Moraliteti psikologjik





P1050093Magnus Bradshaw [*]

 “Psikologët modernë i kanë zgjeruar në masë të madhe kufinjtë e papërgjegjshmërisë: ata kishin nevojë për më shumë hapësirë ​​në këtë fushë”.  Karl Krauss[1]

Sipas një pikëpamjeje mbizotëruese në shkencat shoqërore, njeriu bashkëkohorë është bërë në mënyrë karakteristike “njeriu psikologjik”,  i identifikuar me modernitetin dhe mosbesimin përkundrejt kulturës tradicionale dhe besimit fetar. Duke gjetur kuptime në sferën personale dhe psikologjike në vend se në atë sociale, ai është i shenjuar nga prirja drejt tëhuajzimit dhe narcizismit[2]; ose, siç e ka shprehur Philip Rieff “njeriu fetar ka lindur për t’u shpëtuar; njeriu psikologjik ka lindur për t’u kënaqur”[3]. I mbushur me atë që Richard Weaver i referohet si “ankthi i thellë psiqik, mbizotërimi i jashtëzakonshëm i neurozave, të cilat e bëjnë unike epokën tonë”[4], tipar mbizotërues i tij në fushën e moralit është individualizmi. Duke vërejtur faktin se njeriu psikologjik ka dalë në pah në përpjestim të drejtë me sekularizmin gjithnjë e në rritje, Peter Homans vëren se “psikologjia ka dalë në pah në përpjestim të drejtë me rënien e fuqisë së fesë…një marrëdhënie zëvendësuese përftohet ndërmjet të dyjave: psikologjia është “feja e padukshme” e njeriut modern.[5]  Është në këtë kontekst që etosi terapeutik, me “priftërinjtë e tij sekular” jo paragjykues, ka përvetësuar territorin e moralit dhe kuptimit që dikur ishin brenda territorit të fesë.  Nocioni në zhvillim i njeriut psikologjik ka përkuar natyrisht me prirjen në rritje të vënies në dyshim, dhe shpesh edhe të refuzimit, të burimeve tradicionale të autoritetit moral. Ndërsa Zoti është parë tradicionalisht si autoriteti përfundimtar moral, me institucionet shoqërore që veprojnë si ndërmjetës të këtij autoriteti, tanimë theksi është vendosur mbi zgjedhjen individuale dhe personale.[6] Sipas Paul Vitz-it, në librin e tij “Psychology as Religion: The Cult of Self-Worship”, psikologjia humaniste e Abraham Maslow-it, Carl Rogers-it dhe të tjerëve, ka zëvendësuar gjerësisht konceptet morale me kërkimin për përmbushjen njerëzore dhe ka luajtur, kësisoj, një rol domethënës në rënien e vlerave morale në Perëndim.[7]

James Davison Hunter, në studimin e tij të kohëve të fundit mbi edukimin moral në Amerikë me titull “The Death of Character: Moral Education in an Age without God or Evil”, vëren se psikologjia moderne ka pasur sukses në zëvendësimin e fjalës “karakter”, me të gjitha implikimet e tij, me termin moralisht neutral “personalitet”[8].  Në vend të parimeve morale tani kemi vlerat, “diç më shumë se ndjenja…shprehje të preferencave individuale”[9] Për më tepër, sipas Hunter-it, duke pasur parasysh theksimin e saj mbi proceset terapeutike, strategjia psikologjike priret të refuzoj (shpesh me përqeshje) idenë e ekzistencës së ndonjë axhende morale të mbushur me përmbajtje që ne duhet t’ia përçojmë gjeneratave pasuese.[10] Në vend të kësaj, me vënien e theksit tek ndjenjat individuale dhe antipatinë karshi kodeve morale tradicionale “etosi terapeutik krijon një logjik morale të përmbushjes (personale) të rrënjosur në kënaqjen e dëshirave”[11]

Ngushtësisht e asociuar me rritjen e ndikimit të psikologjisë është edhe prirja anti-autoritare e cila është thellësisht armiqësore ndaj kuptimit tradicional të pedagogjisë dhe përçimit të vlerave morale. Në vazhdën e traumës së nazizmit, mendimtarë të tillë si Theodore Adorno dhe Erich From-i, të ndikuar fuqimisht nga pikëpamjet e Marksit dhe Frojdit, janë përpjekur të reduktojnë prekshmërinë e “njeriut të masave” nga manipulimet e forcave të tilla të liga.[12] Megjithëkëtë, në vend se të bënin dallimin ndërmjet autoritetit legjitim dhe atij jolegjitim, zgjidhja e tyre ishte shkatërrimi i autoritetit në përgjithësi – me përjashtim të autoritetit të tyre – qoftë në ligj, familje apo shkollë. Për intelektualët anti-autoritarë, njësoj si edhe për Rusoin në kohën e tij, “njeriu ka lindur i lirë, sidoqoftë është kudo në pranga”. Pyetja se cili i bëri këto pranga në radhë të parë duket se nuk i ka kaluar ndërmend.

 

Përktheu: Rezart Beka

 

[*] Fragment i shkëputur nga eseja “From Humanism to Nihilism: The Eclipse of Secular Ethics” (CMC Paper nr. 6), f. 2-3

[1]Thomas Szasz, Anti-Freud: Karl Krauss’s criticism of Psychoanalysis and Psychiatry, Syracuse 1990, f.108

[2]Peter Homans, Jung in Context: Modernity and the Making of a Psychology, University of Chicago Press, 1982, f.5

[3] Rieff f.25

[4] Weaver f.16

[5] Homans, op.cit. 5,8-9

[6] Hunter, op. cit. p.147

[7] Paul C. Vitz, Psychology as Religion: The Cult of Self-Worship, Lion Publishing, Tring (UK) 1979

[8]James Davison Hunter, The Death of Character: Moral Education in an Age without Good or Evil, Basic Books, New York, 2000, f. 214

[9] Ibid. f.216

[10] Ibid. f.11

[11] Ibid. f. 192

[12] Thomas Molnar, Authority and its Enemies, Arlington House Publishers, New Rochelle, 1976, f.81

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *