovar, ato janë e njëjta gjë, e mbarten nga të njëjtët njerëz, kryesisht Shefqet Krasniqi. Askush nuk mer përsipër të sqarojë as pse nëse Shefqet Krasniqi është përgjegjës për bëmat gjakatare të Lavdrim Muhaxherit, ai është njëkohësisht edhe objekti i sulmeve të retorikës së Lavdrim Muhaxherit, sic mund të shihet fare lehtë në postimet në FB apo dhe në intervistën dhënë gazetës Dita në Tiranë. Në vetë fjalët e tij:

‘Armiqtë tanë janë dhe në Kosovë edhe nëpër botë. Enisi (Rama), Shefqeti (Krasniqi), Gëzimi, Arifhikmeti, Gazeta Express, Shijat, Saudia, Kuvajti, Rusia, Sahavatet,OKB, CNN, BBC, Assadi, Sissi janë bashku me një zë kundër Hilafetit Islamik…

Nëse Shefqet Krasniqi është motivuesi i luftëtarëve kosovarë që kanë shkuar në Siri, atëherë pse ai shpallet armik nga L. Muhaxheri? Nëse vehabizmi është ideologjia që motivon L. Muhaxherin me shokë, atëherë pse shpallet armik Arabia Saudite, qendra shpirtërore e vehabizmit, vendi që ka financuar e promovuar vehabizmin?

Disa të tjerë ngrënë shqetësimin se ‘Islami tradicional’ shqiptar është në rrezik nga ‘Islami vehabi’ e dikush e bën më pikant përshkrimin duke sqaruar se islami tradicional, tolerant shqitpar është ai ‘hanefi’, pa patur nevojën të sqarojë se nëse hanefizmi është ‘islami tolerant,’ si ka mundësi që talebanët janë hanefi? Në kontratën e shtetit shqiptar me Komunitetin Musliman është sanksinuar përgjegjsia e shtetit për të mbrojtur hanefizin kur është se duhet dyshuar nëse ata zyrtarë shqiptarë që e miratuan kanë ditur kuptimin e asaj që po firmosnin.

Pyetjet e vërteta janë këto: a dinë gjithë kjo armatë politikanësh, opinionistësh, apo intelektualësh publikë domethënien e termave ‘vehabi,’ ‘islam politik,’ ‘hanefizëm,’ etj? A përdoren këto terma për të shënuar e sqaruar fenomene të jetës tonë sociale dhe politike, apo përdoren si efekte retorike? A shërbejnë ato në informimin e publikut si nevojë e një demokracie të shëndoshë, apo të bigotrisë, si kërcënim ndaj të drejtave civile të grupeve e individëve? A shërben kjo për të evidentuar problematika, për të kuptuar atributet e tyre, duke kontribuar në adresimin e tyre, apo për të stigmatizuar të gjithë aderusit e një besimi duke kontribuar në industrinë e frikës? A është terrorist kushdo musliman që në pasim të bindjeve të tij fetare ka mjekër po aq të gjatë sa Lavdrim Muhaxheri? A na tregon gjatësia e mjekrës gjithë sa duhet të dimë për dikë në mënyrë që ta shpallim armik? Para ca kohësh pyeta një gjykatës kosovar se kush janë vehabitë në Kosovë e më tha se ‘janë këta mjekrat.’ Para më shumë se dhjetë vjetësh shkrimtari Ervin Hatibi botoi një shkrim me titull: Kërkohet një mjekër për armikun kombëtar.

Në të kundërt, vehabizmi apo dhe islami politik nuk janë terma tërësisht mistikë, por kanë atribute të evidentueshme. As përpjekjet për t’ju larguar përgjithësimeve duke thënë se ka shumë vehabizma apo se vehabizmi është regresiv nuk na thonë më shumë se sa mund të thonim për shumë lëvizje të tjera fetare. Një forum diskutimi pak vite më parë, mbi Islamin në Ballkan dhe rolin e Turqisë në Universitetin e Oxford-it, deklaronte fundin e ‘intermezos së vehabizmit’ në Ballkan. Vite më pas ende po flasim për vehabizmin. Kjo vjen si pasojë e të kuptuarit të vehabizmit si rezultat i ‘financimeve arabe’ pa kuptuar atraksionin e një lëvizjeje që bën thirrje në kutpimin e fesë pa patur nevojë për teologë, pa klerikë, por që premton një akt fuqizimi të besimtarit të thjeshtë të cilit i premtohet se ai/ajo mund ta kuptojë vetë fenë, por i duhet të hedhë përtej bagazhin e traditës shekullore. Ky premtim, sëbashku me literalizmin dhe anti-klerikalizmin e bën vehabizmin më atraktiv për shumë besimtarë se sa gjithë fondet e mundshme arabe për të njëjtat arsye pse protestantizmi po mposht katolicizmin edhe në kështjellat e këtij të fundit si Brazili. Më shumë se sa fondet ‘vehabizmin’ ka gjasa ta shpjegojë sociologjia, por kjo kërkon studim e jo retorikë.

Shumë prej këtyre trendeve kanë shkëmbime të ndërsjellta në lokacione të ndryshme e prandaj shpesh studiuesit insistojnë jo vetëm në studimin e literaturës që këto trende kanë prodhuar, por edhe në studimin e tyre në kontekste historike dhe sociale. Pse të gjitha raportet që kemi nga Iraku na tregojnë se para pushtimit amerikan në 2003, martesat ndërsektare suni/shia ishin tejet të përhapura, por pas pushtimit kemi një rritje të sektarizmit? A munden doktrinat fetare të vehabizmit, shiizmit, islamit politik të na shpjegojnë sa po ndodh pa marë në konsideratë kontekstin social dhe historik? Shqiptarët që habiten me telashet që u vinë nga Iraku duhet të kujtojnë që dërguan ushtarë dhe ju bashkangjitën një pushtimi të paligjshëm në vitin 2003 dhe sa po shohim janë dhe rezultate të shkatërrimit të strukturave sociale atje. Edhe apologjetët e pushtimit amerikanë pranojnë se Iraku para pushtimit udhëhiqej nga një diktaturë, por nuk kishte Al Kaida në Irak.

Si rjedhim, qartazi ka nevojë të kuptohen trendet e mendimi që informon veprimet dhe ligjërimin fetar. Mes tyre duhet kuptuar edhe vehabizmi. Osama bin Laden vinte nga tradita e vehabizmit, por po ashtu edhe oponentët e tij krysorë. Vehabizmi është përdorur nga qeveritë e Gjirit Persik apo dhe Egjipti për të delegjitimuar islamin politik, në të njëjtën kohë që islami politik në Gjirin Persik ka përqafuar doktrinën teologjike të vehabizmit teksa është distancuar nga bindja e verbër ndaj shtetit dhe monarkut. Kuptimi i vehabizmit bëhet duke studiuar jo vetëm literaturën studimore, por edhe ligjërimin që këto lëvizje kanë prodhuar si dhe kompleksitetin historik ku manifestohen. Emërtimi i fenomeneve duhet të ketë si qëllim njohjen dhe kuptimin e tyre e jo prodhimin e retorikës boshe. Vehabizmi apo islami politik shënojnë trende e fenomene që kanë atributet e tyre dhe nuk ka asnjë dobi nga veshja e këtyre termave të kujtdo që nuk na pëlqen.

Tani le të kthehemi tek pretendimi i shprehur ndër të tjerë nga Halil Matoshi e gjer tek Albana Xharra, apo dhe Alma Lame se përgjegjës për faktin se kemi luftëtarë shqiptarë në rradhët e ISIS janë hoxhallarë si Shefqet Krasniqi apo dhe Irfan Salihu. U vu në dukje edhe më sipër se ky pretendim nuk mbështetet nga sa dimë për terroristët si L. Muhaxheri. Por kjo retorikë sjellë si argument deklarime të këtyre imamëve që nuk kanë të bëjnë fare me terrorizmin. Mund të akuzosh një hoxhë për misogjinist (Irfan Salihun) apo për prishje të marrëdhënieve ndërfetare (Shefqet Krasniqin) por nuk ka asnjë provë apo logjikë që lidh deklaratat e tyre për femrat e Kosovës apo Nënë Terezën me vajtjet e shqiptarëve për të luftuar në Siri e Irak. Pretendimi është thjesht absurd. Pas sulmeve të 11 Shtatorit dy predikues të famshëm të së djathtës së krishterë amerikane deklaruan se sulmet mbi kullat binjake ishin dënim nga Zoti meqë Amerika ka toleruar homoseksualët dhe lesbiket. Shumë i dënuan deklaratat e tyre, por nuk i akuzoi kush për terrorizëm. Për sa kohë që nuk dallohen qoftë misogjinizmi apo cfarëdo mëkati që do tu atribosh hoxhallarëve kosovarë nga terrorizmi, do prodhohet vetëm retorikë me partizanizëm politik (e qartë kjo tek artikulli i Alma Lames) por jo analizë, mendim e strategji të adresimit të problemeve.

Le të jemi të qartë, ka shumë për të thënë për diskursin fetar në Kosovë dhe ai shpesh ka kontribuar në një frymë tensioni. Hoxhallarë si Shefqet Krasniqi e të tjerë kanë qenë kontribues të tij ashtu sic ka kanë qenë dhe politikat e sekularizmit selektiv të qeverive kosovare, një pjesë e klerit katolik që ka deklaruar një lloj rekonkuiste, apo dhe një nacionalizëm përjashtues që sheh vetë prezencën e Islamit si dëmtues të interesit kombëtar. Të gjitha këto duhen diskutuar, por nuk janë drejtëpërdrejtë të lidhura me terrorizmin.

Dhe këtu dua të konkludoj duke sqaruar se pse e mendova të rëndësishme të angazhohem jo vetëm me hutinë rreth ‘terminologjisë islamike’ por edhe me retorikën që shigjeton hoxhallarët. John Horgan, psikolog në Universitetin e Massachusetts që ka studiuar psikologjinë e grupeve terroriste u pyet në një intervistë se cila është mënyra për kundërshtuar psikologjinë e grupeve si ISIS dhe ai tha se gjëja më e rëndësishme është që këto lëvizje të deligjitimohen.

Kur L. Muhaxheri me shokë adresohet në mënyrën më të ashpër nga mediat, apo politikanët e Kosovës kjo vetëm sa përforcon atë që ai beson, se mediat e shteti janë kundra Islamit. Policia mund të arrestojë ata që kanë shkuar në Siri e Irak edhe pse ende nuk ka bazën ligjore për ta bërë këtë, por kur fillojmë të mendojmë për të parandaluar që mesazhi i ISIS të tërheqë të tjerë shqiptarë, përgjigjet e dhëna nga disa analistë se faji duhet kërkuar tek niveli arsimor nuk është bindës.

Përsëri, po të shihet video e L. Muhaxherit apo dhe intervista e tij tek Dita, sulmi i tij është kundra atyre që ai quan ‘hoxhallarë munafikë (hipokritë),’ ‘Enesi dhe Shefqeti.’ Po të shihen rjetet sociale si FB, askush nuk është përfshirë në një fushatë delegjitimimi të ISIS si një pjesë e mirë e hoxhallarëve. Ata flasin gjuhën, mbartin simbolikat e kredibilitetin si dhe njohin referencat për të folur në emër të fesë, rrafshi i vetëm i diskursit ku ekstremistët fetarë mund të angazhohen dhe kanë parë nevojën të debatojnë. Pse L. Muhaxheri nuk adreson asnjë nga analistët që e kanë sulmuar në gazeta kur flet në videon e tij të famshme? Sepse ai nuk ka asnjë interes të debatojë me ta. Në një shkrim të shkruar në Shkurt, me titull ‘Siria toksike dhe luftëtarët shqiptarë,’ ku komentoj videon e L. Muhaxherit, kam shkruar:

‘… pjesa dërrmuese e fjalës së Lavdrimit është e mbushur me akuza për ‘hoxhallarë munafikë (hipokritë)’, të cilët rrinë ‘e shijojnë jetën e familjet e tyre’ teksa luanët – si Lavdrimi – po derdhin gjakun. Fjalimi i Lavrimit është pikërisht në këtë kontekst, ku hoxhallarë nga tërë bota, përfshi edhe shqiptarët, janë angazhuar në një fushatë kundër ushtrisë së ‘Shtetit të Irakut dhe Sirisë’, gjë që shkurajon mobilizimin dhe rekrutimin e ushtarëve të tjerë.’

Diskursi i hoaxhallarëve në Kosovë ka qenë shpesh problematik, por kjo nuk ndërron faktin se një pjesë e madhe e tyre sot përbëjnë të vetmen fushatë me shanse efikasiteti delegjitimimi të ISIS-it! Retorika, propaganda, vizioni politik dhe historik që shpalosin është ngritur mbi gjuhën, simbolet, dhe tekstet fetare dhe nevojitet e njëjta gjuhë për t’i demaskuar për atë që janë një bandë kriminelësh.

*Revista Shenja, f. 55, Nr. 41, 2014.

Comments

  • Interesant sa here qe shkruan Besnik Sinani mbi Sektin Vehabit i sheh ndryshe si shpetimtar, se paku keshtu une e kuptoj kete, po qe nga dalja ne sken e keti sekti para 300 viteve, Muslimanet vetem se ja kane pare sherrin ketyre jo vetem ne Vendet-Arabe por tani edhe ne Ballkan,
    a ben kete me qellim Besnik Sinani apo eshte Viktim e Vehabizmit Vehabo-Saud, cka spon vaki ndoshta edhe Viktim e Petrol-Dollareve Vehabo-Saud, kemi artikuj te shumte, ku kete sekt e shohin vetem se ne deme te islamit e jo si e sheh Besnik Sinani neper shkrimet e tija si shpetimtar,
    ketu tani eshte duke u shtjelluar: http://www.mediaelire.net/lajm/1762/vehabizmi-isis-i-dhe-dualiteti-saudit:-nje-hulumtim-mbi-zanafillen-historike-pjesa-i/ por kemi edhe kategori ekstra per kete sekt http://www.albsunna.info/portali/sektet.html se paku une e kuptoj keshtu nga shkrimet e Besnik Sinanit mbi Vehabizmin Vehabo-Saud, trego o Burr se ku kush je dhe cka je, mos na e pshtjello me keto shkrime, bjeri pak ma drejt qe ta kuptohet kush cka eshte, te ndahet shapi prej sheqerit qysh thojn nje fjale popullore.

    • Ti e thua edhe vete deri diku qe nuk ke kuptuar gje nga shkrimi dhe prape nuk ngurron te besh komente e te vleresosh autorin. Besoj e ke te qarte se veshtire te komentosh dicka qe nuk e kupton.
      Besnik Sinani nuk eshte vehabi dhe madje ka shkrime kritike ndaj selefinjve, por kjo nuk ka asnje rendesi, pasi ai nuk shkruan nga pozita misionariste sektare. Ai eshte studiues i kesaj fushe dhe ka studime specifike mbi zhvillimin e selefizmit kendej nga anet tona. Qellimi studimeve ketu nuk eshte as te denigrohet e as te promovohet selefizmi, por qe te njihen mire fenomenet. Shkrimet e tij jane te shprehura ne menyren me te qarte dhe te elaboruara mire. Nuk di sesi mund te shkruaje njeriu me drejt se kaq. Por, problemi eshte tek menyra sesi jeni mesuar ti shihni gjerat. Kur dijen e kupton beteje, natyrisht qe kerkon ti shohesh autoret te pozicionuar.

      • Mire ne rregull i nderuar, nese e kam kuptuar gabim, kerkoj falje, inshaAllah ma bani Hallal,
        neve Vehabistet i njohim keshtu si te them rruga Vehabiste eshte (Albani, bin Bazi, ibn Uthejmini kokat e vehabizmit bashkekohor)kercejn tek Muhammed ibn Abdul-Vehab (themeluesi i Vehabizmit) mandej tek ibn Tejmije dhe nxensi i tij ibn Kajim el-Xhevzije (ideologet e Vehabisteve),
        Shefqetin e njofin neve si nje der kokat e vehabisteve ne Kosove gjithnje e mohon se eshte Vehabist dhe qe ka Vehabista ne Kosove,
        si te them Enverista ka, Komunista ka, Ateista ka, etj., keta emra po ekzistojne dhe ka Enveriste, Komuniste, Ateiste, dhe ideologet apo ithtaret e ketyre sekteve mburren me keto emeritime, mirpo kur vjen puna te Vehabistet ndryshe eshte, e ndjekin ideologjin e ibn Abdul-Vehabit mirpo nuk mburren me emertimin Vehabizem, interesant.

        • Cfare e ben Shefqetin vehabi kur eshte se edhe ne fikh eshte hanefi? Sa shekuj diference ka midis Muhamed Abdul Vehabit e Ibn Tejmijes? Keto kapercime historike thjesht jane te thjesht me komplekse se kaq.

          • I nderuar, jo vetem ne Kosove por edhe ne Ballkan eshte praktikuar medhhebi Hanefi-Maturidi, mirpo Shefqeti ndoshta paraqitet si Hanefi kjo eshte vetem maska pas te ciles fshihet sikurse hoxhallaret tjere qe jane te ngjajshem me kete,
            midis ibn Tejmijes dhe Muhammed ibn Abdul-Vehabit ka 5 shekuj idet e ibn Tejmijes te cilat i refuzuan te tjeret i futi me dhune ne Praktike pas 5 shekujve Muhammed ibn Abdul-Vehabi, me fjale te tjera ska zingjir as para as mas, me shume lexo ne kategorin sektet te http://www.albsunna.com, pasi qe i kupton gjerat me mire se une.

  • Desha te shtoj edhe dicka, mu hoxhallaret e arrestuar dhe shume qe nuk jane arrestuar jane kokat e Vehabizmit Vehabo-Saud ne Kosove (kokat e Petrol-Dollareve Vehabo-Saud), mu keta hoxhallare e fut perqarjen ne Xhemat, keta e sterpiken me benzim dhe ithtaret e ketyre e ndezen!

      • I nderuar, ku ka veper me te madhe penale se te perqahet xhemati apo te rrahet, por edhe hoxhallaret te rrahen, mu nga ithtaret apo xhemaati e ketyre hoxhallareve Vehabo-Saub po ndodh, mandje edhe xhamiat te merren me dhune, kjo eshte shkruar shpesh edhe neper media,
        sa here Mulla Rexhati qe eshte Profesor ne Medrese dhe Imam ne Xhamin Bajrakli ne Prizren e permend shpesh neper Hutbe te Xhumas se eshte duke u kercenuar mu nga keta, per arsye se ai i kritikon keta, Mulla Reshati haptas e thot kete, pra mu nga Vehabizmit Vehabo-Saud, jo vetem neper Hytme dhe Mexhlise por edhe neper Media,
        sa per ilustrim po e permendi rastin e Mazllamit (ky eshte njeri nga hoxhallaret Vehabo-Saud te arrestuar te Prizrenit) i cila haptas e lejoi ne xhamin e tij te praktikohet Vehabizmi Vehabo-Saud, e suspendoi BI e Prizrenit per shkak te kesaj, u fut me dhun Imam tha ska bir nane qe me largon, u paraqit rasti ne Polici as qe ju interesoj bile, mandej erdhi Myftiu Terrnava (Myftiu Ternava e ka pas shok te Studimeve Mazllamin), jo vetem qe e futi Imam por i dha edhe Vendim se ska pas vendim te pergjithshem, por jo me kaq por edhe demshperblimin ja dha gjate suspendimit, BI e Prizrenit spaten se qfar te bejne, Policia i refuzoi gjithashtu edhe Myftiu, pastaj heshten, kjo eshte Realitet qe ka ndodh.

        • Ahmed nuk je i qarte per sa po flasim. Ne mund te kemi qendrimet tona fetare, por qofte ajo qe ti quan percarje e xhematit nuk edhte veper penale ne nje shtet sekular si shteti i Kosoves. Njeriu eshte i lire te kete kredon qe do – kjo e mbrojtur nga liria e besimit sanksionuar ne kushtetute – dhe nese pelqen teologjine e Ibn Tejmijes e jo te Imam el Maturidi – Zoti qofte i kanaqur me te dy – kjo nuk eshte pune e shtetit. Per rrahje behen kallzime ne polici. Ke ndonje prove per rrahje kundra Shefqet Krasniqit? Nese po, atehere penalizohet per rrahje por jo per akuza qe nuk kane mbeshtetje ligjore. Te lutem mundohu te kuptosh rrafshin per te cilin po flasim.

          • I nderuar Admin, Vehabistave te Shefqet Krasniqit por edhe vete Shefqetit, nuk i perlqen Imam el-Maturidiu apo shkurt me than Akaidi Maturidi dhe Eshari, pra ne Kosove me shekij e kemi ndjek Fikhun-Hanfi dhe Akaidin-Maturidi, me kenaqesi e them se masen dermuese te Muslimaneve ne Bote e perbejne Maturidit dhe Esharit, Vehabistat e Kosoves siq e ceka me pare, pasi nuk ju perqen Medhhebi Hanefi-Maturidi i cile eshte praktikuar ne Kosove, mundohen me dhun me fut JoMedhhebizmin dhe Medhhebin Hambeli-Tejmiji dhe jo sikur ka qene para kohes se ibn Abdul-Vehabit Medhhebi Hambeli-Esharit pra Medhhebi me pak i perhapur nga kater Medhhebet, pra Akaidin Tejmiji e futi me dhun Ibn Abdul-Vehabi pra shkurt me than Dinastia Vehabo-Saude e futi me ane te shpates me dhun,
            njesoj mundohen tani edhe vehabistet e Kosoves me fut me dhun kete Medhheb siq e futi Dinastia Vehabo-Saude ne Saudi, dhe tani duke i kercnuar xhematin dhe hoxhallaret por edhe duke i rrahur, hoxha ga Drenica i cilu u rrah mu nga kjo rryme haptas shprehet se eshte rrahur nga Vehabistet e Shefqetit dhe thot se Shefqeti i ka dergu ata per ta rrahur, e drejt eshte ajo qe thua se qeveris se kosoves nuk duhet ti interoj se qfar feje apo medhhebi duhet te ndjekin qytetaret e saj, mirpo kercnimet dhe rrahjet qe jane duke ju bere nga vehabistet vehabo-saud duhet ti interesoj gjithashtu perqarjen dhe urrejtjen qe jane duke e futur ne xhamat duhet te ju interesoj,
            shtrohet pyetja pse nuk u perqatjten xhemati neper xhamia apo pse nuk ndodhen keto rrahje dhe kercnime dhe urrejtje ne mesin e muslimaneve deri para paraqitjes se Vehabisteve Vehabo-Saud, une e kam cek edhe me nje postim me pare, se mu keta hoxhallaret Vehabo-Saud po e sterpikun me benzin pra po e futin urretjen ne mes te xhematit, dhe ithtaret e ketyre po e ja vnojn flaken po e kercnojn xhematin dhe hoxhallaret qe nuk jan sikur keta dhe po i rrahin, dhe udheheqjen dhe hoxhallaret i kercnoj dhe i rrahin qe tu leshojn vendin hoxhallareve dhe udheheqeve te ketyre qe te praktikohet Vehabizmi Vehabo-Saud, a thua tani qeveria e kosoves ti lejoj keta qe te sillen verdall te perhapin urrejtje ne mes te xhematit ta perqajn xhematin deh te mbyten ne mes veti siq eshte duke ndodhur ne boten arabe, inshaAllah nuk ndodh kjo ne mesin tone.

  • Leave a Reply to bukur Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *