Sqarim për një shënim të Respublica





downloadFaqja Respublica ka bërë një shënim ku ndër të tjera ngre shqetësimin se falja e namazit të Bajramit në bulevardin qëndror të kryeqytetit bllokon një nga akset kryesore të kryeqytetit dhe se teksa kjo është legjitimuar me mungesën e një xhamie të madhe, përdorimi i bulevardeve kryesore në rrethe ka vazhduar edhe pasi janë ndërtuar xhami të mëdha – si në Shkodër. Shkruhet në Respublica:

Është kthyer në traditë ose më saktë ngjarje kulturore për kryeqytetin falja e namazit në bulevardin kryesor të Tiranës. çdo vit përcillet e njëjta pamje, arteria qendrore e kryeqytetit “pushtohet” për disa orë nga besimtarët muslimanë që kanë të drejtën legjitime të kryejnë ritet e tyre fetare, por jo të zaptojnë hapësira publike që u shërbejnë të gjithëve në emër të përkushtimit për Zotin. Në vitet e para derdhja e besimtarëve në bulevard u justifikua me argumentin se Komunitetit Musliman i mungonte një hapësirë e mjaftueshme për të kryer lutjen e namazit dhe ky demostrim shtoi presionin që ky komunitet të kishte si gjithë komunitetet e tjera një xhami të denjë për të kryer të gjitha ritet. Këtë privilegj e fituan të parët besimtarët muslimanë të Shkodrës, pas ngritjes së xhamisë më të madhe në Ballkan. E megjithatë falja e Namazit në kryeqendrën e Veriut vazhdon të kryhet në rrugë. Edhe në Elbasan ku deri dy vjet më parë lutja kryhej në Pallatin e Sportit, krerët lokalë të Komunitetit Musliman vendosën që ajo të kryhej në bulevardin e qytetit.

Më pas Respublica vazhdon duke shënuar se ka edhe besimtarë që janë kundra përdorimit të bulevardit për lutje, duke cituar nga postimi jonë i para disa ditëve ku kemi shkruar:

kjo qasje është kritikuar shumë edhe nga vetë pjesëtarë të besimit islam që kanë shfaqur hapur papajtueshmërinë me këtë mënyrë faljeje që ata e quajnë spektakël. Ja se çfarë shkruan faqja e-zani.com në një shkrim të pak ditëve më parë, risjellë nga një shkrim i mëhershëm:
“Nga ana tjetër, mbyllja e xhamive është një akt i pashembullt në kurriz të besimtarëve të thjeshtë që duan përunjësi dhe jo pompozitet, dhe që mendojnë se takimi me Zotin është më dinjitoz në shtëpitë e Tij sesa në trotuare bulevardesh. Ky është rasti i parë në 20 vjet pas ndalimit të fesë, që xhamitë e kryeqytetit mbyllen për faljen e një namazi, gjë që e bën atë të paprecedent…Teksa kemi vendosur pankarta në katër anët e qytetit duke kujtuar banorët e kryeqytetit se ky është muaj i harmonisë, faljes e i mëshirës, a kemi menduar se për kaq e kaq banorë pa ndjeshmëri fetare si tonat, këta altoparlantë pengojnë gjumin e pushimin e natyrshëm të natës? Për këta banorë që u duhet të ngrihen herët në mëngjes për të vajtur në punë, a ka sjellë Ramazani harmoni e falje në lagjen e tyre apo shqetësim e lodhje?”

Teksa i qëndrojmë asaj që kemi shkruar disa ditë më parë, ky referim ka nevojë për tu qartësuar. Së pari fragmenti nga postimi ynë është për lutjet e Natës së Kadrit dhe jot ë Bajramit. Një nga dallimet është që bllokimi për të cilin flet Respublica në ditën e Bajramit ndodh nga ora 5 e mëngjesit gjer në ora 7 të mëngjesit në një ditë të shpallur pushim zyrtar. Ora e herët në një ditë pushimi bën që ndërhyrja në jetën e qytetarëve të tjerë të jetë minimale.

Së dyti, bulevardi dhe rrugë të tjera të kryeqytetit janë përdorur edhe në procesione apo evente fetare të bashkësive të tjera, nga grupe politike, apo edhe nga minoritete orientimi seksual – këto në orare kur përdoren këto akse nga shumë më tepër qytetarë se sa në ora 5 të mëngjesit në një ditë pushimi zyrtar. Nuk është në nderin e një faqeje mediatike të problematizojë duke vecuar vetëm një bashkësi fetare, shpesh të paragjykuar, si bezdisës të jetës së kryeqytetit.

Një media që vëzhgon jetën fetare le të vërejë dhe analizojë edhe faktin se Tirana sot ka më pak xhami se sa ka patur në vitin 1944 kur ka një popullsi shumë fish më të madhe; se pronat që shteti ja ka grabitur nuk i janë kthyer; se teksa të gjitha bashkësitë fetare kanë ndërtuar tempuj të mëdhenj në qendër, në tokë të dhënë apo kompënsuar nga shteti, muslimanët janë penguar së ndërtuari në tokë të vetë.

Muslimanët nuk falën në trotuare vetëm ditën e Bajramit por edhe jashtë xhamive edhe në faljet javore të së premtes, pasi nuk ka xhami të mjaftueshme. Edhe literatura perëndimore në Perëndimore ka vënë në dukje se pengesat për ndërtim xhamish kanë qenë politike dhe shprehje e paragjykimeve ndaj muslimanëve.

Ne qëndrojmë në shtysën tonë për të gjetur zgjidhje më të përshtatshme, por komente si këto do duhet të pyesin se ku mbaron shqetësimi qytetar e ku fillon paragjykimi ndaj muslimanëve.

Së fundmi Respublica shton:

Dhe ajo që bie në sy është se dalja masive dhe bllokimi i bulevardit për nevoja fetare bëhet me pjesëmarrjen e njerëzve të politikës dhe për më tepër të kryetarit të Komitetit të Kulteve, personazhe që në faljen e sivjetshme ishin rreshtuar në radhën e parë të besimtarëve për të treguar përkushtimin ndaj Zotit.

Të qenit njerëz të politikës nuk u mohon kreut të komunitetit të kulteve, z. Hoxholli apo edhe z. Idrizi të drejtën e besimit dhe të ushtrimit të besimit të tyre. Të tjerë politikanë marin pjesë në mesha ortodokse apo katolike dhe është e drejta e tyre kushtetuese për ta bërë këtë. Negativiteti i komentit të Respublica për ta është sa paragjykues sa edhe i pajustifikuar.

Comments

  • Sqarimin e Respublica po e percjellim direkt ne faqen tuaj per lexuesit e e-zani.com.

    Shenimi i Respublica nuk eshte as paragjykues dhe nuk ka asnje ngarkese negativiteti ndaj besimit islam dhe besimtareve muslimane. Shqetesimi per zaptimin e hapesirave publike per nevoja fetare vlen njesoj per te gjitha komunitetet, por shkrimi i referohet ne vecanti faljes se namazit per shkak te aktualitetit dhe kjo nuk ben ndonje dallim nese eshte lutja e Fiter Bajramit apo e Nates se Kadrit. Nese shqetesimi i faqes e-zani.com eshte me karakter fetar dhe ajo e sheh nga optika e vet faljen jashte xhamive, te pakten ketu shqetesimi yne perputhet per nje gje. Kryerjen e riteve fetare ne hapesirat publike. ResPublica i bashkohet cdo shqetesimi legjitim te besimtareve muslimane per te patur hapesirat nevojshme dhe objektet e kultit qe nevojiten per te permbushur nevojat e besimtareve, por bllokimi i bulevardit per nevoja te kujtdo komuniteti nuk eshte ceshtje oraresh. Cdo kush mund te pretendoje bllokimin e bulevardit me argumentin se eshte besimtar i Zotit dhe ka nevoje te falet aty, por ajo eshte nje hapesire e perbashket qe u sherben te gjitheve dhe nuk mund te vihet ne sherbim te nevojave fetare. ResPublica nuk gjykon pjesemarrjen e asnje politikani apo drejtuesi kultesh ne ritet e Komunitetit Musliman, por ngre vetem nje shqetesim, pjesemarrjen e tyre nje nje veprimtari fetare qe zapton hapesirat publike. I njejti veshtrim vlen edhe per cdo politikan apo drejtues institucioni qe ne emer te kishes apo teqese zapton hapesirat publike.

    • Nuk mund te kete vecse te mire nga kjo forme komunikimi qe kerkon te shohe shqetesime te perbashketa edhe midis qytetaresh me prizme te ndryshme. Vlen te kujtojme ketu gjithsesi se si bulevardi kryesor i qytetit, ai perdoret shpesh qofte per mitingje politike, festa, koncerte, parada e LGBT-se, pritja e papes apo falja e Bajramit. Te gjithe keta qytetare kane te drejta mbi ambjentet publike te qytetit. Nese shqetesimi eshte per te tere, s’kish pse te pritej Bajrami (5 e mengjesit) per ta shprehur kete.

      Se dyti, shqetesimi i ngritur nga faqja juaj mund te jete per te tera keto raste, por perdorimi i bulevardeve kryesore per evente publike grupesh etnike apo fetare apo bashkesi qe vete-definohen ne baze te orientimit seksual ndodhin rendome ne shume vende. Mjafton te shohim paradat e puertorikaneve, homoseksualeve, hebrenjve, arabeve etj ne avenue 5 ne New York, ku rendome dalin edhe politikane ne mbeshtetje te tyre.

      Shqetesimi qe kemi ngritur sigurisht nuk eshte ngushtesisht fetar por dhe qytetar dhe mbeshtesim idene qe bashkesite fetare, perfshi tonen, duhet te konsiderojne sensibilitete jashte bashkesise se tyre, por njekohesisht nuk besojme se kjo delegjitimon perdorimin e tyre te abmjenteve publike.

      Zyrtaret qe marin pjese ne lutje kane dhe nje jete private, ashtu si dhe nje qendrim fetar, e kesisoj ata kane te drejten e tyre te marin pjese ne lutje apo procesione fetare publike.

      Shpresojme qe keto qendrime si dhe shenimi nga koleget e Respublica te kete ndihmuar lexuesin ne konsiderimin e kahjeve te ndryshme te ketij debati.

    • Në fakt këtu shtrohet një pyetje: Nëse nuk ka asnjë xhami dhe as nuk mund të ndërtohet një xhami e tillë që të zërë mbi 20 mijë apo 30 mijë besimtarë që falen aty, si tia bëjnë hallit këta njerëz, të mos dalin në shesh dhe në rrugë për të kryer këtë rit vetëm 2 herë në vit?
      pastaj gjithë këta besimtarë nuk kanë të drejtë shfrytzimi mbi këtë hapsirë publike ashtu si edhe qytetarët jo besimtarë? pse nevojat fetare kur ato kërkojnë të tilla përmasa publike nuk qenka të disponueshme për ritet fetare? edhe riti fetar është e drejtë të ushtrohet në publik!

    • Me duket se po e tepron! Respublica nuk eshte faqe islamofobe, sido qe nuk eshte simpatizante e Islamit apo ndonje feje tjeter. Por megjithese mund te thote gjera per te cilat nuk jemi dakort, eshte tjeter gje nga faqe te tera ne Shqiperi qe vjellin urrejtje fetare. Nga ky drejtim Respublicen e konsideroj nje faqe serioze qe i sherben per mire debatit mbi fete, edhe kur e ka gabim.

      • Islamofobia nuk eshte njegjyreshe, ka edhe ajo format e veta te shfaqjes, here bute e here fort.
        Per ta gjykuar ftohte Respublicen, shikoni neper arkiva ose prisni fundin e vitit, sesi psh do reagoje nga format e festimit qe laiket I bejne keishtlindjeve.
        Nga ana tjeter, meqe Respublica e dashuron ligjin , si ka mundesi qe nuk ofron si zgjidhje forma te tilla demokratike si psh referendumi I Tiranasve ??????

      • Nuk po them se Respublica eshte faqe islamofobe, madje kam shume respekt per te si medium, por keqperdorimi qe i kane bere shkrimit te Ezanit per te sulmuar nje ritual legjitim publik si ai i faljes se Bajramit, eshte per te ardhur turp.

  • O e-zani nuk ka budallenje dynjaja. Keto shenime shkruhen nga autore me axhende te mirenjohur anti-came dhe anti-muslimane, te lindur ne Shqiperi por te vete-deklaruar greke. U ka vrare syte Idrizi aty duke u falur dhe kaq.

  • Po te kesh parasysh se cfare I ka bere ateizmi religjioneve ne shqiperi ( filozofikisht, parimisht, teknikisht , ekonomikisht, kulturalisht , etj etj etj ) do duhej qe te pakten po per nja 50 vjet, ateizmi dhe shfaqja e Tij te ishin shpallur te jashtlighshem.
    Perderisa kjo nuk u be, duhet te durojme lloj lloj fyerjesh, edhe ne ditet festive ( pamvarsisht se populli yne ka ca shprehje interesante per ate qe prish psh dasmen ).
    Keshtu psh per bajram te sheh rendom syri shfaqje te Islamofobise, gjoja nen petkun e urimeve per bajram, disa prej te cilave te denja per cmimin e “gazi-tarise”.
    Psh nje Profesor I nderuar, donte censure, se kush duhet te uroje gezuar, perndryshe do ti prishej festa e bajramit dhe nuk I shijonte rakia ?!?!?
    Dikush tjeter, uronte gezuar, po me kusht qe te urohej vetem shqip, dhe te mos shqiptohej FITR po VITER ?!?!?!
    Nder me te hidhurit, ishte urimi I nje prifti ndaj shokut te Tij , urim qe pas fjaleve te para, kishte nje shtjellim te gjate se cfare priste te ndodhte kur miku I Tij te behej terrorisist ?!?!?!
    Religjionet dhe religjiozet vazhdojne te kene prona te pakthyera, martire pa varre dhe perjashtim nga cdo lloj aktiviteti shteteror, ndersa ateistet dhe ateizmi, Kane ne mes tyre trashegimine me te mire te “opiumit per popujt”, pasuruar me prirjet me te fundit qe ofron filozofia e mohimi I Zotit

  • Duke pasur parasysh gjendjen e mediave tona dhe qasjen qe ato kane ndaj fese Islame ne pergjithesi, mund te them se kam konsiderate per ResPubliken ne kete drejtim. Une dua ta besoj kur thote se nuk keshte nisur me ndonje paragjykim ndaj muslimaneve. Megjithate, duhet te kemi parasysh se paragjykimet nuk jane gjithmone “te vetedijshme”. Shpeshhere, ato jane produkt i “nenvetedijes” sone. Ashtu si dikush nuk pranon se eshte racist, por dashje pa dashje, i rritur ne nje shoqeri qe e ushqen kete ndjenje, shfaq here pas here shenaj racizmi. Ngjashem, raste te tilla – ku priten manifestimet e muslimaneve, per te ngritur keto shqetesime – jane te nxitura nga nje ndjenje negative nga Islamit, e cila e sheh fene si te lidhur pandashem me krijimin e problemeve ne shoqeri. Kete e mbeshtet fakti se shqetesime te tilla nuk ngrihen kur LGBT-te (sic e permendi admini) zaptojne bulevardin. ResPublika duhet te kuptoje se koncepti i hapsirave te perbashketa ne nje shoqeri demokratike nenkupton shfrytezimin e ketyre hapsirave nga te gjithe pa diskriminim. Pra u takon edhe pasuesve te feve te ndryshme ta shfrytezojne ate per nevojat e tyre. Askush nuk mund t’u thote muslimaneve se ju keni te drejte ta perdorni hapsiren publike, por ashtu sic them une, e jo si doni ju.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *