ushtria_shqiptareBesnik Sinani

Para pak kohësh u intervistova nga një studiuese shqiptare të përfshirë në një studim që kërkon t’i përgjigjet pikërisht kësaj pyetjeje: Pse kanë shkuar shqiptarët për të luftuar në Irak? Një studim mbi 100 faqe që adreson të njëjtën pyetje u publikua këto ditë në Kosovë. Të dy meritojnë vëmendje dhe dëshmojnë jo vetëm shqetësimin e shoqërisë tonë, por edhe të ambasadave të huaja që kanë iniciuar këto studime, si ajo e ShBA-së.

Konflikti në Siri dhe Irak është rjedhojë e drejtëpërdrejtë e pushtimit të Irakut në vitin 2003. Sipas vetë presidentit të ShBA-së, Barack Obama, Organizata ‘Shteti Islamik’ ka lindur nga Al Kaida në Irak, një organizatë, që sipas presidentit amerikan, ishte pasojë e pushtimit amerikan të Irakut. Është fakt i pakundërshtueshëm sot se Al Kaida nuk ka patur prezencë në Irak (apo Siri) përpara pushtimit të vitit 2003.

Dokumente të siguruara këto ditë nga gazeta Spiegel tregojnë se Organizata Shteti Islamik (ISIS) ka shumë gjasa të jetë produkt jo i fanatikëve fetarë, por ish-oficerëve të Sadam Hussein, me orientim nacionalist dhe sekular, e jo fanatizëm fetar. Këta njerëz jo vetëm u hoqën nga pozitat e tyre pas pushtimit, por edhe u burgosën në disa nga burgjet më famëkeqe amerikane si burgu Abu Graib, i famshëm për torturat brutale që janë bërë tashmë të njohura publikisht. Ishin këta oficerë që vendosën në krye Abu Bakr al Baghdadin në mënyrë që, sic shkruhet në Spiegel, t’i japin projektit të tyre një ‘fytyrë më fetare.’ Sipas Spiegel, ishin oficerë të tillë që planifikuan pushtimin e territoreve në Siri nga ISIS.

Muajin e kaluar, organizata Mjekët për Përgjegjsi Sociale (Physicians for Social Responsibility), një organizatë kjo që ka marë cmimin Nobel për Paqe, publikoi një studim sipas të cilit numri i irakenëve të vrarë si pasojë e pushtimit amerikan është së paku 1 milion. Sipas Kombeve të Bashkuara, 1.7 milionë irakenë vdiqën si pasojë e sanksioneve perëndimore nga 1991-2003. ISIS është monstra që lindi nga rrënojat e një pushtimi brutal dhe pa legjitimitet.

Pjesë e këtij pushtimi ishim dhe ne. Shqiptarët shkuan si ushtarë pushtues dhe qoftë në mënyrë dekorative, u përdorën për t’i dhënë iluzionin e legjitimitetit ndërkombëtar një pushtimi të padrejtë që ka shkaktuar vuajtje e shkatërrim të përmasave epike. Edhe ushtarë shqiptarë që luftuan e u vranë në Faluxha për ushtrinë amerikane, ne i glorifikuam si heronj, edhe pse sot e kësaj dite në Faluxha fëmijët lindin me deformime madhore për shkak të kimikateve të përdorura nga pushtuesit. Ky është shtrati nga u mbars ISIS.

Në shumë vende, pjesmarja e qeverive të tyre në pushtimin e Irakut nxiti debate serioze politike dhe publike. Protesta më e madhe në historinë e Londrës është ajo kundra luftës në Irak me sloganin: Not in our name (Jo në emrin tonë). Qoftë teorikisht, në ShBA, juristë të njohur debatuan nëse George Bush do duhej të cohej në gjyq për futjen e vendit në këtë luftë. Në Shqipëri një debat si ky nuk ka ndodhur kurrë. Politikanët tanë nuk janë vendosur kurrë përpara përgjegjësisë publike se pse morën pjesë në një pushtim të paaprovuar nga Kombet e Bashkuara që, ndër të tjera, solli lindjen e ISIS. Intelektualët tanë publikë tregojnë shqetësim për fanatizmin e ekstremizmin që shpalos ISIS, por nuk ngritën zërin asnjëherë kundra dhunës që solli lindjen e ISIS. Teksa po përballemi me sfidën e pjesmarjes së shqiptarëve në konfliktin në Irak e Siri, ndoshta ka ardhur koha të pyesim: Pse shkuan shqiptarët të luftojnë në Irak – në vitin 2003?

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *