Po me Bedrin ç’patën?





iran-islam-tewlver-shia-imami-clergic-rohani-akhund-mulla-non-seyyed-white-najafi-style-wrapped-turban-ammameh-amamah

e-zani

Po të dëgjosh disa, të krijohet përshtypja se arsyeja pse kemi pesë vjet që mbajmë këtë faqe është që të atakojmë Universitetin Bedër e për asocim KMSH-në. Pak rëndësi ka se këtu janë botuar analiza, përkthime, studime, komente për një mori temash; janë dokumentuar qëndrime, janë artikuluar reagime për disa nga sfidat më të dukshme të bashkësisë së muslimanëve; pak rëndësi ka që autorët që shkruajnë në këtë faqe kanë shkruar për këto probleme prej vitesh e kohë përpara se të egzistonte ‘Bedri’. Përsëri ka syresh prej tyre që ngulin këmbë se e vetmja arsye e ekzistencës tonë është të minojmë këtë projekt të muslimanëve shqiptarë – Bedrin – si dhe KMSH-në.

Kjo u pa dhe në disa nga reagimet që pasuan shkrimin e botuar para pak ditësh rreth artikujve të botuara në shtyp në mbrojtje të Bedër. Në dallim nga autori, nuk shohim ndonjë problem të madh me faktin se dy kontribues të njohur të opinionit mediatik ngrenë zërin për mbylljen e Universitetit Bedër, me kusht ama që të dy duhet të kishin sqaruar lidhjen e tyre me të. Të jemi të qartë, një universitet shqiptar që punëson një shkrimtar si Agron Tufa e bën këtë për t’i bërë nder vetes e jo Agron Tufës, por gjithsesi për hir të transparencës të dy autorët duhet të kishin bërë të ditur lidhjen.

Por ajo që tërheq vëmendjen është se të dy autorët sjellin në mbrojtje të Bedër-it arsyetimin se nëse ndalohet Bedri, atëherë do na mbulojnë ekstremistët. Ky nuk është gjykim vetëm i këtyre dy autorëve, por kjo është mënyra se si KMSH-ja e sotme ka ndërtuar profilin e vet në marrëdhënie me politikën dhe me publikun, siç është bërë e ditur nga funksionarë shteti në prezencën e zyrtarëve të KMSH-së në televizionin publik. Pra, arsyeja, qëllimi i ekzistencës së KMSH-së, Bedrit e gjithë institucioneve muslimane në këtë vend nuk qenka përfaqësimi i muslimanëve, por të qenit një lloj antibiotiku në trupin e tyre.

Nëse KMSH do ta shihte veten si përfaqsues të muslimanëve, nuk do ta trafikonte kryesinë nga Bedri në KMSH, duke katapultuar një njeri tërësisht të panjohur për bashkësinë, pa asnjë kredencial – zero – fetar për të justifikuar postin që mban, apo çallmën  ceremoniale që vë në kokë, pa pas punuar më parë për të e pa e pas merituar këtë pozicion. Për rjedhojë, bashkësia muslimane në Shqipëri është e vetmja bashkësi pa përfaqësim.

Përkundër mburojës së pretenduar ndaj ekstremizmit, në fakt kjo gjendje i kontribuon ekstremizmit. Lexoni letrën që shkruajtën nga burgu Genci Balla me shokët e tij, e sidomos pjesën kur flet për konformim me institucionin e KMSH-së, për të kuptuar se një institucion pa kredenciale fetare nuk mund të ketë autoritet fetar. Bedri, si zgjatim i KMSH-së dhe institucioni që supozohet të ndërtojë themelet shpirtërore dhe intelektuale të autoritetit fetar në Shqipëri, nuk mund ta bëjë këtë sepse vazhdimisht e metodologjikisht ka nënvleftësuar këtë dimension. Kjo është arsyeja se pse në krye të KMSH-së kemi një njeri (për të cilin thonë se është djalë i mirë, e askush nuk e mohon këtë) që ka mbaruar anglisht dhe, nga pjesë e burokracisë së Bedrit, iu montua një çallmë e u vendos të marë pozën e kryehoxhës tonë.

Le t’i kthehemi tani asaj që shkruan V. Popaj tek artikulli i debatuar. Pyetja mbetet se kush është qendrimi publik i institucionit kryesor të mendimit musliman në Shqipëri? Ky qendrim nuk përfaqsohet as nga A. Tufa e as nga A. Çipa. Nëse KMSH-ja dhe vetë Bedri nuk kanë artikuluar përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje, atëherë ato mbeten si jehonë e mungesës së një artikulimi të tillë. Pse vjen kjo?

Insistimi ynë prej vitesh – jo kundra ndihmës nga jashtë, qoftë nga Turqia apo kushdo qoftë, por kundra projektimit nga jashtë të institucioneve të muslimanëve shqiptarë – nuk është shprehje e ndonjë nacionalizmi, se sa shprehje e realizimit se, nëse institucionet fetare nuk ngrihen në bazë të njohjes së eksperiencës sonë fetare si bashkësi, e karakteristikave tona dalluese si dhe e shqetësimeve dhe aspiratave tona, atëherë ato nuk do t’i shërbejnë qëllimit të ekzistencës të tyre.

Nuk është detyrë e muslimanëve të krijojnë institucione të sigurisë kombëtare, është detyrë e qeverisë të sigurojë jetën, pronën, dinjitetin e qytetarëve, përfshi muslimanëve, qoftë nëse kjo siguri kërcënohet nga njerëz brenda bashkësisë së tyre. Ne jemi taksa-pagues, qeveritarët janë shërbëtorë publikë.

Kësisoj, në përmbledhje, muslimanët janë e vetmja bashkësi pa përfaqësi, së silës institucionet përfaqësuese i janë monopolizuar.  Institucionet që supozohet të avancojnë vlerat, traditën skolastike, mendimin publik e universin shpirtëror të tyre, në fakt deklarojnë se janë aty si kontrollorë e si antibiotikë, dhe justifikojnë prezencën e tyre duke investuar në dikotominë e ‘muslimanëve të mirë‘ (KMSH, gylenistët, Bedri) dhe ‘muslimanëve të këqinj‘ (pak a shumë gjithë ne të tjerët). Ky është, ndër të tjera, tregues evident i sektarizmit të burokratëve të KMSH-së.

Së fundmi, asgjë sa është shkruar më sipër nuk është risi për shumicën e muslimanëve aktivë në jetën e bashkësisë. Përsëritja e këtyre shqetësimeve nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, përveçse si shprehje e shpresës që dikush, diku, do t’i kuptojë këto shqetësime jo si komplote, por ashtu siç janë: shprehje e një pakënaqësie të thellë brenda bashkësisë me institucionet muslimane dhe nevojës për diolog të hapur për t’i adresuar ato. Kësisoj, kushdo që pyet ‘se ç’kanë me Bedrin’, duhet të dijë që nuk asnjë mister këtu e letrat janë të hapura.

 

Comments

    • More Simon me ate me xham apo me ate pa xham e pe statusin e filozof Fuges?
      Fuga thote qe nuk ja kam plotesisht idene, sepse nuk kam lidhje me universitetin, dhe nuk guxon te thote: “pa “Beder= Ekstremizem”, as nuk thote se mund te jete mbyllur nga mllefi i ndonje fundamentalisti!
      Fuga e sheh nga larg dhe jep vleresim vetem per nje pjese te Bedrit, ate pjesez qe nuk ka te beje me TEOLOGJINE, per te cilen mburren artikullshkruesit e kritikuar.
      Anladin mi?

    • Fuga nuk do nxirrte cerek llafi po te mos kishte lidhje me Bedrin. Ai vete thote aty qe nuk di se cfare behet ne Beder dhe pastaj thote nga sa ka pare nuk ka pare shkelje. Po shkeljet jane ne letra jo ne muret e shkolles.
      Keshtu qe, ose Fuga flet kot (sepse ia kane kerkuar), ose i di mire letrat (sepse eshte brenda pilafit).

  • Aleksander Cipa ne shkrimin e tij i ben apel qeverise qe per te miren tone le te qendrojne ne qytetet tona disa institucione arsimore teologjike ne shqipe, por genjen sepse teologjia ne Beder, aty ku ai jep leksione behet ne gjuhen turke dhe nga teologe turq. Disa rreshta me siper, duke demonizuar Lindjen e Mesme me soj e sorollop, pra si rajoni ku ekstremizohen teologet, bashke me Katarin, A. Saudite, Iranin, etj fut padashje edhe Turqine! Eshte pak t’i thuash sharlatan, sharlatane te vertete jane ata te tuqizuarit qe i japin rrogen.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *