Turq dhe italianë takohen në Tiranë





beder-dialog-5portalin kryesor të KMSH u lajmëruam për një takim ndërfetar në nivel universitar i cili përfshinte përfaqësues nga dy komunitetet fetare tradicionale në Shqipëri. Të konsumuar me parakalime dhe rreshtime pranë autoriteteve në çdo ngjarje ku ftohen, pavarësisht formatit, aktivitetet “harmonike” janë shtrirë tashmë dhe në dimensione të tjera më pranë karakteristikave operative të bashkësive në fjalë. Veç përshëndetjes për nisma të tilla, të cilat ndihmojnë besimtarët dhe krerët e tyre, problematika nuk kishte se si të mos vërehej kur hulumton më hollësisht rastin në fjalë.

Rektori i Seminari Ndërdioqezian “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër, Don Leonardo Falco, Drejtori i Institutit Filozofiko-Teologjik dhe pedagog i teologjisë dogmatike Atë Mario Imperatori, rektori i Seminarit “Redemptoris Mater” në Lezhë Don Lorenzo Rosseti, pedagogu i teologjisë dogmatike dhe i dialogut ndërfetar Don Robert Kola, si dhe rreth njëzet studentë të teologjisë katolike, në 26 mars të këtj viti vizituan Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër. Aty i priti stafi pedagogjik i Departamentit i përbërë nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Selman Kuzu, Drejtori i Qendrës për Studime Islame Dr. Atakan Derelioglu, pedagogu z. Elton Karaj, si dhe studentë të Shkencave Islame në Universitetin Bedër.

Kjo ngjarje konsierohet si takimi i parë ndërfetar midis studentëve të teologjisë islame dhe asaj katolike në Shqipëri, pasi në një nga auditorët e universitetit studentët kanë prezantuar secili departamentin e tyre, mësimet dhe leksionet që marrin, duke u njohur kështu më mirë me aspektin arsimor dhe atë të literaturës të teologjisë islame dhe asaj katolike. Duke qenë se etniciteti i studentëve respektivë është i larmishm, kjo kuptohet dhe nga fotot e publikuara, ky takim përveç dimensionit ngushtësisht ndërfetar, përfton edhe dimensionin e një shkëmbimi kulturor ndërkombëtar.

Megjithëse ky takim zhvillohet në truallin shqiptar, shqiptarët e përfshirë aty, në rastin më të mirë, kanë një rol të dorës së dytë. Po të vërejmë me kujdes, edhe kur janë katolikë, edhe kur janë myslimanë, drejtuesit dhe udhëheqësit e studentëve janë pothuajse të gjithë të huaj. Ose për ta përmbledhur me ndihmën e një shprehje popullore: sëpata është e huaj, bishti shqiptar. Në mesin e studentëve të përfshirë në takim ka sigurisht edhe shqiptarë, ata mund të jenë edhe shumica e tyre, por është mëse e sigurtë se studentë shqiptarë që studiojnë teologji këto dekadat e fundit janë përfshirë jashtë vendit në aktivitete ndërfetare pranë institucioneve ku kanë kryer studimet. Edhe profesorët e teologjisë, qofshin turq apo italianë, me pjesmarrjen e tyre duhet të kenë kontribuar në ngjarje të tilla në vendet e origjinës apo si të ftuar në vende të tjera. E veçanta e këtij takimi mund të konsiderohet ajo se duke pasur edhe shqiptarët si pjesmarrës, në Shqipëri, dialogu ndërfetar për herë të parë zhvillohet në këtë rrafsh akademik.

Ka diçka që nuk shkon këtu. Është bërë e udhës tashmë trumpetimi i harmonisë ndërfetarë mes shqiptarëve nga çdokush, që nga maja e piramidës shtetërore e deri tek udhëheqës lokalë fetarë. Shumë prej aktorëve që merren me këtë dije humane, edhe pse pa ekspertizë, ia atribuojnë këtë karakteristikë tiparit të supozuar afetar të popullit shqiptar. Ndërsa shumë të tjerë gjithashtu pa ekspertizën përkatëse, duke e dekontekstualizuar nga rrethanat përkatëse, e paraqesin këtë veçori shqiptare si kontribut të sforcuar patriotik të klerikëve të veçantë, pra si një shmangie nga ligjësitë e feve respektive që apriori supozohet se tentojnë drejt kufizimeve apo izolimit, rrjedhimisht drejt konfliktit.

Pavarsisht se si përçohet në publik kjo pasuri e shqiptarve ekspozuar me zell, sot shohim një dimension të ri që përmbys dy linjat qendrore që interpretojnë fenomenin e bashkëjetesës fetare. Teologët kryesorë që japin leksione dhe mirëmbajnë katedra respektive, aq më tepër organizojnë edhe takime ndërfetarë si mundësi praktike për të gjetur të përbashkëtat apo edhe ndarë eksperiencat tona, në rastin e sipërcituara qenkan të huaj. Ky si lajm duhet marrë me një një farë maturie, sepse thjesht leximi i drejtpërdrejtë mund të na shpjerë në dy përfundime.

Së pari mund të hamendësojmë se deri më tani harmonia ndërfetare buronte nga tradita pa u bazuar shumë në kategoritë teologjike që bashkëndajnë komunitetet e veçanta, dhe tashmë kjo shprehje popullore ka filluar të sistematizohet nëpër katedra duke pasur edhe rrezikun e ndikimeve të ardhshme, të cilat nuk garantojnë vazhdimësinë e kësaj fryme traicionale shqiptare. Së dyti, e gjitha kjo ngrehinë e unikalitetit shqiptar, e cila është pagëzuar si harmonia ndërfetare, qenka një konstrukt politik për të shitur një produkt zulmëmadh, i cili si funksion parësor amniston të zezat e artikuluesve të saj më të zellshëm, pasi siç shohim edhe teologët e huaj të instaluar nëpër katedra universitetesh bashkëndajnë të njëjtën qasje ndaj tjetrit, bash si shqiptarët. Po të duam ta kthejmë në qesharak argumentin, mund të hamendësojmë për një mrekulli allashqiptare, rrjedhojë e frymës së harmonisë ndërfetare, që ka arritur të konvertojë në këtë filozofinë tonë edhe teologët e huaj, të cilët në zanafillë vijnë nga tradita fetare joshqiptare, pra kaotike, si kategori e kundërt e harmonisë.

Përtej kësaj, lajmi i vërtetë këtu është se monopoli i interpretimit të fesë në të dy rastet, por sidomos tek myslimanët për specifikën që brendashkruajnë, është uzurpuar institucionalisht nga të huajt. Kjo sjellje e shëmtuar paternaliste e të huajve ndaj shqiptarëve, të cilët trajtohen si çiraku gdhë që nuk di, pra që bën gabime, është spektakli i cirkut që për organizatorë ka pikërisht tellallët publikë të harmonisë ndërfetare. Lajmi në vetvetë është i trishtë, gjë që dëshmon se sa poshtë në derexhe është katandisur institucioni i dijes fetare tek shqiptarët, saqë edhe anonimët më të humbur në vendet e tyre të origjinës kapardisen mes shqiptarëve pikërish me atë që krenohemi më së shumti mes vetit, me harmoninë ndërfetare.

Comments

  • Kam qene gjithmone kurioz te di nese ne Shqiperi ka ndonje teolog shqiptar qe e meriton tamam titullin “teolog”. A ka te tille?

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *