Protesta kunder murgeshave3Sue Lloyd Roberts

Një hetim vitin e kaluar ndaj lavanterive Magdalena të Irlandës, ku për dekada, mijëra gra u detyruan të punonin nga murgeshat, nuk gjeti fakte abuzimi me punëtoret. Por ato që kishin provuar jetën brenda mureve të lavanterive e hedhin poshtë me zemërim atë, dhe këmbëngulin që murgeshat të vihen para përgjegjësisë.
“Oh, Zot i madh! Kjo më sjell ndërmend kaq shumë kujtime,” thotë Elizabeth Coppin, 65, ndërsa shtyn të hapet dera e kishës ngjitur me lavanterinë Magdalena, ku ajo u dërgua të punonte për murgeshat në moshën 14 vjeçare.
“Një herë në javë na duhej të shkonim për rrëfim”, thotë ajo, pasi kalojmë pranë dhomës së rrëfimit. “Prifti ulej këtu dhe ne shkonim e i rrëfenim mëkatet tona. Po çfarë mëkatesh kishim ne? Ne punonim gjithë kohës. Ata ishin mëktarët, jo ne. Ata na torturonin.”
Për dekada Irlanda i injoroi historitë e treguara nga ish-punëtoret e lavanterisë Magdalena. Tek e fundit, priftërinjtë a nuk u kishin thënë njerëzve se ato ishin gra të shkatërruara, të çmendura, të cilat meritonin të izoloheshin për pjesën më të madhe të jetës së tyre dhe të punonin, pa pagesë, për të larë mëkatet e tyre?
Coppin ishte abuzuar nga njerku i saj dhe u dërgua në jetimore – një nga institucionet bamirësisë e menaxhuar nga kisha në emër të shtetit. Prej andej, ende një fëmijë, ajo u kalua te rrjeti i lavanterive Magdalena ku detyrohej të punonte 8 me 6 çdo ditë, përveç të dielave dhe festave.
Në një lavanteri, në Cork, ajo u akuzua gabimisht se kishte vjedhur ëmbëlsira dhe u mbajt tre ditë në dhomë izolimi, pa krevat ose dyshek. Por ky dënim nuk ishte gjë krahasuar me atë që provoi kur tentoi të arratisej. Ajo u dërgua në një lavanteri tjetër, me një regjim dhe më të rreptë.
“Ma ndryshuan emrin në Enda, një emër burri. Më qethën kokën dhe më veshën uniformë. Menjëherë identiteti im u ndryshia, sepse m’u ndryshua emri, m’u prenë flokët dhe nuk vishja rrobat e mia,” thotë ajo.
“Ngeca aty dhe isha e detyruar t’i përgjigjesha emrit Edna, i cili është një emër burri. Si mund ta durosh këtë në atë moshë?”
Vetëm kur Coppin dhe të tjera u ankuan te Komiteti Kundër Torturës i OKB (UNCAT), i cili ushtroi presion ndaj qeverisë irlandeze që të hetonte, senatori Martin McAleese, ish-anëtar i senatit irlandez dhe i përkushtuar ndaj Kishës Katolike, u ngarkua të udhëhiqte një grup hetimi për parë çfarë kishte ndodhur realisht brenda mureve të kishës.
Të mbijetuarit u tronditën kur lexuan në raportin e tij se “keqtrajtimi, ndëshkimi fizik dhe abuzimi… nuk ishin diçka që kishte ndodhur në lavanteritë Magdalena”.
Qeveria tani ka krijuar një grup tjetër hetimor për të zbuluar çfarë ka ndodhur në të vërtetë në institucionet e manaxhuara nga kisha, shtëpitë Nëna dhe Fëmija për nënat e pamartuara, pasi në fillim të këtij viti u fol se rreth 800 fëmijë ishin varrosur në varre anonime prej 1925-1961 në një kishë në Irlandën perëndimore. Në një fuçi betoni u gjetën disa mbetje.
Të mbijetuarat e lavanterive Magdalena kërkojnë që hetimi më i fundit të zgjerojë fushën e veprimit, dhe të hetojë lavanteritë përsëri.
“Dëshiroj shumë që ata të zbulonin të vërtetën, por nuk do ta bëjnë,” thotë Coppin. “Nuk do të hetojnë si duhet se unë e di si janë qeveritë.”
Mery Merritt, 83, ka vuajtur në të dyja, në Shtëpitë Nëna dhe Fëmija dhe në lavanteritë Magdalena. E lindur në njërën prej tyre, ajo përfundoi në një lavanteri pas vitesh në një jetimore – të tre institucionet të manaxhuara nga murgeshat.
“Unë isha në një jetimore, të cilat quheshin shkolla industriale në atë kohë. Isha aq e uritur sa vodha ca mollë nga kopështi. Ato më thanë se kishin gjetur një “vend” për mua dhe më dërguan te lavanteria High Park në Dublin dhe më thanë të qëndroja aty derisa të mësoja të mos vidhja. Më mbajtën aty si punëtore pa pagesë për 14 vjet. Sot këtë dënim nuk ta japin as për vrasje.”
Ajo kujton që puna ishte aq e rëndë e regjimi aq i egër sa theu një dritare dhe u arratis në qytet, ku i kërkoi ndihmë një prifti. Prifti e përdhunoi. Murgeshat nuk e besonin, kur e kthyen policët në lavanteri.
Ajo u fut në një qeli pa dritare, një dhomë dy metër katrorë. “Një nga murgeshat erdhi aty, më preu flokët deri në lëkurë dhe më çuan lart dhe më detyruan të ulesha në gjunjë me të gjitha gratë aty, të gjunjëzohesha, të puthja dyshemenë dhe të kërkoja falje për atë që kisha bërë dhe të premtoja se nuk do të arratisesha më, gjë që nuk e premtova, sigurisht.”
Raporti McAleese arrin në përfundimin që mesatarja e grave në lavanteri ishte shtatë muaj. “Pallavra!” thotë Meri, ndërsa bashkë po shkojmë të vizitojmë një varr masiv të ish-punëtoreve të Lavanterisë Magdalena High Park në Glasnevin, varreza kryesore në Dublin.
“Unë isha në lavanteri për 14 vjet dhe e di që të paktën një grua, shoqja ime e ngushtë, e varrosur këtu qëndroi atje për më shumë se 50 vjet”, thotë ajo duke shenjuar nga emri Mary Brehany, e cila është mes 160 emrave në pllakë mermeri.
Raporti McAleese pretendon gjithashtu se lavanteritë nuk nxorën kurrë fitime – një tjetër ide e pritur me tallje nga kjo grua. “Ajo ishte punë skllavëruese,” thotë Coppin, e cila harxhoi katër vjet në tre lavanteri.
“Murgeshat kishin kontrata me gjithë hotelet dhe bizneset lokale ashtu si dhe me kishat e seminaret.” Është e vështirë për të verifikuar pohimin se “nuk nxorën fitime”, sepse dokumentet që i janë servirur hetimit nga urdhëri fetar, të përgatitur nga llogaritarët e tyre, nuk janë të hapura për vëzhgim publik.
Megjithatë, ne gjetëm një regjistër që i përket lavanterisë High Park në Little Museum në Dublin, i vitit 1980. Llogaritë e mbajtura me hollësi tregojnë se klientët e tyre përfshinin kishat, restorantet, aeroportin, stacionin kryesor të trenit në Dublin dhe ministritë qeveritare. Nuk është habi që sindikatat dhe lavanteritë private u ankuan asokohe. Atyre u duhej të konkuronin me murgeshat që bazoheshin në punë të detyruar, pa pagesë.
Pasuria e murgeshave kalon kohë të vështira, jo vetëm për shkak të grave që pohojnë se janë shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë, por dhe taksapaguesit irlandez. Pavarësisht mangësive të raportit McAleeese, qeveria ka kërkuar falje për vujatjen e grave dhe ka caktuar një gjykatës shumë të respektuar që të krijojë një skemë kompesimi. Ai është i pëlqyer nga të mbijetuarat, të cilat thonë se ai të paktën i dëgjon.
Fatura përfundimtare e kompesimit ka gjasa t’i kalojë 150 milionë euro, por udhërat fetare nuk kanë pranuar të kontribuojnë. Unë pyeta zv/ministrin Joan Burton, pse qeveria nuk ushtronte presion ndaj murgeshave që të paguajnë.
“Janë në vazhdim bisedimet me urdhërat fetarë për të kontribuar një shifër të përafërt me ato që ka shpenzuar qeveria,” tha ajo. Pra, qeveria do ushtrojë presion? “Është një bisedë në proces, po.”
Pritshmëria është e ulët. Qeveria ka bërë katër kërkesa formale për katër urdhëra fetare që kanë pjesë në manaxhimin e lavanterive dhe ata nuk kanë reaguar.
A do t’i dëgjojë qeveria shqetësimet e të mbijetuarave dhe të kërkojë një hetim të ri ku të përfshihen dhe ato? “Do të përfshijë elementë në lidhje me çështjen,” thotë Burton, “ por ne s’i kemi përcaktuar ende termat e referencës.”
Të mbijetuara e lavateriave Magadalena nuk janë optimiste. “Askush nuk flet për dhunimin e grave, ideologjia fetare është e skalitur thellë në shoqërinë irlandeze,” thotë Elizabeth Coppin.
“Unë kërkoj që dikush të thotë të vërtetën dhe të kërkojë falje”, thotë Mery Merritt, murgeshat, kisha… dikush të më kërkojë falje para se të vdes.”

 

BBC News, Irland
23 tetor 2014

Comments

  • Mos u mundoni qe nepermjet skandaleve te caktuara te sulmoni nje grup te caktuar. Me i marre te gjitha skandalet e muslimaneve qe ndodhin cdo dite nuk do te kishte vend per ti publikuar.
    Pse nuk e publikoni ate hoxhe te Saudise i cili e reh brutalisht nje talebe te tijen ne mes xhamise ?!
    Une vet jam musliman po nuk me pelqen qe dikush mundohet te luaj loje te ulet per mposhtjen e tjetrit qe nuk eshte si vetja.
    Selamu alejkum.

  • Leave a Reply to ben Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *