Edi Rama përdor kartën Islamike





downloadPara disa ditësh shkruajtëm në këtë faqe se Shqipërisë sot i duhet Islami. Sa herë që Europa i përplas derën në fytyrë politikanëve shqiptarë, sa herë që krimet, korrupsioni, trafiqet bllokojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Europian, politikanët shqiptarë përdorin kartën islamike. Ajo ka shërbyer si justifikim përpara publikut shqiptar se Europa nuk na pranon për shkak të Islamit në mënyrë që politikanët mos kenë nevojë të shpjegohen për korrupsionin dhe përkrahjen e krimit të organizuar. Tani kryeministri shqiptar po përdor Islamin si kartë jo vetëm përpara publikut shqiptar, por edhe si kërcënim ndaj europianëve. Në një artikull të The Financial Times, z. Edi Rama citohet të ketë thënë në lidhje me rrezikun e përhapjes së Islamit radikal:

Një i ri në Tunis ose Tobruk ndjen se ai nuk ka të ardhme. Por në Shqipëri ylli në qiell është Europa. Nëse Europa nuk tregohet siç pritet, atëherë do ketë një hapsirë të madhe për Islamin radikal.

Në rajonin tonë ballkanik gjenden muslimanët më pro-amerikanë dhe pro-europianë në botë,” tha ai duke ju referuar komuniteteve muslimane në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje. “Por kjo po ndryshon, e nuk është as si 10 vjet më parë. Dhjetë vjet më parë do kish qenë e pamundur që të kishte luftëtarë të huaj nga Shqipëria [duke luftuar në Irak dhe Siri]. Rreth 98% e njerëzve besonin tek Amerika, më pas tek Zoti, e më pas Europa. Sot nuk është më kështu.

Rama duhet të bëjë punën për të cilën paguhet nga populli shqiptar e ta çojë Shqipërinë drejt arritjes së standarteve të pranimit në BE nëpërmjet reformave, luftës kundra korrupsionit e krimit të organizuar, gjë që duhet ta fillojë në rradhët e partisë së vet e jo të bëjë kërcënime duke nxitur Islamofobinë, e duke i paraqitur muslimanët shqiptarë si rrezik potencial kundra Europës.

Muslimanët shqiptarë janë një bashkësi historike në Europë, krenarë që dëshmojnë besimin monotesit të profetëve biblikë dhe të Profetit Muhamed – paqja qoftë mbi ta – teksa edhe në kohë sundimi politik maxhoritar musliman, kanë besuar në të drejtën e të krishterëve për të praktikuar besimin e tyre – siç dëshmojnë kishat në qytetet më të mëdha osmane të Ballkanit, dhe të pranojnë krahapur hebrenjtë edhe kur në Europën përtej Adriatikut nuk kishte asnjë fe tjetër përveç Krishtërimit dhe hebrenjtë shfaroseshin në masë.

Nuk kishte shance që dhjetë vjet më parë luftëtarë shqiptar të shkonin në Siri e Irak sepse as ISIS nuk ishte formuar ende, gjë e cila, kujtojmë këtu, sipas vetë pohimit të Presidentit amerikan, Barack Obama, është rrjedhojë e pushtimit amerikan të Irakut.

Së fundmi, z. Rama të ndajë mendjen se si do e paraqesë Shqipërinë: si një vend muslimanësh pro-perendimor por që nëse Europa nuk na mer me të mirë do hidhemi në krahët e ISIS, apo si një vend që nuk është musliman, siç deklaroi vetëm pak muaj më parë?

Lëri muslimanët rehat z. Rama e nëse je i shqetësuar për yllin Europian në qiellin shqiptar, fillo pastro retë e zeza të korrupsionit qeveritar. Në këtë muaj agjërimi, ndoshta të gjithë politikanët mund të mësojnë dicka nga kontrolli ndaj grykësisë – këtij mëkati të njohur si të tillë nga të gjitha fetë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *