Komuniteti

E-zani

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar kundër gjuhës së urrejtjes të intensifikuar ndjeshëm kohët e fundit. Në një deklaratë zyrtare KMSH ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e islamofobisë dhe urrejtjes, e cila, ndonëse nuk përmendet në deklaratë është mikluar nga debati i pavend i provokuar nga intervista raciste e Maks Velos në gazetën MAPO.

Deklarata thotë:

«Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vëren me keqardhje që ditët e fundit është shtuar ndjeshëm gjuha e urrejtjes dhe islamofobisë nga individë të ndryshëm, të cilët herë me emra realë e herë të fshehur pas pseudonimeve të ndryshme, e kanë shprehur këtë haptazi në rrjetet sociale, por edhe në organet e masmedias.

Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit fetar ndaj secilit besim në Shqipëri është njëkohësisht goditje ndaj themeleve  të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, për të cilën krenohemi të gjithë në sytë e botës.  Këto vlera natyrisht që sëbashku me bukurinë e tyre ruajnë edhe amanetin e vijushmërisë,  duhet të ruhen e trajtohen me delikatesë e respekt.»

Gjithashtu deklarata shfaq edhe shqetësimin se kjo gjuhë mund provokojë kundërpërgjigje nga besimtarët muslimanë, gjë që do të përshkallëzonte klimën e urrejtjes, duke polarizuar shoqërinë. Për këtë arsye, KMSH kërkon nga besimtarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve duke iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë sulmeve të individëve të papërgjegjshëm nëpër blogje e forume, duke devijuar nga parimet e fesë. KMSH u kërkon besimtarëve të jenë të përmbajtur ashtu siç këshillon feja Islame.

Nga ana tjetër deklarata i bën apel moderatorëve të rrjeteve sociale dhe drejtuesve të redaksive të mediave, «që të tregohen të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në publikimet e tyre, që të mos lëndojnë ndjeshmëritë e besimtarëve të asnjërës bashkësi fetare.»

Reagimi i KMSH-së është një sinjal i mirë që ky institucion të zgjohet dhe të bëjë detyrën duke u përfshirë në përpjekjet për denoncimin e klimës së urrejtjes të përhapur kundër muslimanëve shqiptarë nga individë dhe aktorë publik të papërgjegjshëm. Pasiviteti i saj i deritanishëm ka pasur një kosto të madhe në raportet e besimtarëve me shoqërinë, gjë të cilën e vuajnë sot, jo vetëm besimtarët, por e gjithë shoqëria. Jemi të mendimit se ky është roli i vërtetë që duhet të luajë KMSH dhe, për nga vetë statusi publik që ka, është institucioni me potencialin më të madhe për t’iu kundërvënë kësaj klime.

Vlen të thuhet gjithashtu se fajtorët e vërtetë nuk janë thjesht komentuesit e blogjeve, por vetë mediat që ua hapin dyert komenteve të tilla, të cilat me shkrime të papërgjegjshme antagoniste, kanë prodhuar një kategori të madhe histerikësh kundra Islamit dhe muslimanëve duke minuar klimën e bashkëjetesës. Mbështesim plotësisht këtë deklaratë dhe shprehim gatishmërinë të bashkëpunojmë me çdo institucion, që merr përsipër t’i bëjë barrierë këtyre fenomeneve, duke kontribuar bashkarisht për të ruajtur normalitetin e shoqërisë ku jetojmë.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *