Iftari i keqkuptimeve





big_iftari_sotImam Ghazaliu tregon se Profeti Ibrahim ftonte për natë një musafir për të ndarë begatinë e bukës me të. Një natë, musafiri i rradhës, i cili qëlloi të ishte idhujtar, bekoi bukën në emër të idhujve e për këtë arsye Ibrahimi e zboi. Tregohet se Zoti i shpalli Ibrahimit se edhe pse ai idhujtar besonte në idhuj, Zoti e ushqente përditë. Profeti Ibrahim shkoi jashtë të gjente musafirin e ta ftonte sërish në shtëpi për të ndarë bukën bashkë. Nëpërmjet Profeti Ibrahim të gjithëve na mësohet të ndajmë bukën me këdo, pa dallim feje.

Na vjen ndër mend kjo histori teksa lexojmë fjalimin e mbajtur nga kryeministri Rama me rastin e darkës së Iftarit. Thotë z. Rama:

Më bëri përshtypje refuzimi i ftesës nga një njeri i ditur, i cili me mirësjellje i tha Protokollit të Kryeministrisë se ishte ateist dhe si i tillë nuk mund  të ulej në një sofër si kjo e kësaj mbrëmjeje.

Absolutisht, asnjë arsye për t’u ndjerë të lënduar me refuzimin e mikut në fjalë, por sigurisht, një mundësi për të reflektuar, nëse ka apo nuk ka vend për ateistët në sofrën e iftarit.

Pjesa tjetër e fjalës së gjatë të kryeministrit është një lloj arsyetimi se pse edhe ateistët mund të ulen në tryezën e iftarit, gjë që e përfundon me një lloj parodie me Filip Çakulin (ç’e deshe?). Të bën të pyesësh se nëse miku i z. Rama nuk do kishte rrefuzuar ftesën për iftar, atëherë për çfarë do kish folur kryeministri?

Linja e dytë e fjalimit është ajo ku muslimanëve të ftuar u është vendosur në tavolinë nga një viktimë kulturore e ISIS-t: Biblioteka e Mosulit, Palmira etj. A do imagjinonte njeri që Rama të ftonte për darkë – fjala vjen – krerët e kishës katolike dhe t’u vinte në tavolinë emra fëmijësh të përdhunuar nga priftërinj katolikë? Sigurisht që nuk do bënte vaki. Ç’lidhje ka iftari i shqiptarëve me krimet në Irak e Siri? Me këtë rast, ndoshta kryeministri mund të reflektonte për pjesmarjen e qeverisë shqiptare në luftëra të paligjshme si ajo e pushtimit të Irakut në 2003, që pollën – sipas vetë pohimit të Barack Obamës – monstra si ISIS.

Vjen pyetja se pse në ngjarje të tilla që përdoren për të dhënë qëndrime të qeverisë ndaj një bashkësie, apo ndaj marrëdhënieve fetare në vend, kryeministri zgjedh të flasë për krimet e ISIS-t apo për arsyetimet e ateistëve? Tek e fundit, si përfaqsues të bashkësisë tonë, hoxhallarë e burokratë fetarë, këtë pazar na kanë vënë, e prandaj ju desh atyre të dëgjojnë një fjalim aq të gjatë sa të dhimbsen se kur u erdhi rradha të fillojnë për të ngrënë!

Comments

  • Shkrim i bukur, sidomos analiza e linjes se dyte te fjalimit ishte yll fare,
    Ama mos harroni qe gjithe ato vizita neper xhami, inagurime qe ka bere KR. Ministri plus Iftari do ju vinte nje cmim , dhe Mesa duket cmimi ka qene ti vinte te ftuarit ne prove durimi,,,,shif me sy e plas me zemer,,,,,,

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *