Zhvillimi njerut dhe ekzistenca e Zotit





2392615866_e6eafe98ee (1)Woflhart Pannenberg [*]

Edhe në botën shekullare, që nga fillimet e saj, në jetën historike të ç’do qenieje njerëzore, ka qenë e pranishme dhe aktive, së paku në mënyrë implicite, dimensioni i një emocioni që nuk mund të quhet ndryshe vetëm se fetar. Kur për këtë dimension nuk gjendet gjuha e duhur, rezultati është njëlloj ngurtësimi në zhvillimin shpirtëror. Në fund të fundit, qenia njerëzore nuk është që prej fillimi një “Unë” (an “I”) që mbetet identik me vetveten përgjatë gjithë zhvendosjeve të eksperiencës, subjekti i unifikuar dhe unifikues i të gjithë sjelljeve, aktiviteteve dhe eksperiencave të tij. “Uni”, ashtu siç e ka konceptuar filozofia idealiste e subjektit, është një produkt fort i vonshëm i zhvillimit individual. Siç e dimë, fëmijët mësojnë ta përdorin fjalët “unë” mjaft vonë. Kjo ndodh vetëm pasi ata kanë mësuar të përdorin emrat e tyre në lidhje me trupat e tyre. Zbulimet e psikologjisë bashkëkohore të zhvillimit (si p.sh. kërkimet e Jane Loevinger-it) konvergojnë me observimet e nxjerra nga analiza e përvetësimit dhe përdorimit të gjuhës, ato dërgojnë në përfundimin se “Uni” nuk ekziston shumë përpara se përdorimi i fjalës të mësohet nga fëmija. Sidoqoftë, në fillim ekziston një “sferë simbiotike” (një periudhë e jetës së përbashkët) në të cilën fëmija nuk e diferencon ende veteveten nga nëna, por është i lidhur me të në një sferë të vetme të jetës. Vetëm pasi fëmija ka mësuar të dalloj objektet në botën e tij ai bëhet i aftë të kuptoj, në lidhje me këto objekte, se edhe ai në vetvete është i ndarë nga objektet e tjera. Siç e ka vërtetuar edhe psikologu social George Herbert Mead, në këtë eksperiencë, pritshmëritë dhe kërkesat e tjetrit luajnë një pjesë të rëndësishme. Por, madje edhe kur fjala “unë” fillon të përdoret, ajo nuk është ende, dhe nuk do të jetë e tillë për një kohë të gjatë, një “vete solide dhe e qëndrueshme”, në sensin e konceptit idealist të subjektit. Në fillim, “Uni” nuk është ende i mbrojtur nga mundësia e të shndërruarit, në çdo moment, në diçka tjetër. Stabiliteti i vetes është rezultat i një procesi rraskapitës të ndërtimit të identitetit. Ky proces, në pjesën më të madhe, mund të përshkruhet në terma të psikologjisë sociale si një brendësim i gjykimeve, pritshmërive dhe normave të nxjerra nga mjedisi social. Për të kuptuar atë që Erikson-i e ka quajtur “zhvillimi i shëndetshëm i personalitetit” kërkohet të kuptohet diçka tjetër, d.m.th. atë që Erikson-i e ka quajtur “mirëbesimi themelor” (“basic trust”)Kjo i referohet hapjes së fëmijës ndaj botës në të cilët ai rritet, një pritshmëri përkrahjeje, ushqimi dhe mbështetjeje. Sidoqoftë, të flasësh për “pritshmëri” është disi e tepërt sepse këtu nuk kemi ende një subjekt që mund të presë apo të bëjë diçka me aktet e mirëbesimit. Përkundrazi, fëmija në unionin e tij “simbiotik” me nënën, ekziston në një mënyrë vërtet themelore jashtë vetvetes. “Ekstazia” apo emocioni vjen para ekzistencës brenda vetes“hipostazës”, personit. Kjo vazhdohet më vonë në emocionin ekstazik të lojës dhe në përdorimin fillestar të gjuhës; madje edhe për njerëzit e rritur, të gjitha momentet shpirtërore krijuese të tyre (si edhe jeta erotike) merr formën e zotërimit emocional ekstazikÇfarë është atëherë ajo që na ngërthen? Cila është saktësisht sfera e jetës, në fillimet e zhvillimit të foshnjës, që psikologjia e zhvillimit e quan sfera simbiotike që e lidh fëmijën me nënën e tij? A është shoqëria e paraqitur fillimisht nga nëna? Apo nuk është një tërësi e papërcaktuar që i paraprin të gjitha kufizimeve dhe shfaqet vetëm në gjërat dhe dukshmëritë e veçanta që gradualisht bëhen të dallueshme si të këtilla? Në fillimet e zhvillimit njerëzor, nëna përfaqëson botën për fëmijën dhe jo vetëm botën, por edhe Zotin gjithashtu, strehën dhe horizontin mbështetës për jetën e fëmijës, horizontin në lidhje me të cilin ekstazia e paplotësuar e jetës simbiotike të javëve të para të foshnjërisë transformohet në atë mirëbesim të mahnitshëm që e hap veten ndaj një bote që ne njerëzit e rritur e dimë shumë mirë se e meriton shumë pak mirëbesimin tonë. Me kalimin e kohës as nëna nuk mund ta justifikojë një mirëbesim gjithëpërfshirës të tillë, ajo nuk mund të përmbush pritshmëritë e fëmijës. Sa më shumë që eksperienca të tregojë se edhe prindërit tanë nuk mund të mbrojnë dhe ofrojnë siguri për fëmijën vetëm se në një mënyrë të kufizuar, aq më shumë ajo kërkon një edukim fetar në mënyrë që të ruhet ai mirëbesim i pakufishëm që është aq i nevojshëm për zhvillimin e shëndoshë personal. Edukimi fetar e transferon mirëbesimin e pakufishëm të fëmijës në nënën e tij, e më pas tek të dy prindërit, drejt objektit që është gjithnjë i vetmi i përshtatshëm për marrë një mirëbesimZoti. Nëna thjesht përfaqëson Zotin në fillimet e zhvillimit të foshnjës. Mirëbesimi (trust) që i jepet asaj është gjithnjë pafundësisht më i madh se fuqia e saj e kufizuar dhe përkushtimi i saj gjithashtu i kufizuar ndaj fëmijës. Sa i përket kësaj, ekstazia simbiotike e fillimeve njerëzore dhe mirëbesimi prekës i pakufizuar i fëmijës gjen themelin dhe ankorimin e tij të vërtetë vetëm tek Zoti. Jeta emocionale njerëzore, në të cilën e gjithë jeta jonë është gjithnjë e pranishme për ne në ngjyresa dhe gjendje shpirtërore të ndryshme, kërkon edhe në vitet në vijim zgjerueshmërinë që vetëm feja e mban të hapur për të, përtej familjes, shoqërisë dhe kësaj bote.

A mos ndoshta ky argument na dërgon drejt një farë vërtetimi të ekzistencës së Zotit? Unë mendoj se nuk është kështu. Ajo që rezulton nga argumenti i sapo paraqitur është vetëm kjo: Qenia njerëzore është fetare për nga natyra. Feja, cilado formë që të marrë, është një dimension i padiskutueshëm i jetës njerëzore, e nëse ajo zhduket rezultatet e pritshme do të jenë deformime potenciale për jetët njerëzore. Por, fakti që feja është një konstante e realitetit njerëzor nuk është një garanci se Zoti ekziston. Ndoshta qenia njerëzore, me natyrën e saj pashërueshmërisht fetare, mund të jetë një produkt i dështuar i evolucionit, së paku në këtë aspekt d.m.th. deri në masën që ajo ka rënë viktimë e një iluzioni natyror. Ekzistenca e realitetit hyjnor mund të provohet vetëm nga Zoti, duke bërë të mundur që realiteti i Tij të prekë qeniet njerëzore në mënyrë që botat dhe jetët e tyre të bëhen të njohura si krijimi i Zotit. Qenia e Zotit e hap veteveten vetëm ndaj eksperiencës fetare, e cila natyrisht më pas zgjerohet nga mendimi. Por orientimi drejt fesë (ndoshta edhe ndërgjegjja fetare në vetvete) i paraprin çdo eksperience fetare të veçantë. Ai i përket – sado i ndrydhur që të jetë – “natyrës” së qenies njerëzore. Kjo nuk e zgjidh përplasjen me ateizmin. Por, baza për t’iu kundërvënë argumenteve ateiste të paraqitura nga Ludwig Feuerbach-ut dhe pasuesve të tij ka ndryshuar: Qenia njerëzore nuk është, pikë së pari, diçka që mund të shpjegohet në terma pastërtish shekullar dhe vetëm në mënyrë dytësore, për arsye që kërkojnë sqarim të veçantë, si diçka që në një farë mënyrë arriti në nocionin e çuditshëm të projektimit të ideve rreth Zotit në një qiell imagjinar. Përkundrazi, qenia njerëzore është fetare, për nga natyra, që nga fillimi dhe forma shekullare e jetës është një produkt i mëvonshëm dhe një formë jo e zakonshme e kulturës njerëzore. Ajo që mbetet e diskutueshme është vetëm fakti nëse feja është një iluzion i pashmangshëm (sepse është e brendashkruar në natyrën njerëzore), apo nëse natyra e pashërueshme fetare e qenieve njerëzore është vula e origjinës së tyre në Krijuesin. Besimi i krishterë na mëson opsionin e fundit. Themeli për të njohur se Zoti është i vërtetë mund të vij vetëm prej Zotit dhe kjo ndodh kur Zoti na e zbulon ne veten e tij. Por që Zoti na është vetëzbuluar do të kishte mbetur një mesazh i huaj për ne, një pohim që nuk do të arrinte deri tek ne, nëse nuk do të ishim të aftë të arrinim deri tek ndërgjegjja se ne, në thellësi të realitetit tonë njerëzor, i përkasim tanimë Zotit si krijesa të tij.

 

Përktheu: Rezart Beka

[*] Fragment i shkëputur nga libri i Wolfhart Pannenberg-ut me titull: “The Historicity of Nature”, edited by Niels Henrik Gregerson (Templeton Foundation Press, 2008), f. 75-87

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *