Post Paris





 

Qazim Fuçija

 

imagesSulmi terrorist në Paris i shkaktoi Francës një prej fatkeqësive të saj më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore. Ky akt erdhi nga disa persona, të cilët kanë përqafuar një ideologji të cilësuar si terroriste dhe me këtë veprim, makabër dhe deri diku i paimagjinueshëm, u kërcënua në mënyrë direkte vetë shteti francez. Deri këtu të gjithë jemi në të njëjtin mendim, por ajo çka e pasoi këtë sulm terrorist ose, më saktë, ajo që u servir më pas ishte gjithashtu dramatike e hera-herës patetike: një pasqyrë e opinionit të gabuar të disa njerëzve dhe paragjykimit të disa të tjerëve.

Që në fillim, kjo u cilësua si diçka e ideuar nga ‘terroristë islamikë’. Këtu fillon edhe problemi i parë. Nëse do të përmendej vetëm termi terrorist do të ishte shumë e saktë, por këtij termi iu bashkëngjit edhe termi islamik, pra “terrorist islamik”, një togfjalësh kontradiktor për arsyen e thjeshtë se fjala islam ka kuptimin paqe. Po ta shqipëronim termin e përdorur, ai do të përkthehej “terrorizmi i paqes”.

Nuk duhet harruar pastaj paragjykimi apo diskriminimi që pasoi, i cili u shfaq ndaj një grupi të caktuar të shoqërisë, që edhe pse nuk kanë lidhje me ata që kryejnë akte të tilla, në sytë e atyre të cilët nuk kanë informacione rreth fesë islame, identifikohen me diçka që nuk i përket atyre. Jo vetëm kaq, por kjo mund të arrijë, dhe arriti, në shkallën e racizmit.

Vetë bota perëndimore, e karakterizuar për lirinë e saj dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, duket se po kthehet në paragjykuese. U akuzuan refugjatët e ardhur nga Lindja e Mesme, por ajo çka nuk iu servir shoqërisë ishte se po këta refugjatë po largohen nga vendi i tyre dhe po lënë gjithçka pas, vetëm si pasojë e atij grupi kriminal, i cili është po ai që ndërmori sulmet në Paris. Nuk është ndonjë çudi e madhe, pasi sa herë që ndodhin trazira në vendet europiane akuzohen terroristët e indirekt muslimanët.

Kjo është qartazi një logjikë bardhezi, që ka sjellë gjithmonë ndarje mes njerëzve, duke i etiketuar si “Ne” apo “Ata”. Ajo  çka duhej të shfaqej pas sulmeve ishte bashkimi i njerëzve, ndërsa u përcoll e kundërta. Pas ngjarjeve të tilla, duhet të ketë bashkëpunim mes shteteve e njerëzve, në mënyrë që bota të jetë e bashkuar kundrejt një rreziku potencial dhe jo të përçahet më keq, ndoshta edhe duke përkeqësuar situatën.

Duhej të tregohej solidaritet ndaj natyrës së kësaj ngjarjeje jo në atë formë me anë të së cilës ne u përpoqën për ta realizuar. Ne si shqiptarë jemi cilësuar historikisht si imituesit e të tjerëve dhe ajo që ndodhi pas sulmeve të Parisit nuk arriti të tregonte të kundërtën.
Ky ishte momenti ynë për të bërë diçka të mirë duke u solidarizuar me të tjerët.
Ky solidarizim do të ishte i rëndësishëm për vetë aspiratat tona si popull, një popull europian që synon të avancojë në rrugën për t’u krahasuar me shtetasit e tjerë në kontinentin tonë apo më gjerë.

Të gjithë u sensibilizuan më parisienët duke mbivendosur flamurin francez në foton e profilit në rrjetin social facebook, por vetëm kaq dhe për më tepër e gjitha mbeti një fasadë.
Në fillim u mendua përjetimi i keqardhjes për viktimat, por vetëm një grup i vogël njerëzish mund ta ketë ndjerë seriozisht në zemër atë çka ndodhi, ndërsa të tjerët, ashtu siç e thamë dhe më sipër, thjesht imituan një trend.

Kam përshtypjen se një pjesë e atyre të cilët në foton e tyre të profilit mbivendosën flamurin francez as nuk ia kishin idenë pse po e vendosnin, por thjesht vërejtën që u bë e modës dhe për disa “like” filluan t’i ngjasonin të tjerëve. Ne patjetër duhet të solidarizohemi me  çdokënd që bie pre e akteve të tilla të ndërmarra nga disa vrasës gjakftohtë, të cilët edhe emrin “njeri” nuk e meritojnë.  Por edhe solidariteti duhet t’i përfshijë të gjithë. Nuk mund të shfaqet keqardhje ndaj disave, ndërsa ndaj disa të tjerëve mospërfillje. Sulme të tilla ndodhin çdo ditë në vendet e ashtuquajtura lindore: mijëra njerëz humbin jetën e tyre si pasojë e sulmeve terroriste dhe askush nuk kujtohet për ta, apo për të bërë foto profili një flamur të ndonjërit prej atyre shteteve në të cilat ndodhin këto ngjarje.

Pikërisht ky standard i dyfishtë po e shkatërron botën. Çdo ditë zyrtarët e shteteve lobojnë për një Europë më të mirë, më të sigurt dhe më paqësore. Por është koha që bëjmë një vështrim ndryshe: duhet të ndërtojmë një botë të lirë, jo një Europë të lirë. Të duam shoqëri pa standard të dyfishtë, pa logjikë bardhezi dhe pa diskriminim. Të punojmë për një njerëzim që solidarizohet pa dallim race, feje apo kombi ndaj fatkeqësive apo masakrave të shkaktuar nga të pangopurit, të paepurit dhe injorantët. Ky është momenti për të ndryshuar gjykimin dhe mendësinë, dukë filluar nga vetja jonë në radhë të parë e më pas për ta transmetuar te të tjerët.

 

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *