imagesPërmbledhje e artikullit

Faqja Erasmus (www.erasmusi.org ) ka publikuar artikullin e saj më të ri me titull “Jezusi dhe Muhamedi: Pikëtakimet e reja”, shkruar nga Tim Winter(Abdyl Hakim Murad). Ky artikull shqyrton në mënyrë kritike një nga qasjet klasike orientaliste të mënyrës se si është analizuar figura e Jezusit dhe Muhamedit. Sipas kësaj qasjeje Jezusi është parë gjithnjë si një profet i paqes dhe i hirit, një profet apolitik, i cili predikoi një moral që kishte në bazë asketizmin dhe pacifizmin. Në vend të ligjit dhe veprave ai theksoi hirin hyjnor dhe shpëtimin që vjen vetëm nga Zoti, në vend të politizimit të fesë ai predikoi ndarjen e fesë nga poitika, duke i dhënë Cezarit atë që është e Cezarit dhe Zotit atë që është e Zotit. Në vend të angazhimit në politikë apo reformë shoqërore ai u mbështet vetëm në predikimin e fjalës së mirë (Ungjillit) dhe vuajtjes pasive prej të gjitha pasojave që vinin si rezultat i predikimit të hirit dhe shpëtimit nga Zoti.

Këtij përshkrimi i kundërvihet paraqitja e figures së profetit Muhamed, i cili në shumë shkrime orientaliste paraqitet si një njeri i cili predikoi një fe politike, një fe të bazuar në ligj dhe vepra. Ai shihet si një lider ushtarak dhe politik i cili në vend se të mbështetej vetëm tek predikimi paqësor i fjalës së Zoti dhe vuajtja heroike e pasojave që një veprim i tillë përmban, ai u mbështet në mjetet tokësore si politika dhe dhuna për të përhapur mesazhin e tij si edhe për të ngadhënjyer kundërshtarët. Në këtë mënyrë, midis Jezusit dhe Muhamedit ka një polaritet të pareduktueshëm, njëmospërputhje rrënjësore, e cila përmblidhet në dikotominë klasike të ligjit kundrejt hirit. Muhamedi përfaqëson profetin semitik që e sheh fenë të mbështetur në ligj dhe vepra të mira dhe që përpiqet ta bëjë triumfues misionin e tij duke u mbështetur në mjete tokësore si ligji, pushteti, lufta dhe politika, ndërsaJezusi është figura apokaliptike dhe apolitike, e cila përmes predikimit të fjalës së mirë dhe vuajtjeve shëlbyese bëri të mundur realizimin e hirit dhe shpëtimit të Perëndisë.

Arguementi kryesor i Tim Winterit në këtë artikull është ai se studimet akademike të pesëdhjetë viteve të fundit në Perëndim e kanë vënë në pikëpyetje këtë dikotomi ndërmjet Jezusit dhe Muhamedit dhe kanë hapur rrugë drejt një vizioni tjetër i cili i sheshon mospërputhjet ndërmjet këtyre dy figurave. Sipas Tim Winterit zhvillimet e fundit teologjike në krishterim kanë nxjerrë në pah dimensionin politik dhe social të mesazhit të Jezusit. Teologjitë e shumta politike, si p.sh. teologjiae çlirimit e Guetierrez dhe Boff, teologjia e re politike e Johan Baptist Metz,or todoksia radikale e Milbankut dhe shume rryma të tjera kanë vënë në dukje impaktin politik dhe shoqëror që ka mesazhi i Jezusit si edhe kanë kritikuar ashpër vizionin apolitik dhe apokaliptik sipas së cilave është interpretuar traditionalisht figura e Jezusit.

Po ashtu, faza e tretë për kërkimin e Jezusit historik ka nxjerrë në pahë vazhdimësinë e Jezusit me traditën hebraike (shih Geza Vermes, Paula Fredriksen, E.P. Sanders) si edhe kanë treguar se Jezusi historik nuk ka predikuar abrogimin e ligjit dhe as e ka kundërvënë atë domosdoshëmrisht me hirin (shih John P. Meier). Po ashtu, disa prej studimeve më të fundit në këtë fushë duke u bazuar në dokumente të reja nga periudha biblike, të zbuluara rishtazi, si edhe duke u mbështetur në të dhënat më të fundit për kontekstin politik dhe shoqëror në të cilin ka jetuar Jezusi historik e kanë riinterpretuar jetën e tij në suaza revolucionare. Sipas këtyre studimeve Jezusi ka qenë një cinik shëtitës, një revolucionar politik, mesazhi i të cilit përbënte rrezik për strukturat politike të kohës dhe për këtë arsye ata vendosën ta arrestonin dhe kryqëzonin si rebel politik (John Dominic Crossan dhe dr. Robert W. Funk). Madje disa studiues kanë hedhur idenëse Jezusi ka qenë një zelot, pjesëtar i një lëvizjeje të dhunshme politike e cila synonte të çlironte tokën e shenjtë nga pushtim dhe zgjedha romake (Për një bibliografi të studiesve që kanë mbështetur këtë teze shih librin e Reza Aslan “Zealot: The Life and Times of Jesus of Nazareth”).

Në rastin e Islamit, zhvillimet e shekullit XX kanë sjellë në dritë vepra të ndryshme në lidhje me Profetin Muhamed, të cilat ofronin një panoramë më objektive mbi rolin e tij qendror në jetën dhe në kulturën islame. Në këto vepra mund të shquhet lehtësisht edhe përmasa e brendshme dhe shpirtërore e jetës së Profetit. Figura e Profetit nuk shihet më vetëm në aspektin e tij shoqëror dhe politik, por edhe në aspektin shpirtëror dhe në atë të devotshmërisë, duke treguar vendin e rëndësishëm që zinte ky dimension i fundit në jetën dhe në misionin e Muhammedit. Studimet e fundit në fushën e misticizmit islam kanë nxjerrë në dukje dimensionin e paqes, spiritualitetit, asketizmit, misticizmit, etj. në jetën e Profetit (shih Henry Corbin, Martin Lings, E. Padwicks, Maxime Rodinson, Louiss Massignon, Annemarie Schimmel etj).

Tim Winteri poashtu hedh tezën se kjo dikotomi ndërmjet Jezusit dhe Muhamedit  mund të çbëhet duke u mbështetur edhe tek ajo që ai e ka quajtur  “a full-spectrum prophetology” (profetologji nëspektër të plotë). Kjo profetologji refuzon leximin e pjesshëm të burimeve të shenjta dhe përkrah një lexim më holistik të tyre. Në rastin e Jezusit ka ekzistuar një prirje për ta përshkruar figurën e tij duke u mbështetur kryesisht in Ungjijtë dhe në Letrat e Palit dhe duke lënë pas dore interpretime të tjera biblike të figurës, si p.sh. imazhi i Jezusit i paraqitur tek libri i Zbulesës. Ndërsa në rastin e Muhamedit figura e tij shpesh është ndërtuar vetëm mbi bazën e biografisë së tij (sirës) duke shpërfillur shamailin, e cila është një literaturë që mbështetet në virtytet morale dhe shpirtërore të jetës sëProfetit. Një lexim i plotë dhe i integruar i teksteve të shenjta do të ofronte një kuptim më të saktë të jetës dhe të misionit të dy figurave fetare.

P.sh. ndonëse tek ungjijtë sinoptikë Jezusi paraqitet kryesisht si një figure paqësore dhe apolitike, e cila duroi pasivisht deri në vetëflijim vuajtjet e shkaktuara nga kundërshtarët, tek libri i Zbulesës figura e tij paraqitet në terma të ndryshëm. Në këtë libër, Jezusi portretizohet si një instrument i Zotit për të ndëshkuar shtypësit, kriminelët dhe jobesimtarët. Zoti i drejtësisë, aq i pranishëm në Biblën hebraike, do ta zbulojë krejtësisht vetveten në figurën e Jezusit pantokrator. Fuqitë e së keqes do të mposhten prej fatkeqësisë së sjellë mbi ta prej Qengjit. Ai do të kthehet për të gjykuar, dënuar dhe ushtruar cilësitë e tij të plota deiforme prej Pantokratori. Imazhi i Jezusit si Pantokrator mund të shihet edhe në tablonë e Mikelanxhelosë të Gjykimit Universal. Ndërsa në literaturën shemail figura e Muhamedit paraqitet ndër të tjera si ajo e ndërmjetësuesit në Ditën e Gjykimit për njerëzit. Figura e Muhamedit në eskaton shihet si manifestim i faljes dhe i mëshirës së Zotit. Ai do të aktualizojë parimin islam sipas të cilit “Mëshira e Zotit e kapërcen zemërimin e Tij.” Ai do të përmbushë planin që Zoti ka përshkruar për të në Kuran si mëshirë për të gjitha botët. Roli i tij kryesor në Ditën e Gjykimit do të jetë ai i ndërmjetësimit për mëkatarët.

Pra një lexim holistik i burimeve të shenjta nxjerr në pah pasaktësinë e qasjes që sheh një mospajtueshmëri ndërmjet Jezusit dhe Muhamedit.  Këto këndvështrime që shihnin një polaritet të papajtueshëm mes dy figurave të mëdha fetare janë tejkaluar nga zhvillimet bashkëkohore në studimet fetare. Zhvillimet bashkëkohore, të cilat i përmendëm shkurtimisht gjatë këtij punimi, paraqesin konvergjencat e reja mes Jezusit dhe Muhamedit. Këto kuptime të përtërira për jetën dhe misionin e dy figurave fetare përbëjnë një mundësi të rrallë përmirëkuptimin e ndërsjellë mes pjesëtarëve të dy feve, për një vlerësim më të saktë dhe më të drejtë të tyre dhe për eliminimin e paragjykimeve të vjetra ndërmjet pjesëmarrësve në debatin myslimano-të krishterë. Rrugët e reja të interpretimit, të përshkruara më lart, janë një rast shpresëdhënës për dialogun ndërfetar. Ato mund të çojnë në pikëtakime shumë frytdhënëse që mund të pasohen nga platforma të përbashkëta për një bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes dybashkësive të përfshira në debat.

Lexoni artikullin te plote duke klikuar ketu.

 

Comments

  • Për të krishterët, kjo është një nga kuptimet e Rrëshajave, ku Shpirti ofroi një pasuri të pafund gjuhësh, duke i dhënë fund mallkimit të Babelit; ndërsa për myslimanët përbën një nga kremtimet e “ndryshimit të gjuhëve e të ngjyrave tuaja”, e cila ka qenë gjithnjë një shenjë e hirit dhe e mirësisë hyjnore ndaj njerëzimit.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *