Laiciteti jetim  





 

 e-zani

images (13)Me datë 5 shtator përkujtohet në rang botëror Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, e cila është sanksionuar nga OKB-ja, me propozim hungarez, në koincidencë me ditën e vdekjes së Nënë Terezës. Ky është një tjetër vlerësim – i ardhur dy vite më parë – për misionin e përkushtuar të Nënë Terezës, që në botë vlerësohet si vepër humane në aspektin abstrakt, ndërsa tek ne, ashtu si në Vatikan, veprimtaria e saj konceptohet kategorikisht si fetare-kishtare teksa tregtohet si kombëtare. Duke i vlerësuar aspektin njerëzor të veprimtarisë, OKB-ja mund t’i promovojë një ditë domethënëse nga jeta e saj, konkretisht epilogun, siç edhe ndodh tradicionalisht, kur nuk përkujtohet dita e lindjes ose ndonjë datë e lidhur me ngjarje të veçanta.

Në Shqipëri, dhe askund tjetër, ndodh e kundërta, pasi kemi vendosur ta kujtojmë Nënë Terezën me 19 tetor, datë e cila nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë apo me trevat shqiptare. Së pari, e kundërta vërehet me komunitetin ndërkombëtar, meqenëse në vdesim të matemi përmes institucioneve të huaja, mundësisht perëndimore. Së dyti, me veten, me rregullat e shtetit laik dhe komunitetet përkatëse. Kjo për arsyen e thjeshtë se ne celebrojmë si festë kombëtare ditën e lumturimit të Nënë Terezës, pra i promovojmë aspektin fetar dhe madje mirënjohjen post-mortem për angazhime ekskluzivisht fetare ndërmjetësuese mes besimtarëve dhe Hyjnisë. Këtë mirënjohje e përcaktojnë struktura të posaçme të Selisë së Shenjtë: ato vendosin se kush ka aftësinë të ndërhyjë tek Hyji. Shteti shqiptar e merr të mirëqenë këtë aftësi dhe e ngre në nivel feste kombëtare, me motivacione anonime, por të lexueshme si fetare, natyrisht katolike, duke i njohur 12%-15% tre festa zyrtare. Të këtij nivel mjeran janë edhe një pjesë e mirë e mediave që zhurmojnë për shenjtërinë e kompromentuar të Shën Kozmait, ndërsa nuk shpenzojnë një fjalë në mbrojtje të vlerave dhe detyrimeve të shtetit shqiptar ose, thënë ndryshe, të shenjtërisë së laicitetit dhe konceptit të qytetarisë. Le pastaj që Mesila Doda e ndau mendjen të kerkonte shtimin e një feste të katërt, e cila do të përkonte me 21 shtatorin.

Para një muaji, me rastin e vizitës së Papës, u fol për preferenca fetare të Kryeministrit ose të ndonjë drejtuesi tjetër institucionesh të rëndësishme të shtetit shqiptar, por duam të kujtojmë se promovimin e direktivës konkrete (19 tetorit) të Kishës katolike e kemi dhuratë nga Kryeministri i parafundit dhe spektri tjetër politik: nga ai person që figura të rëndësishme të Kishës katolike në Shqipëri ose në shërbim të saj nuk kanë hezituar ta konsiderojnë si oriental, filoislamik e madje më shumë. Kjo besojmë mjafton për të nënvizuar se përkatësia fetare e pushtetarëve tanë, e deri pjesa ku vendosin ta bëjnë ndonjë simbol fetar tatuazh, nuk na intereson aspak, kundrejt afetarizmit të institucioneve publike dhe shtetit tonë, që është i të gjithëve njëlloj, pasi në demokraci nuk ka qytetarë të privilegjuar në emër të fesë e të tjerë të përdorur për taksa e vota. Më shumë se laicitet jetim kësaj i thonë nënën laicitetit.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *