Hebdo-ja satirike nuk është Franca





Charlie HebdoThibaud Collin*

«Unë jam Chalie». Suksesi i sloganit do të thotë se shumë qytetarë francezë gjejnë veten në frymën e përbuzjes së shfaqur nga revista e përjavshme; gabim i dyfishtë etik dhe politik. Argumenti për të justifikuar një identifikim të tillë është se vrasësit, “duke vrarë Chalie-in”, sulmuan lirinë e shprehjes, vlerën fondamentale të republikës sonë. Kjo revistë nuk ka ndalur së përdoruri lapsin për të fyer besimet fetare dhe për të tallur çdo institucion dhe autoritet. Por a nuk gjendet liria në një ansambël më të gjerë: përgjegjësia, respektimi i tjetrit dhe më së pari funksionimi i arsyes?

Liria, në diskutim, është ajo e shprehjes së asaj që arsyeja shpall. Ose ajo e një mjeti njohjeje, gjykimi, argumentimi dhe bash në këtë shenjë ajo angazhon fuqinë e saj kritike të refuzimit. Të identifikosh lirinë e shprehjes me një të drejtë absolute të vetme, të drejtën për të shokuar tjetrin në atë që atij i duket më e shenjta gjë, është një kundërsens mbi atë që arsyeja është. Sigurisht që kemi të drejtën të gjejmë të rrezikshmen apo të tejkaluarën tek besimet dhe praktikat fetare, por a nuk është më e arsyeshme, më efikase të diskutojmë se sa të fyejmë? Shkurt, ka një etikë të arsyes.

Blasfemuese

Gabimi është gjithashtu i natyrës politike. Është e dukshme se një shumicë e madhe myslimanësh janë skandalizuar nga publikimi i vizatimeve të cilat për ta janë blasfemuese. Disa e rregullojnë këtë gjë duke u kufizuar në një qasje ngurtësisht juridike: “Krimi i blasfemisë nuk ekziston që prej shumë kohësh në të drejtën franceze” për të konkluduar në një të ashtuthënë “e drejtë për të blasfemuar”; sikur të fyesh dikë të ishte një e drejtë e njeriut. Ti bësh të besojnë myslimanët e Francës se “Charlie” është Franca”, është të pranosh idenë e shumë njerëzve që, përfundimisht, ata janë një trup i huaj politik. Si mund të ndjehen ata anëtarë të komunitetit kombëtar në qoftë se ky zgjedh për simbole ato që godasin besimin e tyre më të shenjtë? Një operacion i tillë është mjeti më i mirë për të krijuar hendek të pakalueshëm në shpirtrat dhe zemrat. Ti kërkosh një myslimani të bëhet qytetar i mirë duke iu bashkangjitur vlerave të republikës të cilat mishërohen tek Charlie, praktishkisht do të thotë ta përjashtosh atë nga kombi dhe ta hedhësh në krahët e islamistëve, të cilët vetëm këtë gjë po presin. Të mos biem pra në kurthin që na kanë ngritur: ti ndajnë myslimanët e Francës nga komuniteti kombëtar.

 

Le Monde

Thibaud Collin është professor i filozofisë në Kolegjin Stanislas

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *