Pesë shkatërruesit e shpirtit






dsc0043Ibn Kajim el-Xheuzije

(Fragment i shkëputur nga libri i Ibn Kajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”, (Botime Dar el-Kutub el-Ilmijeh), f. 283-287

Prishësit e zemrës janë pesë dhe me saktëisht ato janë “përzierja me njerëzit, të jetuarit në një jetë imagjinare (fantazia), lidhja me gjithçka tjetër përveç Zotit si edhe ngrënia dhe gjumi i tepërt”. Këto pesë gjëra janë korruptueset më të mëdhaja të zemrës. Këtu do të përmendim efektet e tyre, të përbashkëtat si edhe efektet e veçanta që secila prej tyre zotëron mëvetësisht.

Bëhu i vetëdijshëm se zemra udhëton drejt Zotit dhe botës tejtër duke zbuluar rrugën e të vërtetës dhe mënyrat e saj, ndodhitë e shpirtit dhe veprave si edhe të kusarëve [që bëjnë pritë] në rrugën [shpirtërore], përmes dritës, jetës, fuqisë, shëndetit, vendosmërisë, saktësisë së dëgjimit dhe shikimit të saj si edhe mungesës së hutimeve dhe pengesave në të. Këto pesë shkatërruese të shpirtit e zhdukin dritën e zemrës, i verbojnë sytë duke i privuar nga aftësia depërtuese, e shurdhojnë dëgjimin, në mos e bëjnë njeriun krejtëisht të shurdhër dhe memec, dobësojnë të gjitha dhuntitë e zemrës, shkatërrojnë shëndetin e saj, ia shterojnë vendosmërinë, ia ligështojnë këmnënguljen dhe e bëjnë atë të kthehet mbrapsht. Ai i cili nuk është i vetëdijshëm për këtë zotëron një zemër të pajetë: “Cila është ajo plagë që mund të dëmtojë atë që është i vdekur?”

Këto pesë gjëra e pengojnë zemrën nga të arriturit e gjendjes së përsosur duke e ndaluar që të arrijë atë për të cilën është krijuar dhe nga të arriturit e burimet e lumturisë, suksesit, lulëzimit dhe kënaqësisë së saj.

Zemra nuk mund të zotërojë asnjëherë lumturi, kenaqësi, lulëzim apo përsosmëri përveçe duke njohur Zotin dhe duke e dashur Atë, duke ndjerë paqe gjatë përkujtimit të Tij, duke u gëzuar dhe lulëzuar gjatë arritjs së afërsisë me Të si edhe duke ndjerë përmallim për takimin me Të. Ky është xheneti i tanishëm i njeriut. Njësoj siç njeriu nuk ka për të arritur lumturinë dhe suksesin në botën tjetër përveçse përmes arritjes së afërsisë me Zotin në vendin e lumturisë në xhenetin e mëvonshëm. Kësisoj, njeriu ka dy xhenete: ai nuk mund të hyjë në të dytin (d.m.th. xhenetin e perhershëm) nëse nuk hyn paraprakisht në xhenetin e parë (d.m.th. në xhenetin e tanishëm të kësaj bote). Kam dëgjuar Shejhul Islam Ibn Tejmijen, Zoti e shenjtëroftë shpirtin e tij, të thotë: “Vërtet ekziston një xhenet në këtë botë dhe kushdo që nuk hyn në të nuk do të hyjë në xhenetin e botës tjetër”

Një nga njohësit e Zotit (arif) ka thënë: “Zemra kalon përmes disa momenteve (kohëve) të tilla sa që them: “Nëse njerëzit e xhenetit do të kishin përjetuar diçka të ngjashme me këtë jeta e tyre do të ishte vërtetë e mirë”. Një nga të dashuruarit pas Zotit (muhib) ka thënë: “Të mjerët e kësaj bote janë ata që ikin prej saj pa shijuar gjënë më të mirë në të”. Njerëzit pyetën: “Cila është gjëja më e mirë në të?”. Ai iu përgjigj: “Dashuria për Zotin, afërsia me të, malli për ta takuar atë, kthimi drejt tij dhe shmangia e çdo gjëje tejtër”.

Kushdo që ka një zemër me jetë e dëshmon një gjë të tillë dhe e njeh atë përmes përjetimit shpirtëror (dheuk).

Pesë korruptueset e zemrave janë ato që e pengojnë këtë të fundit nga të arriturit e gjithë kësaj që sapo thamë. Ato e bëjnë këtë duke qendruar midis zemrës dhe Zotit, duke bllokuar udhëtimin e saj, duke e goditur atë me sëmundje dhe mangësi, të cilat nëse pacienti (d.m.th. zemra) nuk do t’i kalojë atëherë ai do të jetë në rrezik për jetën.

1) Përzierja e tepërt me njerëzit

Për sa i përket pasojave të përzierjes së tepërt me njerëzit një gjë e tillë e mbush zemrën me tymin e frymërave të bijve të Ademit, derisa e bën atë të zezë dhe i shkakton asaj shpërndarje dhe çarje. Pëzierja me njerëzit e bën zemrën të mbushet me shqetësim, pikëllim dhe dobësi, duke qenë se asaj i duhet të duroj përtej kapaciteteve të saj mbajtjen e shoqërisë së keqe, të mos kujdeset për interesin e saj prej të cilit shoqëria e njerëzve e huton, duke i shpërndarë mendimet e saj në luginën e kërkesave dhe vullneteve të njerëzve. Pas kësaj, çfarë i mbetet zemrës për Zotin dhe botën tjetër?

Për më tepër, sa të shumta janë fatkeqësitë që vijnë si pasojë e përzierjes me njerëzit dhe sa shumë bekime humbasin duke qendruar me ta? Sa të shumta janë sprovat dhe problemet që hasen duke u përzier me njerëzit dhe sa shumë oportunitete humbasin duke qendruar me ta? A nuk i vjen fatkeqsia njeriut veçse nga njeriu? Çfarë ishte më e dëmshme për Ebu Talibin në shtratin e tij të vdekjes më shumë se sa shokët e ligë? Ata nuk e lejuan atë dhe e ndaluan të thoshte një fjalë të vetme (d.m.th. shehadetin) që do të kishte dërguar atë në lumturinë e përjetshme.

Kjo është përzierja me njerëzit e cila mbështetet në një farë dashuries për këtë dynja, një përzierje ku njerëzit përmbushin nevojat e njeri-tjetrit dhe pasi nevoja përfundon atëherë shoqëria e tyre kthehet në armiqësi, duke e lënë personin që e ka mbajtur shoqërinë që të kafshoj duart nga keqardhja. Siç ka thënë edhe Zoti në Kuran: ”

“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. (Kuran 25:27-29).

Zoti i lartësuar ka thënë po ashtu: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të

drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun”. (Kuran 43:67).

Po ashtu miku i Zotit, Ibrahimi, i ka thënë njerëzve të tij: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.” (Kuran 29:25).

Kjo do të jetë gjendja e të gjithë atyre që mblidhen së bashku për interesa personale, duke shprehur dashuri për njeri-tjetrin për sa kohë punojnë së bashku për ta arrirë atë. Por, kur interesi mbaron atëherë kjo pasohet nga keqardhje, hidhërim dhe dhimbje. Dashuria e tyre kthehet ne armiqësi, mallkim, fajësim kundër njeri-tjetrit. Kjo sepse interesi i është kthyer atyre dhe është shndërruar në hidhërim dhe dënim, siç shihet qartë kur ato mblidhen së bashku për ta tradhëtuar atë në momentin kur kapen dhe ndëshkohen. Të gjitha atë që bashkëpunojnë në të gënjeshtërtën, dashurojnë njeri-tjetrin për hir të saj, do ta shohin dashurinë e tyre të kthehet në urrejtje dhe armiqësi.

Rregulli i përgjithshëm është që njeriu të përzihet me nejrëzit vetëm për mirësi, si p.sh. në rastin e grumbullit në ditën e xhuma, festën e Bajramit, në haxh, në rrethet e dijes dhe mësimit, në xhihad dhe në rastin kur jep këshillë të mirë, si edhe të evitoj shoqërinë me njerëzit në kryerjen e veprimeve që konsiderohen gjynah dhe të atyre veprimeve që janë të lejuara, por të panevojshme.

Nëse dikush e gjen veten në shoqëri të njerëzve që janë duke u përfshirë në ndonjëfarë vesi, ai nuk duhet asnjëherë ta miratoj veprimin e tyre dhe duhet të tregohet i durueshëm për lëndimin që mund të pësoj si pasojë e qëndrimit të tij. Kjo sepse nëse ai nuk ka asnjë pushtet apo mbrojtës ata nuk do ta lënë asnjëherë të qetë atë që kundërshton rrugët e këqija të tyre. Gjithsesi, vuajtjen që një person duron në këtë rast do të ndiqen nga nderi, dashuria, respekti dhe lëvdimi i besimtarëve dhe Zotit. Pranimi në heshtje i veprave të tyre të këqija do të dërgoj në poshtërim, urrejtje dhe mosaprovim prej tyre, besimtarëve dhe Zotit të botërave. Kësisoj, në fund të çështjes durimi ndaj lëndimit të tyre është më i mirë dhe më i lëvdueshëm. Kur dikush është i detyruar të shoqërohet me ta në gjëra të lejuara, por të panevojshme, atëherë ai duhet të përpiqet ta ktheje atë shoqëri, nëse ka mundësi, drejt bindjes ndaj Zotit, të forcojë zemrat e tyre dhe të evitoj vesveset e shejtanit që mund ta pengojnë atë nga të kryerit e një veprimi të tillë. Megjithatë, ai duhet të luftoj kundër dëshirës së tij për tu mburrur me veprat dhe gjendjen e tij shpirtërore. Ai duhet t’i lutet Zotit për ndihmë dhe të veproj drejt sa më shumë të jetë e mundur në situate të tilla.

Nëse asnjë prej këtyre veprimeve nuk funksionon dhe njërëzit këmbëngulin në shkujdesjen (gaflet) e tyre dhe personi në fjalë është i detyruar të qendroj në shoqërinë e tyre, atëherë ai duhet ta largojë zemrën e tij nga ajo shoqëri (e keqe), njësoj si një qime hiqet prej brumit. Kësisoj, ai nuk është me ta ndoënse jo i pranishëm (fizikisht), afër por larg (në realitet), në gjumë, por i zgjuar, ai i vështron ata, por nuk i shikon (në realitet), ai ia vë vëshin (atyre), por nuk i dëgjon. Trupi i tij mund të jetë në shoqërinë e tyre, por zemra dhe mendja është me Zotin.

2) Fantazia

Korruptuesi i dytë i zemrës është lundrimi në oqeanin e dëshirave/ëndërrave. Një oqean i tillë nuk ka fund dhe në të jetojnë dështakët e kësaj bote sepse fantazia është zotërimi më i mirë i të varfërve. Furnizimi i atyre që lundrojnë në oqeanin e dëshirave/fantazive përbëhet nga premtimet dhe fantazitë e shejtanit. Valët e shpresave dhe fantazive të gënjeshtërta lozin me njeriun njësoj siç qeni loz me një kufomë. Këto dëshira të rreme janë aseti i çdo shpirti të degjeneruar dhe të pavlerë të cilit i mungon kurajo për tu përballur me realitetin, kështu që ai e mbulon atë me fantazitë e mendjes së tij. Secili prej atyre që vuajnë nga një sëmundje e tij preken prej saj në mënyra të ndryshme. Disa ëndërrojnë me sy hapur për të pasur pushtet dhe autoritet, të tjerë ëndërrojnë të udhëtojnë në të gjithë botën dhe të vizitojnë çdo qytet dhe të tjerë akoma që të zotërojën pasuri dhe gjëra të çmuara, gra dhe djem. Ai që ëndërron me sy hapur merr formën e gjësë që ai dëshiron dhe imagjinon se ai e ka arritur atë dhe i gëzon triumfit të tij, dërisa zgjohet dhe e gjen veten duarbosh. Ai i cili është vërtet i guximshëm dhe synon lart i kthen dëshirat e tij drejt dijes dhe besimit si edhe drejt veprave që e afrojnë me Zotin e tij dhe e dërgojnë atë pranë Tij. Ëndërrat e tij janë ëndërra besimi dhe drite, ndërsa ëndërrat e atyre që vuajnë nga fantazitë e kota janë mashtrime dhe mendjemadhësi.

Profeti (a.s.) e ka lavdëruar atë që dëshiron të kryej vepra të mira duke e barazuar në disa raste shpërblimin e tij me atë të atij personi që i kryen ato. Njësoj si ai që thotë: Nëse kam pasuri atëherë njësoj si filani dhe fisteku do t’i druhem Zotit, do të përmisojë marrëdhëniet e mia (me të tjerët), do të paguaj zekatin. Profeti ka thënë: “Që të dy (d.m.th. si ai që i bën këto gjëra ashtu edhe ai që shpreson se do ti bëjë) janë të barabartë në shpërblim” (Transmetoi Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ahmedi). Profeti (a.s.) pasi e kishte kryer haxhin sipas mënyrës kiran shprehu dëshirën që ta kishte bërë atë sipas mënyrs tematu, të kishte përfunduar ihramin e tij të mos e kishte sjellë kurbanin me vete. Kësisoj Zoti e shpërbleu si për kryerjen e kiranit ashtu edhe për pasjen synim të kryerjes së tij tematu.

3) Lidhja me gjithçka tjetër përveç Zotit

Korruptuesi i tretë i zemrës është lidhja me gjithçka tjetër përveç Zotit. Nuk ka shkatërrues më të madh të zemrës, pengues më të madh për tek Zoti dhe armik i dobisë dhe suksesit të njeriut se sa kjo sëmundje. Kur njeriu është i lidhur me dikë tjetër përveç Zotit, atëherë Zoti e dorëzon atë në duart e atij me të cilin njeriu është lidhur dhe ky i fundit e tradhëton atë dhe njeriu dështon. Ai dështon në të dyja drejtimet dhe nuk e arrin përmbushjen e dëshirës së tij as nga Zoti (i vërtetë) dhe as nga zoti i tij i rremë. Zoti i lartësuar ka thënë: ” Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës. Por jo! Ata [zotat e rremë] do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiqtë e tyre” (Kuran 19:81-82). Zoti i lartësuar ka thënë gjithashtu “Por ata kanë zgjedhur zota të tjerë në vend të Allahut, duke shpresuar se do të ndihmohen prej tyre. Zotat nuk mund t’i ndihmojnë, e megjithatë idhujtarët janë si një ushtri e pranishme për (t’i mbrojtur) ata” (Kuran 36:74-75).

Njerëzit më të poshtëruar janë ata që janë të lidhur me dikë tjetër përveç Allahut. Atë që ata kanë humbur, nga mirësia, gëzimi dhe lumturia, është shumë më e madhe se ajo që ata kanë përfituar. Madje edhe ajo pak gjë që ata kanë përfituar është e destinuar të humbasë. Shembulli i një personi të tillë është i ngjashëm me rastin e atij personi që orvatet të gjej strehim nga vapa apo i ftohti në shtëpinë e një merimange, e cila është më e dobëta strehë. Thënë përmbledhtazi, thelbi i shirkut dhe baza tek i cili ai mbështetet është pikërisht të lidhurit me dikë tjetër përve Allahut. Ata të cilët bien në këtë grackë janë të censuruar dhe të braktisur. Siç ka thënë edhe Zoti i lartësuar: ” Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur!” (Kuran 17:22). Ti do të ndjehesh i poshtëruar me askënd që të të admiroj dhe i harruar pa asnjë ndihmëtar. Disa njerëz janë të shtypur, por të lëvduar, si në rastin e atij është i shtypur në mënyrë të padrejtë. Disa të tjerë nuk lavdërohen (nga të tjerët), por kanë nuk mbështetje, siç është p.sh. rasti atij që sundon me padrejtësi. Të tjerë akoma janë të lavdëruar dhe të ndihmuar, siç është p.sh. rasti i atij i cili ngjitet në pushtet me drejtësi. Një njeri që bën shirk, i lidhur me diçka tjetër përveç Zotit, as nuk lëvdohet dhe as nuk ndihmohet.

4) Ngrënia e tepërt

Korruptuesi i katërt i zemrës është ushqimi. Ai e prish zemrën në dy mënyra: E para, ajo çka e korrupton zemrën falë faktit se ajo është në esencës e ndaluar. Gjëra të tilla ndahen në dy lloje të tjera: 1) Ajo që është e ndaluar për shkak të hakut të Zotit, si p.sh. ngënia e cofëtinave, gjakut, mishit të derrit, kafshët me dhëmbë çatall dhe zogjtë me kthetra dhe 2) ato gjëra që janë të ndaluar për shkak të së drejtës së njerëzve, si p.sh. gjërat e vjedhura, të marra me pa të drejtë apo të grabitura si edhe gjithçka që merret prej pronarit të saj pa lejen e tij, qoftë përmes forcës, modestisë apo frikës prej shpifjes.

E dyta, ajo çka e korrupton zemrën falë sasisë, gjë e cila konsiston në kalimin e kufijve. Një rast i tillë është ekstravaganca në atë që është e lejuar, siç është p.sh. rasti i ngrënies së tepërt [të ushqimeve të lejuara]. Një gjë e tillë shkakton letargji në bindjen ndaj Zotit, preokupim me mbajtjen obezitetit dhe gjithçka që shoqërohet me të, derisa personi të ndjehet i ngopur. Pasi të jetë ngopur ai e preokupon veten me përpjekjen për të shmangur dëmet dhe parehatinë e peshës së tij. Ai mbizotërohet nga babëzia dhe rruga e shejtanit [për tek ai] zgjerohet, sepse shejtani qarkullon nëpërmjet birit të Ademit, njësoj si gjaku në trup. Agjërimi e ngushton rrugën e shejtanit dhe ia bllokon atë, ndërsa grykësia e zgjeron atë. Cilido që ha shumë do të pi shumë dhe do të fle shumë si edhe do të humbë shumçka. Siç thuhet edhe në një hadith të mirënjohur: “Biri Ademit nuk mbush asgjë më të keqe se sa stomaku i tij. Është e majftueshme për atë që ta hajë aq sa të mbajë shpinën e tij. Nëse duhet doemos të mbushë [stomakun], atëherë le ta mbushë një të tretën e tij me ushqim, një të tretën me pije dhe një të tretën [e mbetur] ta lërë për të marrë frymë”.

Transmetohet se Iblisi shkoi tek Jahja biri i Zakarisë, paqja qoftë mbi të dy, dhe Jahja tha: “A më ke kapur në ndonjë gjë? Iblisi tha: “Jo, përveç se një rasti kur një natë tu servir ushqim dhe una bëra të mundur që ti ta dëshiroje atë derisa hëngre prej tij deri në ngopje dhe fjetje aq sa e humbe faljen”. Ai tha: “Pasha Zotin, unë nuk do të ha më aq sa të ngopem”. Ndërsa Iblisi tha: “Pasha Zotin as unë nuk do ti jap më sërish këshillë ndonjë njeriu”.

Gjumi i tepërt

Korruptuesi i pestë i zemrave është gjumi i tepërt. Kjo sepse ai e bën zemrën të plogët, dobëson trupin, harxhon kohën si dhe ushqen neglizhencë dhe përtaci. Një pjesë e gjumit të tepërt është e papëlqyeshme dhe një pjesë tjetër është e dëmshme për trupin.

Gjumi më i dobishëm është kur personi fle atëherë kur është e nevojshme. Gjumi gjatë pjesës së parë të natës është më i rekomandueshëm dhe i dobishëm se sa gjumi gjatë pjesës së fundit të natës. Ndërsa gjumi gjatë mesit të natës është me i dobishëm dhe i kënaqshëm se gjumi në fillim dhe fund të natës. Sa më shumë afrohet me dy fundet e natës aq më shumë ulet dobishmëria e tij. Veçanërisht i padobishëm është gjumi në mesditë dhe në fillim të ditës, me përjashtim të rastit të atij që e ka gdhirë natën.

I papëlqyeshëm është edhe gjumi pas namazit të sabahut deri në lindje të diellit, sepse një kohë e tillë është një mundësi dhe të ecurit gjatë kësaj kohë është më e dobishme për kërkuesit shpirtërorë (muridin), madje edhe nëse e kanë gdhirë gjatë gjithë natës. Ata nuk ia lejojnë vetes që të mos ecin gjatë kësaj kohe deri në lindje të diellit. Pjesa e parë e ditës është çelësi i gjithë ditës. Ajo është periudha kur risku zbret dhe përcaktohet për njeriun. Periudha kur merret bereqet, ndërtohet dita dhe suksesi i tërë ditës varet nga kjo periudhë kohore. Kështu që, njeriu nuk duhet të flejë gjumë në këtë kohë përveç rasteve kur një gjë e tillë është e pashmangshme. Gjumi më i dobishëm është gjumi i mesit të natës dhe një të gjashtës të fundit të saj, që në tërësi konsiston në tetë orë. Sipas mjekëve, kjo është periudha më e balancuar për të fjetur gjumë. Gjithçka që shtohet apo pakësohet prej saj shkakton dëm. Ashtu siç gjumi i tepërt shkakton dëm të njëjtin efekt shkakton edhe luftimi i gjumit ose shmangja tërësore e tij. Një fenomen i tillë shkakton probleme të tjera madhore, si p.sh., pasjen e humorit të keq dhe të ashpër, mosfokusimin e shpirtit dhe tharjen e lëngjeve që ndihmojnë në të kuptuarit dhe kryerjen e punëve. Mungesa e gjumit shkakton, po ashtu, sëmundje kronike të cilat nëse e godasin personin, atëherë as zemra dhe as trupi i personit nuk do t’i sjellin shumë dobi. E gjithë ekzistenca varet nga drejtësia, cilido që e ruan atë do të marrë hisen e tij nga magazina e mirësive. Dhe Zotit të vetëm i takon lutja për ndihmë.

 

Përktheu: Rezart Beka

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *