Mevludi shqiptar në Kembrixh





mevlud_durresE-zani

 

Qendra Studimore fetare “Erasmus” në bashkëpunim me “Muslim Academic Trust” me qendër në Kembrixh kanë bërë të mundur regjistrimin dhe publikimin për një publik ndërkombëtar të mevludit të Hafiz Ulqinakut në gjuhën shqipe. Rregjistrimi i këtij mevludi është bërë në vitin 2013 në xhaminë Fatih të Durrësit (ndërtuar në vitin 1503) dhe u bë i mundur falë ndihmës dhe bashkëpunimit të përzemërt të myftinisë së këtij qyteti. Mevludi i hafiz Ulqinakut (v. 1873) është një përkthim dhe përshtatje e mevludit të famshëm Osman të shkruar nga Sulejman Celebi (1351-1422). Në këndimin e mevludit morën pjesë recitues nga zona të ndryshme të Shqipërisë si edhe ai u recitua sipas mekamateve specifike të secilës zonë. Faqja jonë e ka raportuar këtë event nëpërmjet një reportazhi të Elton Hatibit, të botuar pak ditë ditë pas mbajtjes së tij.

Projekti është pjesë e një përpjekje nga Imami i xhamisë së Kembrixhit, Sheh Abdyl Hakim Murad, për të ruajtur në formë të regjistruar trashëgiminë kulturoro-fetare të vendeve të ndryshme Islame, siç janë p.sh. këngët popullore me tekst fetar, ilahitë, poezitë fetare, mevludet etj. Synimi i projektit është të tregojë pasurinë kulturore dhe fetare të vendeve myslimane si edhe shumëllojshmërinë e perceptimeve fetare dhe të formave të celebrimit të aspekteve të ndryshme fetare. Profesor Murad, ka shfaqur interes për Shqipërinë duke bashkëpunuar me Qendrën Erasmus, e cila ka sjellë në shqip librin e tij “Besimi, Arsyeja dhe Shpallja: pikëtakimet e reja”, të pajisur me një parathënie të posaçme të autorit, për botimin shqip.

Pas një pune të gjatë tashmë, mevludi në gjuhën shqipe i paraqitet publikut mbarëbotëror me cilësine HD përmes websitit të menaxhuar nga Muslim Accademic Trust. Video e Mevludit është shoqëruar edhe me një tekst në gjuhën angleze, të përpiluar nga Rezart Beka*, i cili synon të shërbejë si udhërrëfyes për publikun e gjerë dhe i cili flet rreth rëndësisë kulturoro-fetare të mevludit në gjuhën shqipe, si edhe rreth jetës dhe veprës së Hafiz Ulqinakut. Mevludi është bërë i disponueshëm online kundrejt një shume simbolike e cila do të shkojë për ndërtimin e xhamisë së re të Universitetit të Kembrixhit.

Në hyrje të udhërrëfyesit në gjuhën angleze, imami i xhamisë së Kembrixhit dhe njëkohësisht profesor në të njëjtin universitet shkruan rreth këtij mevludi dhe nismës së ndërmarrë nga qendra “Erasmus”:

“Ky regjistrim është një dhuratë për projektin tonë të ndërtimit të xhamisë re të Kembrixhit nga një grup studentësh së dijes së shenjtë tradicionale nga toka fisnike myslimane e Shqipërisë. Ndjehemi krenarë të paraqesim këtë regjistrim, i cili sjell një panoramë unike të një skene pastërtisht tradicionale të një jetë xhamie ballkanase. [Regjistrimi i mevludit] është sjellë në anglisht duke u bazuar pjesërisht në përkthimin që E.J.W. Gibb i ka bërë mevludit të Sulejman Celebiut (Zoti e mëshiroftë). Shumë prej recituesve i përkasin gjeratës së vjetër të cilët publikisht e kanë mësuar dhe janë dashuruar me mevludin para ndalimit zyrtar të fesë në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhes në vitin 1967, si edhe e kanë praktikuar atë fshehurazi pas kësaj date. Ndërmjet viteve 1967-1992 dijetarët dhe hoxhallarët myslimanë janë përqeshur, torturuar dhe burgosur për shkak të besimit të tyre. Xhamitë e vendit u mbyllën dhe shumë prej tyre u shkatërruan. Sipas një ligji të vitit 1967 mos pranimi i ateizmit dënohej automatikisht me dhjet vjet burg. Shumë hoxhallarë u vranë, ndër martirët e kësaj kohe kujtojmë kryemyftiun Hafiz Ibrahim Dibra dhe myftiun e Durrësit Mustafa Efendi Varoshi”

Shpresojmë që publikimi i këtij mevludi nga një organizatë serioze si “Muslim Academic Trust” të jetë një ndihmesë, sado e pakët, për të bërë të njohur ndërkombëtarisht vlerat fetare dhe kulturore të Islamit në Shqipëri si edhe për të treguar unikalitetin, origjinalitetin dhe pasurinë e celebrimit të mevludit në gjuhën shqipe.

 

*Ndonëse në udhërrëfyesin në gjuhën angleze Rezart Beka figuron si autor i tekstit në fakt më shumë se autor ai eshte perpilues dhe përshtatës i tij në gjuhën angleze.

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *