Pse e përkëdhel macen Gilman Bakalli?





Petting a catAnton Cara

Pas sulmeve ndaj Charlie Hebdo ne mediat shqiptare shpërtheu parodia e narrativës me liri e demokraci, etikë dhe vlera. Duke ofenduar, përjashtuar, nxitur urrejtje e diskriminim, duke u shqetësuar më shumë për Parisin se vetë parisienët, ligjëruesit e llojllojshëm publikë u justifikuan serish në refuzimin e islamit. Jo fenë, por botëkuptimin, shkruante Gilman Bakalli:

Duhet theksuar fort dhe qartë në debatin publik, se nuk bëhet fjalë për fenë; gjithsecili prej nesh është i lirë ta ushtrojë besimin e tij fetar. Çështja është se çfarë është në gjendje aktualisht të na ofrojë botëkuptimi islamik. Cilin civilizim na propozon ai? Cilin sistem të së drejtës? Cilin rend publik? Cilin sistem arsimor? Çfarë infrastrukture? Cilat përgjigje ndaj të drejtave të minoriteteve dhe problemeve ekologjike na ofron? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve ndajnë civilizimin nga prapambetja dhe barbaria. Kudo ku këto 600 vitet e fundit Islami ka patur ndikim “civilizues”, ka mbjellë (dhe korrur) analfabetizëm dhe prapambetje. Si botëkuptim civilizues, Islami ka dështuar totalisht. Aktualisht, ai nuk mund të konsiderohet si trashëgimi shpirtërore, por thjesht si opium për popujt.

Kur lexon paragrafin është e pamundur të vërehet linja kufitare mes fesë e botëkuptimit, por nuk është ky qëllimi i shkrimit tonë, sesa tërheqja e vëmendjes për shkrimin e fundit të Bakallit, botuar me jehonë me 1 prill. Opinionist i Mapo-s vendos t’i bëjë publicitet kandidatit për kryetar bashkie të Tiranës, Gjergji Bojaxhisë. Pothuajse çereku i artikullit përbëhet nga një histori e traditës islame:

Teksa dëgjoja intervistën e Gjergj Bojaxhi m’u kujtua një fabul e vockël që tregon se vlera e së Madhes shfaqet tek gjërat e vogla. Mistiku nga Bagdadi, Abu Bakr Schibli, vdiq në vitin 945. Pas vdekjes, ai iu shfaq në ëndërr një miku, i cili e pyeti: “Si të trajtoi Zoti”? Mistiku ia ktheu: “Zoti më doli para dhe më pyeti”: ‘Abu Bakr, e di se përse të kam falur’? “Për veprat e mira që kam kryer?” “Jo” – ishte përgjigja e Zotit. “Për lutjet e mia, për pelegrinazhin, për agjërimet?” “Jo”, – ishte përgjigja e Zotit. “Për udhëtimet e mia në kërkim të dijes?” “Jo” – tha Zoti. “Atëherë, për çfarë më ke falur, Zoti im?”. Dhe Zoti u përgjigj: “Për asnjërën prej këtyre gjërave të mira nuk të kam falur!” “Po për çfarë atëherë, o Zot?” Dhe Zoti u përgjigj: “Të kujtohet njëherë kur ecje rrugëve të Bagdadit dhe pe një mace të vogël që dridhej nga i ftohti dhe shkonte nga një qoshe muri tek tjetra për t’u mbrojtur nga bora dhe acari, dhe ti u përkule, e ngrite nga toka dhe e mbështolle me mantelin tënd, duke e shpëtuar nga tortura e të ftohtit?” “Po, më kujtohet!” “Ja pra, – u përgjigj Zoti, – pikërisht për dhembshurinë që tregove ndaj maces të kam falur”.

Përmes botëkuptimit islam ilustrohet mesianizmi i shpresuar nga Bojaxhiu. E vetmja mundësi për t’i integruar logjikisht tek i njëjti person këto dy paragrafë, artikuj, mendime, është koha. Te artikulli paraardhës Bakalli e daton të ‘keqen islamike’ pas shek. XV, ndërsa te artikulli i fundit gjen një shembull, sipas tij, në shek. X, ku ‘botëkuptimi islam’ vjen si shpresë. Ka një problem të thjeshtë informacioni, që e kthen në parodi eposin e profesorit Bakalli. Vështirë të këtë ndonjë metropol në botë të përmasave të Stambollit ku macet e rrugëve të gëzojnë mirësjelljen e përkujdesjen ngjashëm me njerëzit, e në mos më shumë. Stambolli ka lindur pikërisht në shek. XV, gjatë këtyre 600 viteve me prapambetje. Historia me atë Mistikun e Bakallit, që në fakt është pjesë e narrativës profetike, duket se ka gjetur një shembull të mirë vijimi në një metropol të shek. XXI. Është i njëjti botëkuptim.

Po pse e përkëdhel macen Bakalli? Si gjithmonë, sa herë që kutërbojnë zgjedhjet fillon edhe përkëdhelja, lëpirja, amnistia e me radhë. Myslimanët bëhen menjëherë të dukshëm vetëm në këto konkurse sipërmarrjesh politike. Në këto çaste vlen botëkuptimi i tyre si ilustrim folkloristik, sepse vlen vota. Lapsat e Hebdosë ishin për një parodi, tani kërkohet një tjetër. Nuk është për t’u habitur nëse Gilmani i zbulon publikut-votues se një gjysh dikur i këndonte mevlud, se sipas tij Gjergji është gati të bëhet pak Osman për ta lejuar xhaminë e Namazgjasë të rritet. Këto do të jenë emancipuesit tonë derisa vazhdojmë të merremi me mace e promovime futbollistësh.

Comments

  • Përkundër cinizmit dhe dashakeqësisë që mund të ofrojë bota, muslimanët nuk duhet të jenë cinikë dhe të kërkojnë qëllimin e keq të parin. Duhet ta rrokim mirë se kjo është epokë pështjellimi, ku nuk duhet të jesh patjetër dashakeq për ta ngatërruar të vërtetën me gënjeshtrën. Duhet t’i kuptojmë syzet e shumëfishta që u janë imponuar njerëzve që në djep. Duhet ta kuptojmë se dija dhe fryma e kësaj epoke janë të kontaminuara më keq se ajri mbytës i qyteteve tona. Përderisa ne vetë si muslimanë fare lehtë e mjaft shpesh biem pre e këtij kontaminimi, çka e shfaqim me frymën e polemikës e të cinizmit përkundër paralajmërimeve të shumta në librin tonë të shenjtë kundrejt kësaj gjëje, nuk duhet të na duket çudi e madhe që dikush, në këtë rast Gilman Bakalli, t’i shohë gjërat në atë këndvështrim, sidomos kur realiteti sipërfaqësor e mbështet atë. Për shembull, vallë ç’duhet më tepër për të të ngjallur përshtypje të keqe për muslimanët se sa llahtaria gjuhësore që mbizotëron sot e njëzet e pesë vjet literaturën tonë fetare? Kush mund ta marrë përsipër t’i shpjegojë një njeriu që përballet me këtë literaturë se qytetërimi islam mbi gjithçka është qytetërim gjuhësor? Në fakt vetë ne jemi ata që më së shumti vuajmë ditë për ditë, individualisht dhe si bashkësi, për t’i dhënë një shpjegim realitetit tonë dhe hendekut të tmerrshëm që na ndan nga idealet tona. Cinizmi dhe tendencat tona polemike janë pikërisht pasojë e mungesës sonë të thellë të vetëbesimit, çka shpesh e kompensojmë me iluzionin se jemi më të mirë se të tjerët e se po na persekutojnë. Ndoshta edhe na persekutojnë, por për Zotin, kurrë aq sa ç’e persekutojmë ne veten tonë.

    Uroj që Gilman Bakalli të ketë qenë i sinqertë në ato çka shkruante në artikullin për Charlie Hedbon dhe vërtet të dojë të dijë dhe ta ketë të lehtë ta kuptojë se ç’i ofron Islami botës dhe njeriut, me gjithë pengesat e shumta që mund t’i duhet të kapërcejë. Uroj që secili prej nesh të reflektojë dhe t’i përgjigjet të keqes me të mirë, tek vetja e tek të tjerët. Selam!

    • Eshte e vertete ajo qe shkruan per peshtjellimin e kohes se sotme. Por shkrim si ai i Bakallit zor se vjen nga peshtjellimi e padija, sepse eshte nje trajtese plot cektesi dhe gafa qe duhen shmangur nga nje shkrues i kulturuar e jo me nga nje njeri si ai, qe supozohet se u perket rretheve akademike dhe intelektuale. Praktikisht shkrimi i tij ishte thirrje per spastrim fetar.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *