imagesNga Olivier RoyLe Monde 24/11/2015

Franca në luftë ! Noshta. Por kundër kujt dhe kundër çfarë ? Daesh-i nuk nis sirianë për të kryer atentate në Francë në mënyrë që ta shkurajojë qeverinë franceze nga bombardimet. Daesh-i mbështetet te një rezervuar të rinjsh francezë të radikalizuar, të cilët, pavarësisht se ç’ndodh në Lindje të Mesme, kanë hyrë ndërkaq në disidencë dhe kërkojnë një kauzë, një etiketë, një ligjëratë për t’i vënë firmën gjakatare të revoltës së tyre personale. Shkërmoqja e Daesh-it nuk do t’i ndryshojë asgjë kësaj revolte.

Bashkimi i këtyre të rinjve me Daesh-in është oportunist : dje ishin me Al-Kaedën, pardje (1995) bëheshin nën-kontraktuesit e GIA-së (Grupi Islamik i Armatosur) algjeriane, ose praktikonin qysh nga Bosnia në Afganistan duke kaluar përmes Çeçenisë nomadizmin e tyre të thjeshtë individual (si « grupi i Roubaix-së »). Dhe nesër do të luftojnë nën një flamur tjetër, vetëm nëse vdekja në aksion, mosha ose deziluzioni nuk do t’ua zbrazin rradhët sikurse qe rasti i ultra të majtëve në vitet 1970.

Nuk ka gjeneratë të tretë, të katërt e të kushedisatë xhihadistësh. Qysh më 1996 përballemi me një dukuri shumë të qëndrueshme : radikalizimi i dy kategorive të rinjsh francezë, domethënë « gjeneratat e dyta » të myslimanëve dhe të konvertuarit « vendalinj ».

Kështu, problemi thelbësor për Francën nuk është kalifati i shkretëtirës siriane, i cili do avullojë herët a vonë si një mirazh i vjetër i shndërruar në një ëndërr të keqe, problemi është revolta e këtyre të rinjve. Dhe çështja e vërtetë është të njihet ajo çka përfaqësojnë këta të rinj, nëse janë pararoja e një lufte të ardhshme apo në të kundërt dështakë nëpër kthesa të Historisë.

Disa mijra ndër disa milionë

Dy lexime e mbizotërojnë sot skenën dhe strukturojnë debatet televizive apo faqet e opinioneve të gazetave : përmbledhtas, shpjegimi kulturalist dhe shpjegimi botë-tretist. I pari parashtron luftën e përsëritur dhe therëse të qytetërimeve : revolta e rinisë myslimane dëshmon deri në ç’pikë Islami nuk arrin të integrohet, së paku për sa kohë një reformë teologjike nuk do ta ketë fshirë nga Kurani thirrjen për xhihad. E dyta kujton në vazhdimësi vuajtjen pas-koloniale, identifikimin e rinisë me kauzën palestineze, kundërshtinë e tyre ndaj ndërhyrjeve perëndimore në Lindjen e Mesme dhe përjashtimin e tyre nga një shoqëri franceze raciste dhe islamofobe ; shkurt, refreni i vjetër : për sa kohë nuk do të zgjidhim konfliktin izraelo-palestinez do të përjetojmë revolta.

Por të dyja shpjegimet ballafaqohen me të njëjtin problem : nëse shkaqet e radikalizimit janë strukturore, përse ato prekin atëherë vetëm një shtresë minimale dhe tejet të kufizuar të atyre që mund të quhen myslimanë në Francë ? Disa mijra ndër disa milionë.

Sepse këta të rinj radikalë janë identifikuar. Të gjithë terroristët që janë hedhur në veprim bëjnë pjesë në dosjen e famshme « S » (kërcënim për sigurinë e shtetit). Nuk do t’i hyj këtu çështjes së parandalimit, vërej thjesht se të dhënat janë të hapura dhe publike. T’i shohim atëherë kush janë dhe të mundohemi të nxjerrim përfundimet

Islamizimi i radikalitetit

Thuajse të gjithë xhihadistët francezë i përkasin dy kategorive shumë të përpikta: ata janë ose « gjenerata e dytë », të lindur apo të ardhur fëmijë në Francë, ose janë të konvertuar (numri i të cilëve rritet në kohë, por që përbënin ndërkaq 25% të radikalëve në fund të viteve 1990). Kjo do të thotë se ndër radikalët nuk ka fare « gjenerata të para » (as imigrantë të freskët), dhe nuk ka sidomos fare « gjenerata të treta ». E megjithatë kjo kategori e fundit ekziston dhe rritet : imigrantët marokenë të viteve 1970 janë tashmë gjyshër dhe nipërit e tyre nuk gjenden ndër rradhët e terroristëve. Përse atëherë të konvertuarit që nuk e kanë vuajtur kurrë racizmin duan papritmas të hakmerren për poshtrimin që përjetojnë myslimanët ? Sidomos kur shumë të konvertuar vijnë nga fshatrat francezë, si Maxime Hauchard, dhe kanë shumë pak arsye për t’u identifikuar me një bashkësi myslimane e cila për ta nuk ka veçse një ekzistence virtuale. Shkurt, nuk është « revolta e Islamit » apo ajo e « myslimanëve », por një problem i veçantë në lidhje me dy kategori të rinjsh, në shumicë me prejardhje nga imigracioni, por gjithashtu edhe francezë « vendalinj ». Nuk bëhet fjalë për radikalizimin e Islamit, pour për islamizimin e radikalitetit.

Çfarë ka të përbashkët midis « gjeneratave të dyta » dhe të konvertuave ? Më së pari, bëhet fjalë për një revoltë gjenerate : të dy grupet ndahen nga prindërit, ose më saktë nga ajo çfarë prindërit përfaqësojnë në termat e kulturës dhe fesë. « Gjeneratat e dyta » nuk aderojnë kurrë në Islamin e prindërve të tyre, nuk përfaqësojnë kurrë një traditë që do të revoltohej kundër perëndimorizimit. Ata janë të perëndimorizuar, frengjishten e flasin më mirë se prindërit. Të gjithë ndajnë me njëri-tjterin kulturën « rinore » të gjeneratës së tyre, kanë pirë alkool, thithur bar, e ngacmuar vajza në klube nate. Një pjesë e madhe syresh ka kaluar përmes burgjesh. E pastaj, një ditë të bukur, janë (ri)konvertuar, duke zgjedhur Islamin selefist, domethënë një Islam që e kundërshton konceptin e kulturës, një Islam norme që u mundëson ta rindërtojnë vetë veten e tyre. Sepse ata nuk e duan as kulturën e prindërve të tyre e as kulturën « perëndimore », shndërruar në simbole të urrejtjes ndaj vetes.

Çelësi i revoltës është fillimisht mungesa e transmetimit të një feje kulturalisht. Ky është një problem që nuk i prek as « gjeneratat e para », bartës të Islamit kulturor të vendit të origjinës, por të cilin nuk kanë ditur ta transmetojnë, as « gjeneratat e treta », të cilat flasin frengjisht me prindërit e tyre dhe falë tyre janë të familjarizuar me mënyrat e shprehjes së Islamit në shoqërinë franceze : edhe pse mund të jenë konfliktuale, janë «funksionale». Nëse gjejmë shumë më pak turq se magrebinë në lëvizjet radikale, kjo vjen padyshim nga fakti se për turqit transmetimi është mundur të sigurohet sepse shteti turk e ka marrë përsipër transmetimin përmes dërgimit të mësuesve dhe imamëve (çka shtron të tjera probleme, por mundëson shmangien ndaj aderimit në selefizëm dhe në dhunë).

Të rinj që i kanë kthyer krahët shoqërisë

Për sa u takon të rinjve të konvertuar, ata aderojnë me përkufizim në fenë « e dëlirë », kompromisi kulturor nuk u intereson (s’kanë lidhje me gjeneratat e mëparshme që konvertoheshin në sufizëm) ; këtu ata takohen me gjeneratën e dytë në aderimin ndaj një « Islami në thyerje », në thyerje gjenerate, thyerje kulturore, e përfundimisht në thyerje politike. Shkurt, nuk u shërben për asgjë oferta për një « Islam të moderuar », sepse, me përkufizim, është radikaliteti që i ndjell. Selefizmi nuk është vetëm një çështje predikimi financuar nga Arabia Saudite, është vërtet produkti që u shkon përshtat të rinjve që i kanë kthyer krahët shoqërisë.

Kështu – dhe ky është ndryshimi madh me rastin e të rinjve palestinezë që i bashkërendohen formave të ndryshme të Intifadës – prindërit myslimanë të radikalëve francezë nuk e kuptojnë revoltën e femijëve të tyre. Gjithmonë e më tepër, ashtu si edhe prindërit e të konvertuarve, ata mundohen ta pengojnë radikalizimin e fëmijëve të tyre : thërrasin policinë, shkojnë në Turqi për të tentuar t’i kthejnë, dhe me të drejtë i druhen faktit se të mëdhenjtë e radikalizuar mund të marrin me vete me të vegjlit. Shkurt, larg të qenit simboli i radikalizimit të popullatave myslimane, xhihadistët shpërthejnë frakturën mes gjeneratave, domethënë thjesht familjen.

Në thyerje me familjet e tyre, xhihadistët gjenden gjithashtu edhe në margjinat e bashkësive myslimane : nuk kanë thuajse kurrë një të shkuar devotshmërie dhe praktike fetare, përkundrazi. Artikujt e gazetave shëmbëllejnë çuditërisht : pas çdo atentati shkohet për të hetuar në mjedisin e vrasësit dhe kudo haset efekti i surprizës : « Nuk e kuptojmë, ishte djalë i mirë (ose ndryshe : « Thjesht një keqbërës i vogël »), nuk praktikonte, pinte alkool e bar, shoqërohej me vajza… Ah, po, e vërtetë, ka disa muaj që ndërroi çuditërisht, lëshoi mjekër dhe nisi të na lodhte kokën me fe ». Për versionin femëror, t’i hidhet një sy tufës së artikujve lidhur me Hasna Aït Boulahcen-in, « Miss Djihad Frivole».

E padobishme të përmendimin këtu takijen, ose kamuflimin, përderisa të rinjtë born again (të rilindur) nuk fshihen, por i shpalosin bindjet e reja në Facebook. Aty e shfaqin un-in e tyre të ri të gjithë-pushtetshëm, vullnetin e tyre për t’iu kundërvënë një frustracioni të krijuar, kënaqësinë për gjithë-pushtetin e ri që u japin vullnetin për të vrarë dhe magjepsjen me vetë vdekjen e tyre. Dhuna në të cilën aderojnë është një dhunë moderne, vrasin sikurse vrasësit në masë në Amerikë apo Breivik-u në Norvegji, ftohtësisht dhe qetësisht. Nihilizmi dhe krenaria gjenden këtu plotësisht të lidhura.

Ky individualizëm entuziast gjendet tek izolimi i tyre në raport me bashkësitë myslimane. Pak prej tyre i frekuentojnë xhamitë. Imamët e tyre eventualë janë shpesh të vetëshpallur. Radikalizimi i tyre shpesh kryhet rreth imagjinimit të heroit, të dhunës dhe të vdekjes, jo rreth Sheriatit apo utopisë. Në Siri vetëm luftojnë : askush nuk integrohet apo bëhet pjesë e shoqërisë civile. Vetes i caktojnë skllave seksuale ose rekrutojnë vajza të reja në Internet për t’i bërë bashkëshorte të martirëve të ardhshëm; kjo tregon se s’janë fare të integruar në shoqëritë myslimane që pretendojnë se mbrojnë. Janë më tepër nihilistë se utopistë.

Askush nuk interesohet për teologji  

Nëse disa syresh kanë kaluar nga Tabligët (shoqëri predikuesish fundamentalistë myslimanë), askush s’i ka frekuentuar Vëllezërit Myslimanë (Bashkimi i Organizatave Islamike të Francës), askush s’ka milituar në një lëvizje politike, duke nisur nga lëvizjet pro-palestineze. Askush s’është ushtruar në praktika « bashkësish » : sigurimin e ushqimeve për fundin e Ramazanit, predikimin në xhami, në rrugë apo derë më derë. Askush s’ka ndjekur studime serioze fetare. Askush s’interesohet për teologji, as për vetë natyrën e xhihadid apo të Shtetit Islamik.

Radikalizohen përreth një grupi të vogël « shokësh » që janë njohur në një vend të caktuar (lagje, burg, klub sportiv) ; krijojnë një « familje », një vëllazëri. Ka një skemë të rëndësishme të cilën askush nuk e ka studiuar : vëllazëria është shpesh biologjike. Rregullisht gjendemi përpara një vëllezërish  që hyjnë bashkë në veprim (vëllezërit Kouachi dhe Abdelslam, Abdelhamid Abaaoud që « rrëmben » vëllanë e tij të vogël, vëllezërit Clain që janë konvertuar së bashku, pa folur për vëllezërit Tsarnaev, autorët e atentatit të Bostonit në prill 2013. Celula mundohet të krijojë lidhje afektive midis anëtarëve : shpesh martohen me motrën e vëllait në armë. Celulat xhihadiste nuk u ngjajnë atyre të lëvizjeve radikale me frymëzim marksist apo nacionalist (FLN algjerian, IRA apo ETA). Të krijuara përmes lidhjes personale, ato janë më të padepërtueshme nga infiltrimet.

Terroristët nuk janë kështu shhprehja e një radikalizimi të popullatës myslimane, por reflektojnë një revoltë që prek një kategori të veçantë të rinjsh.

Përse Islami ? Për gjeneratën e dytë është e qartë : ata marrin përsipër një identitet të cilin, për sa u takon atyre, prindërit e tyre e kanë njollosur : ata janë « më myslimanë se myslimanët » dhe sidomos prindërit e tyre. Energjia që harxhojnë (së koti) për të rikonvertuar prindërit e tyre është domethënëse, por tregon se në ç’masë i përkasin një tjetër planeti (të gjithë prindërit kanë diçka për të rrëfyer rreth këtyre shkëmbimeve). Sa u përket të konvertuarve, ata zgjedhin Islamin sepse në tregun e revoltës radikale vetëm ai ka mbetur. Bashkimi me Daesh-in ofron sigurinë për të terrorizuar.

Comments

  • Ngaterrimi i Selefizmit me Tekfirizmin eshte po aq i rrezikshem sa ngaterrimi i Islamit me terrorizmin. Te gjitha karakteristikat qe ka permendur autori i pershtaten me se miri personave me ide tekfiriste, ose e shumta atyre qe e quajne veten “selefijte xhihadiste”, te cilet ne fakt jane me shume tekfirsa se selefij.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *