Karikaturat ndaj ProfetitGerdi Demneri

Një nga mrekullitë e fesë islame është që njerëzit nuk ka asnjë sfidë apo sprovë për të cilën Kurani dhe tradita profetike të mos kenë ofruar zgjidhjen dhe udhërrëfimin për t’i përballur. Ndonëse parimisht të gjithë myslimanët e pranojnë se kjo është e vërtetë, ata kanë dështuar shpeshherë të përfitojnë nga kjo mrekulli. Myslimanët duhet të kërkojnë udhëzim në librin e Zotit dhe në traditën profetike edhe për situatat e krijuara me lëndimin e ndjenjave të tyre nga botimi i karikaturave fyese ndaj Profetit nga revista satirike Charlie Hebdo.

Disa myslimanë u përgjigjën në mënyrë të dhunshme, duke vrarë gazetarët dhe karikaturistët e revistës në fjalë, një akt i dënueshëm dhe absurd, tërësisht i pambështetur në dispozitat e jurisprudencës islame për të tilla situata. Kjo solli rritjen e islamofobisë, duke i akuzuar myslimanët si refuzues të kritikës dhe mendimit ndryshe, ndërkohë që myslimanët i kanë konsideruar karikaturat ndaj Profetit si abuzim me parimin e lirisë së shprehjes, ndaj të cilit ata nuk kanë asnjë kundërshtim, për aq kohë sa liria për t’u shprehur nuk shndërrohet në liri për të fyer.

Në këtë trajtesë do të përpiqemi të gjejmë udhëzimin që vjen nga libri i Zotit dhe nga vetë modeli profetik për sprovën e ballafaqimit me fyerjet dhe shpifjet ndaj Profetit, paqja qoftë mbi të. Duke ua zbuluar myslimanëve këtë sprovë që do t’u ndodhë në të ardhmen, Zoti shpalos në Kuran edhe rrugën që duhet të ndiqet: është durimi, kthimi i të keqes me të mirë dhe ruajtja nga të rënit në provokim, sepse synimi kryesor i besimtarit nuk është përgjigja ndaj ngacmimeve, por të ruajtja e të qenit gjithnjë i vetëdijshëm për Zotin. Dy ajetet në vijim janë ilustruese pikërisht të këtyre parimeve.

“S’ka dyshim, do tësprovoheni patjetër në pasuritë dhe vetet tuaja, s’ka dyshim se do dëgjoni patjetër prej atyre që u është dhënë libri përpara jush, dhe prej idhujtarëve, shumë fjalë lënduese! Por nëse bëni durim dhe keni vetëdije për Allahun, këto pa dyshim janë prej gjërave që duan vendosmëri!” (Al Imran, 186)

Në komentimin e këtij ajeti, Ismail Haki el-Buruseuij, dijetar i fillim shekullit të 18-të shkruan se:

“Zoti i paralajmëroi besimtarët për këto fjalë lënduese përpara se të ndodhnin, në mënyrë që të përgatiteshin për të duruar dhe përballuar situatat e padëshiruara që do të hasnin. Ai u thotë se nëse do bëjnë durim ndaj këtyre vështirësive dhe sprovave, dhe do i përgjërohen tërësisht vetëm Atij dhe shmangin çdo gjë tjetër përveç Tij, atëhere ta dinë se durimi dhe vetëdija për Zotin janë prej cilësive që kërkojnë vendosmëri për t’u arritur”.

Kundërvënia ndaj lëndimit po me lëndim çon në shtimin e së keqes, prandaj besimtarët janë urdhëruar të bëjnë durim në mënyrë që të minimizojnë dëmet në këtë botë, si dhe janë urdhëruar të jenë të vetëdijshëm për Zotin që të minimizojnë dëmtimin e tyre në botën e përtejme. Në këtë mënyrë ajeti përmbledh etikën e dobishme për këtë botë dhe tjetrën. Kështu njeriu i arsyeshëm duhet të mvishet me cilësitë e profetëve dhe njerëzve të devotshëm, të cilët i duruan ofendimet dhe nuk ju përgjigjeshin mendjelehtëve me të njëjtën monedhë.

Në një ajet tjetër të Kuranit Zoti thotë:

“Nuk është njësoj e mira me të keqen! Të keqen zmbrapse me atë që është më e mirë, sepse ai me të cilin kishe armiqësi do të bëhet një mik i afërt!” (Fusilet, 34)

Imam Taberiu shprehet kështu rreth këtij ajeti:

“Zoti i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij ta zmbrapsë me vetëpërmbajtje injorancën e atyre që sillen me marrëzi, të falë ata që i sillen me ligësi, si dhe të bëjë durim ndaj shqetësimeve që i vijnë nga ana e tyre. Bëj këtë që të kam urdhëruar o Muhammed – i thotë Zoti – zmbrapse të keqen e të ligut me dashamirësinë tënde për të cilën të kam urdhëruar t’ja përçosh atij, sepse ai që sillej keq me ty, dhe me të cilin kishe armiqësi, për shkak të devocionit tënd ndaj tij do të bëhet një mik i afërt në fis me ty.”

Ibën Abasi ka thënë:

Allahu i ka urdhëruar besimtarët të bëjnë durim kur janë të zemëruar, të vetëpërmbahen dhe të falin kur të tjerët sillen me ligësi sepse, po t’i bëjnë këto, Zoti do t’i mbrojë nga djalli dhe do jua nënshtrojë armikun e tyre, sikur të ishte një mik i afërt.

Nëse vetëpërmbajtja nga kundërveprimi është një mënyrë e reagimit ndaj lëndimit dhe zmbrapsja e së keqes me më të mirën është e një shkalle sipërore, ekziston edhe një mënyrë e tretë reagimi: shpërfillja e fyerjeve. Kjo shpërfillje buron nga fakti që Zoti i Madhërueshëm ka krijuar mënyra të ndryshme për ta ruajtur figurën e të Dashurit të Tij, aq sa lapsat dhe gjuhët e atyre që tentojnë të fyejnë Profetin nuk arrijnë ta prekin atë.

Myslimanët nuk i kanë bërë kurrë portret Profetit, kështu që asnjë satirizues nuk ka përpara syve një imazh të vërtetë të Profetit kur mundohet ta karikaturojë atë. Nga keqdashja, padituria, apo ndonjë arsye tjetër, ata që janë përpjekur të shkelin mbi figurën e Profetit ia kanë shtrembëruar emrin në shqiptim, ashtu si gazetarët e Charli Hebdo-së, të cilët në vend që ta quajnë Profetin me emrin Muhammed e thërresin Mahomet. Në realitet, me karikaturat e tyre ata kanë satirizuar një njeri me emrin Mahomet, dhe jo Profetin e vërtetë Muhammed.

Drejt një këndvështrim të tillë na ka tërhequr vëmendjen edhe Profeti, teksa u ka transmetuar këtë mesazh shokëve të tij në një hadith të regjistruar nga Buhariu:

“A nuk mrekulloheni se si Allahu po i shmang prej meje fyerjet dhe mallkimet e kurejshëve?! Ata po shajnë Mudhemmem-in, e po mallkojnë Mudhemmem-in, ndërkohë që unë jam Muhammed-i!”

Për të lënduar Profetin, idhujtarët mekas e shtrembëronin emrin e tij, nga Muhammed në Mudhemmem. Emri Muhammed derivon nga fjala hamd që do të thotë lavdërim dhe ka kuptimin “i lavdëruar”, ndërsa emri Mudhemmem derivon nga fjala dhemm dhe ka kuptimin “i përçmuar”. Duke përdorur cilësinë fjalëformuese të arabishtes, kurejshët etiketuan Profetin me një emër që rimonte si emri i tij i vërtetë dhe shpaloste në të njëjtën kohë gjithë mllefin dhe urrejtjen e tyre.

Myslimanët e atëhershëm janë ndjerë të prekur nga fyerjet e adresuara ndaj Profetit, por vetë i Dërguari i Zotit, me urtësinë e tij, i çliroi ndjekësit e tij nga kjo brengë, duke pohuar se, në fakt, i përçmuar dhe i qortueshëm është ai që fyen, jo i fyeri. Me këtë ai u kërkon besimtarëve që të mos reagojnë ndaj fyesve, sepse ligësia e tyre nuk mbërrin deri tek pastërtia e besimtarëve. Provokuesit nuk meritojnë përgjigje, por vetëm shpërfillje. Ky është reagimi më i mirë që duhet të ofrojnë ata që i nënshtrohen Zotit.

Në fakt, askush nuk mund ta cënojë emrin dhe figurën e Profetit, njeriut më të mirë që ka ecur në sipërfaqen e kësaj toke. Karikaturat e revistës Charlie Hebdo paraqesin një figurë të sajuar prej saj, ku personazhi që pretendohet të jetë Profeti quhet Mahomet, të cilit i mvishen veprime e cilësi që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin e Muhammed-it të vërtetë. Pra këto imazhe nuk kanë asnjë lidhje as në pamje, as në sjellje e as në emër me Profetin tonë, paqja qoftë mbi të! Karikaturat e revistës Charlie Hebdo nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë përsëritur pas 1,400 vjetësh mrekullinë që Profeti ju vuri në dukje shokëve të tij: “A nuk po mrekulloheni se si Allahu po i shmang prej meje fyerjet dhe mallkimet e tyre?!”

Comments

  • Faleminderit, i nderuar, per kete sqarim kaq te vyer. Personalisht me ke lehtesuar shume mendime qe me gelonin ne koke ne lidhje me ceshtjen e karikaturave.
    Zoti ta shperblefte

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *