Papa në Sarajevë





AFP4230624_ArticoloPleart Halili

As në Italinë e Papatit nuk ndodh, që gazetat më prestigjioze, private dhe laike (Corriere, Repubblica dhe La Stampa), t’i kushtojnë hapësira të rregullta mendimit të klerit për gjeopolitikën, politikën, sociologjinë e çështje të kronikës, siç ndodh rëndom në gazeta si Panorama apo Mapo-ja e para ca kohëve. Vdes një VIP dhe duhet të komentojnë me doemos priftërinj, katolikë dhe protestant. Mos o Zot të merret mendimi i ndonjë kleriku ortodoks e larg qoftë i ndonjë myslimani, përveç rasteve kur regjistrohen akte terroriste në Europë, e vetëm atëherë mediat vihen në kërkim të hoxhallarëve, natyrisht jo për mendime e analiza sesa për (sh)fajësim.

Pa u tharë boja mbi artikullin lidhur me zgjedhjet lokale, Panorama boton një tjetër artikull të Gjergj Metës, kësaj here për vizitën e Papës në Bosnje. Në Shqipëri tashmë i njohim të gjitha itineraret e Papës. Nuk ka qoftë një analizë serioze mbi këto vizita dhe skenografitë përkatëse, përveç përshkrimeve të klerikëve si Meta, që natyrisht do të dhe duhet të jenë të përshpirtshme, apo të ndonjë zëri gjithmonë afër kishës.

Objektivi është t’i përçohet lexuesit shqiptar një predikim i radhës, që çdo klerik do ta ëndërronte, e deri këtu asgjë personale me Dom Metën, që bën punën e tij dhe e bën mirë. Thjesht Panorama ta kthjellojë linjën e saj, sepse duket sikur është shndërruar në zëdhënëse e kishës, e sektarizmit fetar dhe e krahinarizmit primitiv.

Tani, për sa i përket vizitës së Papës në Bosnje, Dom Meta e mbyll shkrimin duke pohuar se “ndërtimi i urave nëpërmjet dialogut dhe faljes reciproke do të bëjë që e ardhmja të ndërtohet dhe të ketë përparim e rritje në jetën e popujve”. Këtu ai është në cilësinë e analistit e jo më të klerikut, e meqenëse e ka marrë përsipër këtë detyrë atëherë duhet të jetë më argumentues në këtë aspekt, sepse një konkluzion i tillë ngjason me përgjigjen e Mis Botës, “paqen në botë”, dhënë pyetjes “çfarë dëshiron?”.

291ce888f2ed444a2a4863f84624acdfNjë urë që kishin myslimanë e katolikë në Mostar, e shkatërruan këta të fundit dhe desh e shfarosën popullsinë myslimane, ndërkohë që Bosnja e asokohe kishte kërkuar njohje ndërkombëtare dhe papa i atëhershëm nuk u tregua aq i ngutshëm në njohjen e këtij shteti siç kishte bërë në rastin kroat. Sot panorama e Mostarit ka një kryq gjigant në anën kroate dhe një katedrale me kambanore po ashtu gjigante, që s’kanë asnjë lidhje logjike me trupin e tempullit përveçse ngrihen për të shënjuar territorin, siç mund të vërehet edhe në Shqipëri. Kjo ndodh kur ndërkohë viktimat më të shumta të luftës në Bosnje janë pa më të voglin dyshim myslimanët.

20117116103875360_20Nga vizita e papës në Sarajevë mund të veçohet rrëfimi i një prifti, një françeskani dhe i një murgeshe, që kishin vuajtur torturat gjatë konfliktit, dy të parët nga serbët ndërsa murgesha, natyrisht, nga myslimanët. Rrëfimet janë rrëqethëse. Po viktimat e tjera nuk meritojnë të kujtohen? Mbi 80% e viktimave civile janë myslimanë, kurse katolikët luhaten në 4-6,5% (1600-2400). Meritojnë një dëshmitarë edhe ata që kaluan në 715 kampe përqendrimi, kryesisht serbe e kroate, 50 mijë të torturuar dhe diku te 20-50 mijë femra të përdhunuara. Ka gjithashtu edhe viktima civile nga pala serbe. Kjo skenografi nxjerr katolikët kroatë viktimat kryesore të konfliktit, gjë e cila është tërësisht manipulim.

Nuk mund të diskutohet për paqe apo falje reciproke dhe njëkohësisht të celebrohen vuajtjet e njërës palë, për më tepër në minorancë të theksuar dhe që ka sulmuar dhe fillimisht ka tentuar shfarosjen e tjetrit. Është njëlloj sikur patriarku serb, pas një mrekullie hyjnore, të kërkojë paqe e dialog me shqiptarët e Kosovës, dhe këtë ta bëjë nga Prishtina, pasi ka dëgjuar rrëfimet e ndonjë kleriku ortodoks të dhunuar nga myslimanët…

Paqja kërkon vepra, të cilat fillojnë duke njohur fajet personale, duke kërkuar falje, duke mos ndërtuar barriera me pamje simbolikash fetare përballë një tjetri të masakruar. Çka ngelet janë fatkeqësisht fjalë emocionuese, me paqe e dialog, sa boshe aq edhe me rendiment publicitar.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *