Dobia e ndëshkimit





            Romeo Ismahilaj

 

imagesNë përgjithësi si qenie njerëzore jemi duke vuajtur pasojat e një krize të veçantë të ndërgjegjes, e këto pasoja shtrihen tek të gjitha kategorizimet në të cilat përcaktohemi: në statusin e individit të shoqërisë apo të personalitet të bashkësisë, nën përfaqësinë e një komuniteti fetar apo të një grupimi laik, si misionarë të një ideologjie religjioze, nacionale a multikulturaliste apo thjesht si individë të zhveshur nga perspektivat përtej qëllimeve e interesave personale. Shumë probleme të mëdha, si Ngrohja Globale, krizat e vazhdueshme ekonomike, shthurjet e rendeve komunitare tradicionale, despotizmi, anarkia, centralizimi i pushtetit politik në mjaft shtete, hegjemonia e forcave ideologjike me prirje imponuese në nivel civilizimi, por dhe fenomene të një shkalle të lartë të çekuilibrimit, siç janë sot organizata e terrorit ‘ISIS’, konflikti midis izraelito-palestinez, krimet shtetërore në Sirinë e Asadit, grushti ushtarak në Egjipt, shfaqjet e herëpashershme të akteve terroriste në qendrat kryesore të civilizimit bashkëkohor, padrejtësitë sociale e mungesa e kushteve optimale të jetesës në shumë vende ish-komuniste si vendi ynë, krizat ekstreme të urisë në shumë shtete të Afrikës, të gjitha këto, në vetvete, përbëjnë një rrezik tejet serioz për shoqërinë njerëzore. Por përtej kësaj, posedimi i gjithë këtij informacioni nga vetëdija jonë shkakton mbingarkesë emocionale dhe është kthyer në mjet destruktiviteti ndaj qenies sonë.

Imazhet e gatshme të cilat na servilen, që kanë funksion primar informimin në lidhje me aktualitetin, dalëngadalë janë kthyer në zëvendësuese koherente të kapitalit tonë ideor në sferën e parimeve, qëllimeve, objektivave, prioriteteve e metodave. Kështu kemi prekur një fazë në të cilën ndodhemi të privuar prej kohezionit i cili duhet të ekzistojë mes një realiteti të çekuilibruar dhe ideve faktoriale të cilat veprojnë për t’i ardhur në ndihmë këtij realiteti.

Së këndejmi, në diskurset shoqërore të llojeve e rangjeve të ndryshme “zien” vala e shprehjes së analizave sociologjike, kritikave morale dhe argumentimi mbi disfatat e civilizimit bashkëkohor në sferë të idealeve e parimeve prej ku ai ka krijuar boshtin e ekzistencës së vet. Nga ana tjetër, ky lloj reagimi konsiston në pozicionimin tonë permanent nën kornizat e faktorit opozitar. Pasoja më negative e këtij pozicionimi ka të bëjë me transferimin radikal të gjendjes së vetëdijes sonë, duke i transferuar elementët e saj prej përqendrimit ndaj kërkesave reale të aktualitetit në gjendjen e një vetërealizimi psikologjik, i cili premisën e vet e ka tek analiza e botës së jashtme dhe kulmon me kritikën tërësore ndaj saj. Kështu edhe pse nuk e pohojmë “de-facto”, ne pranojmë si të mirëqenë besimin e një ideje deterministe të jetës, e cila kushtëzon aspektet tona të mendimit e veprimit.

Gjithandej ndihemi të ndëshkuar, inferiorë e të pashpresë për të nesërmen. Nëse situatën tonë do e shohim në kontekstin e një përballë-vënie mes unit tonë dhe botës, atëherë analiza na tregon se trysnia e aktualitetit ka triumfuar ndaj nesh e na ka bërë ta paaftë për të vepruar si dhe na ka hequr iniciativën për të nisur rregullimin e elementëve të jetës që prej sistemeve më të vogla në kuadër të çështjeve personale, kështu energjitë e mundësitë për t’u inkuadruar në këto projekte i kanalizojmë në drejtime të gabuara në funksion të analizës, interpretimit, komentimit e kritikës ndaj keqfunksionimit të sistemeve më të mëdha.

Që të gjitha fenomenet negative e problemet e mëdha me të cilat përballen sot të gjitha shoqëritë janë fakte të pamohueshme, por e gjithë kjo situatë nuk e ka burimin te vullnetet tona të veçanta. Ajo është rezultat i pozicionimit të shumë faktorëve të ndryshëm në stade të caktuara historike, e mbi të gjitha është përcaktim i një fuqie metafizike në kuadër të një programimi që nuk i përket njeriut. Prandaj gjërat të cilat në këndvështrimin tonë duken të çrregullta, në thelb janë në një proces rregullimi gjithëpërfshirës.

Shtetet, sistemet politike, kulturat e civilizimet e ndryshme, të cilat kanë arritur stade dhe nivele të larta të progresit e integritetit, nuk e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre në kushte komode e të paprivuara prej sfidave e vështirësive. Madje përvojat historike na tregojnë se nivelet më të larta të sfidave priren ta çojnë qytetërimin në stade më të larta të zhvillimit e konsolidimit. Kushtet sociale, ekonomike, politike e religjioze të aktualitetit të cilat shpesh i shohim si ndëshkim, tek individë dhe shoqëri të ndërgjegjshme e me stabilitet të vetëdijes, kanë qenë burim i dobive të shumanshme në kuptimin e realizmit  të aftësive, mundësive e kapaciteteve njerëzore. Modelet të kësaj natyre ka plot e një prej tyre është rasti i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, i cili na tregon se si një shoqëri e ndëshkuar në përmasa gjithëpërfshirëse e kthen vështrimin te vetja për të njohur thelbin e saj, aftësitë, cilësitë e kapacitetet e brendshme e nëpërmjet tyre shndërron realitetin e jashtëm, trysnia e të cilit e humbet shumë shpejtë forcën vepruese dhe mbetet si mirazh. Gjithashtu një model tjetër është edhe civilizimi Islam i cili i zhvilloi elementët e jetës njerëzore në nivele të jashtëzakonshme duke e gjeneruar gjithë rezultatin kolosal prej kthjelltësisë së lartë të vetëdijes e cila përpara tij ishte errësuar e çekuilibruar deri në atë masë sa prej saj kishte humbur kuptimi i njerëzores.

Duke e parë veten vazhdimisht në të tilla situata ku mënyra më e lehtë për të justifikuar rolin e pozicionin tonë (i cili shpesh nuk tenton ta kapërcejë fazën aktuale) është interpretimi i të jashtmes, shpesh kontakton në pavetëdijen tonë rrezja ndriçuese e një dritareje e cila ndriçon një  vizionin më të qartë dhe me më shumë premisa optimizmi e cila në vetvete është produkt i parimit universal të shpallur në Kuran: “ Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten”. Në këtë parim përcaktohet aktualiteti inkoherent i shoqërisë, mungesa e rendit të drejtësisë si dhe kaosi social, që, të analizuar nga një këndvështrim horizontal, të cilit i mungon largpamësia, përkufizohen si gjendje të ndëshkimit. Ndërsa parë nga një këndvështrim vertikal të shoqëruar me largpamësi, prej këtu shihet burimi i mekanizmave dhe energjive, të cilat do ta shndërrojnë rendin dëmtues të shoqërisë në burim të dobisë për njeriun. Vargu kuranor vë në fokus rolin dhe dëshirën e njeriut për të ndryshuar, pasi aty qëndron premisa e çdolloj progresi. E nëse nuk do ekzistonte ai të cilin ne e konsiderojmë ndëshkim e që nuk është karakteristikë vetëm e shoqërisë sonë por e çdo shoqërie dhe çdo epoke, atëherë nuk do gjenim burimin e lindjes së një vetëdije kohezive e të mendimit të mprehtë për të njohur thelbin e problemeve dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre.

Vetëm sepse mes nesh ka divergjencë, kaos, dobësi e padrejtësi merr jetë dhe kuptim kauza e cila synon konvergjencën, rendin, forcën e drejtësinë. Prandaj orientimi i vetëdijes sonë vazhdimisht drejt objekteve dhe fenomeneve pozitive me efekte reale në përputhje me kërkesat e natyrës sonë, shihet si mekanizmi më i fortë në kontaktin e përditshëm me ndikimin që kemi me situatat e ndikuara nga ndëshkimi, të cilat të analizuara mbi kritere objektive kuptohen se janë burimet e impaktit që zgjon në sferën psikologjike e shpirtërore dëshirën për të tejkaluar anormalitetin që në vetvete është kushti hyjnor i dobisë.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *