Ç’i duhen myslimanët Shqipërisë?





Feja - Kisha dhe Xhamia ne Ferizaj - 17 dhjetor 2013-Driton Bublaku (4)-1398544307V. Popaj

Teza se kontributi i myslimanëve për Shqipërinë ka qenë anësor, i zbehtë, sikur të mos kenë ekzistuar fare, me siguri nuk konsideron një seri momentesh ekzistence alternative.

1. Vota myslimane. Prej disa vitesh është qartësisht e lexueshme se politika kujtohet për përkatësinë islame të votuesve vetëm në fazat elektorale. Pra jo vetëm qytetarë, por për një çast edhe myslimanë: si të thuash, ‘myslimanë një-përdorimësha’. Për ndërtimin në tentativë të Xhamisë së Namazgjasë, para 23 qershorit (2013), u inskenua një shfaqje elektorale që nuk e rivalizonte asnjë konkurs bukurie. Edhe Edvin Rama, para disfatës si kryebashkiak, nuk mbeti jashtë nevojës për votën myslimane, kur propozoi një xhami, që në projekt i ngjasonte TEG-ut, teksa kritikoi me patos besimtari “xhaminë tregtare” të lejuar nga rivali Lulzim Basha. Me të ardhur në pushtet, i etur për kredi turke, konfirmoi ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, duke i ofruar sërish myslimanëve ekzistencën prej prezervativi.

Pastaj Ben Blushi ishte nga ata që e ngrinte në problem angazhimin e myslimanëve në politikë. Pra, me një fjalë, myslimanët duhet të marrin pjesë në politikë vetëm me qera. Nga ana tjetër, Blushi hesht kur intelektualë katolikë, si Romeo Gurakuqi, kërkojnë vazhdimisht kuota fetare në politikë/shtet, madje edhe gjatë atmosferës festive të meshës së Papës në Tiranë. Ec e merre vesh!

2. Myslimanët në meshë. “A e ka menduar [ai, M. Nano] ndonjëherë që në një meshë papnore të kishte rreth njëqind e pesëdhjetë mijë myslimanë shqiptarë?”, pyet Agron Gjekmarkaj. Se nga vjen kjo shifër, e di vetëm Gjekmarkaj, që këto ditë e ka justifikuar përse e kanë pompuar në institucionet publike, por bie në sy fakti se myslimani bëhet i dukshëm në këtë vend – përfshi sojin e atyre të cilëve krijimtaria publicistike u dëshmon se bëjnë të pamundurën që myslimanët të jenë turma e tepërt e këtij kombi – kur pret Papën, shkon në meshë, pi raki ose “përqafon të renë, të mirën, perëndimoren”, siç shkruante sot i njëjti autor. Sapo myslimani shpreh një mendim ndryshe, kërkon të ketë ekzistencë pa vajtur në meshë ose, fundja, të ekzistojë si laik, kategoria e Gjekmarkajt e quan “xhihadist”, “kamikaz”, “liliput”, “muhaxhir”, “oriental”, “vehabi”, “otoman”, “turk” etj.

3. Myslimanët si arsye. Motiv i ekzistencës së mjaft kalemxhinjve, specialistëve, analistëve, rubrikave, emisioneve e deri edhe e mediave, shpesh herë është prania e myslimanëve në këtë vend. Duke shënjestruar islamin si fe, traditën e krijuar ose të ndikuar nga ai, historinë e tij në trojet shqiptare, kanë bërë famë sa e sa personazhe, ca të tjerë kanë bërë karrierë, dikush merr fonde nga Sorrosi për të botuar libra e dikush drejton emisione televizive kur nuk publikon hartime adoleshenciale të shitura për ese. Deri edhe Kadareja është ricikluar si druid europeist e madje disident antikomunist pikërisht nga denigrimi i traditës islame të këtij vendi. Si mund ta kishin reklamuar qarqet katolike shqiptare Kadarenë sikur të mos ekzistonte shënjestra-myslimane? Si do të mund t’i qëndiste apologji Ndreca i Hyllit të Dritës një enveristi? Gjekmarkaj, p.sh., është diplomuar me një punim mbi Kadarenë dhe një tjetër mbi Zef Pllumin! Me fjalë të tjera, myslimanët dhe islami në këtë vend janë arsye ekzistence për shumëkënd e shumëçka. Thënë ndryshe: Naimi do të mbetej një, bie fjala, Perikli anonim, që një Henri s’do i kish bërë derman.

4. Myslimanët si mjet. Shembujt janë të shumtë, por do të propozoj një të freskët, të ofruar nga MAPO, tashmë qartësisht e shndërruar në famulli mediatike, dhe mbase vendosja e ndonjë simboli në ballinë do të ishte gjesti më i sinqertë. Me dt. 23 përcolli një artikull nga seria e pështirosur e Enver Robellit. Plot urrejtje, pa etikë, me njëanshmëri të tejskajshme, autori përpiqet të denigrojë klerikun Irfan Salihu si shpifës dhe institucionin e BIK-ut si antishqiptar, jo më duke u nisur nga feja por nga shkenca, më saktë nga pikëpamjet e hoxhës mbi disa ngjarje e fenomene historike. Vetë Robelli nuk shfaq ndonjë njohuri të bazuar historike, por problemi është se as nuk shqetësohet fare për nëpërkëmbjen e historisë, pasi në të kundërt do t’i kishte rënë në sy libri Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve, me autor një kosovar që mburret të jetë njëherësh Doktor Dom, pra ekspert i zanatit të historianit, ndryshe nga hoxha Salihu. Doktor Dom Shan Zefi nuk e ka për gjë të manipulojë fjalën e Zotit, Biblën, le pastaj historinë. Nuk mund të mos e citoj kur pohon se «Shën Pali Apostull dhe shokët e tij zbresin në Apoloni për t’u rrekë në Maqedoni, në Ilirik dhe në Epir», kur e njëjta Bibël rrëfen se bashkë me një shok Pali ecën drejt Apolonisë, pasi kishte kaluar nga Amfipoli (pak kilometra më larg), për të arritur Selanikun, pa pasur qëllimet, mjetet dhe shokët që ia cakton Doktor Dom Shani.

Ja pra, një Robell i shqetësuar nga manipulimet, deri ne atë pikë sa të ndjejë keqardhje përse “askush nga xhemati nuk reagon kundër manipulimeve ekstreme të “hoxhë” Irfan Salihut”, duhej te kishte shpenzuar ndonjë fjalë për një prift që historinë e ka edhe zanat. Por Robelli e ka hoxhën thjesht mjet dhe pretekst: së pari për ta denigruar BIK-un, të cilit i kërkon deri edhe të prononcohet ndaj dijeve historike të hoxhës, sikur Sorrosi është i detyruar të prononcohet sa herë që një kalemxhi i Surrojve shpif apo flet budallallëqe; së dyti, gjuha, arroganca dhe urrejtja e Robellit kërkojnë të nxisin kundër-reagime, pra kërkon një derdimen që ta sulmoje e kështu të legjitimohet ekzistenca e Robellit si kalorës kryqëzatash anti-ektremiste.

Mirëpo, ç’do MAPO në këtë mes? Duke u nisur nga premisa se media MAPO nuk ka tipare akademike e as nuk i gjurmon manipulimet e historiografisë sepse janë të tilla në vetvete, arsyeja kuptohet menjëherë duke vëzhguar shkirmet e rubrikës ‘op-ed’ të asaj date: një ekonomik, një tjetër gjeopolitik dhe dy të sfondit fetar. Tematika islame e Robellit shoqërohet me tematikën kishtare të Arbana Xharrës, me titullin domethënës Papa bashkoi provincializmin politik – ndërkohë që një gazetare e sinqertë për interesat e vendit të vet do të ulërinte për mosnjohjen e Kosovës. Pra nga njëra anë Papa që “bashkon”, e nga ana tjetër hoxha që “llomotit e gënjen”. Thjesht vendosja e dy përshkrimeve kaq ekstreme afër njëri-tjetrit ekzalton më mirë mesazhin: një Papë dhe një institucion kishtar pozitiv, një hoxhë dhe një institucion islam “çerdhe gjarpërinjsh”.

Ja pse duhen myslimanët. Jemi vendi i tolerancës.

Comments

  • Harrove dhe kategorine “mysliman per skrap”. Kjo mund te permblidhet ne dy menyra: a) Merr e arresto disa te sapoardhur nga studimet qe ende nuk jane me “kembe ne toke” dhe pas formalitetev ne zyrat e ftohta te shtetit i nxjerr çuna pellumba (gjithsesi ende me mjekerr ne faqe), dhe ketu i referohem ndalimeve te para dhjete vjeteve kur H. H. Ing Selim Muca po ndjente kercenim te pozites se tij ne krye te KMSh. Pra merr nje material te ngurte te riciklueshem, e fut ne proces dhe nxjerr me pas nje produkt te dobishem per pushtetin. Ky eshte thelbi i fenomenit te riciklimit. Se dyti eshte dhe perfitimi mjedisor pasoje e ketij procesi riciklimi; çlirimi i ambjentit nga materialet qe kane humbur funksionin e tyre primar. Ketu i referohem grumbullimit ne depozitat e shtetit te imameve ne Kosove, qe vizitori i veshur me te bardha te kishte ambjent sa me te paster. Kjo plotesohet ne kete rast dhe me evidentimin e “hot spots”, pra zonave te ndotura, ne prag te vizites, qe publikut ju servir neper habere si monitorim nga afer te “xhihadisteve”, si dhe te familjareve te tyre.

  • Jam krenar qe jam Musliman, fale se cilit Islam jam dhe Shqiptar dhe jo shka e greke apo edhe me keq, jashteqitje e tyre e mbetur n’trojet shqiptare, era e te cileve po kundermon dhe helmon shumicen shqiptare muslimane, po meqe as ndermend s’e kam te nderroj as fe e komb, une ju pershendes me Selamun Alejkum nga Prishtina!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *