GLUEVSKI I “KODRËS SË TRIMAVE”





 

downloadDr. Ismail Bardhi*

 “Thuaje të vërtetën, qoftë edhe e hidhur”.

Hadith

E folura e njeriut-besimtarit është e folur e së vërtetës. Ai me urdhër të Krijuesit dhe të të Dërguarit duhet gjithmonë ta thotë të vërtetën. Ta thotë të vërtetën, qoftë ajo edhe kundër tij apo kundër të afërmve të tij. “A mund të jetë besimtari gënjeshtar?”, e kanë pyetur të Dërguarin. Ai pa hamendje tha: “Jo!” Të jesh i sigurt se fjala e bashkëbiseduesit është e vërtetë, është begati dhe pasuri e pamasë. Sa jemi ne të sigurt kur flasim me njeriun apo besimtarin se ai na e thotë të vërtetë dhe na dëshiron të mirën? Përvoja na tregon se sot gjithçka të thënë rishtas e kontrollojmë ngase për shkak të gënjeshtrës së kudopranishme ka pak besim mes nesh. Një shoqëri e tillë e sëmurë nuk mund të ec përpara, ajo nuk jep fruta të prosperitetit dhe paqes. Ajo është shoqëri e dënuar me mundim, ngecje dhe shkatërrim.

*          *          *

Shkup, 25.03.2001

 

Ajo që duhej të ndodhë në fillim, u bë në fund, që vetvetiu nënkupton një çrregullim, papajtueshmëri dhe joseriozitet. Nën emblemën e UÇK-së në formë krismash u paraqita lufta në territorin shqiptar të Republikës së Maqedonisë. Kjo ndodhi mu në kohën kur procesi “demokratik” i Serbisë mori bekimin e Perëndimit, gjithkund u mirëprit, Mali i Zi në prag të referendumit për pavarësim, Bosnja e Hercegovina në shpërbërje e sipër dhe krijimin e qeverisë së re socialiste, Kosova akoma e padefinuar e udhëhequr nga të tjerët. Maqedonia në këtë mes si “oazë e paqes” në formë të luftës. Patjetër duhet ta them se partia shqiptare në koalicionin qeveritar bëri diçka që asnjëherë nuk do të harrohet, duke e zbritur për toke mitin për paprekshmëri e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe i hapi rrugët për integrim të brendshëm brenda shtetit. Dëshmi për këtë ishte pjekuria e lartë dhe dëshira për korrigjim në hapësirën e arsimit sipëror dhe më në fund u themelua edhe Universiteti i Evropës Juglindore i Tetovës. Pas gjithë kësaj u shpall një luftë që për fat të keq “askush” nuk diti se si ta pranojë këtë moment dhe si të sillet ndaj tij. Rreth kësaj çështjeje paraqiten shumë pyetje, por më e vështira është se ne shqiptarët në Maqedoni jemi vënë para aktit të kryer: të luftojmë ose jo, t’i mbrojmë “luftëtarët” ose jo, ndërsa qëndrimi i fundit nëpër media ishte se UÇK-ja u la anash, me një fjalë u zhvlerësua dhe u hodh. Por ç’dua të them me këtë?

Së pari ç’solli kjo luftë e “trimave” ?

  • Hapësira e Tanushës u maqedonizua, u zbraz nga shqiptarët. Vend ky strategjik të cilin më së miri e kuptojnë ekspertët ushtarakë.
  • Sharri u gjend në të njëjtën pozitë.
  • Migrimi i shqiptarëve dhe spastrimi etnik si fakt i gjallë.
  • Vrasja në mes të rrugës në pikë të ditës.
  • Frika dhe nënçmimet që po i përjetojnë shqiptarët që janë temë e veçantë.

Këto dhe shumë pyetje/çështje të tjera si është e mundshme askush mos t’i ketë parasysh dhe në fund të bëhemi qesharak dhe joserioz për vetveten. Deklaratat e fundit, sjelljet e fundit dhe mosorganizimi patjetër duhet të analizohen dhe përfundimisht të vendoset ashtu siç i takon faktorit politik, e sidomos atij i cili është në qeveri, por do të thosha edhe më gjerë.

Në anën tjetër kemi shtetin e Republikës së Maqedonisë i cili sipas informatave të shumta të cilat edhe pse jo të argumentuara mjaft, megjithatë domethënëse janë se qeveria e Maqedonisë ka vendosur “njëherë e përgjithmonë” ta rregullojë këtë çështje. A thua veprimet, mënyrat e luftës nuk e tregojnë këtë: Si është e mundshme që kundër “ushtarëve të padukshëm”, ja po themi edhe “terroristë” të bllokohet i tërë qyteti; të vendoset ora policore; të bëhet kontroll jashtë rregullave dhe të përdoret taktika e tokës së djegur. Këto dhe shumë të tjera doemos duhet t’i parashtrohen dikujt. Faktikisht thirrjet e intelektualëve, ish udhëheqësve të lartë të bllokut maqedonas ishin se ky është rasti i vetëm për pastrimin e vërtetë të faktorit shqiptar, gjë që edhe po realizohet. Luftë e tmerrshme ndaj popullit shqiptar, pastrim i vërtetë etnik.

Nëse bazohem në atë që u tha më lart, jam i detyruar të them se sërish i gjori shqiptar u gjend i papërgatitur dhe i mashtruar nga mendimet e “larta”. Jam i bindur se Republika e Maqedonisë ka qenë e informuar dhe udhëheqëse në përgatitjen e këtij plani, si të dukshmit ashtu edhe atij të padukshëm. Por këtu ka qenë i involvuar edhe faktori shqiptar i llojit të “liderizmave”. Sa i përket Shqipërisë, pse nuk e pranojmë faktin se Shqipëria është anti-shqiptare, sepse ajo më shumë di të mendojë për të tjerët sesa për popullin e vet, për vendin e vet. Për këtë arsye zotërinj të nderuar pranojeni shqetësimin tim me liri të plotë por jam i frikësuar nga e keqja e cila tanimë është përgatitur për ne.

Propozimi im është i thjeshtë por sërish në formë pyetjeje: Vallë nuk kemi mundësi apo nuk është analizuar fare çështja se si është e mundshme që faktorit shqiptar përsëri t’i kthehet vetëbesimi, bindja, po edhe nëse duhet brenda Republikës së Maqedonisë? E dyta, përse mos të mendojmë siç kanë menduar serbët e Bosnjës, besoj se kjo u pëlqen edhe maqedonasve sepse tepër i kanë “simpatizuar”? Ose, tekefundit të vetorganizohemi dhe të themi se ne shqiptarët jemi frikacakë, por për shkak të frikës së madhe nuk kemi mundësi të jetojmë me maqedonasit dhe të thërrasim në mobilizimin e përgjithshëm në formën e asaj “të jesh apo mos të jesh”?

Është fakt se tash ne e kemi humbur përkrahjen e faktorit të jashtëm. Nëse e kemi parasysh të kaluarën në hapësirën e Ballkanit, besoj se kjo çështje rregullohet shumë shpejt, shembull për këtë kemi rastin me Bosnje e Hercegovinën, e madje edhe më të mirë përkrahjen që brenda natës e fitoi Serbia. Nëse edhe ne e ndjekim këtë mënyrë që doemos ta kemi një Millosheviq shqiptar, atëherë duhet ta dimë se Koshtunica kemi sa të duash. Me një fjalë, është fakt se duhet dëgjuar faktori i jashtëm, por kur është në pyetje vetë ekzistimi, siguria, dinjiteti, mbijetesa, liria, kultura, besimi, lindja dhe vdekja atëherë doemos duhet menduar në mënyrën e duhur. Mos harroni se dëshira e popullit është e flaktë për ta mbrojtur vetveten. Siç ka thënë edhe Shkëlzen Maliqi Maqedonia mbase nuk është ndonjëfarë shteti, por për shkak të konstelacioneve të raporteve në mbarë rajonin dhe stabilitetit të vet shtetit, ajo doemos duhet të ekzistojë.

*          *          *

Carlisle,PA 09.05.2015

 

Çdo fenomen e ka peshën e vet, i ka zërat e vet dhe ka domethëniet e veta, si duket vetëm tek ne fenomenet kalojnë aq pa kuptim sa që na ballafaqojnë me diçka që është e rrezikshme dhe nënçmuese për një popull. Brenda një periudhe të shkurtër me përsëritje ndodhën “fenomenet” e luftës të llojit serbo-maqedono-shqiptare. Për ne shqiptarët është mirë të mësojmë nga këto fenomene, ta kuptojmë dallimin e tyre në teori dhe praktikë, ngase fenomenet e luftës nuk i përngjajnë marrëveshjeve sekrete të “komandantëve” pa ushtarë që flasin, urdhërojnë nëpër rrjetet sociale siç janë facebook, twitter e të ngjashme dhe thërrasin, të mos them ulërijnë: kini kujdes, mos u tallni me shqiptarët ose ne vijmë atje dhe ju kallim. Këtë çmenduri nuk po e paguajnë ata, por janë duke e paguar me nënçmime të mëdha vetë qytetarët, vetë shqiptarët. Një ndër dëshmitë e kësaj ndodhi në Kumanovë: sërish u nënçmuam, u fyem nga një qeveri që moti e ka humbur imunitetin e vet shtetëror e qytetar. Populli i vet nuk e do, për fat të keq vetëm shqiptarët (politikisht) heshtin për këtë despotizëm të llojit “gluevski”. Është fakt se Gluevski nuk i pyet as partitë shqiptare për asgjë, edhe kur komunikon me ta ai i urdhëron dhe në fund i porosit: kështu do të flisni, do të më shani mua dhe maqedonasit që ta mashtroni vetveten dhe të bëheni heronj ashtu siç ju kemi bërë, që edhe vet të habiteni se kush jeni!?! A u pyet dikush për projektin 2014?!? U mbush Shkupi me figura nga e kaluara, edhe pse kjo dëshmon një psikologji patologjike të “artit të vdekjes” dhe të imagjinatës frankenshtajniane, që edhe me këtë rast i nënçmoi shqiptarët me bekimin e partive shqiptare, duke i diskriminuar edhe me “luftëtarin mbi kalë”, jo ai “i madhi” i sheshit kryesor, por ky “i vogli” i sheshit të çarshisë. A thua vallë aty e pat vendin Skënderbeu, në vend që të ishte pranë atij të madhit 20 metrash ose te kryqi lart në Vodno. Shkupi nuk ka nevojë për dy sheshe, shqiptarët nuk kanë nevojë për shesh të vetin, se ata tani për tani janë shtetas të Maqedonisë dhe qytetarë të Shkupit, apo jo?!?

Për arsye se populli, njerëzit e zakonshëm pa pikë faji, qofshin ata me “uniforma” apo pa uniforma, me një fjalë nënat e gjora dhe familjet e ndershme janë duke e paguar shumë shtrenjtë, me dhimbje dhe me tmerr, nuk dëshiroj të vazhdoj më tutje me sarkazëm. Por, nga ana tjetër, për këso rastesh nuk duhet të jesh insan, e lëre më të kesh mend e të thuash diçka që zë vend. Në çdo mënyrë koha i zbuloi fytyrat e vërteta me rastet e ndryshme që ranë mbi këtë insan të çuditshëm të kësaj hapësire të çuditshme, e ai prapëseprapë si duket mundohet të bëj gabim. Pse!? Për arsye të dëshirës për pushtet dhe veturave te zeza me targa AA, se kohën e fundit jemi duke e dëgjuar se kush paskemi qenë në brendësinë tonë, përmes përgjimeve si “bomba e vazhdueshme” që nuk u dihet fundi, e politikani prapë merr frymë. Është diçka e çuditshme, sepse me këtë dëshmohet se edhe ajo më e shenjta, e paprekshmja është prekur, është fëlliqur, e prapë heshtin. E megjithatë e shihni se askujt nuk ia “ndin” për asgjë. Kuptohet, kjo Maqedoni e Gruevskit nuk mund të jetë shtet, nuk mund të jetë as anarki, nuk mund të jetë as sundim primitiv; ky tip i tejkaloi të gjitha dimensionet, sepse nuk i intereson as nderi, as mendja, as familja, as kultura, as diplomacia, por e vetmja që ai dëshiron është ta “dëshmojë” vetveten dhe t’a kënaqë Sheshelin, ndaj edhe vazhdon me avazin e vjetër që ta mbajë veten në pushtet duke mbjellë frikë dhe duke inskenuar incidente mirë te kontrolluara herë në Gushincë, herë në Malinë, herë në Bashkësinë Fetare Islame e së fundmi, dhe fatkeqësisht me gjakderdhje, në Kumanovë.

Si duket Gluevski i vogël i llojeve te ndryshme është tërbuar ngaqë mbeti i izoluar pa përkrahjen e faktorëve të jashtëm, e me këtë mendoj të disa fqinjëve që çiftit të tij i ndihmuan në 2001-shin për të prodhuar tym, tmerr, luftë me “komandantë” të kontrolluar dhe të paguar mirë, e që pastaj u shndërruan edhe në liderë politikë. E sot, kur ka mbetur vetë është duke përdorë metodën e lojërave të fëmijëve “kamaj”, që si duket në mëngjesin e sotëm disi e arriti “orgazmën” – qëllimin. Dhe që ironia të jetë më e madhe e gjithë kjo ndodh në lagjen që njëra palë e quan “Lagjja e trimave”, e pala tjetër “Lagjja e egër”. Por neve, meqë kemi vendosur të mos luftojmë, nuk na mbetet gjë tjetër pos të mundohemi ta demaskojmë këtë tmerr që nuk është i mirë për askënd.

Edhe pse në këtë kohë as nuk dëgjohet e as në lexohet e vërteta, kur më tepër kënaqemi me ëndrrat dhe mashtrimet tona, prapëseprapë nuk guxojmë të harrojmë se njeriu është i pakontrolluar, mos dhëntë Zoti të dalë prej kontrolli, nëse del nuk është faji ynë, por i “natyrës”.

*          *          *

 

“Nuk do të besosh sinqerisht, derisa të tjerët të mos jenë të sigurt nga gjuha dhe dora jote”.

Hadith

 

Njeriu/besimtari duhet të gëzohet, të jetë i lumtur ta ketë njeriun/besimtarin komshi, që me të ta ndajë përditshmërinë, sepse njeriu/besimtari i vërtetë është gjithmonë i dobishëm për të tjerët, e me këtë edhe për vetveten. Besimtari gjithkund dhe gjithmonë e punon atë që i sjell dobi për amshimin. Fjala e besimtarit është e këndshme dhe e butë, ndërsa veprimi i tij, është vepër që e pushton njeriun. Besimtari nuk e shqetëson askënd me fjalë dhe veprim. Është rregull që të mos ua bësh të tjerëve atë që nuk dëshiron të ta bëjnë të tjerët.

Siç mund ta shihni këto janë dy shkrime me një dallim kohor prej 14 vitesh, të parin e 2001-shit nuk e ndryshova fare ngase ishte letër dërguar partive shqiptare të kohës, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, kurse pjesën e dytë nuk di kujt t’ia drejtoj, inshaAllah nuk e lexoni!?!.

09.05.2015

*Derguar nga Autori

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *