ardian-ndrecaV. Popaj

Duke shfletuar virtualisht gazetat shqiptare na tërhoqi vëmendjen një shkrim mbi historiografinë i botuar tek Mapo me autor Ardian Ndrecën. Përveç përgëzimit të Kryeministrit, Ndreca shkruan:

“Historinë nuk e shkruejnë as politikanët, as tifozat dhe as oborrtarët që dijnë veç me iu lëpí të fortëve, ajo shkruhet vetëm prej historianëve të mirëfilltë, specie jo endemike kjo në Shqipní. Por, për popuj si ne të Ballkanit që hamë bukë dhe histori lypet edhe vullneti i shëndetshëm me harrue apo mos me kujtue gjithçka të keqe që kemi provue në të kaluesen”.

Është vërtetë një hap i rëndësishëm i hedhur nga një intelektual shqiptar, i cili pa qenë historian shkroi në vitin 2008 kritikën medievistike Kur “Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut: dy fjalë rreth librit “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmitt, dhe 5 vite më vonë nënshkroi një peticion, ku kërkohej mosndërhyrja e Turqisë në rishkrimin e historisë dhe për habi jepeshin linja të qarta se si shqiptarët duhej të raportoheshin me një periudhë 5 shekullore. E tërë lista kishte vetëm 5 historianë. Atëherë Ndreca nënshkroi një deklaratë ku çdo person që i kishte shërbyer administratës osmane nuk kishin vlerë për historinë shqiptare. Po limitohemi të kujtojmë si shembuj vetëm ca administratorë si Vaso Pashain, Sami Bej Frashërin e Ismail Bej Qemalin:

“Pushtimi osman shkaktoi një gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar. Ai e ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit. […] Pashallarët, ushtarakët, zyrtarët apo shtetarët e lartë të Perandorisë Osmane, qofshin këta edhe kryeministra që i kanë shërbyer Portës së Madhe, pavarësisht nga origjina e tyre shqiptare nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare”.

Kësaj i thonë të harrojmë historinë e përgjakshme me sllavët dhe të promovojmë kujtesën e osmanëve. Pastaj Ndreca vijon me idealet e historiografisë:

“Ndaj historisë duhet të kemi nji “shqetsim kritik”, çdo fakt apo interpretim që kalon doganën e historisë pa pasë kalue në mënyrë kritike në tryezën e historianit ndërton vetminë tonë dhe na pengon me dialogue […]”.

Kritika është motori i vërtetë i historiografisë, por fundja edhe i individit. Problemi është të përcaktohet se çfarë konsiderohet kritikë dhe kush ka tagrin ta ushtrojë. Është kritikë sajesa? “Për me mbështet tezën e tij”, nënvizonte Ndreca tek kritika ndaj Schmitt-it, “historiani zviceran nuk paraqet dokumenta tjera, përpos atyne sllave”, duke sajuar një realitet të pavërtetë, pasi referencat e historianit zviceran mbeten kryesisht venedikase. Madje edhe kontradiktor, pasi vetë Ndreca citon burime sllave, e në disa kundër-argumentime citon vetëm burime sllave. Është kritikë historike seria e lloj-lloj etiketave përçmuese dhe akuzave etiko-profesionale? T’i thuash historianit “sharlatan”, dhe pa qenë vetë kompetent në atë fushë, është kritikë shkencore dhe etike? Me këtë mendësi i drejtohej Clayer-it:

“Nji sish asht edhe Nathalie Clayer, me sa kemi lexue nji inxhiniere gjeologe e specializueme në orientalistikë që tek ne ka gjetë do sponsorë që janë mësue me shitë dushk për gogla”.

Apo kur shkruante për gjuhëtarin Memushaj:

“Ndoshta injorimi i këtyne fakteve do t’i ishte falë Memushajt në të ri të tij, kur ishte mes maleve, në vendlindjen e tij Kallarat, apo kur piqej si mësues katundi në Vranisht, Vajzë, Bolenë e Llakatund, por siç rezulton prej biografisë së tij në internet, prej moshës 31 vjeçare ai jeton e punon në Tiranë, dhe duhet të ishte emancipue sadopak tue e hjekë qafet sensin e inferioritetit dhe paragjykimet”.

Në fund, artikulli mbyllet me “all we need is love”:

“Nuk asht e nevojshme që të duhemi, pse nuk ekzistojnë popuj vëllezën apo kombe motra, mjafton të njihemi, të respektohemi dhe të dialogojmë pafundsisht, tue shprehë diferencat dhe divergjencat tona, por të frekuentohemi pa komplekse”.

Pasi Tjetri është shpallur sharlatan, shpikës, hamendësues, gjeolog, sllav, serb, fshatar, i pa-emancipuar etj, behet disi e komplikuar të kuptohet se ku konsiston ky frekuentim pa komplekse apo harresa e të keqes. Po fundja Rama e paska dhënë një rezultat pozitiv. Të presim tani vëllazërimet. Ama me të gjithë, përfshi bejlerë e pashallarë të kuq, ish-komunistë si Berisha e bllokmenë si Rama. Rregullat duhet të jenë qarta, jo ca janë pushtues e ca vëllezër, ca me të kaluar komuniste e ca komunistë burra shteti, përndryshe ngjasojnë si selektime pindarike të përziera me krundet e interesave.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *