et-hem-bey-moscheee-zani.

Pak më shumë se dy vjet më parë, kur në ShBA u prodhua një film kundra Islamit, anë e mbanë botës shumë muslimanë bënin thirrje për reagime që synonin të tregonin zemërimin e muslimanëve ndaj këtij palo filmi. Në atë kohë, postuam këtu tek e-zani një shkrim ku ndër të tjera thuhej:

Në fakt, ne duam të bëjmë thirrje për MOSREAGIM!!! Një tjetër gazetë franceze botoi karikatura kundra profetit, paqja qoftë mbi të. Atëherë a do kalojnë myslimanët ditët e vitit duke reaguar për secilin individ në botë që do të lëshojë fyerje për myslimanët? Pse duhet reaguar ndaj një filmi që nuk bën 5 groshë, që përpara se myslimanët t’i jepnin vëmendje, nuk i kish hedhur sytë askush? Fatkeqsisht, disa pamje protestuesish duken shumë të ngjashëm me klipe nga filmi. Kush po e ushqen karikaturën e fundamentalistit, me mjekër e më shkop në dorë për të thyer dyqane apo c’të dalë përpara? Kush e ka kthyer mjekrën e traditës profetike në simbol të ekstremizmit fetar? Guxoj të them se filmi është aq i dobët e aq qesharak sa nuk më inatos fare dhe ajo që në fakt më ka inatosur është reagimi i myslimanëve kudo në botë. Për ne myslimanët shqiptarë është e rëndësishme të kujtojmë se myslimanët në Libi apo në Egjipt apo kudo në botë as nuk na pyesin e as nuk na marin mend për gjërat që bëjnë. Vërtet ne jemi bashkësi globale besimtarësh e prandaj ne lutemi që Zoti tu japë mbarësi, por ne nuk mund të lejojmë që të jemi vazhdimisht duke dhënë hesap për gjëra që ndodhin larg nesh e për të cilat nuk na mer mendim kush. Ne kemi sfidat tona e duhet të dimë të mbajmë një distancë të shëndoshë nga të tilla ngjarje.

Ky pasazh u citua në atë kohë në revistën Mapo në një shkrim të Vladimir Karaj si një tregues i qëndrimit të muslimanëve shqiptarë. Në këtë postim, gazeta franceze të cilës i referohemi është Charlie Hebdo. Dy vite e gjys më pas ndodhën vrasjet në Paris. Ditën kur lajmi u bë i ditur, një nga administratorët e kësaj faqeje bëri një koment sa të drejtëpërdrejtë e po aq të pa elaboruar në faqen tonë në FB: “C’janë këta kafshë?” Më shumë se sa një reagim që kërkonte të shprehte ndonjë lloj distancimi, ky ishte një reagim njerëzor i ardhur nga lajmi i vrasjes së 12 njerëzve.

Në shtypin shqiptar pati një sërë artikujsh fill pas ngjarjeve në Paris e në njërin prej tyre, shkruar nga z. Mustafa Nano, thuhej:

Nuk lipset ndonjë inteligjencë e madhe për të kuptuar se të parët që e pësojnë nga akte të tilla terrorizmi janë vetë myslimanët, që mbeten prore objekt paragjykimesh. Po kështu dhe feja e tyre. Reagimet apatike, në mos të hareshme, të një pjese myslimanësh pas ngjarjesh të tilla i bëjnë të tjerët të mendojnë se problemi nuk janë ekstremistët e terroristët, por është vetë Islami. Dhe kjo gjë nuk është se është thjesht e gabuar. Kjo është edhe e rrezikshme. E rrezikshme për të gjithë.

Ky duhet të jetë dhe shqetësimi i myslimanëve shqiptarë, mirëpo këta të fundit – është e dhimbshme dhe e trishtuar kjo gjë – nuk janë duke marrë pjesë në diskutimin publik që ka lindur pas aktit terrorist të Parisit. Është lëshuar vetëm një deklaratë nga ana e Komunitetit Mysliman (duhet thënë se ish një deklaratë e qartë), dhe kaq. Intelektualët e besimit mysliman, ndërsa nuk i zë gjumi pa reaguar edhe kur, fjala vjen, dikush nuk bie dakord me praninë e simboleve fetare në mjedise publike, këtë herë nuk e panë të udhës të bënin qoftë dhe një belbëzim (në ‘Ezanin e Naltë’, një ëebsite i myslimanëve të moderuar të Tiranës, nuk është publikuar deri më sot asnjë shkrim lidhur me këtë ngjarje). Dhe përsëris: Duhet të ishin të parët që duhet ta ngrinin zërin e ta thoshin të tyren.

Jam i prirur të besoj se kjo thirrje e z. Nano, që muslimanët e në mënyrë të vecantë e-zani.com të distancohet nga krimet në Francë është e shtyrë nga një thirrje xhenuine që synon të qartësojë për publikun e gjerë se pjesa dërmuese e muslimanëve shqiptarë nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me ata muslimanë që vranë 14 qytetarë francezë. Në të njëjtën kohë është një vlerësim për rolin e këtij blogu si një zë i rëndësishëm i muslimanëve në sytë e mediave në vend. Por morëm shkas nga kjo thirrje e z. Nano për të eksploruar thirrjet e vazhdueshme që u bëhen muslimanëve për tu distancuar nga një akt terrorist apo një tjetër.

Max Fisher në Vox.com ka mbërthyer qartë atë që shumë muslimanë shohin të jetë e gabuar në këto thirrje. Fisher shkruan:

Kjo pritshmëri me të cilën përballim muslimanët, që të jemi tërësisht të qartë, është islamofobi dhe bigotri. Denoncimi (i akteve të dhunës nga muslimanët) është një formë apologjie: një apologji për Islamin dhe muslimanët. Implikimi është se nëse cdo musliman nuk shprehet qartë për të kundërtën, atëherë ai/ajo është i/e dyshuar se ka simpati për terrorizmin. Implikimi është, gjithashtu, se cdo krim i kryer nga një musliman bëhet përgjegjsi e të gjithë muslimanëve thjesht për shkak se kanë të njëjtën fe.

Ky lloj të menduari – të fajësosh një grup të tërë për veprimet e pak individëve, të supozosh më të keqen për dikë thjesht për shkak të identitetit të tij – është pikërisht përkufizimi i bigotrisë. Njëkohësisht është e njëjta logjikë që shpie francezët jo-muslimanë të zemëruar me vrasësist e Charlie Hebdo, që të sulmojnë xhamitë franceze të nxitur nga zemërimi i devijuar…

Ka ardhur koha ti japim fund këtij rituali: jo-muslimanët në të gjitha vendet, e sot më shumë se kudo në Francë, duhet më së fundmi të përqafojnë supozimin e duhur se muslimanët urrejnë terrorizmin po aq sa të tjerët dhe duhet t’i japin fund pritshmërisë që muslimanët janë të detyruar të provojnë pafajsinë e tyre, vetëm për shkak të fesë së tyre.

Supozimet bigote janë e vetmja arsye e mundshme që të egzistojë ky ritual, që do të thotë se mbajtja e këtij rituali është mbajtja e bigotrisë. Në të kundërt nuk do prisnim nga muslimanët që të dënonin sulmuesit e Charlie Hebdo – të cilët, nëse thanë të vërtetën në pretendimin se janë nga dega e al Kaidas në Jemen, i përkasin një grupi viktimat kryesore të të cilës janë muslimanët – në të njëjtën mënyrë që nuk kemi pritur nga të krishterët që të dënojnë Timothy MCVeigh. Ngjashëm, nëse dikush fajëson të gjithë hebrenjtë për aktet e kolonëve ekstremistë izraelitë në Bregun Perëndimor, ne menjëherë dhe me të drejtë do e rrefuzonim këtë qëndrim si të paragjykuar. Ne e kuptojmë se të tilla akuza janë të gabuara e plot urrejtje – por nuk e kuptojmë kur aplikohet ndaj muslimanëve.

Duke ju kthyer postimit të para dy viteve, ashtu si dhe ngajrjeve në Paris, a është e mundur të krijosh një profil e një ligjërim komunitar larg thirjeve qoftë për solidaritet apo distancim që vine nga realitete politike ku muslimanët shqiptarë nuk janë të përfshirë?

Të gjithë ata që kërkojnë nga muslimanët shqiptarë të distancohen nga akte terroriste si ato të Parisit mund të jenë të shtyrë nga qëllimet më të mira për të treguar që muslimanët shqiptarë janë qartazi larg akteve të terrorizmit. Por, kërkesa për tu distancuar supozon gjithashtu një fajësi kolektive të të gjithë aderuesve të fesë islame dhe kjo është nxitje e paragjykimeve, frikës, paragjykimeve dhe urrejtjes mbi baza fetare. Në të kundërt, ashtu si kemi shkruar më parë në këtë faqe, distanca ideologjike, gjeografike e politike është evidente.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *