Standardi i dyfishtë i laicitetit





H.Omari

imagesSiç e kemi evidentuar më herët, 5 shtatori është Dita ndërkombëtare e bamirësisë, që përkon me vdekjen e Nënë Terezës, të cilën ne të Shqipërisë, përveçse me toponimi e monumente urbanistike, kemi nderin ta përkujtojmë në kalendarin festiv me 19 tetor, në ditën e saj të Lumturimit, si një personazh tipik i panteonit fetar. E në këtë mënyrë, komuniteti katolik mban primatin e kremtimeve fetare zyrtare, pa anashkaluar hijen e paradoksit të krijuar nga tregtimi i Nënë Terezës si figurë kombëtare e njëherësh të monumentalizuar sipas skemave doktrinare të Kishës katolike.  Po kështu, me emrin e të lumturuarës janë pagëzuar disa institucione arsimore, nganjëherë duke iu mbivendosur memories së regjimit, siç është rasti i ‘Shkollës 9 vjeçare Nënë Tereza’ në Durrës, që ka zëvendësuar ‘7 Nëntorin’. Nënë Tereza, me të gjithë simbolikën fetare të veprimtarisë së saj, përfshi ikonën, me kryqin dhe shaminë, u shpjegon nxënëseve germën Z dhe disa përllogaritje aritmetike.

E megjithatë, kur shaminë e bart një qytetare shqiptare, frekuentuese e institucioneve të tilla, situata përmbyset. Një rast ilustrues është ai i nxënëses së pezulluar nga drejtoria e shkollës së mesme të përgjithshme Muharrem Çollaku në Pogradec (viti shkollor 2013-‘14), për shkak të shamisë. Pas ankimit te Komisioni i Mbrojtjes nga Diskriminimi, nxënësja në fjalë u pranua sërish në shkollë. Ky fakt është përcjellë nga disa media në fillim të këtij viti. Por ajo ç’kanë anashkaluar mediat e turrura për t’i dhënë jehonë respektimit të shamisë në arsimin publik është pozicionimi i Ministrisë së Arsimit të zonjës Lindita Nikolli si palë paditëse e vendimit të Komisionit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës me motivacionet vijuese:

(1) shteti shqiptar është laik dhe nuk ka fe zyrtare; (2) shteti dhe bashkësitë fetare jetojnë në harmoni me njëra-tjetrën, duke respektuar reciprokisht njëra-tjetrën; (3) kuadri ligjor në fuqi, Kushtetuta etj parashikojnë dhe normojnë të drejtën e besimit […]; (4) shfaqja e një besimi fetar ne ambientet publike do të thotë shfaqja e saj [fesë] në ambientet publike ku dhe organizohet dhe ushtrohet veprimtaria respektive e një organizate fetare dhe jo [në] ambiente publike në administrim të shtetit shqiptar, i cili është një shtet laik dhe që nuk ka një fe zyrtare; (5) Shkolla e mesme e përgjithshme Muharrem Çollaku […] është një shkollë publike dhe laike.

I njëjti shtet laik sponsorizon aktivitete të komunitetit Sant’Egidio – atëherë kur donatorët nuk janë taksapaguesit italianë – për show e prozelitizëm me para publike shqiptare, ashtu si para një viti mesha e papa Françeskut (teksa iftari qeveritar ofrohet me çorbë private e mesazhe ofenduese). Bashkësitë fetare edhe mund ta respektojnë reciprokisht njëra-tjetrën, por është detyrim i shtetit shqiptar t’i garantojë ekuilibrat, ndërsa akordimi i tre festave kombëtare sipas kalendarit të Kishës katolike është shkelje e hapur e këtij detyrimi dhe e reciprocitetit.

Po mbi këtë kuadër ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, Gjykata e sipërcituar ka marrë vendim me dt. 18.05.2015, duke rrëzuar padinë dhe duke i ngarkuar palës paditëse shpenzimet e gjyqit, pra Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, asaj që pretendon se garanton harmoni dhe respekt. Nga arka e shtetit duhet të paguhet edhe cektësia e hallkave të kësaj ministrie në lëmin e kuadrit ligjor shqiptar dhe konventave ndërkombëtare, që jemi zotuar si shtet t’i respektojmë, si dhe standardi i dyfishtë i vendimmarrësve të saj.

Pika e pestë kulmon me standardin e dyfishtë. Jemi dakord që «Shkolla e mesme e përgjithshme Muharrem Çollaku […] është një shkollë publike dhe laike». Po a nuk është e tillë edhe ‘Shkolla 9-vjeçare’ në Durrës me emrin e një gruaje me shami dhe kryq, e cila në këtë imazh i prezantohet fëmijëve të fillores, dhe që ky shtet laik ka vendosur ta masivizojë dhe celebrojë sipas kanoneve të Kishës katolike? Sa e sa shkolla të tjera publike përçojnë mesazhe fetare të njëkahshme?

Pa hyrë këtu në komentimin e kaheve të shtetit shqiptar nga Ahmet Zogu e këtej, përfshi edhe Enver Hoxhën, gjoja armikun e kulturës europiane, ligjet e shtetit sanksionojnë laicitetin dhe mbrojnë të drejtat e liritë themelore, përfshi besimin fetar, për të gjithë shtetasit shqiptar, përndryshe nuk ka kuptim kontrata sociale ose duhet rishkruar. E nëse aplikohen në këtë mënyrë, patjetër që konstatohet barazia e muslimanëve shqiptarë vetëm në përmbushjen e detyrimeve, por jo barazia, ose të paktën vështirësia, në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të përcaktuara nga kuadri ligjor apo nga vlerat që shteti i pas ’90 dhe veçanërisht elitat pretendojnë të ndjekim, si imitim ose rikthim. Me siguri kjo klimë nuk është aspak festive për nënshtetasit shqiptarë të besimit islam.

 

Comments

  • Shkrim i bukur. Po t’ju shtosh ketyre fakteve edhe atmosferen e dhjetorit, ku nuk ngelet media, institucion shteteror ose ojq qe nuk uron ” festat e fundvitit”, eshte vertet nje gjendje qe nuk duhet ndenjur duarkryq

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *