Xhamia e madhe, fotoshopi vazhdon





Xhamia-e-namazgjase-445x300Anton Cara

Pas ecejakeve të vazhdueshme të zyrtarëve të KMSH-së në dyert e qeverisë që ka ndryshuar tashmë titullarë (rrjedhimisht dhe qëndrim në lidhje me xhaminë e shumëpërfolur të Tiranës), kemi dhe modifikime interesante në projektin e shfaqur së fundmi. Modifikimet në fjalë, kështu me sy të lirë, aq sa na lejohet për t’i vërejtur, nuk duket se kanë të bëjnë me çështjen e koklavitur të pronësisë që rëndon atmosferën e lajmit për ndërtimin e saj. Për arsye që askush nuk arrin t’i kuptojë, KMSH këmbëngul verbërisht në projektin e saj, i cili evokon një stil monumental xhamie të një epoke të hershme të arkitektures perandorake osmane. Mbase këmbëngulja për këtë stil aritektonik arkaik është e investitorit kryesor të saj, zyrës së vakëfit të Dianetit turk, që për arsye të vetëkuptueshme, përcakton tipin dhe volumin e projektit. Pas amullisë që shoqëroi ngriva-shkrivat e qeverisë për lejen e ndërtimit, si dhe pas “këshillës” për të mos pasur një “xhami me supermerkato”, projekti përfundimtar është zbukuruar me fotoshop nga i ngeshëmi i radhës.

Po të krahasosh fotot e projekteve, atë të lançuar në prag të fushatës elektorale dhe këtë të fundit të zbukuruar nga qortimi kryeministror, shohim disa risi apatike. Së pari shohim një tapet të gjelbër, pasuruar me shkurre dekorative në anën lindore dhe jugore të ndërtesës, atje ku në projektin e parë të vriste sytë sipërfaqja e betontë. Kemi një përgjysmim dramatik të dyqaneve apo ambienteve funksionale që shtrihen në katin përdhés, dhe fasada e atyre që mbesin stilizohet me harkada tipike për arkitekturën në fjalë. Vendin e dyqaneve të avulluara nga projekti i parë e zë një brez i gjelbërt skarpat, i cili ndërpritet në tre pika të saj. Në fillim ndërpritet nga një palë shkallë që i përngjajnë atyre që lëvizin lart poshtë në qendrat tregtare. Një palë të tjera ngjiten nga trotuari përbri, dhe ndërpriten në mes nga një xhami 2sheshpushim i gjerë. Në skajin tjetën të këtij brezi, kemi një prerje të sipërfaqjes që futet nën dhé, ngjashme me atë të hyrjes së një stacioni metroje ose të një parkingu pallati.

Risi tjetër është shadërvani për abdesin, i cili në rastin e parë është i paqartë si objekt, në këtë të dytin duket dukshëm pasi është i mbuluar me strehë plumbi. Vendosja e saj aty ku takohen “Rruga e Elbasanit” dhe ajo që të shpie drejt Parlamentit, mase është përzgjedhur kështu për të joshur kalimtarët që lëvizin në të dy kahjet, por e sigurtë është se prej aty do të ofrohet spektakël me stërkala dhe kostumografi përveshur. Risi tjetër është dhe një rimodelim i ri i një serie dritaresh. Diku ato zvogëlohem e diku stërzgjaten, ndërsa në një fragment tjetër të fasadës ato shumëzohen për dy në drejtimin lart poshtë.

Nuk jemi të sigurtë nëse ky është projekti përfundimtar i xhamisë së shumëpritur nga publiku (në fakt, ky është fotoshopi i rradhës, pasi projekt nuk kemi parë ende, pavarësisht se gropa është hapur paraprakisht). Por nuk mund ta fshehim dëshirën që përveç marrëveshjes së drejtë me komshinjtë përbri, të kemi një projekt tërësisht të ri dhe jo përpjekje periodike për retushime volumesh dhe zhvendosje detajesh. Nuk kuptohet përse projektin e xhamisë, të cilës ia ngjiti dhe ia preu shiritn, kryeministri nuk e miratoi pas një konkursi arkitekture, kur dijme se ai ka pasur ngenë të organizonte konkurse edhe për ndonjë urë modeste apo edhe për ndonjë pallat me supermerkato. Sidoqoftë dështimi në këtë segment të ngjarjes duhet pohuar së është tërësisht i yni si bashkësi besimtarësh. Kur hijeshojmë ngrehinat e shtëpiave tona përzgjedhim profesionistë, ndërsa kur ndërtojmë shtëpinë kryesore të adhurimit, kthejmë shpinën dhe si ndërmarrje ia dorzojmë të paaftëve të radhës.

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *