Maks Velo

Anton Cara

Gazeta MAPO ka kohë që është vitrinë e të gjithë mediokritetit të shtypit shqiptar. Ajo grumbullon të gjithë kënetën e penave vulgare dhe urrejtjen e të gjithë shpirtrave të helmatisur të gazetarisë shqiptare, duke derdhur vrer me faqet e saj. Thjesht po përpiqet të sjellë në Shqipëri modelin e gazetës Express, modelin më të shëmtuar të përhapjes së urrejtjes fetare në vend. Teksa rreket të konkurrojë 55-n e Fahri Balliut, duke ia rrëmbyer statusin e përfaqësimit të katolikocentrizmit, duket se ia ka dalë të ekstremizojë edhe më shumë diskursin antikombëtar promovimit të ekstremizmit ndërfetar, e shtyrë nga mendësia sipas të cilës urrejtja është mjeti më i mirë për t’u bërë më katolik se Papa.

Një intervistë e Maks Velos dhënë ndaj Alfred Lelës – i cili mund të thuhet se paraqet profilin më përfaqësues të gazetës MAPO, më shumë madje se edhe vetë pronari Henri Çili, emblema e shëmtisë intelektuale shqiptare dhe e përdorimit në mënyrën më të paskrupullt të fjalës dhe mendimit në pazaret e batakut politik – neveriti të gjithë opinionin publik me shpërfaqjen e një retorike radikale fashiste. Përveç myslimanëve urrejtja kësaj here përfshinte edhe racizmin krahinarist duke shpërthyer në fyerje e paragjykime kundër veriut të Shqipërisë.

“Tani vijmë në Veriu. Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit? Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit të kaluar? Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kish 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Europës. Dukagjini kish mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë ne për ta. Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën dhe na shkatërroi me themel.”

Vetëm një mendje e shthurur që njeh urrejtjen si të vetmen pikënisje për çdo mendim që shpreh mund të flasë në këtë mënyrë. E habitshme sesi këto lloj banalitetesh gjejnë strehë në retorikën publike të një vendi që pretendon të jetë europian! E kotë t’i kujtojmë autorit Lazaratin (për kundërpeshë ndaj Dukagjinit), e kotë të ndërmarrim një analizë për të shpjeguar nuancat e realitetit shqiptar në lokalitete të ndryshme, sepse nuk është arsyeja, por urrejtja, ajo që udhëheq arsyetimin e tij. Nuk është se autori nuk ka reflektuar për këto probleme. Duket qartë që ai është lodhur të kërkojë argumente, jashtë natyrës së tij të të diskutuarit. Pohimet e tij nuk janë të rastësishme për të qenë thjesht ekstravagante, produkt i një mendjeje që pret shkurt dhe flet marrëzira. Ai ka marrë mundimin të kërkojë të dhëna statistikore, t’i përzgjedhë e t’i rendisë ato në funksion të vrerit të tij.

Në këto kushte çdo analizë sociologjike, antropologjike a kulturore është e tepërt kur ke të bësh me këtë nivel shpërdorimi të qëllimshëm të fjalës dhe mendimit. Të diskutosh këtu mbi transformimet e mëdha demografike dhe heterogjenitetin e madh social të krijuar në Shkodër pas viteve ’90, si dhe radikalizmin me të cilin ky qytet u godit nga diktatura, në kontrast me Korçën e Velos, «Parisin e vogël» kompleksiv të tij dhe të vetë diktatorit, për të kuptuar shumë nga fenomenet që gjallërojnë paralelisht në këto dy qytete, është si t’i flasësh gurit e drurit.

Akoma më e vështirë bëhet të diskutosh me autorin mbi ato që thotë për fenë islame dhe myslimanët shqiptarë. Vështirësia bëhet shumë herë më e madhe për shkak të fortifikimit të një retorike të ngurtë paragjykuese e stereotipizuese, që ka lëshuar rrënjë prej kohësh dhe ka pasur kohë të japë frytet e veta të prishura në trutë e shumë njerëzve.

“Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e Cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.”

Autori në këtë rast, ripërsërit klishetë më të kalçifikuara të mendësive totalitare historiciste që na kanë rrëfyer të shkuarën tonë. Përveç kësaj, ai ofron lidhje pazgjidhshmërie midis momenteve të caktuara historike (të interpretuara nën verbërinë e këtyre stereotipeve) me Islamin si fe universale, duke mohuar çdo dallim midis Islamit, myslimanëve, Perandorisë Osmane, Lavdërim Muhaxherit e madje edhe të pikëpamjeve dekonstruktiviste e postmoderniste që ofrojnë kritikë ndaj mitografisë e megalomanisë që ai përfaqëson. Gjithashtu në mënyrën më qesharake Velo identifikon si një të vetme botën perëndimore katolike me atë bizantine ortodokse, pasi mendësia e kazermës që ai ndërton nëpërmjet urrejtjes, i krijon identitetet në funksion të “armikut”. E nën diellin e armiqësisë me Islamin, bota ortodokse, që nga Rusia e deri në Ballkan, bëhet një me botën katolike duke u bërë “perëndimore”; Nënë Tereza bëhet mrekullisht “shenjtorja jonë” e përbashkët katoliko-ortodokse; ndërsa merr profilin e një filozofeje që i ndriçon rrugën Ballkanit, në të kundërt me Islamin, të përfaqësuar nga muhaxherët e ISIS-it.

Sidoqoftë broçkullat e Maks Velos nuk janë aspak gjë e re dhe nuk habisin askënd. Ai nuk mbahet për ndonjë prurje tjetër në opinionin publik, përveç histerisë antimyslimane, antikosovare, antishqiptare e tashmë antiveriore. Në fakt, edhe Maksi ia ka parë hajrin budallallëkut. Pikërisht për këtë e promovojnë, e ftojnë nëpër studio, i marrin intervista dhe i japin audiencë: sepse duhet gjithmonë një idiot për thënë hapur atë që të tjerët e lenë të nënkuptohet me skuthllëk. Ky idiot shërben për të përkthyer në gjuhën e vulgut nëntekstin e të tjerëve, por shërben gjithashtu si mjet legjitimimi për ta. Duke i çuar në ekstrem këto lloj marrëzish, i bën të tjerët të duken të moderuar. Për këdo që është i familjarizuar me debatet kulturore në këtë vend, e ka të qartë se Velo shërben në opinionin publik, si përkthyes i Ismail Kadaresë përtej kufijve të gjuhës «politikisht korrekte», duke zbritur në masa mesazhin e vërtetë të agjendës kadareane mbi farkëtimin e identitetit të ri shqiptar nëpërmjet urrejtjes dhe përjashtimit.

Por Maksi nuk ka faj për këtë. Nuk i vemë faj njeriut pse aq mend ka dhe pse e oportunizon budallallëkun e vet me aq sa mundet. Maksi nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë përgjegjësi për çfarë lëshon nga goja. E pafalshme është që një media mainstream shndërrohet në tribunë të një racizmi të tillë pervers duke prodhuar urrejtje fetare e krahinore. Në mënyrën më skuthërore Alfred Lela, ndër të tjera edhe senator i kristian-demokracisë, e paraqet Velon si një intelektual të guximshëm, që ka kurajë për të folur troç, përtej gjuhës ”politikisht korrekte”.

“Kjo intervistë do të mrrolë shumë fytyra ose do të anashkalohet me togfjalëshin “prapë ky i çmenduri!”.Sido që të jetë, Maks Velo është një nga të paktët, në mos i vetmi që i shpëton mbërthimit të hekurt të të qenit politikisht korrekt. Pra flet troç ose ‘speaks his mind’ për të përdorur një term të anglishtes.”

Lela shpreh në parantezë mosaprovimin e tij për racizmin ndaj gegëve në shkrim, duke larë gojën nëpërmjet një distancimi “politikisht korrekt” prej çmendurive të Velos, si për t’u fshehur pas gaxhiut – ndonëse në fakt, këtë e bën edhe për shkak se i gjithë katolicizmi shqiptar është i përqendruar në veri. Nga ana tjetër nuk ka asnjë përpjekje për t’u distancuar ndaj asaj që Velo thotë për Islamin dhe myslimanët, të cilat përmbledhin gjithçka që gazeta synon të farkëtojë tek lexuesi.

Duke vlerësuar të intervistuarin, për “sinqeritetin” e tij, intervistuesi kërkon madje ta zgjerojë efektin duke dashur t’u thotë lexuesve se kështu mendojnë shumica e intelektualëve, por nuk kanë kurajë ta shprehin hapur. Por ai nuk na thotë se përse mungon kjo kurajë, çfarë i pengon ata të flasin hapur. E pra pikërisht, kjo vjen sepse racizmi është diçka e shëmtuar dhe fakti që shumë njerëz e fshehin është tregues se, të mendosh në këtë mënyrë është diçka e keqe. Fshehja, në këtë rast eleminon të paktën gjysmën e së keqes. Kjo do të thotë se duke e shfaqur, Maksi ka “kurajën” ta çojë ligësinë deri në fund. Me këtë kuptojmë gjithashtu se edhe vetë intervistuesi, e madje edhe gazeta e tij, mendon si Maksi  dhe po e përdor hapur të intervistuarin për të thënë atë që vetë gazeta nuk ka “kurajë” ta thotë. Kjo tregon pra se të gjitha shkrimet antimyslimane që ata botojnë duke u fshehur pas sebepit të ekstremizmit dhe dukurive të tjera të debatueshme, kanë në fakt për qëllim të godasin Islamin e myslimanët, e jo ekstremizmin apo proturqizmin. Intervistuesi del këtu zbuluar me fjalët e veta.

Intervistuesi këtu ngatërron faktin se të flasësh troç ka vlerë kur mendon mirë. Kur your mind is perverted, ka më shumë vlerë heshtja. Fakti që Velo është nga të vetmit që ka kurajo të thyejë normat për t’i thënë hapur marrëzitë e tij, nuk e bën aspak më superior nga të tjerët, që arrijnë të kuptojnë të paktën vlerën e heshtjes apo të të shprehurit në mënyrë “politikisht korrekt”. Duhet thënë se po kaq troç dhe «politikisht jokorrekt» flet edhe Lavdrim Muhaxheri, por mendja e tij, ngjashëm me atë të Lelës dhe Velos prodhon perversione. Duke qenë se është vetë po kaq fashist sa dhe i intervistuari, Lela e ka të vështirë të kuptojë se nuk ka vlerë të flasësh troç kur mendon si toç.

 

Comments

  • Ore po a ka ligj per nxitje te urrejtjes fetare dhe krahinore ne Shqiperi. T’ja bejme per kunder peshe dhe ta fusim ne qeli bashke me Genci Ballen se mbase behen shoke me njeri tjetrin….

  • Maks velo sjell egon e tij si argument dhe asnje fakt as historik as filozofik, e as fetar, por kerkon te mbush mendjen njerzve duke u paraqitur si dikush me bagazh te madh, por qe ne si te padenje te verifikojme permbajtjen e ketij bagazhi ne baze te argumentimit e llogjikes, duhet te aprovojme poziten e tij te “larte prej intelektuali” nga menyra se si paraqet mes nesh, me mungese te theksuar te dinjitetit njerzor, etikes, moralit dhe dashamirsise atdhetare dhe ti perkthejme keto cilesi te maks velos ne “Sinqeritet” e “Guxim”. Vetem nje krijese paraqitet e tille. djalli.

    Njeriu sidomos ne poziten e dhuruar te maks velos ka ne dore te therras njerez bashkepatriote te tij, ne pra, shoqerine tone me gjere, ne me te mirat e gjerave qe ekzistojne, ne punet me te mira qe mund te ndermarim, megjithate e perdor poziten per te therritur njerzit ne urrejtje e percarje, duke shpifur e abuzuar me njerez e histori. Dhe asnje ze prej “intelektualeve” Mustafa nanove e kompani qe nuk pushojne se shkruari me muaj rradhazi per nje hytbe te ndonje hoxhe injorant, apo te shfaqin shqetesime prej “patrioti” kur perballen me mjeker me te gjate se 5cm, dhe komplet qetesi ne abuzim racizem islamofobi e homofobi te tille, e cila nuk con askund pervec urrejtjes nderfetare dhunes e abuzimit mes shqiptareve.

    Zoti mbrofte vendin nga djallzite e njerzve.

  • Zoti ja shperblefte autoreve te shkrimeve ne kete blog, te cilet vigjelojne mbi shkrimet e helmatisura neper media dhe prodhojne kunderpergjigje inteligjente dhe efikase.

  • E kam lexuar shkrimin e lule Velo partizanit… shume i ceket pa nivel dhe thate fare. Gafa e Mapos eshte se nga nje carcaf interviste qe flet rreth e rrotull gjerash, mapo merr dy temat dhe i ve titullin te gjithe artikullit me qellim qe te jete kohor pra meqenese po flitet per terrorizem ta bejm lajm dite… ka ra niveli i MAPO-s fare e kam lexuar me pare por qekur filloi t`ja varte me artikuj pa nivel ja vara edhe une.

  • Po si haroi maksi qe “heroi yne kembetar” eshte “verior”??? Apo verioret behen te mire vetem kur kthehen kunder Islamit dhe muslimaneve.
    Flet tamam si toç…i keni ra pikes me ate titull…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *