Alfred Lela si apologjet i urrejtjes





Alfred LelaH. Omari

Pas një indinjate masive në opinionin publik, të shkaktuar nga një intervistë ordinere e Maks Velos për gazetën Mapo, autori i intervistës, Alfred Lela, u detyrua të bëjë një shkrim, si apologji e zullumit të vet. Çdokush do të mendonte se do ishte një lloj ndjese e shoqëruar me justifikimet e rastit, por jo, autori u shfaq i vendosur për t’i shkuar marrëzisë deri në fund. Duke bërë sikur hallin e kishte të mbronte fjalën e lirë, fillimisht ai u përpoq të shmangë me marifet përgjegjësinë e vet, ndërkohë që shumica e kritikave serioze nuk akuzonin Velon – pasi atë e njohin të gjithë dhe nuk pret kush përgjegjshmëri prej tij – por denonconin papërgjegjshmërinë e gazetës në botimin e paçavureve të tilla plot urrejtje. Më tej ai u përpoq të ironizojë me cinizëm indinjatën e opinionit publik. Sipas tij nuk është problem racizmi e mllefi i Velos, por indinjata e opinionit: problemi nuk qendroka tek ofenduesi, por tek ai që ndjehet i ofenduar. Me këtë logjikë autori rreket të ndërtojë apologjinë e marrëzisë si një barrierë në mbrojtje të papërgjegjshmërisë gazetareske, që arrin kulmin kur Lela krahason Maks Velon me Max Weberin, duke hequr paralele midis retorikës antimyslimane e antiveriore të Velos, me studimet krahasuese të Weberit ndërmjet etikës protestante dhe asaj katolike.

“Një ndër pohimet e Velos është njëfarë epërsie e ortodoksëve shqiptarë në punë, pra prirje për te mbrothësia me anë të punës që çon edhe tek inaktiviteti i tyre në kriminalitet. Të linçosh Maks Velon për këtë është si të përndjekësh Maksin tjetër, Veberin, për tezat e tij te Etika Protestante e Punës. Veber bën të njëjtën gjë: një dallim në etikën e punës mes protestantëve dhe katolikëve. A ta djegim edhe Veberin që guxon e bën një dallim të tillë? Ne mund të jemi njerëz vërtet etikë nëse ia mveshim etikën tonë një rrafshi universal. Pra, fyhemi njëlloj si kur diferencohemi ne, ashtu dhe fragmente të popullit gjerman. Përndryshe jemi hipokritë.”

Kushdo që ia ka idenë librit Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit, të cilit Lela i referohet për të legjitimuar antagonizmin e intervistës, nuk mund ta mbajë dot të qeshurën nga ky krahasim. Të barazosh në princip dy Maks-at (Velon dhe Weberin), është njësoj si të gjesh të përbashkët midis Alfred Lelës dhe Myslym Lelës, përtej mbiemrit (respekt të plotë për profesionalizmin e Myslymit të ndjerë). Weberi na ka dhënë një studim mbi efektin që kanë parimet fetare në zhvillimin e kapitalizmit, duke treguar ndryshimet midis katolicizmit dhe protestantizmit. Sipas tij, parimet e etikës protestante, duke qenë më shumë të orientuara drejt përfshirjes në shoqëri dhe ekonomi, si dhe drejt suksesit të individit, krijojnë më shumë mundësi që shoqëritë protestante të jenë më të afta të adaptojnë kapitalizmin.

Sipas Lelës, edhe ajo që bën Maksi është pak a shumë e njëjta gjë dhe, nëse ne dënojmë Velon, i bie të kemi dënuar rrjedhimisht edhe Weberin. Ndërkohë Maksi as bën studim e as i intereson e vërteta (Apo, Lela e konsideron intervistën e Velos si studim? Mbase). Velo grumbullon disa fakte aty-këtu, i mbledh bashkë, i seleksionon dhe i rendit sipas midesë, e në fund prodhon atë të vërtetë që ia ka shkrepur në kokë shumë përpara se faktet të ekzistonin. Lela ngatërron gjithashtu një orëvatje shkencore për të studiuar efektet kulturore mbi ekonominë, me orëvatjet histerike të një piktori grindavec, për të fyer e denigruar grupe sociale të tjera nga ato ku ai bë pjesë.

Nuk ka njeri serioz në botë që ta ketë quajtur Weberin antikatolik, megjithëse vlerëson protestantizmin mbi katolicizmin në aspektin ekonomik. Weberi nuk ka aspak për qëllim të nxjerrë një fe (protestantizmin) superiore e një tjetër (katolicizmin) inferiore, dhe aq më pak urren ndonjë prej tyre, ndërkohë që Maksi “ynë” shprehet tekstualisht pa asnjë ekuivok se është antimysliman e antiverior, se është në luftë të hapur me Islamin, dhe se Islami e veriorët na i sillkan të gjithë të këqijat. Sipas të njëjtës logjikë, edhe Hitleri me teorinë e superioritetit racor paska bërë të njëjtën gjë me Maks Weberin, ndaj dënimi i Hitlerit rezulton largim nga shkenca. Libri i Weberit është korrekt nga ana etike sa rezulton i dobishëm edhe për vetë shijet e Kishës Katolike në kohën kur doli. Këtë e dëshmon edhe fakti se nuk u përfshi në Indeksin e librave të ndaluar nga Kisha, ku vite më vonë, përfunduan, ndër të tjerë, edhe Benedetto Croce apo Jean Paul Satre.

Lela në fakt është nga ata që shumë pak ndryshon nga Velo: brenda vetes mendon si Velo dhe kjo është arsyeja pse e përdor për gështenjat që nuk ka kurajë t’i kapë me duart e veta. Lela e pohon vetë në hyrje të intervistës se Maksi i thotë troç ato që shumë intelektualë të tjerë i fshehin, duke u mbajtur pas të folurit “politikisht korrekt”. Pra Velo është zëri i heshtur i Lelës dhe gazetës MAPO. Kjo tregon edhe qëllimin e vërtetë të shumë shkrimeve rreth problemeve të Islamit dhe myslimanëve të botuara në këtë gazetë. Ekstremizmi apo edhe filo-turqizmi, që godet me forcë gazeta, janë thjesht pretekste për të goditur me spond Islamin. Nuk shpjegohet ndryshe përse ditën e Bajramit bëhet propagandë politike me xhaminë e munguar të Namazgjasë dhe i kujtohet myslimanëve të distancohen nga ISIS-i: është njëlloj sikur ditën e vizitës së Papës, MAPO të botojë një opinion mbi akuzat për pedofili në gjirin e Kishës!

Në mënyrë sistematike gazeta ka qenë e vëmendshme të evidentojë cdo problem në lidhje me Islamin dhe myslimanët: i bënë gjyqin të arrestuarve në të ashtuquajturën Xhamia e Unazës, nuk i shpëton asnjë produkt i gazetës Express dhe Zëri, përfshi edhe shpifjet më banale, madje nuk iu i shpëton asnjë lajm nga bota arabe ku ndonjë grua vritet për ceshtje nderi, ndonëse shumë vriten këtu në Shqipëri. Shpjegimi është: “të luftojmë ekstremizmin” dhe “të mbrojmë kombin” nga këto fenomene. U shqetësuan më shumë për një triller humoristik mbi sulme imagjinare për pushtimin e Spanjës, të adresuara nga Shkozeti prej Artan Kristos, ndërsa e gjykojnë me vlerë t’i krijojnë hapësirë një shqiptari që i shpall luftë shqiptarëve në emër të fesë e gjeografisë. E madje e mbrojnë marrëzisht edhe nga gjykimi i opinionit publik, duke pohuar se e paskan shënjestruar.

I tërë shkrimi i Lelës përqendrohet tek anti-veriorizmi i Velos, duke lënë mënjanë tërësisht segmentin akoma me dramatik të anti-islamizmit të të intervistuarit, që e ka karakterizuar si personazh publik përgjatë të gjithë viteve të pluralizmit. Edhe tek justifikimi i anti-veriorizmit, me disa kapërcime pindarike sa tek Noli tek Hoxha (ku Veriu na qenka Shkodra), Lela nuk resht në promovimin e një panorame katolike të shoqërisë së Veriut shqiptar (ku Shkodra na qenka Kisha).

Kështu bën në fakt edhe drejtori i tij, Artur Zheji, që dritaret televizive, kur nuk duhet të kryejë shërbesa politike, i shfrytëzon si altarë. Në fund e kanë gjetur zgjidhjen: intervistë ndonjë imami mbi tolerancën fetare. Në të vërtetë nuk balancohet një strategji e mirëlexueshme si denigruese ndaj fesë islame, ndaj memories sonë kulturore që lidhet me këtë fe, e shpalosur nga prototipa të kultivuar dhe promovuar nga gazeta, me ndonjë intervistë marrë prej myftiut të Shkodrës. Ca minare nuk hyjnë dot në thes, edhe pse Lelët për shpirt do t’i kishin rrafshuar me kohë.

 

 

Comments

  • Dhe, nese shihen me vemendje te gjitha reagimet ndaj intervistes se Velos, ne rastin me te mire “antimyslimanizmi” i Velos vec permendet krejt shkarazi. Ndonje perjashtim e perforcon kete.

  • tani o ezani, keni hyre ne fazen qesharake tuajen.

    Kritikoni me te drejte Lelen qe u mundua ti bente apollogji intervistes se te marrit dhe te shaje a sulmoje ata qe u indinjuan nga intervista, por nuk kritikoni Ardian Vehbiun, sivellaun tuaj ideologjik, qe marrazite e Velos i quante ekzibicione te nje artisti dhe hallin e kishte qe e kishin share komentuesit anonim Velon dhe menjehere, gazeta qe drejtohet nga Zheji dhe qe ka lidhje me Vehbiun moren masa ndaj komentuesve per ti ruajtur erzin Velos.

    Kur do te shohim ndonje gje per Vehbiun qe e urren dhe sulmon Islamin me keq se Velo se kete te pakten ekstremizmi e nxjerr jashte loje, ndersa Vehbiu ben shume me teper dem kur shfaqet si “relativizues”?

    Ah, prit, harrova, helbete Vehbiun nuk e sulmoni se ju puqen idete.

    Ah edhe nje tjeter, sot ne fb citonit njerin qe nuk ishte dakort me hoxhallaret, para disa ditesh po ne fb kritikonit selefijte pse po largojne njerezit nga hoxhallaret duke ju thene te mesojne vete.

    Ndajeni mendjen o me hoxhallaret o kunder tyre se sic e thashe po konsolidoheni ne fazen e bufonades.

    Kaq kisha.

    • Ardian Vehbiu ka çfare ka por isalmofob nuk me duket, perkundrazi. Tek “Peisazhet e Fjales” do te gjesh me shumice artikuj qe delegjitimojne islamofobine ose orientalizmin demode, per te mos thene qe Vehbiu ka kritikuar mire e bukur edhe tezat e revanshit kulturor te katolikocentrikeve. Tashti, me sa kuptoj ti do te doje qe Vebiu te deshmonte shehadetin, qe te puthitej zeri me figuren, por do te te keshilloja qe me mire te lepish kockat e sorres sot sesa me barkun thate te enderrosh kaposhin per mot.

  • Ekziston nje teori, sipas te ciles, sa here bie imazhi publik per nje politikan, ai ndermerr nje nisme ose prodhon nje ngjarje per te ndikuar dhe prekur njerezit qe braktisin. Sa here Tunes i zhvleftesohet fama, ajo gjen nje menyre per te zberthyer gjoksin apo per te nxjerre “zogun”, e keshtu me sa duket ndodh edhe me Mapon, dhe ne nje far menyre me “trurin” e saj katolik militant z.Lela. E them katolik militant, pasi nje fetar qe e shikon fene vetem ne kuadrin e prespektives personale brenda vetes dhe kerkon te permbushet me te shpirterisht, nuk mund te jete militant, ose urrejtjendjelles per te tjeret!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *