imagesÇmimi i gazi-tarisë u rikthye prapë si event i organizuar nga redaksia jonë, pas një kohe relativisht të gjatë stopimi. Kjo mungesë e ndarjes së këtij çmimi ka ardhur, jo për mungesë fondesh (sepse shuma e akorduar ndaj fituesit është një çek i bardhë, tabula rasa, pra bosh), e as për mungesë ngjarjesh nga gazetaria shqiptare, që është përherë e pasur me gjëra që të ngrenë humorin. Në fakt nuk kemi asnjë arsye për të dhënë, sepse këtë çmim e ndajmë pa ndonjë përcaktim frekuence kohore apo frekuence të gjenialitetit që konstatojmë në media, por e japim kur kemi kohë të lirë. Fakti që nuk e kemi ndarë për ca kohë tregon se s’kemi patur nge, jo se nuk ka pasur raste.

Megjitahtë këtë rradhë gazeta simpatike dhe gaz-sjellëse on line News Bomb, na rimblodhi për të mos e lënë pa vlerësuar punën e tyre të palodhur për të na shkulur së qeshuri. Shkak u bë një lajm i dhënë nga kjo faqe, mbi reagimin që E-zani pati ndaj organizimit të faljes së teravive në bulevard gjatë Natës së Kadrit. Pas një raportimi në vija të përgjithshme të shkrimit tonë, redaksia është ndalur edhe tek postimi i një komentuesi në këtë shkrim, i cili tallej me veprimin e KMSH-se, duke bërë sikur ishte anëtar i levizjes Gylen. News Bomb raporton se antëtari i panjohur i lëvizjes Gylen me emrin Bir Selmani i Nënës, ka pohuar se vitin e ardhshëm do të falin namaz poshtë kalit të Skënderbeut në sheshin kryesor të Tiranës. Lajmi madje e citon komentin të plotë.

Nuk e mohojmë se jemi shkulur së qeshuri me këtë lajm ndaj dhe menduam që Faqes News Bomb t’i akordohet me nderimin më të madh Çmimi i Gazitarisë, me motivacionin, «Për seriozitet të palëkundur ndaj çdo shakaje, si dhe sinqeritet frymëzues për të besuar çdo komentues anonim nëpër blogje».

Ky është shembulli i vërtetë i gazetarisë pa shejtanllëk, që nuk ve në dyshim atë çfarë thotë komentuesi, pavarësisht se nuk e njeh atë. Kjo e bën këtë gazetë të veçantë duke na surprizuar herë pas here me informacione të tilla, siç bëri edhe pak javë më parë, kur alarmoi vendin duke informuar se në Lazarat ish mbledhur një grup xhihadist nga ISIS që do të sulmonte shtetin shqiptar për të bashkuar Shqipërinë me kalifatin.

Faqja E-zani, ka marrë kontakte me komentuesit anonim të vetëquajtur Bir Selmani i Nënës, të cilin e gjetëm në drejtim të paditur. Por megjithë këmbënguljen tonë, ai nuk pranoi të japë intervistë. «Kam çfarë kam, i them pas ekranit, jo para mikrofonit», – ngulmoi ai. Megjithatë arritëm t’i shkëpusnim, një prononcim të shkurtër mbi besimin që News Bomb ka shfaqur ndaj fjalëve të tij. «Hallall e kanë, – u shpreh ai i ngazëllyer, – unë nuk i besoj kësaj faqeje kur gazetarët shkruajnë me emër e mbiemër, kurse ata më besuan mua pa më njohur fare!». «Janë vërtetë bombë», – shtoi më pas.

Ndër të tjera, komentuesi tha se i vinte keq që nuk kish shtuar në koment edhe se, gjatë itikafit (të cilin News Bomb e ngatërron me namazin), iftarin do ta çelnin me mish kali nga ai i Skënderbeut, madje do të ftonin edhe vetë heroin kombëtar në banket, duke i kërkuar hua shpatën për të therur kalin. «Pse jo, do t’i kisha dërguar ftesë edhe redaksisë për iftar dhe jam i bindur që do nuk do të refuzonin», – tha mes të tjerash z. Selmani i Nënës.

Comments

  • Leave a Reply to A Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *