Trazira e botës sot





2c5cfa60-e2ab-4648-b286-0734a3cf832a-2060x1236Pankaj Mishra

Historia“, shkruante Emil Cioran, “është ironi në marshim.” Ajo u përshpejtua në mënyrë dramatike javën e kaluar teksa Gjermania u përshfaq si ndërgjegjia morale e Evropës, 70 vjet pas mposhtjes së nazizmit. Ata që dje e mposhtën, sot janë katandisur të përshkruajnë viktimat e luftës dhe persekutimit si “mizëri”, duke u zotuar, me një refleks të lodhur perandorak, të sjellin “paqen dhe stabilitetin” në Lindjen e Mesme, përmes edhe më shumë dhune. Ndërkohë, Hungaria, e cila në vitin 1989 përshpejtoi rënien e komunizmit dhe tani selit një lëvizje të konsiderueshme fashiste dhe antisemite, shpalli dëshirën për ta ruajtur të krishterë Evropën.

Çfarë përmbysjeje e jashtëzakonshme reputacionesh dhe verdiktesh historike! E vështirë të matet shpejtesia, kahja dhe toni i historisë në qoftë se ajo trajtohet si jo më shumë se një stimul për onanizëm nacionalist. Hidhuni një sy, për shembull, kryetitujve solemnë të shtypit javën e kaluar (“Kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë që nga viti 1945”), të cilët dëftejnë një amnezi akute në lidhje me ngjarjet para dhe pas vitit 1945. Sepse refugjati, larg të qenit një anonim tipik nga Levanti, është në fakt një figurë qendrore e historisë moderne evropiane, e cila njëherësh përkufizon dhe nxjerr zbuluar limitet e sovranitetit kombëtar.

Nacionalizmi, ose çfarë Rabindranath Tagora  quante “egoizëm i organizuar“, bëri të shpërthejë të parin fenomen masiv të refugjatëve në botë, në fillim të shekullit të 20-të. Rënia e perandorive ruse, austro-hungareze dhe osmane la pa shtetësi miliona njerëz: rusë të bardhë, armenët, bullgarë; grekë, gjermanë, hungarezë dhe rumunë. Në vitin 1938, gjatë Luftës Civile Spanjolle, gati gjysmë milioni republikanë u arratisën për në Francë, nga ku ndërkohë dëboheshin qindra mijë algjerianë dhe polakë. Antisemitizmi sistemik kishte degraduar hebrenjtë në qytetarë të klasit të dytë kohë para ngritjes së nazizmit, sidomos në Hungari, mbrojtësen trimërore të Europës sot nga hordhitë muslimane. Ngjitja e Hitlerit detyroi qindra mijë hebrenj të braktisin Gjermaninë, Austrinë dhe Çekosllovakinë.

Shumë i gjetën të bllokuara rrugët nga antisemitizmi europianoperëndimor dhe amerikan. “Çfarë është ajo,” shkruante i dëshpëruar Joseph Roth, “që u mundëson shteteve europiane të shkojnë të përhapin qytetërimin dhe etikën në vende të huaja, por jo në shtëpinë e vet?“. Ky refugjat i këputur vdiq në vitin 1939, fatmirësisht përpara se paralajmërimi i tij të vërtetohej: “shekuj të tërë civilizimi nuk përbëjnë asnjë garanci që një popull evropian, falë ndonjë mallkimi të kobshëm të fatit, të mund të mos të bjerë në barbari.

Edhe zbulimi, në vitin 1945, i krimeve të përbindshme kundër hebrenjve, nuk e zbuti dot sprovën e hidhur të të mbijetuarve. Të gjakosur nga antisemitizmi (Polonia e përjetoi pogromin e fundit jo më herët se më 1946), refugjatët hebrenj u shumuan deri kur persekutorët tradicionalë të tyre vendosën t’i bëjnë arabët palestinezë të paguajnë çmimin për brutalitetin dhe mizorinë europiane. Por shumica dërrmuese e refugjatëve pas vitit 1945 ishin gjermanë, të paktën 14 milionë të tillë, transferuar me forcë nga fitimtarët e luftës, nga Europa lindore për në Gjermani. Rreth 2 milionë vdiqën rrugës, gjatë lëvizjes më të madhe të popullsisë në historinë evropiane. Nuk është ekzagjerim të thuhet se ky krim i pandëshkuar, në të vërtetë thuajse i pashënuar, i shekullit XX, motivon sot bujarinë gjermane ndaj refugjatëve sirianë, ashtu si bëri Gjermaninë mikpritësen më të madhe të refugjatëve nga luftërat ballkanike në vitet 1990.

Përgjigja zemërgjerë e publikut britanik ndaj krizës së refugjatëve në Siri tregon se sa prapa ka ngecur klasa politike dhe media e Britanisë së Madhe nga lëvizjet ironike të historisë. Në versionin zyrtar anglo-amerikan, historia moderne është shfaqur në thelb si një konfliktit i demokracisë së virtytshme liberale dhe “izmave” të këqinj të nazizmit dhe komunizmit. Shumë prej historisë komplekse të Europës perëndimore dhe SHBA-ve, përfshirë përgjegjësinë e tyre në “izma” të tillë të shëmtuar si imperializmi dhe racizmi, duhet të fshihej, në mënyrë që kjo përrallë e luftës të ftohtë të dukej bindëse. Kështu, ndërsa Gjermania lante hesapet qetësisht me fantazitë e dikurshme groteske të dominimin të botës, establishmenti britanik vazhdoi të mbetej pre e miteve false të një perandorie mirëbërëse.

Këto dallime u bënë të qarta mizorisht javën e kaluar, teksa partizanët e zellshëm anglo-amerikanë të “ndërhyrjeve humanitare” me bomba mëdysheshin rreth strehimit të refugjatëve dhe një komb, ende subjekt i shakave të trasha me nazistë, mori mbi vete, vetvetiu, udhëheqjen morale të Perëndimit. Ndoshta në këtë asgjësim të vetëmashtrimeve mbi një të shkuar gjaku dhe lotësh ka ende shpresë për këtë botë të shqyer nga egoizmi i organizuar, në nevojë të dëshpëruar për dhembshuri dhe ndjeshmëri. “Që të mos harrojmë“, si shkruante Roth në një kohë të zymtë për refugjatët në Evropë “, se asgjë në këtë botë nuk mbetet, as edhe një strehë; dhe se jeta jonë është e shkurtër, më e shkurtër bile se dhe jeta e elefantit, krokodilit apo korbit.”

http://www.theguardian.com/books/2015/sep/12/the-turmoil-of-todays-world-leading-writers-respond-to-the-refugee-crisis

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *