Feja e terrorizmit!*





Barack ObamaBesnik Sinani 

Shtëpia e Bardhë organizoi këto ditë një samit dedikuar luftës kundra ekstremizmit. Presidenti Obama, ashtu si Sekretari i Shtetit, John Kerry në Davos pak javë më parë, ngulin këmbë të dallojnë terrorizmin e kryer nga muslimanët nga feja e tyre. Ata kundërshtojnë emërtimin ‘Terrorizëm Islamik’ dhe preferojnë “militantizëm ekstremist.” Gjatë samitit u theksua nevoja që të shqyrtohet edhe terrorizmi që vjen nga bashkësi të tjera fetare. Në fjalët e John Kerry-t në Davos,

“Gabimi më i madh që mund të bëjmë është të fajësojmë muslimanët për krime të cilat feja e tyre totalisht i dënon… Me siguri që nuk do mund të mposhtim armiqtë tanë duke etiketuar negativisht partnerë potencialë. Në atë mënyrë do i hidhnim benzinë zjarrit që duam të shuajmë.”

Ky qëndrim nuk është thjesht shfaqje korrektësie politike, por vjen si rrjedhojë e një konsensusi në administratën amerikane, e cila gjykon se duke etiketuar aktet terroriste si ‘Islamike,’ i kontribuohet kauzës së grupeve si ISIS. Vizioni për botën si e ndarë midis Islamit dhe të tjerëve është pikërisht vizioni mbi të cilin po investon ISIS dhe është themeli i propagandës së vet rekrutuese.

Historiani i Universitetit të Michigan, Juan Cole, shkroi se vetë qëllimi për sulmet në Francë ishte që të krijojnte një reagim sa më të ashpër anti-musliman e kjo do bënte më të lëhtë rekrutimin midis muslimanëve në Europë. Në anën tjetër, bashkësitë muslimane në Lindjen e Mesme janë jo vetëm viktimat kryesore të dhunës së ISIS, por edhe vende muslimane si Jordania, Emiratet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Egjipti janë edhe vendet më të angazhuara në luftën kundra kësaj organizate.

Presidenti Obama u tha liderëve botërorë të mbledhur në samitin në Ëashington se “Kur njerëzit pështyjnë urrejtje kundra të tjerëve për shkak të fesë së tyre, apo sepse ata janë emigrantë, kjo ushqen narrativën e terroristëve. Kjo ushqen një cikël frike dhe zemërimi si dhe një sens padrejtësie dhe këto janë gjërat që gjuajnë terroristët.”

Por etiketimi “terrorizëm islamik,” përvec dëmit politik, sjell edhe vështirësi në të kuptuarin e fenomenit që kërkon të shpjegojë. Etiketimi ‘islamik’ mistifikon dhe mbulon arsyet politike që qëndrojnë pas kontekstit historik dhe social ku këto akte terrorizmi ndodhin. Ato krijojnë iluzionin se informacioni, motivi, shpjegimi i akteve brutale të terrorizmit gjenden në ndonjë tekst fetar mesjetar, pasojë e një indoktrinimi obskurantrist që kërkon të kthejë botën në Mesjetë, e si i tillë nuk mund të analizohet në mënyrë racionale.

Askush nuk përfaqson këtë karikaturë më mirë se sa talibanët. Në një tekst shkollor që përdoret sot në shkollat për fëmijë në Afghanistan “Alfabeti i dijes së Xhihadit” fëmijët lexojnë:“Jo-besimtarët janë armiqtë tanë.” Një fjali tjetër u mëson fëmijve të vegjël: “Xhaxhai im ka një pushkë. Ai bën xhihad me pushkë.” Këto tekste të përdorura këto ditë në disa shkolla në Afghanistan nuk janë prodhuar nga pena e Mullah Omarit apo Al Kaidës, por janë paguar nga qeveria amerikane dhe shtypur në Universitetin e Nebraskës, ShBA. Ato u shtypën diku në vitet 1980, që ti shërbenin rekrutimit të xhihadistëve kundra Bashkimit Sovjetik, por pas mbarimit të luftës nuk pati më sponsorizim tekstesh shkollore e të njëjtat tekste shkollore, janë në qarkullim e përdoren sot e kësaj dite. A mund të kuptohen Talebanët duke kërkuar nëpër vargjet e Kuranit apo kanonet mesjetare të Islamit pa kuptuar Luftën e Ftohtë?

Në të njëjtën mënyrë, a mund të kuptohet ISIS duke kërkuar nëpër tesktet kanonike nga Islami në Mesjetë, kur është se, sic kanë thënë në intervista themelues të ISIS, si Abu Ahmad për The Guardian: “Po të mos kishte burg amerikan në Irak, nuk do kishte ISIS tani. [Burgu] Bukka ishte fabrika. Ajo na bëri ne të tërëve. Ajo ndërtoi ideologjinë tonë.” Sipas një analisti iraken, Hisham al Hishami, 17 nga 25 figurat qendrore të ISIS sot kanë kaluar kohë në burgjet amerikane nga 2004 gjer në 2011.

I njëjti Abu Ahmad, i pyetur për shpërthimin e luftës sektare në Irak, i thotë intervistuesit të The Guardian: “Kishte arsye për hapjen e kësaj lufte. Nuk ishte nga se ata janë Shia, por sepse Shiat po nxisnin për të. Ushtria amerikane po lehtësonte që ata të mernin gjithë vendin nën kontrollin e tyre duke ua dhënë vendin atyre. Ata po bashkpunonin me njëri-tjetrin.”

Nuk permendet parajsa apo ferri, traktate të habitshme teologjike, apo mistike. Bëhet fjalë për ngjarje të mirëfillta politike, pushtim, kontroll territori.

Për t’ju kthyer samitit në Washington, fokusi i Obamës për një strategji të luftimit të ISIS duke inkurajuar avancimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë ndesh në vështirësinë se disa nga aleatët kryesorë të ShBA-së, si Egjipti, janë edhe ndër dhunuesit më të mëdhenj të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Në përkufizimin e vet, terrorizmi është përdorimi i dhunës për të arritur qëllime politike. Mistifikimi i terrorizmit duke i mveshur petka fetare, duke e emëruar si një produkt ‘islamik’ krijon paragjykime e politika diskriminuese ndaj bashkësi besimtarësh të cilët në mënyrë dominuese janë kundra brutalitetit të ISIS e shpesh janë viktimat e tij primare. Në të njëjtën kohë, kjo veshje me petk fetar pezullon konsiderimin e kontekstit historik e social që krijon realitetet politike të terrorizmit.

*Revista Shenja.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *