1409002000137Besnik Sinani*

10 Janar 2015

Në Europë nuk ka vend për Islamin, shkruan tek Mapo G. Bakalli. Fakti që nuk bie dakort me të nuk përbën nxitjen për të shkruar. Kushdo që ka guximin të përmbledhë ‘esencat civilizuese’ të Islamit apo Europës, apo përshkrimin e qindra vjet histori në dy fjali, ka bërë mëkatin akademik të esencializmit dhe paraqitjes së realiteteve komplekse njerëzore si dikotomi kundërshtuese (e mira kundra të keqes), por këto mbeten, gjithsesi, forma efektive retorike. Autori e ka davanë të fituar. Vite më parë, Edward Said shkruante për prototipin e kësaj lloj retorike, librin Përplasja e Qytetrimeve të Huntington – it, se duhet “përfshirë plot demagogji e injorancë totale për të patur guximin për të folur për një fe apo qytetërim të tërë.”

Problemi i vërtetë që gjej me artikullin e z. Bakalli është mungesa e konseguencës. Së pari, nëse shkruan se nuk ka vend për Islamin në Europë, e bën këtë i ndërgjegjshëm se religjioni mbartet nga njerëz. Atëherë, cilat mënyra propozon për të kryer këtë spastrim fetar e civilizues, për këtë zgjidhje finale të problemit islam? Sugjerimi im këtu, se po të shpiesh gjer në fund logjikën e shkrimit të z. Bakalli, rezultati është fashizëm, nuk duhet të jetë në vetvete shqetësues, pasi në klimën aktuale kjo jo se përbën ndonjë njollë serioze.

Së dyti, argumenti se Islami përbën një rrezik ekzistencial për vlerat europiane mer shkas nga dhuna në Paris. Tre të akuzuarit për ngjarjet në Paris nuk do mund të na thonë më shumë për veten e motivet e tyre pasi ndërkaq janë të vdekur, por qartazi asnjë përfaqësues zyrtar i fesë muslimane nuk i autorizoi ata si përfaqësues të një religjioni me më shumë se një miliard aderues. E megjithatë z. Bakalli vrasjet në Paris ia atribuon ‘esencës’ së Islamit. Por le të jemi të qartë që thirrja për ndarje të tilla mes Islamit dhe Europës nuk mund të jenë të motivuara thjesht si reagime nga akti i dhunës. Përfaqësues zyrtarë të vendeve të Europës, si fjala vjen ushtarë britanikë që veshin uniformën me flamurin britanikë, vrasin fshatarë afganas dhe bëjnë shurrën mbi ta.

Nuk mund të mos vëmë re që për disa të vrarë nuk ka vigjilje, kamera televizionesh satelitore, solidaritet ndërkombëtar në twitter. Na duhet të pranojmë pra që ka një dallim esencial midis vlerës së jetës së disa fshatarëve afganas veshur me zhele mbi kufomat e të cilëve bëjnë shurrën ushtarët anglezë, e midis parizienëve të vrarë këto ditë. Pra nuk është dhuna në thelb të debatit, por kush e ushtron dhunën dhe ndaj kujt ushtrohet. Ky dallim në vlerën e jetës mund të ketë kuptim vetëm nëse kemi një hierarki të humanitetit, të ndërtuar mbi dehumanizimin e disave e nga simpatia e solidariteti me të tjerë.

Racializimi i Tjetrit në fakt ishte edhe ajo që i dha famën gazetës franceze që u sulmua këto ditë. Askush në Europë nuk ka harruar – siç bëhej e qartë edhe në një grupë karikaturash të botuara nga The Guardian sot – se karikaturat e hebreut hundëmadh para luftës së dytë botërore ishtin pjesë e dehumanizimit të hebrenjve përpara holokaustit. Z. Bakalli mund të ketë të drejtë kur thotë që Europa nuk do ta tolerojë Islamin. Pesë xhami janë sulmuar këto dy ditë në Francë e tre në Suedi, një javë më parë e mitingjet kundra Islamit kanë mbledhur me mijëra mbështetës në Gjermani. Çfarë do mbetet nga vlerat europiane të lirive personale do duhet parë.

*Marrë nga Shenja

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *