Mospajtimi me të kaluarën





image_4993Për të mos u humbur një intervistë tek Respublica me Konstantinos Giakoumis, zv.rektor i Universitetit të New York-ut (Tiranë) dhe historian i specializuar mbi periudhat bizantine e osmane. Me aq sa lejon formati, dr. Giakoumis cek tezat kryesore historiografike mbi historinë e shqiptarëve, duke u ndalur në një kritikë të shkurtër mbi politikat identitare të harresës dhe tokës së djegur apo strukturat e përbashkëta mitike të nacionalizmave ballkanikë:

Ndërtimi i identitetit kombëtar shqiptar, ashtu siç ndodhi edhe në vende të tjera ballkanike, u zhvillua në themelet e armiqësisë ndaj popujve fqinjë, demonizimit dhe stereotipizimit të ‘armikut’, përmes miteve kombëtare për përforcimin e koherencës së grupit të brendshëm. Shkatërrimi i trashëgimisë osmane (urbane dhe jo) gjatë kohës së mbretërisë së Zogut, me qëllim “modernizimin” e Shqipërisë përmes imitimit të modeleve perëndimore, u instrumentalizua në politikën orientaliste të përfytyrimit të Shqipërisë prej vetes dhe të tjerëve. “Orientalizmi shqiptar”, siç e ka analizuar Enis Sulstarova, “i ka shërbyer një klase të caktuar politike në luftën e saj kundër një klase tjetër politike.” (…) Sot e kësaj dite në vendet ballkanike, dështimet e shteteve u ngarkohen osmanëve; prandaj edhe mospajtimi me të shkuarën osmane vazhdon dhe ushqehet sot e kësaj dite prej individëve që nuk duan t’i kërkojnë përgjegjësitë e gjendjes së tyre te vetja, por te tjerët”.

Dr. Giakoumis po ashtu u qaset shkurtimisht teorive mbi islamizimin e shqiptarëve, duke u përpjekur, me anë të të dhënave të pranuara mbi historinë shqiptare e ballkanike, të provojë si të pambështetura bindje tashmë ngulitura prej aparatit ideologjik të së shkuarës:

“(P)ërbërja fetare e popullsisë në Shqipëri nuk gjen analogji vetëm në Bosnje. Përbërja e sotme e popullsisë në qytete të mëdha të Ballkanit nuk mund të projektohet në të shkuarën. Elementi mysliman në qytete si Janina, Selaniku, Sofja, etj., ka qenë shumë më i fortë sesa duket sot, shumë vjet pas këmbimeve të shumta të popullsive ose edhe ‘fushatave homogjenizuese’, siç paraqitet nga trashëgimia monumentale ose në regjistra të kohërave të ndryshme. As islamizimi në Shqipëri nuk ka ndodhur menjëherë pas pushtimit osman, por ka qenë një proces gradual që zgjati deri në shek. XIX. Islamizimi gradual dhe jo i menjëhershëm i shqiptarëve mund të përdoret si argument për të hedhur poshtë tezën e vjetër nacionaliste se shqiptarët u islamizuan për të shmangur helenizimin apo sllavizmin. Ruajtja e besimit ortodoks nga shumë shqiptarë, nga ana tjetër, tregon më së miri se procesi i islamizimit nuk ka qenë i dhunshëm, teksa ngjarje të dhunshme kanë qenë përjashtim në një shtet si ai osman, shtylla kurrizore e financave të të cilit kanë qenë taksa të mbledhura nga jomyslimanët. (…) Burimet demografike të hershme tregojnë se osmanët nuk u morën në Epir dhe Shqipëri me inxhinieri demografike, siç u bë për ripopullimin e Stambollit apo në Qipro, me përjashtim të kolonizimit të disa fortesave. Përmes politikave të tyre integruese të quajtura ‘istimalet’ (politikë të zbutjes së rezistencës), osmanët u përpoqën më përpara të fitojnë simpatinë e popullit për kushtet e stabilitetit që sollën”.

 

Të plotë intervistën e gjeni këtu.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *