Ku humbi Xhamia?





xhami 2Anton Cara

Lajmi i ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë prej dy dekadash e më shumë është pjesë e repertorit mediatik. Periodikisht qytetarët e këtij vendi janë lajmëruar se në aksh ditë apo muaj do të nisë puna për ndërtimin e saj. E kush nuk është investuar për të brofur në këmbë me “sihariqin” në buzë?! Pothuajse të gjithë kryeministrat e pluralizmit, por edhe presidentë, ministra e kryebashkiakë, herë aktivisht e herë tërthorazi kanë lajmëruar apo kanë prerë shirita në projektin në fjalë. Por sëfundmi, premtimi fjasko vjen nga vetë lidershipi i myslimanëve.

Në mes të dhjetorit të vitit që lamë pas, në një intervistë për gazetën “Zëri” në Kosovë, kreu i KMSh Skënder Bruçaj lajmëroi se brenda Janarit do të nisë puna për kompleksin e Xhamisë së Namazgjasë. Ndër të tjera ai tha se financimi i saj do të realizohet kryesisht me fonde të Dianetit turk, dhe se këto fonde tashmë janë gati në ndihmë të projektit. Gjithashtu për të zbukuruar situatën dhe për të marrë një dorë gjethesh dafine edhe për vete, zoti Skënder tha se pas kaq kohe në pritje, besimtarët myslimanë mezi po e prisnin konkretizimin e projektit. E gjitha sa më sipër dukej e vërtetë kur kemi parasysh rreshtimin që u bëri kryeministri krerëve të besimtarëve myslimanë në të ashtuquajturën ceremoni të lejes se re të ndërtimit.

Jemi në dhjetëditëshin e parë të muajit Shkurt dhe eskavatorët apo makineritë e tjera nuk po buçasin ende në truallin e rrethuar me llamarina. Nga moti i ftohtë dhe me erë apo nga ndonjë nikoqir i skrapit, nga rrethoja e sheshndërtimit të heshtur mungon një llamarinë dhe nga kalimtarët në trotuar mund të kundrohet i gjithë peisazhi i rrethuar me mister. Situata aty, sigurish në dimensione më modeste, i përngjet sheshndërtimit të famshëm në Tiranë i emërtuar nga qytetarët si “Gropa e Hajdin Sejdisë”, kjo si rezultat i ndërprerjes së punimeve në kompleks pas fushatës elektorale të vitit 2013.

Në vitin 2013, në pragfushatë, me nxitim u ngreh një beze në të cilëi ishte stampuar një xhami me katër minare. Protagonistët shtrënguan duart dhe prenë njëherazi me gërshërë shiritin e inagurimit. Menjëherë nisi rrethimi i sheshndërtimit që pasoi me prerjen e pemëve dhe me gërmimin e një grope modeste, si për të ndezur entuziasmin e publikut të interesuar. Çuditërisht, fill pas lajmit se zgjedhjet i fitoi koalicioni i majtë, në ditët në vijim, puna e nisur me zell dhe pa projekt u ndërpre pa asnjë njoftim paraprak. Siç duket, me intuitën politike që i karakterizon, krerët e KMSh e fikën motorin propagandistik të punimeve për një moment të volitshëm, i cili pas bllokimit paraprak nga qeveria e re, erdhi pas një viti në një paketë të përbashkët me problematikën e truallit kufitar.

Kjo rrëshkitje nga afati i përcaktuar në intervistën e lartpërmendur ka mundësi të jetë rezultat i problematikës me truallin kufitar, problematikë që shpërtheu pas lajmërimit për lejen e radhës kryeministrore. KMSh ende nuk i ka shoshitur fetarisht dyshimet që shoqërojnë opinionin e gjerë të myslimanëve për ligjshmërinë ose jo të përfshirjes së institucionit si përfitues në një konflikt mes qeverisë dhe pronarit të tokës ngjitur. Varjanti tjetër i kësaj vonese të pajustifikuar mund të jetë dhe hezitimi i investitorit për të shpenzuar në një projekt ku KMSh i është nënshtruar pa mëdyshje vullnetit të qeverisë për t’i dhuruar asaj një pronë të marrë pa konsensusin e pronarit. Por arsyeja mund të jete edhe një tjetër.

Duke pasur parsysh që lajmi për fillimin e punimeve në Namazgja në disa raste është lajmëruar në prag të fushatave të ndryshme elektorale, nuk është e tepërt të mëndojmë se edhe këtë herë është rezervuar qoka e rradhës ndaj forcës politike në pushtet. Nuk është aspak për tu çuditur kur në muajt në vijim, sa më pranë ditës së zgjedhjeve, të shohim ndonjë ceremoni inagurimi ku vëmendja të përqendrohet tek politikani ende i papërcaktuar që do të kandidojë për Tiranën.

Të ngopur tashmë prej dekadash me ecejaket dhe paradat në lidhje me Xhaminë, shpresojmë që së fundmi kjo shvendosje e paparalajmëruar e punimeve nga muaji që shkoi të gjejë ndonjë justifikim formal për të shmangur perceptimin si të papërgjeshëm të institucionit që drejton punët e besimtarëve. Meqë fillimi i punimeve aty u shty, në pritje për një njoftim të dytë, shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit, megjithëse nisur nga rregulli, shanset janë krejtësisht të pakta.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *