Për dhunën dhe tolerancën në fe.





 14554Besnik Sinani

“Le të dalim nga guva jonë,” shkruante Volteri në shekullin e 18të në esenë Toleranca, “dhe të studiojmë pjesën tjetër të botës. Sulltani qeveris në paqe njëzet milionë njerëz të feve të ndryshme; dyqindmijë grekë jetojnë në siguri të plotë në Kostandinopojë; vetë myftiu i emëron dhe i prezanton perandorit patriarkun grek dhe ata pranojnë gjithashtu një patriark latin… Perandoria është përplot jakobitë, nestorianë dhe monotelitë; ka koptë, të krishterë të Shën Gjonit, hebrenjë dhe hindu. Analet turke nuk kanë shënime mbi revolta të nxitura prej asnjë prej këtyre feve.”

Eseja e Volterit, ashtu si një ese tjetër e rëndësishme e shkruar një shekull më parë nga John Locke, i referohet ‘Turkut’ dhe osmanllive si tolerantë dhe në kontrast të thellë me realitetet e ashpra të Europës mesjetare dhe të periudhës së Reformimit. Teksa Europa përzuri hebrenjtë apo i mbylli nëpër geto, apo dogji të krishterët e konsideruar heretikë në konflikte fetare që rrënuan shoqëritë perëndimore, hapësirat osmane ishin përgjithësisht në paqe, pranohej diversiteti, dhe osmanllitë ndoqën një politikë akomodimi (istimlet).

Shumë historianë ja atribuojnë këtë Islamit duke ju referuar teksteve fetare. Por Karen Barkey, në librin e saj Empire of Difference, thotë se toleranca fetare është formë sundimi politik, e përdorur nga osmanllitë si strategji politike për të akomoduar diferencat. Bashkohësit e osmanëve, habsburgët, të cilët panë veten si mbrojtës të katolicizmit dhe pasardhës të Perandorisë së Shenjtë Romane, e ndërtuan pushtetin e tyre mbi centralizëm dhe avancimin e katolicizmit që u shoqërua me konvertime me dhunë, persekutim dhe asimilim. Në shekullin e 18të, habsurgët do fillonin të shihnin interesin ekonomik të diversitetit e për rjedhojë të ndërmernin politika më tolerante fetare.

Perandoria ruse, ndoqi për një periudhë të gjatë, e nxitur nga elita ortodokse, një politikë asimilimi e konvertimi me dhunë. Agjencia për Cështjen e të Konvertuarve udhëhoqi një prej fushatave më të egra të konvertimit me dhunë midis 1740 – 1764. Por më vonë, strukturat e muslimanëve u integruan në strukturat e shtetit dhe Katerina e Madhe ndoqi atë politikë që kish ndjekur Mehmeti II pasi pushtoi Kostandinopojën. “Arsyet fetare, utilitare, dhe strategjike,” shkruan Barkey, “shtyn elitat e shteteve perandorake të përfshinë dhe vendosin rregull mbi diversitetin. Perandoritë nuk patën tolerancën apo persekutimin si qëllim të drejtëpërdrejtë. Qëllimi i tyre ishte të mbanin pushtet apo territore. Toleranca, asimilimi, intoleranca ishin strategji të dizenjuara për të vendosur rendin e shoqërive perandorake… Osmanët patën rezultate më të mira në këtë drejtim se paraardhësit apo bashkohësit e tyre gjer në fillim të shekullit të 18të, për shkak se kuptuan diversitetin…”

Mund të dëgjosh disa kundërshti ndaj këtij argumenti, por vështirë ta injorosh tërësisht. Grupe në Përandorinë Osmane, si safavidët, të cilët u panë si rrezik shtetror, për shembull, nuk përfituan nga e njëjta formë tolerance që njohën grupe të tjera fetare. Periudha tensioni politik, njohën edhe tensione fetare. Toleranca apo dhe intoleranca fetare kishte dimensione politike.

 

***

Dy ngjarje kohët e fundit në Shqipëri kanë nxitur ligjërimin mbi dhunën dhe tolerancën në fe: luftëtarët shqiptarë në rradhët e ISIS dhe vizita e Papës. Pati zëra bujarë në një klimë të ashpër anti-muslimane në vend, që shkruajtën se reputacioni i tolerancës fetare të shqiptarëve është së pari meritë e shumicës muslimane, në të njëjtën kohë që po kjo bashkësi ka ndjerë presionin e akuzave mbi fenë e tyre për shkak të ngjarjeve në Lindjen e Mesme.

Pse toleranca e muslimanëve osmanë zgjonte admirimin e Volterit në të kaluarën në një kohë që brutaliteti i ISIS ndaj muslimanëve, të krishterëve e jezidëve është kthyer në krizë globale sot?

Diskutimi i shkurtër më sipër mbi politikat osmane nuk do të thotë se Islami nuk ka në doktrinën e tij një vizioni të bashkëjetesës fetare. ‘Nuk ka dhunë në fe,’ thotë një varg në Kuran; një tjetër nderon xhamitë, kishat e sinagogat ‘ku lartësohet emri i Zotit.’ Maria, e ëma e Krishtit, deklarohet si gruaja më e nderuar e të gjitha kombeve teksa klerikët e krishterë dhe hebrenjë hynë në kategoritë e mbrojtura në ligjin islam edhe në kohë lufte së bashku me gratë, fëmijët e civilët.

Por librat e shenjtë janë në një farë mënyre pasqyra të lexuesve të tyre. Cilat vargje të tërheqin ty më shumë, cilat të frymëzojnë e të motivojnë më shumë? Përgjigja mund të tregojë më shumë për besimtarin se sa për librin të cilit ai i beson. Por ajo që kam dashur të sugjeroj është se toleranca apo intoleranca në fe nuk janë asnjëherë kategori të ndara nga politika, historia, ekonomia etj. Si e tillë, dhuna fetare – e ndarë nga elementët sekularë të botës që e rrethojnë, nuk egziston.

Në librin e tij The Myth of Religious Violence, William Cavanaugh shkruan: “… nuk ka esencë transhistorike dhe transkulturore të fesë dhe se përpjekjet esencialiste për të ndarë dhunën fetare nga dhuna sekulare nuk janë koherente.” Në shoqëritë perëndimore, shkruan Cavanaugh, përpjekja për të krijuar një koncept transkulturor e transhistorik të fesë si e prirur ndaj fesë është një prej miteve themeltare dhe legjitimues të shtetit kombëtar, liberal. Miti i dhunës fetare ndihmon në konstruktin dhe më tej margjinalizimin e Tjetrit fetar, të prirur ndaj fanaticizmit dhe në kontrast ndaj subjektit sekular, racional e paqedashës.

Ky mit mund të përdoret për politika të brendshme për të margjinalizuar praktika dhe grupe të etiketuara si fetare në të njëjtën kohë që mbështet monopolin e shtetit kombëtar mbi vullnetin e qytetarit për tu sakrifikuar apo për të vrarë. Në politikën e jashtme, miti i dhunës fetare shërben për të etiketuar rende shoqërore josekulare, vecanërisht shoqëritë muslimane, në rolin e të ligut: “Ata nuk kanë mësuar ende të largojnë influencën e fesë nga jeta politike. Për këtë arsye, dhuna e tyre është irracionale dhe fanatike. Dhuna jonë, duke qenë se është sekulare është racionale dhe për hir të paqes e nganjëherë me keqardhje na duhet të bllokojmë dhunën e tyre. Gjendemi të obliguar t’i bombardojmë drejt demokracisë liberale.” (po aty).

Ky mit i lejon Presidentit Obama të flasë në fjalimin e mbajtur në Ansamblenë e Kombeve të Bashkuara për ‘fanatikë me motive fetare’ pa adresuar asnjëherë pushtimin amerikan të Irakut.

Në një artikull të botuar në faqen e Departamentit të Teologjisë në Universitetin e Chicago me titull Hoë not to understand ISIS, Alireza Doostdar shkruan ndër të tjera se ne dimë shumë pak për ISIS dhe aq sa dimë është e bazuar në atë që thotë ISIS për veten në videot propagandistike, të cilat shpien drejt shpjegimit të asaj që po bën ISIS në kuadrin e kredos fetare të selefizmit dhe dëshirës për të krijuar një kalifat.

“Të fokusohesh në deklarimet doktrinare do na bënte të besonim se e gjitha forca ushtarake e ISIS është e motivuar nga një formë e ashpër dhe strikte e Islamit selefi. Kjo është mënyra se si ISIS do që ti shohim gjërat dhe kjo panoramë propagandohet shpesh edhe nga mediat kryesore…

Një zëdhënës i Pentagonit citohet në të njëjtin reportazh të thotë se SHBA nuk ka ndër mend thjesht të dobësojë dhe shkatërrojë … 20,000 gjer në 30,000 (ushtëtarë të ISIS)… Synimi është të shkatërrohet ideologjia e tyre.”

Problemi me këto deklarime, shkruan Doostdar, është se sugjerojnë se ISIS është një fenomen që u krijua papritmas prej një doktrine të ligë. “Por ISIS doli nga flakët e luftës, pushtimit, vrasjeve, torturave dhe shtypjes. Nuk ju desh të shiste doktrinën për të fituar rekrutë. I duhej mbi të gjitha të provonte se ishte efektive kundra kundërshtarëve të vet.”

Vëmendja mediatike është fokusuar shpesh në rekrutët nga jashtë, sidomos nga perëndimi apo në rastin e mediave shqiptare në rastin e atyre që kanë vajtur nga Kosova dhe Shqipëria, por pjesa dërmuese e ISIS janë luftëtarë nga Iraku dhe Siria. Vazhdon Doostdar:

Në Irak, qytetet që sot kontrollohen nga ISIS ishin ndër më rezistentet ndaj kontrollit amerikan gjatë pushtimit si dhe më kundërshtueset ndaj shtetit të ri që u formua. Shkatërrimi që përjetuan këto qytete duket të ketë forcuar kundërshtinë e tyre. Faluxha, qyteti i parë që ra në duart e ISIS është i famshëm për mënyrën se si u shkatërrua gjatë luftës amerikane kundra rezistencës në 2004. Ai qytet ende përballet me trashigiminë e ritjes së rasteve të kancerit, mutacioneve gjenetike, defekteve në lidje dhe mangësive të tjera si rjedhojë e uraniumit të dobët në municionin amerikan. Në Mosul, shumë prej atyre që ju bashkuan ISIS verën e kaluar ishin burgosur më parë nga qeveria irakene. Ata ishin në mijëra dhe përfshinin protestues paqësorë që kundërshtonin sundimin autoritar të kryeministrit Nuri al Maliki.”

 “… Theksimi i botkuptimit selefi të ISIS ka hedhur hije mbi pakënaqsitë e shumta që motivojnë luftëtarët t’i bashkohen një grupi militant efektiv që premton të mposhtë kundërshtarin e tyre. A u duhet atyre të ‘konvertohen’ në botkuptimin e ISIS për të luftuar për ta? A u duhet atyre të aspirojnë për kalifat, ashtu si udhëheqja e ISIS, për të bashkuar forcat me ta? Këto pyetje nuk bëhen, dhe mjaftohet të jepet si shpjegim “besimi” për të mbushur boshkllekun kuptimor të asaj që po ndodh.”

Sigurisht që është komode të shpjegosh dhunën brutale të ISIS me terma fetarë, me selefizëm apo vehabizëm, sepse nuk kërkon përgjegjsi për gjendjen e tmerrshme të krijuar pas pushtimit amerikan dhe legjitimon vazhdimin e dhunës së aktorëve racionalë, sekularë ndaj një armiku që nuk kupton gjuhë tjetër, pasi është i motivuar nga ‘besim fanatik.’ Ideja e Dhunës Fetare, pa histori, pa politikë, pa kontekst por vetëm për hir të disa teksteve fetare i shërben ISIS që krijon profilin e vet si ringjallës të kalifatit të teksteve fetare po aq sa i shërben Perëndimit në legjitimimin e bombardimeve gjer në kënaqjen e korporatave të armatimit dhe naftës e në kontrollin e zonave të influencës.

Dhuna fetare, sic vëren Cavanaugh, por edhe bashkëjetesa fetare, nuk janë kategori të ndara nga shoqëria, nga politika nga sekularja e prandaj diskutimi i izloluar i dhunës apo bashkëjetesës fetare në Shqipëri apo në botë si kategori esenciale është retorikë pa koherencë e nuk mund ti qëndrojë testimit analitik.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *